Kryeministri më kërkoi kur doli nga spitali.

Me romanca do ta bëjmë historinë? më tha, pa më përshëndetur, mirëpo unë e dija se qe pjesë e natyrës së tij.

Unë jam ai që nuk ka menduar kurrë ashtu.

Mund të dënoheni për nxjerrjen e sekretit shtetëror. Plagosja ime nuk ishte publike.

Si mund ta bëjmë ndryshe historinë? Kjo është dëshmia ime para Zotit dhe ligjit.

A jeni gati të dëshmoni te vendi?

Mezi po pres.

Nuk e kam zgjedhur unë popullin.

E di.

A ndihmon dot me vota?

Nuk të ndihmoj dot.

Çfarë kërkon atëherë? A e shikon se nuk na pranojnë? Se gjithmonë na shohin shtrembër?

Këtë herë nuk u përgjigja: po shijoja çastin.

Bëj diçka për letërsinë, thashë. Mund të shërbejë.

Bëri një lëvizje me dorë, si të thoshte “Ti qenke prapa botës”!

Nuk pashë vend për të thënë diçka tjetër. Ai po e shfrytëzonte këtë kohë për të rregulluar mjekrën.

Duhet apo nuk duhet imazhi i mirë? Tha si për të treguar se unë kisha një mjekër koti.

Sigurisht që duhet, ia ktheva.

Dhe e kisha me gjithë mend.

Për cilën letërsi e kishe fjalën? vazhdoi. Romantiken? De Radën?

Edhe për atë.

Vetë letrarët tanë – apo ti nuk hyn tek ata? – thonë se De Rada ishte një heteroseksual dhe jo një maço i Motit të Madh të Skënderbeut, siç donte ta paraqiste veten në sy të të tjerëve. Kishte një lidhje me shokun e rinisë. Ia thonë edhe emrin.

Po tallej?

Dhe nuk besoj se e keni fjalën për realizmin socialist.

Desha t’i thosha se me Europën negociohet për këto gjëra, por e kuptova se nuk ia vlente të merreshe me të kur ai vinte në formë. Për arsye pune, kisha zbardhur ndonjë ligjëratë të tij dhe e dija se nuk i dilej përpara, kur i fillonte fjalitë me lidhëzën “dhe”.

Mora t’i thosha nëse e kujtonte atë momentin kur Stefan Zweig-u vizitoi studion e Rodin-it, por ma ktheu menjëherë:

Mos më fol mua për sindromën e Stendhal-it! E njoh më mirë se ti.

Ky qe momenti kur e pranova kapitullimin. Dihej se kishte qenë artist.

Po kërkohen librat e tij nga lexuesi apo jo?

Postmodernizmi ecën. Te një librari njerëzit po rrinin në radhë.

Bëjmë ndonjë tender dhe i çojmë librat e tij nëpër shkolla. Jo këtë. Ky libër ka dështuar apo jo?

Pyetjet e tij qenë retorike.

Tani më duhet të kap avionin. Sot do të pi një çaj me mbretëreshën e Mbretërisë së Bashkuar.

Po këtë, a mund ta jap si lajm?

Nëse do të keni parasysh imazhin.

Do ta bëj me dashuri.

Më në fund jemi në Evropë. Do ta festojmë me romane të vërteta dashurie.

Na duhen shkrimtarë të vërtetë.

I krijojmë. Do të investojmë. Jo vetëm këtu, por edhe jashtë.

Me tenderë?

Nuk doja t’ia dija se çfarë pamje mori. Sesi ishte ta shihje Shqipërinë nga zyra e Kryeministrisë. Kryesorja: ndjeheshe trim dhe i rëndësishëm.

Lini një koment