Gazmend Krasniqi
AI-ROMANI
Jam e zhgënjyer nga ju!
(protesta e një vajze të Gen Z përballë kordonit të policisë)
Shënim editorial
Duhet fjala rroba, profesor, më tha njëri prej studentëve, me tonin e atij që mendon se është duke përfaqësuar mendimin e shumicës.
Tesha, e korrigjova.
Ai buzëqeshi dhe më tha, tashmë me tonin e atij që e mendon betejën të fituar:
Nuk ke frikë se nuk ta njeh Chat-i?
Sa më shumë kërkoja për moshën e fjalës, aq më tepër më krijohej përshtypja se fjalët e harruara, për paradoks, jetonin më gjatë se ato që përdoreshin çdo ditë, dhe shpjegova, me një sy nga Chat-i:
Teshë /rrobë, veshje, lidhet me rrënjën indo-europiane tek- /teks- me kuptimin të thurësh (me thurë), të endësh (me endë), e njëjta rrënjë që jep latinishten texō – textus (end, thur – tekst, i endur).
Megjithëse kishin pamje indiferente, m’u duk se u zgjua pak kureshtje te studentët, ndaj vazhdova:
Pra, fjala shqipe tekst i përket një trashëgimie ku veshja dhe teksti rridhnin nga e njëjta metaforë bazë: thurja e fijes, paralele me zhvillimin latin texere. Kështu, në fillim kuptimi ishte krejt konkret: të endësh fijet e një cope, të krijosh një pëlhurë, pastaj, në mënyrë metaforike, fjalët u panë si fije, frazat si thurje dhe shkrimi si një ind kuptimor.
Meqë në një farë mënyre qe vendosur heshtja, mora zemër të vazhdoj:
Nga kjo pikëpamje, teoricienët modernë nuk kanë shpikur gjë të re, por i janë kthyer idesë fillestare që e sheh tekstin si një rrjetëzim, një ind citimesh apo një thurje zërash e kodesh.
Nuk merrej vesh nëse po më ndiqnin mua apo Chat-in, por unë vazhdova:
Kjo është pika e parë reale e romanit: jo kapitulli 1, por nyja e parë e fijes, prandaj përgjigjja më e saktë ndaj pyetjes nga t’ia filloj?, është: Nuk fillohet, por futesh në thurje.
Mendova se kjo bisedë nuk është pa lidhje – lexuesi do të ma thotë më vonë perceptimin e vet – me këtë libër që ka marrë rrugën për shtyp, tashmë një përkthim nga anglishtja, pas një shtyse të papritur të botuesit amerikan, i cili u habit kur mësoi se nuk qarkullon në tregun shqiptar, por u tmerrua kur mësoi se unë as nuk e kam këtë tekst në shqip.
Na kanë thënë se lexuesi shqiptar e pranon symbyllur çdo gjë vjen nga tregu amerikan, më tha me ton të prerë.
Dhe shtoi, kur më pa në mëdyshje:
Libri do të shitet rëndshëm.
Por prapë nuk tregova ndonjë entuziazëm. Në këtë kohë po merresha me një histori – shënimet i pata hedhur prej kohësh – të titulluar Shortarët: Ç’u bënë ata që parashikuan rënien dhe shkatërrimin e Trojës, ata që nuk e pranuan dhuratën odisejane të kalit prej druri, një Helen dhe një Kasandra në një qytet bashkëkohës me Trojën, që quhej Butrint? Kush kujtohet për një farë Heleni, kur flasim për një Iliadë apo një Ulisiadë?
Se si më kaloi ajo histori në plan të dytë, derisa më doli edhe nga vëmendja, na duhet ta lexojmë te ky libër i quajtur Ai-romani, siç ndodh shpesh, kur disa gjëra nuk shpjegohen me pak fjalë. E desha atë histori me Trojën, kështu që i dhashë vetes të drejtë ta shaja nëpër dhëmbë njeriun që më largoi prej saj. Jo pak.
Edhe për këtë do ta thotë lexuesi perceptimin e vet.
