SHORTARËT

 

Në disa prej takimeve tona, Gjon Shllaku, përkthyesi i njohur i Iliadës, më ka folur me entuziazëm për një tekst të vjetër, të njohur vetëm prej ndonjë bibliofili maniak, me autor një farë Heleni, bir i mbretit Priam të Trojës, plaçkë lufte te akejtë, pas përfundimit të luftës dhjetëvjeçare: emër që në disa burime përmendet si një i mbijetuar i vetëm i qytetit të rënë, në të tjera as që përmendet fare, si të donin ta zhduknin nga historia.

Disa thoshin se teksti ishte thjesht trill i një studiuesi të shekullit XIX, ndërsa disa të tjerë e përshkruanin si një dokument i klasifikuar si i mallkuar, sepse përçonte kujtesën e një qytetërimi të mbytur në harresë. Përkthyesi, i cili ka nxjerrë njëqind e shtatëdhjetë fjalë shqipe nga teksti i Iliadës – aty janë, thoshte duke bërë me kokë nga biblioteka e tij, por nuk i gjente dot – shpresonte të nxirrte edhe më shumë, pasi teksti, për shkak të njohjes më të pakët, nuk duhej të kishte kaluar edhe aq nëpër duart e shkruesve grekë, për t’iu larguar shumë autenticitetit.

Në pranverën e vitit 2005, kur unë e gjeta këtë tekst në një bibliotekë universiteti në Londër, Gjon Shllaku nuk jetonte më. Teksti, tashmë jo në vargje, por në prozë, qe në anglishten e sotme. Gjithmonë për t’i ndejtur sa më besnik, nuk mëtova ta kthej atë në hekzametër, apo në 11-rrokësh, siç kishte bërë përkthyesi i njohur. Pra, tashti e kemi dëshminë se ai ekziston dhe shpresojmë që një ditë të na çojë te burimi.

(Titulli është vënë prej nesh).

 

Heleni

 

Këndoje, o Muzë, Heshtjen (ruajtur edhe në anglisht si Hestia), hyjneshën e vatrës familjare!

Aedët Homeri dhe Hesiodi, janë takuar në Eube, në oborrin e mbretit të atjeshëm, dhe bëjnë garë. Disa thonë se është nderuar Homeri, të tjerë thonë se ka fituar Hesiodi. Burimet më të besueshme thonë që gjyqtari i kësaj gare ka shpallur se kurorën e meriton ai i cili i këndon bujqësisë dhe zejeve të qeta, jo ai që i bën të pavdekshme luftërat e vrasjet, por ithtarët e Homerit janë gjallë dhe të shumtë: për ta lufta është më e lehtë se puna, prandaj ngrenë në qiell idhullin e tyre dhe shajnë Hesiodin. Askush deri më sot s’e priste të dalë dikush e t’i thotë Odisesë: Gjuha është begatia më e madhe e njerëzve, nëse ajo përdoret me maturi. Askush s’e priste ta vlerësojnë punën, aq sa e vlerëson Homeri trimërinë, duke thënë kaq prerë: Kurrë s’do t’i mbushë hambarët përtaci, as ai që s’di të kursejë.

Sidoqoftë, për njerëzit është e qartë se nuk është më si dje: heronjtë ose kanë vdekur, ose nuk dinë si të sillen më në këtë botën tonë. Për fat (nëse mund të thuhet kështu), tashti që e shua Troja, askush s’po ia del të shpikë diçka tjetër si ajo, diçka që mund ta hedhë në luftë gjithë botën, megjithëse ata që s’e duan punën, duhet të mendojnë ditë e natë për të.

Çfarë dinë për luftën këta të rinj që u xixëllojnë sytë, kur përmenden heronjtë? Nga të gjithë këta njerëz që më rrethojnë këtu në Butrint, askush s’mund ta imagjinojë tmerrin e Trojës si unë, bir i Priamit dhe i Hekubës, vëlla i Hektorit dhe i Paridit, vëlla i Kasandrës dhe i Poliksenës, xhaxha i Astianaksit të vogël, birit të Hektorit, emrat e të cilëve tashmë i njeh gjitha bota.

