Gazmend Krasniqi
AI-ROMANI
(fragmente)
Shënim editorial
Ky libër i përkthyer nga anglishtja, ka kohë që bën një jetë të vetën në tregun amerikan. Botuesi amerikan u habit kur mësoi se ky libër nuk qarkullon në tregun shqiptar, por u tmerrua kur mësoi se unë as nuk e disponoj këtë tekst në shqip.
Përktheje, më tha me një ton të prerë. Na kanë thënë se lexuesi shqiptar e pranon symbyllur çdo gjë vjen nga tregu amerikan.
Dhe shtoi, kur më pa në mëdyshje: Shfrytëzoje rastin: kjo shikohet si një markë. Libri do të shitet rëndshëm.
Kaloi kohë deri sa, më së fundi, u binda. Ndoshta kjo ndodhi ngaqë njohja me materialin ma lehtësonte punën. Rezultati është ky libër që keni në dorë.
Meqë fjala rezultati më ngacmon pyetjen se si hyra në këtë punë, po përpiqem ta kujtoj një bisedë me studentët.
Pranë fjalës tekst duhet vënë fjala rroba, profesor, më tha një prej tyre, pothuajse me tonin e atij që është duke përfaqësuar mendimin e shumicës.
Tesha, e korrigjova.
Ai buzëqeshi.
Nuk ke frikë se nuk ta njeh Chat-i?
Pyetje e përligjur e kohës! Por sa më shumë kërkoja për atë fjalë, aq më tepër më krijohej përshtypja se fjalët e harruara, për paradoks, jetonin më gjatë se ato që përdoreshin çdo ditë, sepse lexova:
Shqipja teshë /rrobë, veshje, lidhet me një rrënjë indo-europiane tek- /teks- me kuptimin të thurësh, të endësh, e njëjta rrënjë që jep latinishten texō – textus (end, thur – tekst, i endur). Pra, fjala shqipe tekst nuk është e huazuar nga latinishtja, siç mund të mendohet, por i përket një trashëgimie më të gjerë, ku veshja dhe teksti rrjedhin nga e njëjta metaforë bazë: thurja e fijes. Në këtë kuptim, teshë nuk del më si fjalë periferike dialektore, por si një formë që ruan një shtresë shumë të vjetër kuptimore, paralele me zhvillimin latin texere. Kështu, në fillim kuptimi ishte krejt konkret: të endësh fijet e një cope, të krijosh një pëlhurë, pastaj, në mënyrë metaforike, fjalët u panë si fije, frazat si thurje, dhe shkrimi si një ind kuptimor. Prandaj në traditën perëndimore një tekst thuret: autori gërsheton motive, rrëfimi ka fill dhe humbja e logjikës quhet humbje e fillit.
Nga kjo pikëpamje, teoricienët modernë nuk kanë shpikur gjë të re, por i janë kthyer idesë fillestare që e sheh tekstin si një rrjetëzim, një ind citimesh apo një thurje zërash e kodesh. Domethënë, kur mbrojta fjalën tesha, studentët përfaqësonin standardizimin modern, ndërsa unë shtresat arkaike të shqipes. Kjo qe pika e parë reale e romanit: jo kapitulli 1, por nyja e parë e fijes, prandaj përgjigjja më e saktë ndaj pyetjes “nga t’ia filloja?”, qe: nuk fillohet, por futesh në thurje.
Gjatë këtij leksioni të lirë, studentët nuk mbajtën shënime, por unë shpresoja që të paktën disa prej tyre të merrnin diçka prej tij, që ndonjëherë t’i ktheheshim përsëri, por nuk e solli rasti, dhe e konsiderova nga ato gjërat që, sado të mundohesh, nuk lënë shenjë. Vetëm koha e tregoi që isha ngutur në përfundimin tim: nuk e imagjinova kurrë forcën me të cilën do të më kthente goditjen kjo histori.
HYRJE
(OSE: ÇFARË SHKROVA UNË)
Kur gjeta pjesën e parë të tekstit AI-romani, unë shkrova:
Kush do ta kishte çuar ndërmend më parë ekzistencën e tij? Duhej një mendje që nuk ishte krejt njerëzore.
Si edhe:
Me çfarë zbulimesh njerëzore mund të krahasohet rëndësia e diçkaje si AI? Me zjarrin? Me rrotën?
Si edhe:
Po tani unë e dija se këto janë pyetje të një kohe kur njeriu ishte ende autori i vetëm i historisë së tij, sepse kjo nuk është më e sigurt: në çastin që po lexon një fjali, mund të kuptosh se dikush ose diçka, mund ta ketë parashikuar tashmë reagimin tënd. Mund të shohim se teksti nuk është i sigurt se i përket atij që e ka shkruar dhe aq më pak atij që po e lexon: ndoshta ka filluar më herët ose ndoshta vazhdon pa ne.
