Zef Skiro Di Maxho dhe poezia e tij: një urë midis romantizmit arbëresh dhe poezisë bashkëkohore shqipe[1]
Dr. Enida Godime
Dalina Beshiri
Në kontekstin e letërsisë shqipe të Diasporës përfshihet letërsia e arbëreshëve të Italisë, një komunitet prej rreth 90 000 shqiptarësh, nga i cili kanë dalë figura të shquara të letërsisë sonë, jo vetëm gjatë shekullit XIX, periudhë e artë e letërsisë arbëreshe dhe e romantizmit shqiptar, por edhe në kohët moderne.
Një figurë e rëndësishme që kontribuon jo vetëm në krijimtarinë letrare prodhuese, por edhe në krijimtarinë studimore të letërsisë shqipe është Zef Skiro di Maxhio. Veprimtaria e gjërë letrare e tij dëshmon se kemi të bëjmë me një figurë poliedrike dhe shumë dimensionale.
Poeti Zef Skiro di Maxho dhe poezia e tij dëshmon se lexuesi shqiptar mund të jetë larg gjoegrafikisht me letërsinë arbëreshe, por ajo është ushqim i shpirtit po aq sa edhe poezia e krijuar në Shqipërinë shtetërore. Krijimtaria poetike e Di Maxhos mund të lexohet si pjesë përbërëse e një diskursi të letërsisë së diasporës që ndërthur përvojën e mërgimit historik me realitetin bashkëkohor të komunitetit arbëresh në Itali. S’ka dyshim se emri dhe vepra e Xhuzepe Skiro Di Maxho janë pjellë e drejpërdrejtë e Siçilisë arbëreshe, e katundeve të saj të përhapur nëpër ishull e në radhë të parë të Horës aq të njohur të Piana degli Albanesi. (Jorgaqi, 2007, f.6) Lidhja e fortë e poetit me vatrën e të parëve, me vendin ku u brumos nga çdo pikëpamje dhe lidhja me gjuhën mëmë do të evidentohet edhe në poezitë e tij në vëllimin antologjik “Ishuj”.
Në nivelin përmbajtësor, dallohen disa motive që e bashkon krijimtarinë e di Maxhos me poezinë e traditës dhe njëkohësisht, edhe me disa risi, me poezinë bashkëkohore. Referencat e drejtpërdrejta me poezinë kushtuar Jeronim de Radës si “Jeronim De Radës për qindvjetorin e vdekjes” thekson lidhjen e poetit me romantizmin arbëresh, aq sa poeti di Maxho e sheh veten si vazhdues të romantizmit dhe të misionit kulturor të De Radës, si në vargjet:
“I zjuar si poeti
Per gjithesine makro
I kujdesshem si poeti
Per gjithesine mikro.”
Por, njëkohësisht ai është poet i letërsisë bashkëkohore shqipe që mbart ndjeshmërinë e romantizmit dhe vetëdijen e modernizmit, ndaj edhe titulli i punimit e cilëson poezinë e Di Maxhos si urë midis romantizmit arbëresh dhe poezisë bashkëkohore moderniste, me prirje eksperimentale.
Së pari, boshti përmbajtësor kryesor i vëllimit antologjik “Ishuj” është tema adhetare. Nga vëllimi poetik ‘Morea ime” figura e mëmësidentifikohet drejtpërdrejt me dheun/atdheun si në vargun “është mëma ime [dheu im]”. Romantizmi, veçanërisht ai shqiptar dhe arbëresh, e ka shndërruar atdheun në figurë amësore, duke nënkuptuar atdheun si mëmë, si tokë dhe si lidhje emocionale e sakrale me vendlindjen. Por, në poezinë e Di Maxhos ky barazim i mëmës me atdheun shënon një kalim nga dimensioni biologjik në atë ontologjik dhe kolektiv. Sipas poetikës fenomenologjike të Bachelard, shtëpia dhe toka janë projeksione të qenies. Në këtë cikël, mëma është shtëpia ontologjike e subjektit lirik. Mëma nuk është qenie njerëzore, por një vend qëndrueshmërie dhe themel ekzitencial si në vargjet:
Të dyfishta
-e mbase më shumë-
Kur fryma jote më mbështolli,
mëmëdhe.