Kur thashë kjo është pika e parë reale e romanit, kisha parasysh se në atë kohë u pata treguar studentëve idetë e mia për AI-romanin. Më duket se për herë të parë dhe të fundit. Dalëngadalë, kjo ide më la dhe unë nuk gjeta kohë për t’iu kthyer.
U desh gjetja e AI-romanit të studentit që ta bëja këtë kthim.
Shënime të botuesit amerikan
Fillimisht, dorëshkrimi mbërriti pa autor. Më vonë, u paraqit një person, por nuk ishte më i sigurt nëse versioni që kishte dërguar ishte i njëjti me atë që kujtonte se kishte shkruar. Kjo na kujtoi mënyrën se si punon nganjëherë kujtesa, prandaj nuk i kushtuam rëndësi të veçantë.
Por më pas nisën të mbërrijnë fragmente të tjera. Në fillim menduam se bëhej fjalë për variante të hequra gjatë redaktimit, por analizat treguan se asnjë prej tyre nuk ishte kopje e versioneve të mëparshme. Të gjitha dukeshin si vazhdime: herë korrigjonin ngjarje të njohura, herë shtonin episode të reja dhe herë dukeshin sikur kundërshtonin kapitujt ekzistues.
Për një periudhë kohe u përpoqëm të përcaktonim se cili ishte versioni origjinal, por më pas hoqëm dorë. Arsyeja ishte e thjeshtë: sa herë që mendonim se kishim gjetur versionin e parë, shfaqej një tjetër që e vinte në dyshim.
Në dosjet tona ruhen ende variantet e shumta. Disa prej tyre përfundojnë ndryshe: në disa studenti mbijeton, në disa të tjera nuk ka student. Në një version, nuk ekziston as protesta.
Nuk kemi qenë në gjendje të verifikojmë asnjërin, prandaj vendosëm të botojmë versionin që kishim në duar, jo se jemi të bindur që është i vërteti, por se, deri në çastin e botimit, ishte i vetmi që kishte arritur të krijonte lexues.
PJESA E PARË
ÇFARË SHKROVA UNË
1.
Duhet sqaruar që në fillim se pjesën e parë të tekstit që studenti e quante AI-romani, e gjeta në servisin e lagjes, në një nga ata kompjuterët e braktisur prej kohësh, të cilët askush nuk i merr më seriozisht: i rëndë, i zhurmshëm, me një ekran që ndizet me vonesë, sikur duhet të bindet që ka ende arsye për të funksionuar.
Mjeshtri i servisit ngriti supet para pyetjes: Kush është pronari i tij? Dhe vazhdoi: Sa hyjnë e dalin këtu te ne! Nuk e di pse ka mbetur pa hedhur. Mirë që na e kujtove: na ka zënë gjithë atë vend.
Ndërkohë, u nis drejt meje dhe mua më ngriu gjaku.
Lëre edhe pak, i thashë. Nganjëherë më pëlqen të merrem me kompjuterët e braktisur. Sëmundje e vjetër!
Për fat (apo duhet gjetur një fjalë tjetër), mjeshtri pati prapë një ngritje të lehtë supesh dhe u kthye mbrapsht.
*
Dikur u shfaq një desktop përgjithësisht i zbrazët, vetëm me disa ikona të shpërndara pa ndonjë logjikë të dukshme dhe kjo më bëri të mendoj se, pasi ishte përdorur gjatë, kompjuteri qe pastruar rrënjësisht, ose qe braktisur në mes të diçkaje të pakapshme tashmë.
E ristartova po aq instinktivisht sa e kisha ndezur. Vetëm kur u rindez, më kapi syri dokumentin ku lexova titullin: AI-romani. Për fat, të tjerët nuk e kishin mendjen tek unë dhe, një copë herë, u mundova ta marr veten: A e kisha lexuar mirë apo kishte qenë ndonjë lojë e mendjes sime?
Nuk bëhet më ai kompjuter, u dëgjua prapë zëri i mjeshtrit, i cili më shpoi si thikë. Mos u mërzit: e gjeta defektin. Punë minutash!