Sepse, ndoshta, çdo roman, në fund të fundit, ka pasur gjithmonë një lexues të fshehur brenda vetes: dikë që e parashikon, që e plotëson apo e çon deri në fund gjatë leximit. Ajo që ndryshon tani është se ky lexues nuk është më domosdoshmërish njerëzor, por makinë e krijuar.
Njeriu që e kishte shkruar, mendonte si unë apo kishim biseduar ndonjëherë këtë çështje bashkë? Kjo pyetje nxiste gjetjen e misterit.
*
Pjesën e parë të atij që quhej AI-romani, e gjeta në servisin e lagjes, në një nga ata kompjuterët e braktisur prej kohësh, të cilët askush nuk i merr më seriozisht: të rëndë, të zhurmshëm, me një ekran që ndizet me vonesë, sikur të duhet të bindet që ka ende arsye për të funksionuar.
Mjeshtri ngriti supet para pyetjes: Pronari i tij?
Dhe vazhdoi: Sa hyjnë e dalin këtu te ne! Nuk e di pse ka mbetur pa hedhur. Mirë që na e kujtove: na ka zënë gjithë atë vend.
Ndërkohë, u nis drejt meje dhe mua më ngriu gjaku.
Lëre edhe pak, i thashë. Nganjëherë më pëlqen të merrem me kompjuterët e braktisur. Sëmundje e vjetër!
Pse thashë ashtu? Megjithëse atë moment dukej pak për të qeshur, m’u kujtua se kishte zëra që thoshin se AI-romani mund të gjendet në një kompjuter të vjetër.
Për fat, mjeshtri pati prapë një ngritje të lehtë supesh dhe u kthye mbrapsht, duke më lënë të lirë.
*
Butonin e ndezjes e shtypa pothuajse instinktivisht. U desh pak kohë që kompjuteri të përgjigjej: dikur u shfaq një desktop, përgjithësisht i zbrazët, vetëm me disa ikona të shpërndara pa ndonjë logjikë të dukshme. Kjo më bëri të mendoj se, pasi ishte përdorur gjatë, qe pastruar rrënjësisht, ose qe braktisur në mes të diçkaje të pakapshme tashmë.
E ristartova po aq instinktivisht sa e kisha ndezur. Vetëm kur u rindez, më kapi syri dokumentin ku lexova titullin: AI-romani. Për fat, të tjerët nuk e kishin mendjen tek unë dhe, një copë herë, u mundova ta marr veten: A e kisha lexuar mirë apo kishte qenë ndonjë lojë e mendjes sime?
Nuk bëhet më ai kompjuter, u dëgjua zëri i mjeshtrit. Mos u mërzit: ja e gjeta defektin.
Po kaloj kohën, ia ktheva, nga frika se mos ma merrnin atë çast nga duart.
Ka kaluar kohë dhe ndoshta kujtesa më bën lojëra, por mendoj se e kujtoj momentin kur kompjuteri u fik vetvetiu. Gjithashtu, mendoj se e kujtoj që nuk u ndez menjëherë. Madje, më duket se mjeshtri tha diçka pas shpine, por nuk e mora vesh, sepse zëri i tij vinte si nga një dhomë tjetër, edhe pse ishte aq pranë.
E shtypa butonin përsëri, por edhe këtë herë kompjuteri nuk u ndez.
Lëre, tha mjeshtri me një ton shkurajues. Nuk bëhet më.
Por unë e shtypa butonin për herë të tretë dhe ekrani u ndez pothuajse pa paralajmërim, thuajse kishte qenë i ndezur më parë dhe më shkuan sytë menjëherë te ai dokument në mes të ekranit dhe titulli i shkurtër: AI-romani. U përkula më afër ekranit dhe klikova. Fjalia e parë që pashë:
Po e jap të saktë bisedën që u zhvillua mes meje dhe mjekut në repartin e urgjencës, ku ndodhej pedagogu
Mbeta me kursorin pezull: për një çast pata përshtypjen se fjalia nuk ishte shkruar për t’u lexuar, por për t’u vazhduar. Tekst origjinal apo përkthim? Kur përshkova hapësirën e zbrazët dhe shkova në faqen tjetër, për disa çaste nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte rreth meje. Vetëm pas një farë përqendrimi, lexova:
Ky roman ka personazh kryesor pedagogun tim, Gazmend Krasniqin, i cili vdes në fund. Por ndërkohë do ta ketë shijuar jetën: ai do të jetë i dashuri i mbretëreshës së vendit ku jepet çmimi Nobel, një vend që, më pas, e akuzoi për një vrasje. Me këtë roman, unë dua të bëj me të atë që ka bërë në librat e tij me personazhe të identifikuara historikisht. Në fund, vlerësimin për të nuk do ta bëjë një kritik letrar, por vetë Mira Murati.