(“Udhëtimi i parë”, f. 43)
Në shumë poezi të tjera të krijimtarisë së tij, atdheu shihet i lidhur ngushtë me katundin. Kjo jo vetëm nga semat gjuhësore që identifikojnë fshatin arbëresh, por edhe shprehia gjuhësore është arbëreshe, është gjuha e mëmës. Edhe në formë, edhe në përmbajtje poezia thekson lidhjen e fortë të poetit me vendin. Në këtë këndvështrim, poeti e çon më tej traditën e afrimit gjuhësor të nisur nga Zef Skiroi dhe i bashkohet prirjes së përgjithshme të poezisë së sotme arbëreshe. Në poezinë e Skiro di Maxhos katundi është simboli kryesor, mëma e simboleve, ai përbën mikrokozmosin arbëresh ku gjallojnë simbole të tjerë si kroi, ulliri, pleqtë, udha, rrënjët, të cilët bartin kuptime ekzistenciale, ide dhe mesazhe humane, të vërteta historike e jetësore. (Jorgaqi, 2007, f.8) Lidhja me katundin është një mënyrë për të krijuar lidhje të drejpërdrejtë me dheun e të parëve, por edhe një mënyrë për t’u zhvendosur nga zona urbane në zonën rurale qëllimisht. Kjo zhvendosje, zonë urbane – zonë rurale, që është karakteristikë për shkrimtarët romantikë (Kërbizi, 2016, f.174) në poezinë e Di Maxhos bëhet për të theksuar dashurinë ndaj tokës së të parëve, ndaj natyrës ku nuk ka ndikime politike e ideologjike. Tema atdhetare dhe zhvendosja qëllimisht në zonat rurale është ura lidhëse kryesore me poezinë e traditës.
Megjithatë, mënyra e trajtimit të këtij motivi me intertekste të shumta nga historia kombëtare e bashkon Di Maxhon me letërsinë bashkëkohore. Figura e mëmës/dheut shndërrohet në një arkiv të kujtesës kolektive. Teksti poetik komunikon vazhdimisht me intertekste heterogjene të kulturave të ndryshme, nga: historia shqiptare (Skënderbeu), mitologjia klasike (Odiseu, Laerti), astronomia (Andromeda, Kasiopeja), tradita arbëreshe (De Rada). Në këtë mënyrë poezia e Di Maxhos bëhet një hapësirë dialogu tekstesh ku komunikon e shkuara me bashkëkohësinë, miti me historinë, shkenca me traditën arbëreshe. Poezia shtrihet në dimensione gjeografike dhe historike të ndryshme dhe rrjedhimisht paraqet psikikën e njeriut bashkëkohor, zhvillimin e tij në një kohë konsumi dhe globalizmi.
Së dyti, një motiv i përsëritur është motivi i lirisë. Largimi nga dheu i të parëve e shndërron Shqipërinë në një Itakë. Vajtja ‘matanë detit’ për liri individuale, nuk e shkëput poetin nga liria kombëtare si në vargjet:
Është e mundshme që ende
fati i një populli
të jetë i lidhur
me idenë se duhet të iket
ngaherë
nga një skllavëri osmane.
(“Drama e ikjeve”, f.89)
Në poezinë e traditës së romantizmit shqiptar, sidomos në letërsinë e romantizmit arbëresh simboli i detit sa është element bashkimi midis Shqipërisë dhe Italisë, aq është edhe element distancimi. Mungesa e mëmëdheut, motivi i largimit barazpeshohen me motivin e dhembjes për ekzistencë e dinjitet si në vargjet:
…Deti cezurë e dukshme
i pranishëm në dramat
e të gjithë emigrantëve: “Shkoi det!”