Ka kaluar kohë dhe ndoshta kujtesa më bën lojëra, por mendoj se e kujtoj momentin kur kompjuteri u fik vetvetiu. Gjithashtu, mendoj se e kujtoj që nuk u ndez menjëherë. Madje, më duket se mjeshtri tha diçka pas shpine, por nuk e mora vesh, sepse zëri i tij vinte si nga një dhomë tjetër, edhe pse ishte aq pranë.
Kur e shtypa butonin për herë të tretë, ekrani u ndez pothuajse pa paralajmërim, thuajse kishte qenë i ndezur më parë dhe më shkuan sytë menjëherë te ai dokument në mes të ekranit dhe titulli i shkurtër. U përkula më afër ekranit dhe klikova. Fjalia e parë që pashë:
Po e jap të saktë bisedën që u zhvillua mes meje dhe mjekut në repartin e urgjencës, ku ndodhej pedagogu
Mbeta me kursorin pezull: për një çast pata përshtypjen se fjalia nuk ishte shkruar për t’u lexuar, por për t’u vazhduar. Tekst origjinal apo përkthim? Kur përshkova hapësirën e zbrazët dhe shkova në faqen tjetër, për disa çaste nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte rreth meje. Vetëm pas një farë përqendrimi, lexova:
Ky roman ka personazh kryesor pedagogun tim, Gazmend Krasniqin, i cili me anë të AI-t do ta ndryshojë shumë punën e shkrimtarit: do ta bëjë atë të lehtë dhe të dashur, ëndrra e shkrimtarëve në të gjitha kohët. Ndërkohë, do ta ketë shijuar jetën (një ëndërr tjetër e shkrimtarëve): do të jetë i dashuri i mbretëreshës së vendit ku jepet çmimi Nobel për letërsinë, një vend që, më pas, do ta akuzojë për vrasje. Me këtë roman, unë dua të bëj me të atë që ka bërë në librat e tij me personazhe të identifikuara historikisht, veçse, në fund, vlerësimin nuk do ta bëjë një kritik letrar, por vetë Mira Murati.
*
Cili ishte ky student guximtar? A ishte ai një Herostrat që kërkonte një emër të përjetshëm, vetëm duke shkatërruar diçka që vlerësohej nga të tjerët? Çfarë ndjeja më shumë: frikë, ego, turp apo narcizëm?
Teksti i gjetur nuk e plotësonte masën për të qenë një roman në vetvete, por kjo nuk kishte rëndësi: mjaftonte edhe aq për të ngritur shumë pyetje.
2.
Pak nga goditja e së papriturës, pak nga mosgjetja e kohës së përshtatshme prej disa rrethanave të asaj kohe, nuk e nisa leximin deri në gjetjen e dokumentit të dytë, pas rreth dy javësh, një fajl pa titull, brenda një folderi me dokumente zyrtare, i cili mund të them se ma përkëdheli sedrën: AI-romani nuk qe një besim i kotë, dhe unë, megjithëse i pashëruar nga frika e të panjohurës për fatin tim, gati bërtita me zë: AI-romani ekziston! Brenda vetes, ndoshta bërtita, sepse kjo më ngjallte kujtime të vjetra, që i mendoja të zhdukura. Ishin kujtime që më ngjallnin nostalgjinë e një kohe me ëndrra të mëdha, ku ndihesha njeriu që do të pushtonte botën.
Ky qe momenti që vendosa për leximin.
Ç’pate, tha gruaja, kur erdhi nga dhoma tjetër.
U ktheva nga ajo me përpjekjen për t’u dukur i qetë. Pra, kisha folur me zë.
Asgjë, thashë. Po lexoja diçka të frikshme.
Befas zgjati celularin për të më treguar një gjë si diplomë:
Vajza fitoi olimpiadën kombëtare të historisë, por, siç e di, nuk i pëlqen të flasë për këto gjëra.
Çfarë i kishte rënë?
Edikti i Nantës.
Mua më kujtohet vetëm Edikti i Milanos. Si ia doli? Ne nuk kemi as shumë libra historie në shtëpi!
