(intervistë me shkrimtarin Gazmend Krasniqi)

 

 

Belle Epoque si letërsi e kujtesës

(intervistë me shkrimtarin Gazmend Krasniqi)

 

 

Duket se një nga mënyrat për të lexuar romanin Belle Epoque është ta vendosim në kuadrin e “letërsisë së kujtesës”, ku rrëfimi nuk ka për synim rindërtimin linear të së kaluarës, por eksplorimin e mënyrave se si ajo përjetohet, deformohet dhe rikthehet në ndërgjegje. Pra, romani nuk duket thjesht një kthim në histori, por një hetim mbi vetë mekanizmat e kujtesës. Si realizohet kjo?

Më duket mendim i drejtë. Nëse romani historik zakonisht përpiqet të rindërtojë një epokë, Belle Epoque përpiqet të rindërtojë kujtesën e një epoke. Kjo është arsyeja pse ai mund të lexohet para së gjithash si roman i kujtesës: jo i kujtesës së qetë, që ruan ngjarjet si në arkiv, por i kujtesës së trazuar, që lufton me harresën, me shtrembërimet e kohës dhe me ndërhyrjet e pushtetit. Fragmentet e së kaluarës – qofshin historike apo personale – nuk rikthehen si të plota, por si copëza, si jehona që kërkojnë të lidhen mes tyre. Kjo e bën kujtesën një hapësirë krijimi po aq sa një hapësirë rikujtimi. Prandaj romani nuk ndërtohet mbi një intrigë klasike, por mbi rikthimin. Personazhet, narratorët dhe vetë lexuesi shtyhen vazhdimisht drejt vitit 1946, drejt atij momenti themelor kur po formësohej sistemi letrar shqiptar i pasluftës. Kthimi pas nuk është zgjedhje e lirë: është një forcë që i tërheq personazhet, siç e tërheq kujtesa njeriun drejt plagëve të veta.

 

A mund të qëndrojmë edhe pak te forma, për të parë mënyrën se si është organizuar ajo?

Ndërtimi tekstual me letra, ndërhyrje reflektive dhe fragmente narrative synon një strukturë që i ngjan vetë funksionimit të kujtesës: jo lineare, e ndërprerë, e mbivendosur. Lëvizja mes kohëve – nga e tashmja drejt viteve 1940–46 dhe anasjelltas – synon për të treguar se e kaluara vazhdon të jetë aktive në të tashmen. Kujtesa nuk është prapa nesh, por brenda nesh. Personazhet – qofshin figura historike apo zëra narrativë – mbartin jo vetëm përvojat e tyre, por edhe një kujtesë më të gjerë kulturore. Përmes tyre, romani shqyrton mënyrën se si ndërtohet kujtesa e letërsisë: çfarë ruhet, çfarë harrohet dhe çfarë deformohet nga institucionet dhe diskurset dominuese.

 

Në qendër të këtij universi qëndron figura e Draçinit, i cili është më shumë se personazh. Ai është metaforë e kujtesës së zhdukur shqiptare. Një intelektual i talentuar, i përkushtuar ndaj letërsisë, që përfundon i fshirë jo vetëm fizikisht, por edhe nga kujtesa zyrtare. Fati i tij bëhet simbol i fatit të shumë figurave që historia i dënoi dy herë: një herë me vdekje dhe herën e dytë me harresë.

Kujtimet deformohen, plotësohen, interpretohen, megjithatë pa to njeriu mbetet pa identitet. Harresa mund të sjellë qetësi, por edhe humbjen e vetes. Belle Epoque është një roman që synon të bëjë pyetje se çfarë ndodh kur një komb fillon të harrojë shkrimtarët, debatet, ëndrrat dhe tragjeditë që e kanë formuar. Kur harresa bëhet kulturë, letërsia mbetet një nga format e fundit të rezistencës. Do të doja që vlera e këtij romani të mos qëndronte vetëm te rikthimi i figurave të humbura, por edhe te përpjekja për të rikthyer të drejtën për të kujtuar. Në këtë kuptim, Belle Epoque të ishte një roman që e sheh letërsinë si vendin ku të vdekurit vazhdojnë të flasin dhe ku historia fiton një shans të dytë për t’u dëgjuar.

 

Në këtë kontekst, harresa paraqitet si një forcë aktive. Ajo është pjesë e procesit të ndërtimit të kujtesës, një mekanizëm që seleksionon dhe riformulon të kaluarën. Referencat ndaj mundësisë së ndërhyrjes në kujtesë (nga fusha shkencore) e thellojnë këtë problematikë, duke ngritur pyetjen: nëse kujtesa mund të manipulohet, çfarë ndodh me identitetin individual dhe kolektiv? Apo jo?