Të vihet deti në mes dy dhembjesh
pa ditur se edhe ankorimi
lajmëron një dhembje të dyfishtë…
(Drama e ikjeve, f.84)
Ideja e ikjes për shkak të pushtuesit dhe shpresa e lirisë kombëtare është binomi mbi të cilën u krijua poezia romantike arbëreshe. Di Maxho e thekson këtë binom, por përdorimi i simboleve të shumta si det, horizozont, anije si në vargjet e mësipërme, i jep poezisë qasje universale. Këto simbole e shndërrojnë poezinë si akt kujtese të historisë kombëtare, si mjet për të përjetësuar dhembjen e largimit. Simbole të tjera si kroi, udha, rrënjët, treni, male, rrugë e zhvendosin heroin lirik nga katundet e Sicilisë në tokën e historinë e Shqipërisë etnike. Gjithashtu, në shumë vargje ku haset motivi i largimit, mërgimi nuk paraqitet vetëm si largim gjeografik, por si zvogëlim i qenies, si humbje e përmasës njerëzore sic e thotë vargu: “më lë të zvogëluar në vijën e horizontit”. Poezia është mjet për të folur për ndjesinë e të munguarit dhe ashtu si te romantikët, ajo shërben si akt shpëtimi: ajo ruan nënën, shtëpinë, fëmijërinë, përballë zhdukjes fizike. Poezia e tij bëhet arkiv i së humburës, ritual kujtese dhe kthim në tokën e të parëve, si në vargjet
O nënë gjithnjë e re
Sot tek ti vjen arbëreshi,
biri yt i lashtë!
(“Udhëtimi i parë”, f. 41)
Megjithatë, nëse te romantizmi klasik shqiptar shpresa e lirisë kombëtare bëhet frymëzuese dhe heroike, shumë poezi të Di Maxhos marrin tonalitet ironik e elegjiak. Historia nuk përfundon në triumf, por në humbje, vdekje dhe ndërprerje sic e shpreh vargu: “Të vdekurit nuk u ngjallën”. Ky fakt e zhvendos poezinë nga romantizmi i shpresës, i lavdisë, i heroizmit te një romantizëm i zhgënjyer, tipik për vetëdijen moderne.
Kulti i lirisë i pranishëm fuqishëm në romantizmin arbërësh në poezinë e Di Maxhios shoqërohet me një ironi ndaj realitetit objektiv. Ironia drejtohet edhe ndaj fatit të shqiptarit në përgjithësi. Në vargjet:
‘Këtu s’ka bukë
për të gjithë”
…
“…ndërsa fëmijët e tyre
gjuhën e bukës shqiptojnë
tërësisht rë huaj
Po burri ushqehet vetëm me bukë?”
(“Më para se të ngryset”, f.32)
Poeti ironizon logjikën utilitariste të shoqërisë moderne ku zëvendësimi i gjuhës me bukën nuk është akt arritje, por në fakt akt vetëshkatërrimi kulturor. Në poezinë e Di Maxhos shfaqet ajo që Linda Hutcheon e sheh ironinë si akt kritik e politik, si strategji diskursive që krijon distancë ndaj vlerave dominuese. (Hutcheon, 1984). Kështu, poezia krijon distancë kritike ndaj vlerave të shoqërisë së prodhimit, ku buka vendoset mbi gjuhën dhe kujtesën kolektiv.
Uni romantik nuk e kursen ironinë dhe sarkazmën as ndaj atyre që e krijuan apokalipsin mbi tokën e Kosovës në 1999, ku duket se Njeriu ka vdekur brenda atyre që i shkaktojnë këto tragjedi dhe në shpirtin e tyre jeton tashmë Ulku. Pashpirtësia ka zënë rrënjë të thella në ndërgjegjiet e tyre prej njerëzish barbarë dhe ka lindur në trupin dhe mendjet e tyre të mbrapshta instiktet e shtazës! (Velaj, 2022:174).