*
Sa veta kanë fatin të lexojnë një roman të shkruar për ta? Do të thoni Don Kishoti, në vëllimin e dytë të Servantesit, por e kam fjalën për persona realë. A mund të ekspozohej jeta ime private, edhe pse ajo lidhej me një ngjarje të rëndësishme botërore: AI-romanin? Cili ishte ky student kaq guximtar? A ishte ai një Herostrat që kërkonte një emër të përjetshëm, vetëm duke shkatërruar diçka? A fliste ai me një gjuhë të koduar që bënte të më dridheshin leqet e këmbëve apo të më kullonin djersë të ftohta?
Teksti i gjetur nuk e plotësonte masën për të qenë një roman në vetvete, por kjo nuk kishte rëndësi për mua: mjaftonte edhe aq për të ngritur shumë pyetje. A pritej të kishte një deshifrim që do ta bënte AI apo…? Çfarë ndjeja më shumë: frikë, ego, turp apo narcizëm? Dhe: A mund të flitej për këto ndjenja në të njëjtin plan? Dhe…
Ndërkohë, përpiqesha të kujtoja ndonjë përplasje me studentët, për të tentuar gjetjen e autorit dhe për ta futur kërkimin tim në rrugë më të qarta.
*
Pak nga goditja e së papriturës, pak nga mosgjetja e kohës së përshtatshme, nuk e nisa leximin deri në gjetjen e dokumentit të dytë, pas rreth dy javësh, një fajl pa titull, brenda një folderi me dokumente zyrtare, i cili ma përkëdheli sedrën: AI-romani nuk qe një besim i kotë, dhe unë, megjithëse i pashëruar nga frika e të panjohurës për fatin tim, gati bërtita me zë: AI-romani ekziston! Brenda vetes, ndoshta bërtita.
Vetëm ky qe momenti që vendosa për leximin.
Ç’pate, tha gruaja, kur erdhi nga dhoma tjetër.
Pra, kisha folur me zë. U ktheva nga ajo me përpjekjen për t’u dukur i qetë.
Asgjë, thashë. Po lexoja diçka të frikshme.
Befas zgjati celularin për të më treguar një gjë si diplomë:
Vajza fitoi olimpiadën kombëtare të historisë.
Nuk më tha gjë, ia ktheva. Unë e takova.
Ti e di se si është ajo. Nuk i pëlqen të flasë për këto gjëra. Nuk e ka vënë as në What’s up.
Si ia doli? Ne nuk kemi as shumë libra historie në shtëpi!
Rrjeti!
Çfarë i kishte rënë?
Edikti i Nantës.
O Zot! Kam lexuar dikur për ediktin e Milanos, por nuk dija asgjë për këtë. Nga i di ajo!
Në historinë e njerëzimit asnjëherë nuk ka ekzistuar mes brezave një hendek si ky i sotmi, ma ktheu.
Më silleshin në kokë fjalët: rrjeti, AI, sidomos: AI-romani, por njëherë për njëherë doja ta mbaja të fshehtë: derisa ta merrja vesh se çfarë shkruante ai student për mua.
Pas pak, u dëgjua prapë zëri i saj:
Mos harro pjatat! Dhe mëso të përdorësh lavastoviljen!
Ndërkohë që laja pjatat me dorë, nuk mund të shpëtoja nga pyetjet e reja: Mos isha objektiv i ndonjë komploti? Diversion? Larje hesapesh? Pse ai që i shkruante i shpërndante pjesët e librit andej-këndej? Ku ishte libri i plotë?
Në fillim përfytyrova gjëra të vogla: një telefonatë, një debat me gruan, një student që e shmang në korridor dhe një fjali që ai vetë do ta thotë pas disa orësh. Pastaj gjëra më të rënda: humbja e reputacionit, publikimi i sekreteve, vdekja e dikujt, një skandal akademik dhe vetë fundi.
Pastaj: Një ish-student i harruar, i nënvlerësuar, ndoshta brilant, që ka punuar me modele gjuhësore dhe ka krijuar diçka të pakontrollueshme. Protagonisti (unë, sipas tij) fillon të kërkojë lista studentësh: fotografi vjetore, tema diplome dhe emaile, por nuk e zbulon dot atë person që ka shkruar. Ndoshta protagonisti (unë, sipas tij) e ka ushqyer sistemin me leksionet dhe esetë, variante që nuk duheshin parë vetëm si alternativa që përjashtonin njëra-tjetrën, por edhe në bashkëjetesë, prandaj duheshin kujtuar ato, për të lokalizuar sadopak objektin e kërkimit.