Anekënd dheut aedët i këndojnë kësaj lufte, pa e ditur se çfarë bëjnë me zemrat e këtyre të rinjve. E pra, dy nga heronjtë më kryesorë (njëri për vazhdimësinë, tjetri për finalen e saj) fillimisht kanë bërë çmos për t’iu shmangur asaj. Shumëkush e di se Odisea është hequr si i marrë, duke mbjellë tokat e veta me kripë, derisa ia vunë djalin Telemak përpara plugut. Nga ana tjetër, Akili u fsheh në oborrin e mbretit Likomed, në ujdhesën Skiros, ku i takoi të bijën, Deidameian, me të cilën pati djalin Neoptolem.

Siç thonë këngët e Homerit, historia e djalit Telemak mbisundohet nga historia e heroit Odise, por historia e djalit Neoptolem, megjithëse e shkurtër si ajo e të atit, vazhdon pothuajse me të njëjtin rrëmbim: këtë e dëshmoj unë, që qeshë plaçka e tij e luftës, sepse sot nuk mund t’u besohet të gjithë atyre që marrin përsipër të këndojnë. Në lindje, është quajtur Pirro, për shkak të flokëve të çelët, më vonë është quajtur Neoptolem, sepse erdhi vonë në luftën e Trojës. Këto i di mirë, sepse qeshë unë arsyeja që erdhi atje: për fatin tim të keq, zotat kishin kumtuar tek unë se Troja nuk do të binte pa ndihmën e tij. Për këtë e bindi Odisea, pasi ky tashti trashëgonte pajimet e luftës së heroit Akil. Zotat nuk donin që fati i luftës të merrte fund këtu: thanë se duhej të vinte edhe Filokteti, shoku i Herkulit, harkun dhe shigjetat e helmëta të të cilit i trashëgonte. Neoptolemi duhej të bindte Filoktetin e braktisur nga shokët në ishullin Lemnos, pasi e kishte kafshuar një gjarpër. Dëshmoj, gjithashtu, se Neoptolemi qe në barkun e Kalit të Drunjtë. Ma ka thënë vetë: qe diçka me të cilën krenohej.

Kështu bëri për vite me radhë: u krenua për vrasjen e Priamit, tim et, të cilin e tërhoqi zvarrë nëpër tempullin e Zeusit, u krenua për vrasjen e Poliksenës, sime motre, meqë kur po ndahej plaçka e luftës, fantazma e Akilit kërkoi t’i flijohej kjo grua. Neoptolemi ia preu fytin të gjorës mu sipër varrit të heroit të paqetë. Ai krenohej për vrasjen e Astianaksit kërthi, por unë kam dyshuar gjithmonë se këtë duhej ta kishte bërë Odisea. Ma tha shumë vonë, në një çast zemërthyerjeje, se i kishte bërë këto bëma ngaqë ndjehej i shtypur nga fama e të atit.

Megjithëse plaçka lufte, na trajtoi mirë edhe mua, edhe Andromakën, gruan e Hektorit të ndjerë, e cila i dha tre djem: Mollosin, Pergamin dhe Pielin. Deshën zotat, edhe ai nuk u zhgënjye prej nesh. Pas kthimit të Odisesë në Itakë, Neoptolemi u bind se ia kisha kursyer unë të gjithë ato që pat hequr shpikësi i kalit prej druri, sepse kur e takuam itakasin para nisjes nga Troja, i pata thënë zotërisë tim se ai burrë do të ketë në shpinë zemërimin e Poseidonit, zotit të detrave, prandaj i duhen dhjetë vjet të tëra për të mbërritur në shtëpinë e vet.

Historia dëshmon se e shpëtova unë Enean (djalin e Ankizit) nga Skila e Haridba, kur kaloi këndej nëpër Butrint, me synimin për të kapërcyer detin e perëndimit. Në atë kohë e dija se pas dhunimit nga Ajaksi, mu në tempullin e Athinasë, të sime motre, Kasandrës, stuhia do të mbyste gjithë flotën akeje. Ka zëra që thonë se Neoptolemi u këshillua nga gjyshja Teti, perëndesha e detit, por s’kishte nevojë të vinte ajo nereidë mes nesh, të vdekshmëve, sepse qeshë unë që këshillova se duhej udhëtuar nëpër tokë, konkretisht nëpër Thrakë e Maqedoni.