Në këtë mënyrë Di Maxhio largohet nga koncepti i lirisë si një kult për t’u adhuruar nga moti i madh, por prek plagët e historisë e së tashmes si në poezinë “Për Kosovën” nga vëllimi poetik “Udhë”. Kjo poezia e shkruar në 7 nëntor 1994 vjen si një poezi e errët, profetike e ironike. Ajo denoncon dhunën e organizuar shtetërore në vargun ‘therorët janë gati’, Kosova e metonimizuar paraqitet si viktimë rituale nga vargjet ‘Hyjnitë do t’i pinë gjakun/ do ta hanë blatimin e mishrave’ dhe demaskohet hipokrizia e botës perëndimore ‘Druaj se Evropa/ kur të shohë tymin e flive të besojë se aty bëhet piknik me mish të pjekur.” Ironia politike është një akuzë e drejpërdrejtë morale ndaj Evropës që nuk e sheh flijimin por e relativizon dhunën, e ngjashme kjo me ironinë Fishtiane ndaj fuqive të mëdha, por Di Maxho e zhvendos poezinë në dimensionin e parandjenjës, sepse shkruhet para shpërthimit të masakrës ndaj Kosovës dhe dhuna maskohet si festë, flijimi si rit dhe indiferenca si qytetërim. Në këtë mënyrë motivi i lirisë nuk idealizohet siç ndodh në poezinë e romantizmit, por aktualizohet në të tashmën e dhembshme të heroit lirik.
Së treti, identiteti arbëresh si mbijetësë, qëndresë ekzitenciale është jo vetëm lidhje me poezinë arbëreshe, por me tërë romantizmin shqiptar. Identiteti arbëresh ndërtohet nga kujtesa rreth së shkuarës, gjuhës, dhembjes për atdheun e humbur. Subjekti lirik qëndron: mes Shqipërisë dhe Italisë, mes së shkuarës dhe së tashmes, mes jetës dhe vdekjes, as plotësisht këtu, as plotësisht atje. Vargu “Na djem arbëreshë nga Sicilia…” thekson lidhjen e poetit me tokën e të parëve. Poezia kthehet në dëshmi identitare e popullit arbëresh, akt rezistence kulturore duke pasur parasysh që shumë vargje kanë elementë të gjuhës arbërishe, ose mund të jenë në formë bilinguale. Cikli “Mëmës sime [Dheut tim] dëshmon se poezia arbëreshe bashkëkohore është jo vetëm ruajtëse e identitetit, por edhe prodhuese e mendimit poetik modern, sepse në këtë cikël ne identifikojmë një poetikë që bashkon elementët kozmikë dhe tokësorë në funksion të ndërgjegjjes historike dhe të identitetit kulturor arbëresh.
Kulti i natyrës, i pranishëm në romantizmin shqiptar, është i pranishëm edhe në poezinë e Di Maxhios, por ajo nuk është adhuruar, e lavdëruar dhe në funksion të gjendjes shpirtërore të heroit lirik. Natyra është e subjektivizuar dhe e shenjtëruar. Elementët tokësorë dhe qiellorë si mali, qielli, yjet, horizonti etj ndërlidhen në funksion të metaforës shpirtërore, pra një pasqyrë e shpirtit. Elementët kozmikë lidhen me estetikën e sublimes, që e tejkalon njeriun, në të njëjtën kohë e shenjtëron shpirtin drejt përjetësisë.
Megjithatë, ndërthurja e elementëve arbëresh me elementët ndërtekstual nga fusha e digjitalizimit si përmendja e kompjuterit, fontit, hardiskut dhe aktit “klikova De Rada”, por edhe nga fusha të tjera lifting ektoplazmë, katran, ndërgalaktik, llogari, aria condizionata përbën një thyerje të hapur me romantizmin klasik. E zhvendos gjuhën poetike të lidhur me mjedisin arbëresh, drejt një diskursi teknologjik. Ky nuk është mohim i traditës, por një romantizëm modern që thekson boshllëkun emocional në shoqërinë moderne.
Gjithashtu, përdorimi i kllapave katrore përbëjnë një element thelbësor formal si në vargun “më lë [themeli ku rrija i patundur]”. Kllapat krijojnë dy zëra: poetin si un lirik dhe poetin komentues që rrjedhimisht në termat e Bakhtit ndërtohet një tekst polifonik, kjo teknikë thekson vetëdijen metapoetike të Di Maxhos, një lojë e qëllimshme formale dhe ideore në strukturën poetike.