Isha aq i hutuar sa kisha harruar se zgjidhja e vetme ishte gjetja e tekstit të plotë dhe leximi i tij. Frazat e shkëputura si: Thelbi i AI-romanit është potenciali bërthamor i fjalorit të tij metafizik, më thoshin diçka, por nuk tregonin rrugën e duhur.
*
Të lexosh një roman ku je personazh është një tundim i madh, por pikërisht për këtë arsye leximi shtyhet: sa më i madh tundimi, aq më e madhe frika nga zhgënjimi ose tronditja.
Mund të thuhet se narratori e vonon leximin për të njëjtën arsye që shumë personazhe në mite ose tragjedi vonojnë zbulimin e profecisë: ai dyshon se teksti përmban një të vërtetë që mund t’i ndryshojë mënyrën se si e sheh veten dhe botën. Leximi nuk paraqitet si kërkim informacioni, por si një akt që mund ta transformojë ose ta shkatërrojë identitetin e tij.
Pra: Çfarë ka në ndërgjegjen e këtij narratori që e bën të ketë frikë se AI-romani mund t’ia kthejë këto dyshime në fakte narrative?
*
Dikur kalova me të vërtetë te leximi dhe pashë se teksti i studentit ndahej në dy pjesë: Një histori e treguar nga studenti – ku ai vetë rrëfente për vete dhe për mua, dhe Një histori e treguar nga pedagogu – ku rrëfimi i tij kalonte përmes gojës sime.
E ndjeva të nevojshme të shtoja pjesën Çfarë shkrova unë, ku folja shtoja qe vendimtare, sepse lidhej drejtpërdrejt me metaforën e thurjes në hyrje. Në këtë kuptim, Çfarë shkrova unë është një akt rezistence, por edhe dorëzimi. Rezistence, sepse narratori nuk pranon të mbetet objekt i rrëfimit; dorëzimi, sepse ai pranon që nuk mund të jetë më burimi i vetëm i tij. Ideja se dija objektin, por autorësia, që e tërheq gjithmonë lexuesin e gjerë, duhej të sqarohej, u bë lufta ime.
Por që të mos duket se po vazhdojmë me shënime editoriale, le të hidhemi te historia.
*
Por nuk mund t’i shpëtoja tundimit që Chat-i t’i lexonte këto fragmente dhe të më thoshte: Kush është studenti? A ekziston vërtet AI-romani? A po e shkruan AI-ja romanin në kohë reale? A po lexon protagonisti diçka që po e krijon vetë? Kush është autori i vërtetë?
Por për mua pyetja qe shumë më e vjetër dhe më shqetësuese: Kush e ka të drejtën të tregojë historinë time?
PJESA E PARË
NJË HISTORI E TREGUAR NGA STUDENTI
(Në ambulancën e Spitalit të Traumës.)
Emri?
David.
Atësia?
Foster.
Mbiemri?
Wallace.
Viti i lindjes?
21 shkurt 1962.
Vendlindja?
New York, Ithaca.
Megjithëse me zë të dobët, pedagogu i shqiptoi fjalët mirë. Veçse pas kësaj i mbylli sytë. Ndërsa fizionomia e mjekut, që e kishte këtë punë rutinë, nuk tregonte asgjë. Kështu m’u duk.
*
(Po aty.)
Por mjekut në fakt nuk i kishte shpëtuar gjë.
E keni tuajin? më pyeti nën zë.
Varet si ta marrësh, u përgjigja. Është pedagogu im.
Si amerikan që është, tha me një zë të çuditshëm, ai e flet shqipen shumë mirë.
Aprovova lehtë me kokë, por, për të fshehur skuqjen që pata në fytyrë, ula kokën dhe hapa celularin. Aty kisha një email të fundit të pedagogut tim, po me atë emër: David Foster Wallace, por nuk arrita ta hap, sepse dëgjova prapë zërin e mjekut.
Do të kujdesemi për të, tha. Mos ki merak! Plagët e jashtme nuk janë ndonjë gjë e madhe, thuajse gërvishtje. Problemi qëndron te plagët e… brendshme.
Brendshme?
Ndonjë shtypje.
Tunda kokën në shenjë mirënjohjeje.
Mendon se u hodh vetë te makina? tha mjeku.
Nuk dhashë përgjigje menjëherë.
