Gazmend Krasniqi

AI-ROMANI

Shënim editorial

Ky libër ka kohë që bën jetën e vet në tregun amerikan dhe tashti vjen i përkthyer nga anglishtja, pas një shtyse të papritur të botuesit të atjeshëm. Ai u habit kur mësoi se libri nuk qarkullon në tregun shqiptar, por u tmerrua kur mësoi se unë as nuk e disponoj këtë tekst në shqip.

Përktheje, më tha me ton të prerë. Na kanë thënë se lexuesi shqiptar e pranon symbyllur çdo gjë vjen nga tregu amerikan.

Dhe shtoi, kur më pa në mëdyshje:

Libri do të shitet rëndshëm.

Më së fundi, u binda – ndoshta kjo ndodhi ngaqë njohja me materialin ma lehtësonte punën – dhe rezultati është ky libër që keni në dorë. Fjala rezultati duket prozaike, por mua më duhet se më ngacmon pyetjen se si hyra në këtë sipërmarrje.

Pranë fjalës tekst duhet vënë fjala rroba, profesor, më tha njëri prej studentëve në orën e leksionit, pothuajse me tonin e atij që është duke përfaqësuar mendimin e shumicës.

Tesha, e korrigjova.

Ai buzëqeshi.

Nuk ke frikë se nuk ta njeh Chat-i?

Me gjithë atë pyetje të përligjur nga koha, sa më shumë kërkoja për moshën e fjalës, aq më tepër më krijohej përshtypja se fjalët e harruara, për paradoks, jetonin më gjatë se ato që përdoreshin çdo ditë, sepse shpjegova:

Duhet ta fini se shqipja teshë /rrobë, veshje, lidhet me një rrënjë indo-europiane tek- /teks- me kuptimin të thurësh, të endësh, e njëjta rrënjë që jep latinishten texō – textus (end, thur – tekst, i endur). Pra, fjala shqipe tekst nuk është e huazuar nga latinishtja, siç mund të mendohet, por i përket një trashëgimie më të gjerë, ku veshja dhe teksti rrjedhin nga e njëjta metaforë bazë: thurja e fijes. Në këtë kuptim, teshë nuk del më si fjalë periferike dialektore, por si një formë që ruan një shtresë shumë të vjetër kuptimore, paralele me zhvillimin latin texere. Kështu, në fillim kuptimi ishte krejt konkret: të endësh fijet e një cope, të krijosh një pëlhurë, pastaj, në mënyrë metaforike, fjalët u panë si fije, frazat si thurje dhe shkrimi si një ind kuptimor. Prandaj në traditën perëndimore një tekst thuret: autori gërsheton motive, rrëfimi ka fill dhe humbja e logjikës quhet humbje e fillit. Nga kjo pikëpamje, teoricienët modernë nuk kanë shpikur gjë të re, por i janë kthyer idesë fillestare që e sheh tekstin si një rrjetëzim, një ind citimesh apo një thurje zërash e kodesh.

Kjo qe pika e parë reale e romanit: jo kapitulli 1, por nyja e parë e fijes, prandaj përgjigjja më e saktë ndaj pyetjes “nga t’ia filloja?”, qe: nuk fillohet, por futesh në thurje.

Gjatë atij leksioni të lirë, studentët nuk mbajtën shënime, por unë shpresoja që të paktën disa prej tyre të merrnin diçka prej tij, që ndonjëherë t’i ktheheshim përsëri, por nuk e solli rasti, dhe e konsiderova nga ato gjërat që, sado të mundohesh, nuk lënë shenjë. Vetëm koha e tregoi që isha ngutur në përfundimin tim: nuk e imagjinova kurrë forcën me të cilën do të ma kthente goditjen kjo histori, të cilën po e rendis në vazhdim për kureshtarët, siç thashë në krye, një përkthim.

            HYRJE

(OSE: ÇFARË SHKROVA UNË)

Pjesën e parë të tekstit që studenti e quante AI-romani, e gjeta në servisin e lagjes, në një nga ata kompjuterët e braktisur prej kohësh, të cilët askush nuk i merr më seriozisht: i rëndë, i zhurmshëm, me një ekran që ndizet me vonesë, sikur duhet të bindet që ka ende arsye për të funksionuar.

Mjeshtri i servisit ngriti supet para pyetjes: Pronari i tij? Dhe vazhdoi: Sa hyjnë e dalin këtu te ne! Nuk e di pse ka mbetur pa hedhur. Mirë që na e kujtove: na ka zënë gjithë atë vend.