Kur vendosi të martohej me Hermionën, vajzën e Helenës dhe Menelaut, premtim i cili i qe bërë sapo iu bashkua ushtrisë që do të pushtonte Trojën, Neoptolemi na la të lirë mua dhe Andromakën, duke na dhënë leje që të martohemi dhe të qeverisim qytetin e bukur të Butrintit, ku gjendem sot e kësaj dite e këndoj travajet e një jete njerëzore, i braktisur nga zotat dhe kohët heroike, sepse qysh nga vdekja e Neoptolemit askush nuk ka më nevojë për mua. Djali i Akilit nuk vdiq në pallatet e Atridëve, siç duan të thonë disa, por mu te tempulli i Apollonit në Delf: për të zbutur zemërimin e Apollonit, vrasësit të të atit, vendosi dhurata përkushtimi dhe ndezi pishtarë në tempull. Disa thonë se e vrau prifti i Apollonit, ndërsa të tjerë thonë se e vrau mbreti i Fokisë, vendit ku ndodhet tempulli.

Vetëm atëherë e gëzoi Hermionën Oresti, biri i Agamemnonit dhe Klitemnestrës.

Djali Mollos ka një mbretëri në veri të Epirit. Është vend trimash dhe një ditë do t’i dalë zëri për këtë.

Djali Pergam shkoi në Mysi, ku pushtoi qytetin e Teuthranisë dhe e quajti me emrin e vet. Është vend kulture dhe së shpejti do ta ketë namin nëpër botë.

Për djalin e tretë nuk di asgjë: tashti jam plak dhe prej kohësh nuk e luaj këmbën përtej portës Skee. Më duket sikur jetova kaq gjatë vetëm e vetëm për ta përcjellë gjithandej këtë histori, edhe pse zemrës nuk i vjen të këndojë.

Nganjëherë vjen Deidameia e takon Andromakën: mbështesin kokat e bardha te njëra-tjetra dhe nuk nxjerrin asnjë fjalë. Prandaj ka jehonë Hesiodi në zemrat e njerëzve: pasi arriti kulmin me Luftën e Trojës, jeta ia la vendin brengave të jetës së përditshme, në qytet e në fshat. Shumë që u larguan nga atdheu dhe shkuan nëpër koloni, filluan të kthehen prej andej të zhgënjyer.

Shumëkush e ka një atdhe ku të kthehet, por, për fat të keq, atdheu im është mbjellë me kripë. Dodona nuk është larg prej këtu, por nuk ma mban të shkoj, sepse nuk ma mban të përballem me zotat. Apolloni ia bëri sime motre të pavlefshme cilësinë e shortares, në orët e tmerrshme të kalit pre druri, sepse ajo nuk e dashuroi, por unë s’e gjej pse ma kanë hequr mua.

Aq më pak mund të shkoj në Delf, ku e dinë se çfarë qeshë unë për Neoptolemin.

Herë-herë, më duket se është më mirë që të mos di asgjë: nuk mund ta përballoj më një ngjarje të re.

 

Andromaka

 

Tani që jam plakur, e ndjej zërin të më dridhet jo nga mosha, por nga mbipesha e gjithçkaje që nuk u tha kurrë. Unë kam qenë grua e një burri që s’kishte kohë për të jetuar, veç për të vdekur denjësisht. Kam qenë nënë e një djali që nuk i përmbushi as fjalët e para. Kam qenë plaçkë e luftës, bashkë me trupin, me gjakun dhe me kujtimet që nuk di si t’i vë në rend.

 

*

Troja jonë nuk ra nga forca e armiqve, por nga krenaria që na verbonte. Unë ia luta Hektorit të mos dilte, ta përqafonte djalin më gjatë, por ai më përqafoi siç përqafohet një gjë që do ta braktisësh: fort, por shpejt.

Vdiq ashtu siç e kishin parathënë këngët e Homerit, por unë nuk dija t’i këndoja varrit të tij: vetëm qaja.

 

*

Nuk e pashë burrin të vritej, por e pashë djalin të më merrej nga duart. Më thanë se e flakën nga bedenat, por nuk më lanë as të bërtas: u bëra guri që rënkon brenda vetes.

Pastaj erdhi Neoptolemi, një mashkull që nuk dinte të donte, që kishte frikë nga urrejtja e vet.

 

*

Dhe kështu, u bëra përsëri njeri në këtë qoshe të botës. Neoptolemi më dha leje të martohem me Helenin, që deri atëherë kishte qenë zë i qetë në një botë me zhurmë. Na lëvizi brenda të dyve një heshtje që s’kishte nevojë për fjalë. I lëshuam kujtimet të bien si gjethet në dimër dhe ndërtuam një jetë të re, jo prej gëzimi, por prej mbijetese.