Kështu po thoshin disa dëshmitarë, vazhdoi.
Nuk e di, thashë më në fund. Kisha kohë pa e parë. Më përpara shiheshim më shumë.
Cila është lidhja juaj?
Është pedagogu im.
Po, ma the. Prandaj e flet shqipen aq mirë!
Ndoshta.
Përderisa nuk ka dokumente me vete, po ecim me dëshminë tënde.
Këtë herë nuk fola.
Por është mirë të gjendet nëse e shtynë apo u hodh vetë.
Është mirë, aprovova.
E lexova intervistën e tij, tha mjeku dhe më zgjati celularin e vet.
Lexova:
Televizioni, filmi popullor dhe shumica e formave të artit ‘të ulët’ – që do të thotë art qëllimi parësor i të cilit është të bëjë para – janë fitimprurëse pikërisht sepse e kuptojnë që audiencat preferojnë 100 për qind kënaqësi ndaj realitetit që zakonisht është 49 për qind kënaqësi dhe 51 për qind dhimbje. Ndërsa arti ‘serioz’, që nuk ka si qëllim kryesor t’ju marrë para, ka më shumë gjasa t’ju bëjë të ndiheni në siklet, ose t’ju detyrojë të punoni fort për të arritur kënaqësitë e tij – njësoj si në jetën reale, ku kënaqësia e vërtetë zakonisht është nënprodukt i punës së vështirë dhe parehatisë.
Ndërsa lexoja, tundja kokën si budalla.
*
A mos ndoshta e vërteta fshihej te emaili, por unë nuk po gjeja kohën e duhur për ta vërtetuar? Kujt i duhej vdekja e tij?
Në një situatë urgjence spitali, kur truri ka dalë prej ritmit të zakonshëm, mund të të shkojë ndërmend gjithçka: meqë shkrimtari amerikan me këtë emër e kishte vrarë veten shumë vite më parë, a duhej të besoja në një reinkarnacion? Identitet tjetër dhe tentativë për vrasje apo vetëvrasje?
*
Ja edhe momenti kur pedagogu do të mund të më identifikojë se cili student mund të jem unë që hedh këto shënime AI-romani. Është pikërisht ky teksti sqarues me të cilin fillonte emaili i tij:
Teksti nis me atë pjesë që e pate lexuar dikur, kur më bëre presion për notën që të pata vënë. Ti i pate lexuar ato pjesë, prandaj edhe mund t’i anashkalosh. Unë nuk i anashkaloj dot, sepse historia duhet të lexohet e plotë për t’u kuptuar. Nëse ka gjë për t’u kuptuar. Pastaj vijnë pjesë që nuk i ke parë ndonjëherë. Dhe unë dua që t’i shohësh.
Nuk mund të vazhdoja leximin për momentin, sepse erdhi mjeku, që më tha:
Po e ekzaminojmë. Pastaj të shohim se çfarë ka. Ti përpiqu të kontaktosh ndonjë nga të afërmit e tij. Sepse mund të paraqitet nevoja për të hyrë në sallën e operacionit.
Të afërmit e tij? Nuk kisha asnjë orientim. Megjithatë nuk thashë gjë. Edhe pse nuk e dija nëse mund të hidhja firmë për të.
Po lexoj diçka që më ka dërguar pak më parë, i thashë.
Ai?
Po.
Mendon se mund të dalë gjë nga ajo që po lexon?
Dikur thashë:
Duket si e vetmja mundësi që kemi.
Mjeku u përpoq të më kuptonte.
Më trego, për çdo rast. Qoftë edhe për aq sa di.
Pohova me kokë, para se të kujtohesha për të marrë frymë thellë.
Dikur u kujtova: nuk isha vetëm unë që i bëra presion për notën. Ishim disa që dhamë të njëjtën përgjigje. Më kishte zgjedhur vetëm mua apo ky material u ka shkuar edhe të tjerëve? Po pse nuk i shoh?
Meqë nuk kisha ku ta merrja përgjigjen e këtyre pyetjeve, u mundova të vazhdoj me leximin, ku, sigurisht, më mungonin qetësia dhe përqendrimi, derisa m’u afrua mjeku, që më nxiti me një lëvizje koke.
Fillova të lexoj te kapitulli NJË HISTORI E TREGUAR NGA PEDAGOGU, ku unë pata dëgjuar për herë të parë për të gjini të romanit:
Nuk të paskam treguar ndonjëherë për AI-romanin? Si shumë njerëz në botë, e kërkova edhe unë, por dikur pata hequr dorë, edhe pse, ndërkohë, i kisha shkruar një botuesi amerikan, i cili ma kishte pranuar idenë. Por shihja shumë kontradikta në gjërat që thuheshin për të, sa që nuk mund të vazhdohej më.