Përpjekja për të treguar një histori shfaq kufijtë e gjuhës: fjalët nuk arrijnë ta kapin përvojën plotësisht, ndërsa vetë akti i rrëfimit e transformon atë. Kështu, kujtesa në Belle Epoque nuk është vetëm përmbajtje e rrëfimit, por edhe produkt i tij. Duke vënë në qendër periudha të rëndësishme të historisë letrare shqiptare, romani nuk synon të rikthejë një “të kaluar të pastër”, por të tregojë se si është ndërtuar ajo përmes zgjedhjeve, përjashtimeve dhe interpretimeve. Kujtesa kolektive duhet të dalë si një fushë konfliktesh, ku përballen versione të ndryshme të së kaluarës. E kaluara nuk ekziston jashtë mënyrave tona të të menduarit dhe të të rrëfyerit për të. Në këtë kuptim, romani nuk synon të ruajë kujtesën, por edhe ta prodhojë atë, duke e bërë lexuesin pjesë të këtij procesi. Që këtu vjen ai impakt me harresën dhe vënia në diskutim e statusit të saj.

 

Pra, një nga boshtet më të rëndësishme interpretative të Belle Epoque është ndërthurja mes historisë dhe fiksionit, ku kufiri tradicional mes tyre jo vetëm zbehet, por vihet në diskutim si konstrukt. Si realizohet kjo konkretisht?

Në këtë kuptim, mund të themi, tani që libri është shkruar, se historia në roman funksionon si fiksion. Së pari, figura historike dhe ngjarje reale ndërmjetësohen nga zëra të ndryshëm, nga letra, fragmente dhe ndërhyrje reflektive, të cilat e thyejnë iluzionin e një narrative të qëndrueshme. Së dyti, romani e bën të dukshme ndërhyrjen e subjektit në ndërtimin e historisë: narratori, romancieri i brendshëm dhe shkruesit e letrave nuk janë transmetues neutralë, por agjentë që përzgjedhin, theksojnë dhe riformulojnë materialin historik, duke e shfaqur Historinë si një akt shkrimi, një proces selektiv dhe i kushtëzuar nga pika e shikimit.

Nga ana tjetër, fiksioni merr tipare të historisë: nuk qëndron jashtë realitetit, por ndërtohet mbi referenca konkrete historike, mbi emra, institucione dhe kontekste të identifikueshme. Kjo i jep fiksionit një efekt autenticiteti, duke e bërë të besueshëm si mundësi interpretimi. Fiksioni bëhet një mjet për të eksploruar atë që historia zyrtare nuk e thotë ose nuk mund ta thotë: tensionet e brendshme, konfliktet e padukshme apo zonat e heshtjes. Në këtë ndërthurje, romani sfidon edhe nocionin e së vërtetës historike: nuk ka më një të vërtetë unike, por një shumësi të vërtetash të pjesshme, që ekzistojnë në raport me diskurset që i prodhojnë. Romani na fton ta mendojmë historinë jo si një të kaluar të mbyllur, por si një tekst të hapur, ku çdo lexim është një rishkrim dhe çdo rrëfim një akt interpretimi.

 

Kështu, po themi se romani nuk kufizohet në rikrijimin e një epoke, por problematizon mënyrën se si kjo epokë mund të rrëfehet. Apo jo?

E drejtë. Sigurisht, sot flasim pasi çdo gjë ka marrë formë. Mund të themi se nuk synohet personazhet historike të paraqiten si figura të ngrira monumentale, por si subjekte në tension, të përfshira në dinamika pushteti, rivaliteti dhe pasigurie. Në këtë mënyrë, romani duhet të largohet nga modeli klasik i romanit historik (në kuptimin e kritikut të njohur marksist George Lukács), ku personazhet funksionojnë si bartës të një “fryme të kohës”, dhe t’i afrohet një modeli më kritik, ku historia shihet si një fushë konfliktesh dhe ndërtimesh diskursive. Prandaj është menduar si e rëndësishme mënyra se si këto figura historike futen në tekst përmes ndërmjetësimeve të ndryshme: letra, rrëfime të pjesshme apo vëzhgime të fragmentuara, ku personazhet të mos “flasin drejtpërdrejt” si dëshmi të së kaluarës, por të shfaqen si efekte të një rrëfimi që i ndërton dhe i riformulon vazhdimisht. Në këtë kuptim, romani kërkon ta zhvendosë vëmendjen nga “çfarë kanë qenë këto personazhe” te “si bëhen të lexueshëm sot”.

Pra, në planin estetik, përdorimi i personazheve historike të shoqërohet me një shmangie të psikologjizimit tradicional: figura si Draçini, Kuteli, Luarasi, Shuteriqi apo të mos ndërtohen si individë me zhvillim të brendshëm linear, por si nyje në një rrjet diskursiv. Kështu, nuk merr rëndësi thellësia psikologjike në kuptimin klasik, por pozicioni i tyre në raport me letërsinë, pushtetin dhe institucionet, që i jep romanit një karakter më analitik, duke e afruar me një “histori të brendshme” të letërsisë, të rrëfyer nga brenda mekanizmave të saj. Figurave të njohura të letërsisë shqipe u hiqet aura monumentale, që të vendosen në një hapësirë ku ndërthuren ambicia estetike, rivaliteti profesional dhe presioni ideologjik.