Në aspektin strukturor, formal Di Maxho nuk krijon një poezi me një harmoni formale, siç është karakteristikë e romantizmit arbëresh, por ritmi i krijuar nga përsëritjet, pauzat dhe ndërprerjet grafike sigurojnë një koherencë emocionale. Identiteti arbëresh ndërtohet i mbështetur në të shkuarën, por edhe në kontekstin bashkëkohor kulturor.
Imazhet piktoreske të natyrës në vëllimin “Fotofjalë”, si në poezitë “Kthesat e liqenit”, “Liqeni malor” apo “Trajtat e Fotofjalëve” krijojnë një poezi eksperimentale ku format grafike, fragmentariteti, zgjatja e fjalëve, ndërprerjet, zbazëtirat, shkrimi i fjalëve vertikalisht e kthejnë poezinë në objekt vizual, jo vetëm tekst. Duke u thyer kufijtë midis gjinive letrare, emocioni, imazhi nuk shprehet drejpërdrejtë, por kodifikohet në formë. Subjekti lirik i mjedisit arbëresh, identiteti shqiptar shfaqet si gjurmë, si mbetje gjuhësore, si subjekt i shpërbërë. Kjo lidhet edhe me konceptin e Lyotardit se shoqëria postmoderne jeton në fragmente diskursesh, pa një narrativë qëndrore që t’i lidhë. Nëse elementët përshkrues të mjedisit arbëresh të shfaqur kryesisht në fillimet e krijimtarisë së Di Maxhos, në vëllimin “Fotofjalë” poezia kthehet në një objekt vizual dhe një realitet që nuk përjetohet drejpërdrejtë, por në versione të ndërmjetësuara dhe të kontrolluara.
Së katërti, një motiv që e lidh me poezinë e traditës është raporti me historinë. Nëse në poezinë romantike interes ka e kaluara kombëtare, në poezinë e Di Maxhos historia trajtohet si dhembje, plagë, sakrificë dhe kujtesë historike. Në disa poezi historike figura e Skëndërbeut, si simbol qëndrese e shembull sakrifice dhe betejat shqiptare, si ajo e Krujës me referenca të sakta të dhënave kohore i japin poezisë frymën e epikës kombëtare, por pa e glorifikuar historinë, duke e përjetuar atë si dhembje të trashëguar që në shek.XV. Disa poezi shndërrohen nga epika tradicionale, në epikë reflektive. Vargjet e mëposhtme dëshmojnë për një poet që përpiqet ta sjellë historinë përpara syve të lexuesit:
“Kur përpara na doli te rruga e detit Siçilia
na pëlqeu. Zgjidhur nyjat e bohçece dolën
këngët dhe poezia e lotëve. Nostalgji o pendim
për “Të bukurën More” të braktisur? Asnjeri
kurrë do ta dijë! Ne sipër i ndërtuam shtëpi
e piteri”
(“Drama e ikjeve”, f.86)
Sipas Paul Ricoeur, narracioni historik është gjithnjë interpretim; ndërsa poeti Di Maxho e rishkruan historinë si kujtesë morale. Vargu “Kruja është zemra e Botës” riprodhojnë logjikën romantike të qendrës simbolike, ku historia kombëtare merr përmasa universale.
Përdorimi i një vargu të lirë, mungesa e një rime fundore e largon poezinë nga metri tradicional e shfaq kujtesën historike si fragmentare dhe si një ndërgjegje e copëzuar me plagë personale dhe kombëtare. Gjithashtu, historia ruhet nga kujtesa apo kthimi në fëmijëri që shfaqet përmes shtëpisë, rrugëve, maleve, kodrave, objekteve të vogla etj, siç thuhet në vargjet:
“-Gjysh,
Shqipëria ku është?
-Përtej maleve
Prapa kodrës
Është ëndrra që nuk mundëm
t’ëndërritnim”
(“Dashuri Shqipërie, f.37”)
Kujtesa fëminore shfaqet si mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin e të vdekurve, si mburojë ndaj harresës, si hapësirë e pastërtisë shpirtërore, si mundësi e një ëndrre utopike.