Ndërkohë, u nis drejt meje dhe mua më ngriu gjaku.

Lëre edhe pak, i thashë. Nganjëherë më pëlqen të merrem me kompjuterët e braktisur. Sëmundje e vjetër!

Për fat, apo duhet gjetur një fjalë tjetër, mjeshtri pati prapë një ngritje të lehtë supesh dhe u kthye mbrapsht.

*

Butonin e ndezjes e shtypa pothuajse instinktivisht. U desh pak kohë që kompjuteri të përgjigjej: dikur u shfaq një desktop, përgjithësisht i zbrazët, vetëm me disa ikona të shpërndara pa ndonjë logjikë të dukshme. Kjo më bëri të mendoj se, pasi ishte përdorur gjatë, qe pastruar rrënjësisht, ose qe braktisur në mes të diçkaje të pakapshme tashmë.

E ristartova po aq instinktivisht sa e kisha ndezur. Vetëm kur u rindez, më kapi syri dokumentin ku lexova titullin: AI-romani. Për fat, të tjerët nuk e kishin mendjen tek unë dhe, një copë herë, u mundova ta marr veten: A e kisha lexuar mirë apo kishte qenë ndonjë lojë e mendjes sime? 

Nuk bëhet më ai kompjuter, u dëgjua zëri i mjeshtrit. Mos u mërzit: e gjeta defektin. Punë minutash.

Ka kaluar kohë dhe ndoshta kujtesa më bën lojëra, por mendoj se e kujtoj momentin kur kompjuteri u fik vetvetiu. Gjithashtu, mendoj se e kujtoj që nuk u ndez menjëherë. Madje, më duket se mjeshtri tha diçka pas shpine, por nuk e mora vesh, sepse zëri i tij vinte si nga një dhomë tjetër, edhe pse ishte aq pranë.

E shtypa butonin përsëri, por edhe këtë herë kompjuteri nuk u ndez.

Lëre, tha mjeshtri me një ton shkurajues. Nuk bëhet më.

Por unë e shtypa butonin për herë të tretë dhe ekrani u ndez pothuajse pa paralajmërim, thuajse kishte qenë i ndezur më parë dhe më shkuan sytë menjëherë te ai dokument në mes të ekranit dhe titulli i shkurtër. U përkula më afër ekranit dhe klikova. Fjalia e parë që pashë:

Po e jap të saktë bisedën që u zhvillua mes meje dhe mjekut në repartin e urgjencës, ku ndodhej pedagogu

Mbeta me kursorin pezull: për një çast pata përshtypjen se fjalia nuk ishte shkruar për t’u lexuar, por për t’u vazhduar. Tekst origjinal apo përkthim? Kur përshkova hapësirën e zbrazët dhe shkova në faqen tjetër, për disa çaste nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte rreth meje. Vetëm pas një farë përqendrimi, lexova:

Ky roman ka personazh kryesor pedagogun tim, Gazmend Krasniqin, i cili vdes në fund, por ndërkohë do ta ketë shijuar jetën: ai do të jetë i dashuri i mbretëreshës së vendit ku jepet çmimi Nobel, një vend që, më pas, e akuzoi për një vrasje. Me këtë roman, unë dua të bëj me të atë që ka bërë në librat e tij me personazhe të identifikuara historikisht, veçse, në fund, vlerësimin për të nuk do ta bëjë një kritik letrar, por vetë Mira Murati.

*

Sa veta kanë pasur fatin të lexojnë një roman të shkruar për ta? Do të thoni Don Kishoti, në vëllimin e dytë të Servantesit, por e kam fjalën për persona realë: A mund të ekspozohej jeta ime private, edhe pse ajo lidhej me një ngjarje të rëndësishme botërore, AI-romanin? Cili ishte ky student kaq guximtar? A ishte ai një Herostrat që kërkonte një emër të përjetshëm, vetëm duke shkatërruar diçka që vlerësohej nga të tjerët? A po fliste ai me një gjuhë të koduar që bënte të më dridheshin leqet e këmbëve apo të më kullonin djersë të ftohta? A duhej të përpiqesha të kujtoja ndonjë përplasje me studentët, për të tentuar gjetjen e autorit dhe për ta futur kërkimin tim në rrugë më të qarta?

Teksti i gjetur nuk e plotësonte masën për të qenë një roman në vetvete, por kjo nuk kishte rëndësi: mjaftonte edhe aq për të ngritur shumë pyetje.