Siç kemi thënë, ndoshta duhet të biem në një mendje se në historinë e njerëzimit asnjëherë nuk ka ekzistuar mes brezave një hendek si ky i sotmi, ma ktheu.
Më silleshin në kokë fjalët: rrjeti, AI, sidomos: AI-romani, por njëherë për njëherë doja ta mbaja të fshehtë: derisa ta merrja vesh se çfarë shkruante ai student për mua.
Pas pak, u dëgjua prapë zëri i saj:
Mos harro pjatat! Dhe mëso të përdorësh lavastoviljen!
Ndërkohë që laja pjatat me dorë, nuk mund të shpëtoja nga pyetjet e reja: Mos isha objektiv i ndonjë komploti, diversioni apo larjeje hesapesh? Ku ishte libri i plotë? A mos ishte një kod ndarja e tij pjesë-pjesë?
Në fillim përfytyrova gjëra të vogla: një telefonatë, një debat me gruan, një student që e shmang në korridor dhe një fjali që ai vetë do ta thotë pas disa orësh. Pastaj gjëra më të rënda: humbja e reputacionit, publikimi i sekreteve, vdekja e dikujt, një skandal akademik dhe vetë fundi. Pastaj: Protagonisti (unë, pra) fillon të kërkojë fotografi vjetore, tema diplome dhe imeile, por nuk e zbulon dot atë që e ka shkruar.
Atëherë m’u kthye në vëmendje Heleni dhe fati i tij, por po aq shpejt sa u shfaq, aq edhe u fundos edhe njëherë në harresë. Ky qe ai momenti kur shava nëpër dhëmbë.
*
Të lexosh një roman ku je personazh, është një tundim i madh, por pikërisht për këtë arsye shtyhet leximi: sa më i madh tundimi, aq më e madhe frika nga zhgënjimi ose tronditja. Mund të thuhet se e vonon leximin për të njëjtën arsye që shumë personazhe vonojnë zbulimin e profecisë në mite ose tragjedi: dyshon se teksti përmban një të vërtetë që mund t’u ndryshojë mënyrën se si e shohin veten dhe botën, sepse leximi nuk paraqitet si kërkim informacioni, por si një akt që mund ta transformojë ose ta shkatërrojë identitetin e tyre.
Pra, një pyetje që ia vlente: Çfarë kishte në ndërgjegjen e atij që e bën ta ketë këtë frikë? Pra, çfarë kishte në ndërgjegjen time që unë nuk e di?
Shumë e lehtë ta thuash si personazh, por unë po e thosha si person real, edhe pse i përthithur nga diçka që herë më dukej si roman e herë jo, duke mbizotëruar kjo e dyta.
*
Pashë se teksti ndahej në dy rrjedha: zëri i studentit – ku ai vetë rrëfente për vete dhe për pedagogun, dhe zëri i pedagogut – ku rrëfimi i pedagogut kalonte përmes gojës së studentit dhe është dhënë me nëntitullin Çfarë i shkroi pedagogu studentit. Kështu, e ndjeva të nevojshme të shtoja këtë pjesën Çfarë shkrova unë, një akt rezistence, por edhe dorëzimi njëkohësisht, e cila kthente pyetjen e vjetër: Kush e ka të drejtën të tregojë historinë time?
Ndërsa mendoja kështu, nuk më shqitej pyetja: Si e gjeti rrugën deri tek unë ky libër?
Ime bijë sikur ma lexoi mendjen, kur u shfaq, si zakonisht, e zhytur në celular dhe, pothuajse pa e ngritur kokën, më tha në mënyrë pak enigmatike:
Disa teksteve nuk u shpëtojmë dot.
Nuk pyeti për reagimin tim, sepse, si zakonisht, u zhyt në celular.