 

*

Butrinti është qyteti ku nuk ka këngë lufte, as fitore. Ka zëra që shuhen, ka fëmijë që rriten pa legjenda, ka njerëz që punojnë tokën: pa mbretër, pa lavdi, por me paqe. Çdo mëngjes, shoh Helenin që e përkëdhel historinë si të ishte plagë e hapur. Ai s’e do më të ardhmen, por edhe unë nuk dua të kthehem pas.

 

*

Nganjëherë, kur vjen nata, e ndjej tim bir: jo si zë, por si frymë, si një kujtim që nuk më shkatërron më, dhe lutem, jo te Apolloni, jo te Athina, jo te Poseidoni, por te Heshtja, e vetmja hyjneshë që s’më ka zhgënjyer kurrë.

 

Kasandra

 

Kur Troja ra, nuk bërtita më. E kisha mësuar: për mua, jeta qe rreth i mbyllur i dhimbjeve të paralajmëruara.

Atë natë që Agamemnoni më ftoi në shtratin e tij të përgjakur, e pashë sëpatën që do t’i rrasej pas rrashte nga Klitemnestra, por nuk bërtita.

Ndoshta që, në jetë të jetëve, njerëzit që mos bien në një mendje për mënyrën se si ndodhi vrasja. Le të lexojnë fantazitë e shkrimtarëve

 

*

Njerëzit këndojnë për burrat që vranë, për vendet që dogjën e pushtuan: askush nuk këndon për ata që paralajmëruan, për ata që e panë zjarrin përpara se të ndizej.

Po unë nuk dua këngë për veten. Dua vetëm heshtje, të më lënë të qëndroj në errësirën time, atje ku vizionet janë më të qarta se dita.

Sepse edhe tani e di çfarë vjen më pas, por prapë askush nuk do më besojë.

 

*

Unë jam pasqyra, jo lulja: lulja është Andromaka. Unë jam pasqyra që nuk gënjen, që tregon tmerrin, edhe kur ti nuk do ta shohësh. Jam hija që ulet mbi gjuhën e historisë, kujtesa që nuk hahet nga lavdia: zërat që mbijetojnë janë ata që nuk kanë qenë kurrë në qendër.

 

Heleni

 

Kur erdhi Neoptolemi për herë të fundit, nuk e mbaj mend se çfarë folëm, por do të përpiqem ta kujtoj në disa variante, duke besuar se thelbi i tyre mban të vërtetën.

 

(Skena: Pranë portës Skee në Butrint)

 

Je i lodhur nga rruga apo nga mendimet?

Unë jam vetëm një njeri, jo një legjendë. Dhe ndonjëherë, më duket se unë jam i vetmi që e di këtë.

Historia e bën legjendë edhe atë që nuk e do.

Ndërsa të gjithë festojnë fitoret, unë mbetem këtu duke shikuar pas, duke pyetur në heshtje se për çfarë u bë gjithë kjo.

Ndonjëherë më duket se perënditë kanë kujtesë më të shkurtër se njerëzit.

Unë nuk mbaj mend më as fytyrën e tim et. Po vetëm si bërtasin kur dëgjojnë emrin e tij.

Zakonisht bërtasin më shumë për mitin, sesa për njeriun.

Të bëhesha bari në Skiros, ndërkohë që gjithë bota kërkonte një Akil të ri, një tjetër gozhdë për të varur legjendat e tyre?

Askush nuk të kërkoi të bëhesh vrasës i plakut në altarin e Zotit. Ti vetë zgjodhe të hysh në mit me këmbët e tua.

Nëse nuk do ta kisha bërë unë, do ta kishte bërë Odiseu. Apo ndoshta dikush tjetër, me më pak emër. Nuk është trimëri të mos vrasësh, kur e bën tjetri për ty.

Çuditërisht ke filluar t’i ngjash shumë babait tënd. Vetëm se ai nuk rrëfehej.

Ai ishte Akili. Kur je emër i përveçëm, nuk ke nevojë për falje.

Je thjesht një djalë që vrau babanë e dikujt tjetër, sepse nuk mundi të jetonte pa hijen e të vetit.

Të paktën, ti më mban mend.