 A pritej të kishte një deshifrim që do ta bënte AI?

Çfarë ndjeja më shumë: frikë, ego, turp apo narcizëm?

            *

Pak nga goditja e së papriturës, pak nga mosgjetja e kohës së përshtatshme, nuk e nisa leximin deri në gjetjen e dokumentit të dytë, pas rreth dy javësh, një fajl pa titull, brenda një folderi me dokumente zyrtare, i cili mund të them se ma përkëdheli sedrën: AI-romani nuk qe një besim i kotë, dhe unë, megjithëse i pashëruar nga frika e të panjohurës për fatin tim, gati bërtita me zë: AI-romani ekziston! Brenda vetes, ndoshta bërtita. Ky qe momenti që vendosa për leximin.

Ç’pate, tha gruaja, kur erdhi nga dhoma tjetër.

U ktheva nga ajo me përpjekjen për t’u dukur i qetë. Pra, kisha folur me zë.

Asgjë, thashë. Po lexoja diçka të frikshme.

Befas zgjati celularin për të më treguar një gjë si diplomë:

Vajza fitoi olimpiadën kombëtare të historisë, por nuk i pëlqen të flasë për këto gjëra.

Çfarë i kishte rënë?

Edikti i Nantës.

Si ia doli? Ne nuk kemi as shumë libra historie në shtëpi!

Në historinë e njerëzimit asnjëherë nuk ka ekzistuar mes brezave një hendek si ky i sotmi, ma ktheu.  

Më silleshin në kokë fjalët: rrjeti, AI, sidomos: AI-romani, por njëherë për njëherë doja ta mbaja të fshehtë: derisa ta merrja vesh se çfarë shkruante ai student për mua.

Pas pak, u dëgjua prapë zëri i saj:

Mos harro pjatat! Dhe mëso të përdorësh lavastoviljen!

Ndërkohë që laja pjatat me dorë, nuk mund të shpëtoja nga pyetjet e reja: Mos isha objektiv i ndonjë komploti, diversioni apo larjeje hesapesh? Ku ishte libri i plotë? A mos ishte një kod ndarja e tij pjesë-pjesë?

Në fillim përfytyrova gjëra të vogla: një telefonatë, një debat me gruan, një student që e shmang në korridor dhe një fjali që ai vetë do ta thotë pas disa orësh. Pastaj gjëra më të rënda: humbja e reputacionit, publikimi i sekreteve, vdekja e dikujt, një skandal akademik dhe vetë fundi.

Pastaj: Një ish-student i harruar, i nënvlerësuar, ndoshta brilant, që ka punuar me modele gjuhësore dhe ka krijuar diçka të pakapshme. Protagonisti (unë, sipas tij) fillon të kërkojë lista studentësh: fotografi vjetore, tema diplome dhe emaile që duhen për të lokalizuar sadopak objektin e kërkimit, por nuk e zbulon dot atë që e ka shkruar.

Isha aq i hutuar sa kisha harruar se zgjidhja e vetme ishte gjetja e tekstit të plotë dhe leximi i tij. Frazat e shkëputura, si potencial bërthamor i fjalorit të tij metafizik, edhe më thoshin diçka, por edhe nuk më tregonin vetë rrugën e duhur.

Megjithatë, m’u ngulit në mendje togfjalëshi: fjalor metafizik, sepse dikur kisha qenë familjar me të.

*

Të lexosh një roman ku je personazh, është një tundim i madh, por pikërisht për këtë arsye leximi shtyhet: sa më i madh tundimi, aq më e madhe frika nga zhgënjimi ose tronditja. Mund të thuhet se narratori e vonon leximin për të njëjtën arsye që shumë personazhe vonojnë zbulimin e profecisë në mite ose tragjedi: ai dyshon se teksti përmban një të vërtetë që mund t’i ndryshojë mënyrën se si e sheh veten dhe botën. Leximi nuk paraqitet si kërkim informacioni, por si një akt që mund ta transformojë ose ta shkatërrojë identitetin e tij.

Pra, një pyetje që ia vlen: Çfarë ka në ndërgjegjen e atij narratori që e bën ta ketë këtë frikë? Pra, çfarë ka në ndërgjegjen time që unë nuk e di?

Shumë e lehtë ta thuash si personazh romani, por unë po e thosha si person real.