*
Më sqaroi më vonë atë që tha, kur u ulëm të hamë, kohë kur hapej në bisedë me ne. Pa pritur reagimin tim, e tregoi kështu atë që kishte lexuar:
Një aktor i ri uellsian e kaloi gjithë ditën duke kërkuar një libër të shkruar nga një autor amerikan, por nuk gjeti asnjë kopje të vetme në të gjithë Londrën: romani nuk ishte botuar ende në Britani. Emri i këtij aktori ishte Anthony Hopkins dhe sapo ishte përzgjedhur për një film bazuar në librin që kërkonte. I lodhur dhe i zhgënjyer, ai mori rrugën e kthimit për në shtëpi, por kur hyri në stacionin e metrosë, pa se në stolin pranë dikush kishte lënë librin që nuk e kishte gjetur askund, prandaj kur do të prezantohej me autorin e librit, i cili, në bisedë e sipër, i tha se nuk e kishte më kopjen e romanit të vet – një kopje të veçantë, me shënime në margjina, që ia kishte huazuar një shoku, i cili e kishte humbur diku në Londër – aktori nxori librin nga çanta dhe tjetri shikoi faqet ku njohu shkrimin e vet.
*
Duhet pasur kujdes me të, tha për studentin, kur tregova për romanin. Ai është Gen Z.
Më vonë, duke lexuar për njerëzit e Gen Z, munda të kuptoja edhe ata që quhen kundërshtarët e tyre, sepse vetëm atëherë m’u duk se e zbërtheva statusin e shkrimtarit Z në rrjetet sociale. Rrjeti po ziente: me këtë status ai u binte ndesh protestave masive ku Gen Z luante rol kryesor. Njerëzit thoshin se si qe e mundur që një njeri të cilit i kishte shkuar jeta në internim, dhe e kishte përshkruar me aq realizëm, të dilte në mbrojtje të trashëgimtares së partisë që qe sjellë ashtu me të dhe me familjen e tij. Ai që për një kohë të gjatë qe parë si model i pastër i rezistencës, tani po quhej spiun, lëpirës dhe plot epitete të tjera.
A kishin të drejtë?
Për mua, që po mundohesha të shihja raportin me autoritetin, ai njeri nuk tregoi bindje, por një formë të frikës: më të heshtur, më të vështirë për t’u emërtuar, e cila i kishte hyrë në gjak që në moshën rinore.
A kisha të drejtë?
Pa e mbaruar mirë pyetjen, vajza ia ngriti zërin një kënge anglisht, por me ritme latine dhe pashë nga ajo.
Ndjesë, tha. E kam kaluar këtë fazë, por doja të verifikoja diçka.
Donte të thoshte se tashti kishte preferenca të tjera muzikore.
I ati këndonte krejt ndryshe, thashë unë.
Këtë herë e ngriti kokën ajo dhe tha me habi:
Edhe këtë e njihni ju!
Nuk u habita nga përgjigjja e saj, sepse e përdorte shpesh. “Ju” nuk isha unë, por brezi im.
Gruaja e babait të tij u martua me një shkrimtar të çmimit Nobel, shtova, duke u munduar të kaloja në një fushë që njihja më mirë.
Por, e pa interesuar për vazhdimin, u zhyt në celular.
Kjo më kujtoi se mezi prisja të filloja leximin e Ai-romanit. Më saktë, pjesës së gjetur.
3.
Gjatë leximit të tekstit të gjetur, bëra një zbulim të papritur: fillova të shihja mundësinë për të gjetur veprën e rrallë që do të më jepte një vend të veçantë si shkrimtar, sepse e kisha projektuar para të tjerëve, kur e pata shpallur ambicien time para studentëve, të cilët ja ku po bëheshin dëshmitarë. Qoftë edhe njëri nga ata.
Po gëzoja një vetëbesim të plotë: AI-romani i studentit po shkruante AI-romanin tim. Ky mendim i kalonte në hije shqetësimet e tjera, edhe pse ato nuk merrnin fund me kaq. Sidoqoftë, humbitnin peshë.
U vura në kërkim të skedave të vjetra. Pse të mos e përjetoja prapë atë emocion të madh?
Më mundonin pyetjet: A mund ta shtyja më nën imazhin e një shkrimtari të dështuar? A mund t’i bija fatit me shqelm?

Lini një Përgjigje