Procesi i shkrimit të poezisë mund të interpretohet si një akt për të ruajtur kujtesën e së shkuarës, të largët a të afërt qoftë ajo. Kështu, poezia “Çasti i poezisë” shndërrohet në një ritual kujtese që e mban gjallë lidhjen mes brezave, sepse poezia thekson fuqinë e momentit krijues, lidhjen me traditën dhe gjuhën, dashurinë dhe përjetësinë e fjalës.
Së pesti, motivi i vdekjes shihet si kalim në një botë tjetër, jo si fund për heroin lirik, siç thuhet në vargun: “nisesh për një permas tjetër misterioze”. Bota tjetër identifikohet me: qiellin, yjet, kometat, përjetësinë. Kështu, përmbajtja e poezive ndërton njëvizion metafizik të jetës, ku vdekja është pjesë e një rendi më të gjerë kozmik. Referencat astronomike (kometa Hale-Bopp, Ylli i Mbrëmjes, Kasiopeja, Andromeda) nuk janë dekorative, por strukturojnë mendimin poetik të përjetësisë si në vargjet:
…unë lidha
përgjithmonë kujtimin [se të dy ishim të gjallë]
me kalimin e njëditshem të një drite me bisht
që do të kthehet përsëri e njëditshme [kur
për kujtimet unë s’do të kem nevojë]
(“Kllapa katrore, f.175”)
Kozmosi funksionon si: metaforë e përjetësisë, kontrapunkt i vdekshmërisë njerëzore. Në frymën e poetikës së sublimës, qielli paraqitet si hapësirë që e tejkalon njeriun, por edhe e përfshin atë. Qielli e çliron njeriun nga frika e vdekjes duke e bërë pjesë të një rendi universal.
Por, nga ana tjetër në shumë poezi vdekja metaforizohet nëpërmjet metaforës së dhembjes si në vargun “Ka një dhembje në mishin e shtëpive”, ku vdekja nuk është vetëm njerëzore, urbane, por mbi të gjitha historike. Vatra e shtëpisë mbart histori dhe zhdukja e saj shënon zhdukjen e botëve të vogla njerëzore.
Si përfundim, poezia e Zef Skiro di Maxho është e lidhur thellësisht me poezinë e romantizmit përsa i përket kultit të ndjenjës, atdhedashurisë, mallit dhe mërgimit, natyrës së shenjtëruar, historisë heroike, figurës së poetit si ndërgjegje morale.
Megjithëse tematikisht romantike, poezia: nuk përdor forma klasike romantike, shmang patosin e tepruar, ndërthur reflektim modern dhe ironi të lehtë.
Kjo e bën atë një poet me tipare neo-romantike, ose romantizëm i ndërgjegjshëm modern.
Megjithatë, këto elemente romantike rishfaqen në një formë moderne dhe reflektive, duke krijuar një dialog mes romantizmit dhe poezisë bashkëkohore
Bibliografia
Bachelard, Gaston (2014). The Poetics of Space. New York: Penguin books.
Hutcheon, Linda. (1994). Irony’s Edge: The Theory and Politics of Irony. London and New York: Routledge.
Jorgaqi, Nasho. (2007). Parathënie në Ishuj. Tiranë: Ombra.
Lyotard, Jean-François. (1981). La condizione postmoderna. Rapporto sul sapere, traduzione di Carlo Formenti, Collana: Feltrinelli.
Kerbizi, Marisa. (2016). “Funksioni i onomatopeve ne poemen “Kenget e Milosaos” te Jeronim de Rades, në Jeta arbëreshe, p.21-24
Velaj, Alisa. (2022) Prirje të ekzistencializmit në letërsinë bashkëkohore shqipatre. Tiranë: Botime Çiraku, f. 171-175
[1] Kumtesë e mbajtur nën tematikën “Gli Arbëreshë d’Italia, Una civilta tra le due sponde dell’Adriatico” në Convegni internazionale di Studi, Bologna, 19- 20 febbraio 2026, Dipartimento delle Arti, Universita di Bologna

Lini një koment