*

A duhet ta mësojë lexuesi tani që romani ka dy pjesë, apo mund ta zbulojë vetë pak më vonë? Sepse, kur kalova te leximi, pashë se teksti ndahej në dy rrjedha: Një histori e treguar nga studenti – ku ai vetë rrëfente për vete dhe për mua, dhe Një histori e treguar nga pedagogu – ku rrëfimi i tij kalonte përmes gojës sime. Kështu, e ndjeva të nevojshme të shtoja pjesën Çfarë shkrova unë, një akt rezistence, por edhe dorëzimi njëkohësisht, e cila kthente pyetjen e vjetër: Kush e ka të drejtën të tregojë historinë time?

*

Kur u shfaq vajza, si zakonisht e zhytur në celular, e pyeta se çfarë po lexonte dhe ajo pothuajse pa e ngritur kokën, tregoi, sa përmendësh, sa duke lexuar:

Në vitin 1973, një aktor i ri uellsian e kaloi gjithë ditën duke kërkuar një libër të shkruar nga një autor amerikan, por nuk gjeti asnjë kopje të vetme në të gjithë Londrën: romani nuk ishte botuar ende në Britani. Emri i tij ishte Anthony Hopkins dhe sapo ishte përzgjedhur për një film të quajtur The Girl from Petrovka, bazuar në librin që kërkonte.

I lodhur dhe i zhgënjyer, ai mori rrugën e kthimit për në shtëpi. Kur hyri në stacionin e metrosë, pa se në stolin pranë dikush kishte lënë librin që nuk e kishte gjetur askund.

Kur xhirimet u zhvendosën në Austri, Hopkins u prezantua me autorin e librit, i cili, në bisedë e sipër, i tha se nuk e kishte më kopjen e romanit të vet: një kopje të veçantë, me shënime në margjina, që ia kishte huazuar një shoku, i cili e kishte humbur diku në Londër.

Hopkins e nxori librin nga çanta dhe tjetri shikoi faqet ku njohu shkrimin e vet.

Ai nuk ka pretenduar kurrë se e di çfarë do të thotë kjo, por vetëm se disa gjëra ndodhin në mënyrë aq të përkryer, sa është e vështirë t’i quash rastësi të thjeshtë. Domethënë, disa libra duket se e gjejnë rrugën për të shkuar te njerëzit që u përkasin. Veçse këtë punë tani e lehtëson diçka si rrjeti: mjafton të ndezësh një ekran.

*

Tani vajza nuk ishte më fëmija që mërzitej kur google-i nuk i përgjigjej se kush ishte vajza ime, apo as se kush ishte gruaja ime, megjithatë nuk i tregova se çfarë më kishte ndodhur. Më parë, duhej të merrja një vendim të rëndësishëm, për të mos thënë më të rëndësishmin e jetës sime: të gjeja librin e plotë dhe studentin me të cilin duhej të përballesha.me në të

            A nuk ishte ajo vetë një arsye për të cilën duhej ta bëja atë gjë? A nuk duhej të bëhesha gati se si të shfajësohesha para saj?

            Por një moment i tregova.

            Duhet pasur kujdes me të, më tha. Ai është Gen Z.

            Çfarë është ky?

            E ke në tv.

            Në tv vazhdonte protesta masive para Kryeministrisë, që kishte nisur prej disa javësh. Përgjithësisht, përbëhej nga të rinjtë pa emër e par përkatësi politike.

            Vetëm atëherë m’u duk se e kuptova statusin e shkrimtarit Z në facebook. Rrjeti po ziente: si qe e mundur që një njeri që i kishte shkuar jeta në internim, të cilin e kishte përshkruar aq me realizëm, të dilte në mbrojtje të trashëgimtares së partisë që, sipas shumëkujt, qe sjellë aq keq me të. Po e quanin spiun, lëpirës dhe plot epitete të tjera, megjithëse për një kohë të gjatë qe parë si modelimi më i pastër i rezistencës..

            Për mua, megjithatë, ai njeri nuk tregoi bindje, por një formë të frikës ndaj autoritetit: më të heshtur, më të vështirë për t’u emërtuar, e cila i kishte hyrë në gjak dhe u trishtova.

            Ajo protestë, që nuk ishte tipike për Shqipërinë, nuk shfaqte shenja mbylljeje, por vetëm vazhdimi, gjë që e vështirësonte përcaktimin e saj.

            A kishte Ai-romani paralele me të? Edhe pse nuk i përkiste brezit tim, fillova ta mbaja një sy nga protesta.

Lini një koment