Besoj se romani mund të perceptohet si një tekst që ndërhyn në mënyrë të vetëdijshme në debatet mbi historinë e letërsisë, kujtesën dhe rolin e shkrimtarit në një kulturë të fragmentarizuar. Ai nuk ka synuar të ofrojë një narrativë të mbyllur, por një hapësirë problematizimi, ku e kaluara, e tashmja dhe vetë akti i të shkruarit të vihen në dialog kritik. Në këtë kuptim, romani të jetë instrument reflektimi mbi vetë praktikën e interpretimit letrar.

 

Po themi se ndërtimi përmes letrave, fragmenteve narrative dhe refleksioneve eseistike e zëvendëson rrëfimin linear me një konfigurim të hapur, ku kuptimi nuk rrjedh nga progresioni i ngjarjeve, por nga marrëdhëniet ndërmjet pjesëve. Se ky fragmentaritet nuk duhet parë si mungesë koherence, por si një strategji që pasqyron një realitet të copëzuar, ku përvoja nuk mund të organizohet më në forma të qëndrueshme narrative. Cili është argumenti?

Ne që merremi me letërsi, që shkruajmë për të apo e krijojmë, e dimë se sot kjo strategji synon ta afrojë veprën me atë që kritika postmoderne, me teoricienët dhe kritikët e saj më të njohur, e ka përkufizuar si rishkrim i historisë: një proces që nuk synon rikthimin e së kaluarës “ashtu siç ka qenë”, por zbulimin e mënyrave se si ajo është ndërtuar dhe institucionalizuar. Kujtoni romani Njëqind vjet vetmi, Emri i trëndafilit apo Fëmijët e mesnatës. Në planin e leximit, Belle Epoque kërkoi një zhvendosje nga një lexim linear në një lexim interpretativ dhe ndërveprues. Lexuesi nuk është më konsumues i një historie të gatshme, por bashkëprodhues i kuptimit, i detyruar të ndërtojë lidhje mes fragmenteve dhe të menaxhojë pasigurinë që krijon teksti. Kjo përputhet me një nga parimet themelore të letërsisë bashkëkohore: hapjen e veprës dhe refuzimin e një kuptimi përfundimtar.

Romani synon të ndërtojë një raport kritik me leximet e mbyllura dhe pasojat e tyre, pasi, duke zbehur apo larguar kriteret e vërteta të vlerësimit, kanë çuar në konceptin e “industrisë kulturore”, duke e vendosur letërsinë në një kontekst ku ajo rrezikon të humbasë funksionin e saj emancipues dhe të reduktohet në mall, një stad ku fatkeqësisht ndodhet sot kultura shqiptare. Për momentin, pa rrugëdaljes.

 

Pra, ky roman nuk kërkon të lexohet me nxitim. Është një tekst që hapet gradualisht, duke e ftuar lexuesin të ndalet, të rikthehet dhe të lidhë vetë fijet mes fragmenteve që në pamje të parë duken të shpërndara. Këtu nuk do të gjehet një rrëfim i drejtpërdrejtë, por një hapësirë ku historia, kujtesa dhe reflektimi mbi letërsinë ndërthuren në mënyra të papritura. A besoni te ky lexues?

Pse jo? Në thelb, një lexues i mirë shkon nga një marrës pasiv në një bashkëpunëtor në prodhimin e kuptimit. Çdo lexim është një version i mundshëm i romanit, një mënyrë për të lidhur fragmentet dhe për të krijuar një rend të përkohshëm brenda një strukture të hapur. Belle Epoque synon, në këtë kuptim, të bëjë një lojë serioze me letërsinë: një tekst që kërkon të lexohet duke qenë i vetëdijshëm se çdo rrëfim është gjithmonë edhe një interpretim. Çdo rikthim në të mund të zbulojë një lidhje të re, një nuancë tjetër, një pyetje që mbetet pezull. Romani e propozon këtë përvojë leximi: ka rëndësi jo vetëm ajo që thuhet, por edhe mënyra si kërkohet të kuptohet. Belle Epoque synon të jetë një roman për letërsinë dhe përtej saj, një sfidë për lexuesin që të mos mbetet thjesht dëshmitar, por të bëhet pjesë e kërkimit. Kjo zgjedhje duhet t’i japë romanit një dimension të dyfishtë: nga njëra anë, ai mund të lexohet si një rikonstruksion imagjinar i një periudhe historike; nga ana tjetër, si një kritikë e mekanizmave përmes të cilëve ndërtohet dhe kontrollohet letërsia. Duke u kthyer në vitet vendimtare të formësimit të letërsisë shqipe moderne, romani synon të kërkojë tensionet mes krijimit dhe pushtetit, kujtesës dhe manipulimit të saj, individit dhe sistemit. Në qendër të tij të qëndronte një pyetje e heshtur, por këmbëngulëse: a mund të ekzistojë një “epokë e bukur” në një botë që ndërton identitetin mbi harresën?

 

 

Bisedoi: Rubensa NDRECA

 

 

 

 

 

Lini një koment