U kujtova për ndërprerjen e tij atë natë kur po flitej për AI-n në një emision që ngrihej mbi pyetjen: Cilat profesione dalin jashtë loje prej tij? Pasi ndoqa pak bisedën që po zhvillohej, pyeta veten: çfarë mund të thuhej për shkrimtarinë? Meqë në studio nuk ishin njerëzit e duhur për ta bërë një pyetje të tillë, iu drejtova celularit, konkretisht, Chat-it.
Meqë, sipas tij, profesionet më të sigurta janë ato që kërkojnë kreativitet të thellë (shkrimtarë seriozë, artistë) dhe vendimmarrje komplekse, m’u kujtua se nuk e kisha vlerësuar si duhet këtë fakt, edhe pse unë jam familjar me të. Sepse, vazhdonte Chat-i: Nëse një punë ka stil vetjak, intuitë apo ndjeshmëri njerëzore, ai përballet me vështirësi me të…
Mirëpo mjeku dëgjoi vetëm këto paragrafë, sepse e thirrën. Iku drejt shtretërve plot me pacientë, por jo pa pyetur se çfarë qe AI-romani. Si dhe jo pa marrë përgjigjen time se nuk ia thosha dot me dy fjalë.
E besoi sinqeritetin tim. Por edhe të mos e besonte, nuk do të nxirrte më shumë, edhe pse do të doja t’i tregoja gjithçka që dija.
Sepse ai që do të lexojë në vazhdim mund të thotë se nuk dija pak.
NJË HISTORI E TREGUAR NGA PEDAGOGU
…E pyeta veten disa herë: A vlente ai optimizëm për profesionin e krijuesit? A ta provoja edhe njëherë shkrimin e AI-romanit? E vetmja pyetje që mund t’i jepja një përgjigje, ishte: Si kishte ndodhur që kisha njohje për Chat-in?
Ajo kishte këtë përgjigje: Njëherë dhashë për analizë tregimin e Kadaresë Para banjës, ku tregohet në 5-6 variante vrasja e Agamemnonit prej Klitemnestrës, bashkëshortes. Përveç largimit 10 vjeçar nga shtëpia, në nisje të fushatës së madhe të Trojës, Agamemnoni, siç thuhet, që lufta të shkonte mirë, kishte flijuar të bijën. Përveç të tjerash, gruaja kishte krijuar lidhje me një burrë tjetër, por tregimi nuk merret me këtë pjesë: ai tregon vetëm se si bëhet vrasja me sëpatë, kur ato hynë në dush të bënin banjë.
Por disa nga studentët më sollën një trajtesë befasuese, pa lidhje me to, sepse nuk i kishte të dhënat e këtij tregimi:
Tema kryesore e tregimit është jeta e përditshme në një realitet të varfër dhe absurd, ku njerëzit përballen me mungesa elementare si higjiena dhe kushtet minimale të jetesës. Kadare trajton varfërinë, burokracinë dhe sistemin absurd, si dhe pritjen dhe durimin e detyruar. Ideja që përcillet është se njeriu shpesh detyrohet të jetojë në kushte absurde dhe poshtëruese, duke u nënshtruar ndaj rregullave dhe realitetit që nuk i kontrollon dot.
Ngjarja zhvillohet para një banje publike, ku njerëzit presin radhën për t’u larë, dhe kjo situatë e thjeshtë kthehet në një simbol të jetës monotone, mungesës së lirisë dhe absurditetit të përditshëm. Pritja bëhet një përvojë e rëndë dhe domethënëse. Para banjës është një tregim që, përmes një situate të zakonshme, zbulon thellësi sociale dhe filozofike. Ismail Kadare arrin të tregojë se si absurdi i përditshëm bëhet pjesë normale e jetës së njeriut.
*
Por ndryshe nga rasti i tregimit, Chat-i e kishte bazën e të dhënave për profesionet e rrezikuara, sepse e vazhdoi komunikimin me mua:
Prej tij, rrezikohet prodhimi masiv i teksteve: romanet e lehta komerciale, poezitë e shpejta dhe tekstet për rrjetet sociale. Nuk rrezikohen zëri vetjak, estetikja, ndjeshmëria e vërtetë dhe struktura e thellë.
(A po më fuste në kurth një makinë?)