Ti shkatërrove Trojën, por nuk ndërtove dot veten.

Mbolla pemë. Shtrova rrugë. Qeverisa pa luftë. Fëmijët i dërgova në shkollë, jo në duele. Por sa herë më shohin, më thërrasin “Pirro”. Sikur flokët e mi të ishin flamur, jo trashëgimi. Sikur emri të jetë gjithmonë më i gjatë se hija ime.

Ti nuk do lavdi, por do që të të duan, por kjo është forma më e dëshpëruar e lavdisë.

Ti çfarë do, Helen?

Që të mos më përmendin më, që emri im të bëhet fjalë e harruar, si një rrokje që nuk hyn në varg.

Duket se të gjithë neve, për të mbijetuar, na është dashur të bëhemi dikush tjetër. Unë: Akili. Ti: hijet e gjithë vëllezërve të tu. Ose isha thjesht një thyes i heshtjes së të tjerëve. Ti, Andromaka, madje edhe babai im, kishit dhimbje të vërtetë, kurse unë isha djaloshi që ndihmon të tjerët të përballen me veten. Pastaj ikën. E vetmja gjë që më përket mua, është kjo ndjesia e tmerrshme që kam tani. Që as e di si quhet.

Mos u mundo të më shpjegosh. Tashti më mjafton ta di që nuk jam ai që besoja.

 

Heleni

 

S’më tha lamtumirë, por a thua më pa për atë që jam? Jo si biri i Priamit, jo si hijet e Trojës, jo si dëshmitar, por si pjesë e fajit? Sepse kam ditur gjëra që nuk i thashë dhe kam ndihmuar pa bërë zë. Kam heshtur kur dikush duhej të fliste. Dhe më vrasin më shumë ato që nuk bëra, sesa ato që bëra.

Të mbetesh gjallë kur lavdia ka heshtur, është ndoshta forma më e thellë e ndëshkimit.

Kur iku, nuk ndodhi asgjë. Thjesht mungesë: një lloj boshllëku që nuk fishkëllen, por që të lë pa lëvizur. Një krah që nuk e shtrëngon më mbulesën. Ai nuk më tha ku shkonte dhe as unë nuk e pyeta, sepse, për herë të parë, nuk isha më ai që kishte të drejtë të dijë. Ai i njihte anijet e shpëtimit, ndërsa unë vetëm kam shkruar për to. E kisha ndier kohë më parë se më kishte parë thellë, shumë më thellë se sa duhej, jo si bashkëvuajtës, por si pjesë e një mekanizmi që nuk e kisha pranuar as vetë: unë nuk isha viktimë, por butësia e maskuar e dhunës. Narratori që e lehtëson mizorinë, duke e bërë të duket si kujtim.

 

*

Tani jam vetëm, me gjithë këto kujtime që s’i duhen më askujt, as historianëve, as perëndive, as vetes. Në këtë qytet pa këngë, pa beteja, pa hyjni, unë jam ajo që mbetet kur edhe kujtesa lodhet. As dëshmitar, as hero, por thjesht ai që nuk e pengoi rrjedhën e gjërave.

 

*

Nëse vjen ndonjëherë dikush për të më pyetur për Trojën, do të bëj sikur nuk e kam dëgjuar. Do të them: Unë kam jetuar në një qytet që nuk luftoi kurrë. Dhe do të mbyll derën lehtë, siç mbyllet çdo epokë që ka kuptuar më në fund kotësinë e vet.

Unë nuk përgjigjem për gjitha rrëfimet e botës.

 

*

Nuk e di nëse kjo është historia ime, apo ndonjë kujtim që po përpiqet të më mashtrojë. Kush e shkruan historinë e historisë? A je ti, lexues, apo dikush tjetër, ndoshta një zë tjetër që nuk dëgjohet, apo ndoshta zëri yt i brendshëm që përpiqet të zbulojë se çfarë në të vërtetë po ndodh?

Në këtë lojë reflektimi, nuk ka fitues e humbës, por vetëm të humbur. Dhe nëse je duke lexuar këtë, atëherë edhe ti je pjesë e saj: një shënjestër e kujtesës së harruar që vazhdon të bërtasë në humnerën pafund të narracionit.

Pra, më thuaj, kush po e rrëfen këtë histori? Përse do të duhej të besojmë se kjo është ajo që ndodhi?

Lini një koment