AI jep qartësi të menjëhershme, shmang rrezikun, bën stil të bukur, por të parashikueshëm dhe nuk e mban gjatë tensionin e thellë. Me një pak fjalë: AI simulon letërsinë; ti mund ta prodhosh atë. Dallime kyçe: ti: ndërton mister, AI: shpjegon; ti: krijon tension, AI: zgjidh tension; ti: rrezikon, AI: stabilizon. Tek ti ka errësirë, tek AI ka qartësi. Dhe sot lexuesi serioz kërkon pikërisht këtë errësirë.
(A do të fliste me kaq sinqeritet një person real?)
*
Ja një nga ato pyetje që të ndërrojnë stilin e jetës: Si ta kapja atë errësirë dhe të lexoja brenda saj të vërtetën për AI-romanin? Meqë e dashura ime i ngjante Mona Lizës, nuk e dija se kë po shihja, por e kuptoja se ai diskutim i Chat-it më kujtoi aurën e veprës unike. Atë që thotë se mendohej që Mona Liza do të zhvlerësohej duke u shitur me mijëra kopje, por ndodhi e kundërta: u rrit vlera e saj në Luvër.
Por nuk ishte vetëm kjo që e kishte rritur aurën e saj. Kur më 21 gusht 1911, piktura u zhduk, gazetat e kthyen rastin në sensacion kombëtar. Policia nuk kishte pista të qarta dhe filloi të hetonte artistë, intelektualë dhe njerëz bohemë të Parisit, deri te shoku i Pikasos, poeti Guillaume Apollinaire. Sekretari i këtij, një belg, kishte vjedhur më parë disa skulptura iberike dhe ia kishte shitur Pikassos, duke ndikuar shumë në stilin e tij të hershëm, sidomos në Les Demoiselles d’Avignon. Thuhet se, nga paniku, gjatë përballjes në gjykatë, dy artistët e mohuan njohjen me njëri-tjetrin.
Hajduti i vërtetë, një punëtor italian që kishte punuar në Luvër dhe e njihte mirë ndërtesën, e fshehu pikturën nën rroba dhe doli nga muzeu pa u vënë re. Ai pretendonte se donte ta kthente pikturën në Itali, sepse besonte se Napoleoni e kishte vjedhur nga italianët. Në fakt, kjo nuk ishte e saktë: Leonardo da Vinci e kishte sjellë vetë pikturën në Francë shekuj më parë.
Dy vjet më vonë, ai u përpoq ta shiste pikturën në Firence te një tregtar arti. Ky i fundit njoftoi policinë dhe Mona Liza u rikthye triumfalisht në Francë: para vitit 1911 ishte një vepër e njohur arti, pas skandalit iu vulos aura e simbolit botëror, e cila e shpëton nga AI: ëndrra e çdo libri të shkruar nga dora e njeriut.
*
Studenti kishte dëgjuar për pyetjen: Pse zhgënjehen shumë njerëz kur e shohin për herë të parë? dhe u mundova të jap atë që kisha dëgjuar, me këto fjalë: sepse mund të krijohet një kontrast mes imagjinatës dhe realitetit. Zhgënjimi nuk vjen se piktura është e dobët, por se fama e saj është kaq e madhe sa përvoja reale rrallë arrin pritshmëritë mitike. Njerëzit kanë pritshmëri gjigande sepse piktura konsiderohet vepra më e famshme në botë, shfaqet kudo në media, libra e filma dhe ka një mit të madh rreth buzëqeshjes misterioze, mirëpo kur ata mbërrijnë në muze, shohin se tabloja pas xhamit antiplumb është rreth 77 × 53 centimetër. Mandej, shikimi i saj zgjat vetëm pak sekonda, dhe nga larg, sepse ka turma të mëdha që po e vizitojnë.
Unë nuk e kisha provuar sindromin e Mona Lizës, por atë të Parisit. Kishte shumë arsye që shumë vite më parë unë nuk munda të jetoja në atë qytet, por nuk është vendi për ta përtërirë atë histori, sepse për argumentin mjaftonte e para.
*
Studenti donte histori të tjera për Mona Lizën, por thashë vetëm ato që m’u kujtuan, sepse në atë kohë isha i preokupuar me idenë se fillova të mendoja që nuk isha i sigurt nëse po i shkruaja unë fjalitë. Nuk e kam fjalën për kuptimin, por për rendin e fjalëve, sepse kur rilexoja, kisha ndjesinë se fjalia nuk qe ajo që kujtoja se kisha menduar. Qe më e qetë dhe më e rregullt, sikur të mos kishte kaluar nga ngurrimi im.
E lashë tekstin e nisur për një çast dhe u përpoqa ta rindërtoja nga fillimi. Mendova se mund ta shkruaja ndryshe, por mbeti i njëjtë: si një version që nuk kishte nevojë për mua. Nuk ishte më i mirë, por më i përfunduar nga sa do ta lija unë. Kjo qe ajo që më shqetësonte: jo që dikush tjetër mund ta shkruajë tekstin tim, por që teksti mund të arrijë aty ku unë ndalem. Atëherë mendova për zbulimin tim: Chat-i ishte aty për të shpëtuar prej tij. Piktorët ikën nga fotoaparati si djalli nga temjani. A nuk duhet të tronditen ashtu sot shkrimtarët nga AI? Nga pyetja: Çfarë mbetet art?
I shkrova botuesit amerikan nëse vazhdonte të ishte i interesuar për AI-romanin dhe kur m’u përgjigj se po, mendova t’ia rifilloja punës me vrull.
NJË HISTORI E TREGUAR NGA PEDAGOGU
Studenti po më shikonte syhapur, kur po i flisja për konstatimin tim.
Problemi nuk është teknologjia, i thashë, i sigurt se po mendonte ashtu, por mesatarja njerëzore.
I hapi sytë edhe më dhe unë vazhdova: Arti nuk e kopjon më realitetin, por e interpreton atë. I mirë shpesh do të thotë i parashikueshëm: Jorge Luis Borges-i nuk do t’i bindej kurrë një sistemi që e shpjegon botën shumë qartë, ndërsa Vladimir Nabokov-i do ta përdorte AI-n për ta mashtruar lexuesin, jo për ta ndihmuar. Pra: jo ta ndjekësh AI-n, por ta përfshish në lojë. Dhe konflikti bëhet jo a do të zhdukem?, por a do të bëhem i zakonshëm? Pyetja: Po t’i bindesh AI-t, a nuk po bëhesh mesatar?, në roman duhet të bëhet: Në ç’moment bindja u duk si mendimi im?
*
Studenti kishte qenë në Amsterdam dhe e kishte parë muzeun Van Gog, por pranonte me ndershmëri se pak e kishte marrë vesh – nuk e kishte kapur aurën e veprës – prandaj u mendova pak para se t’i thosha:
Vinsent van Gogu ndaloi së pikturuari realitetin siç është dhe filloi ta pikturojë atë siç ndihet. Te Van Gogu nuk sheh një fushë, por një gjendje mendore. Pra: ai nuk konkurroi me fotografinë, por shkoi në një territor ku fotografia nuk mund të hynte.
Miku i tij, Pol Gogeni, bëri zgjedhje tjetër: u largua nga Europa, kërkoi botë të paprekura (shkoi në Tahiti) dhe krijoi një art simbolik, pothuaj mitologjik. Nuk e interesonte më realiteti objektiv, por realiteti i brendshëm dhe i imagjinuar.
Pol Sezani (për të cilin Pikaso kishte thënë: Ai është babai i ne të gjithëve) nuk pyeti më: Si duket bota?, por: Si ndërtohet bota? Reduktoi natyrën në forma (kube, sfera, cilindra) dhe çoi drejt lindjes së kubizmit, sepse kaloi nga pamja te struktura.
Por para të treve qenë Klod Mone dhe impresionistët. Një katedrale pikturohej 20 herë prej tyre, jo për formën, por për ndryshimin e dritës. Realiteti nuk është i qëndrueshëm: është përvojë.
Si përfundim, fotografia vrau piktorin teknik, por krijoi artistin modern. Nuk u zhdukën piktorët që nuk dinin të vizatonin, por arsyeja për të vizatuar si më parë.
Këtu fillon AI-romani.
*
Unë kisha një përvojë të tmerrshme me Amsterdamin, sepse atje, mu në muzeun Van Gog, më vodhën portofolin dhe disa dokumente të rëndësishme. Nuk më kishin vjedhur kurrë më parë në udhëtimet turistike: Mos kisha marrë pamjen e një zotërie që kësaj radhe më kishin ndjekur hajdutët? Meqë nuk doja ta zgjasja me këtë histori, mora të largohem, por studenti, që nuk e kishte ndërmend të më ndahej, pasi përmendi ditën që u kisha folur në klasë për kanonet, ia mori një bisede të shtruar.
Meqë ju flisni për figura të mëdha dhe ndikuese, tha, po ju tregoj se dje lexova një libër për 100 figurat më ndikuese në histori, diçka që nuk është përcjellë pa debate, por autori i ka dhënë argumentet dhe idetë e librit kanë zënë vend. Ai nuk e mohon ndikimin e jashtëzakonshëm të Krishtit, të cilin e ka vënë të tretin, përkundrazi, e konsideron një nga figurat më me ndikim në histori, por bën një dallim të rëndësishëm: nuk ka lënë shkrime vetjake (si Sokrati, që mungon fare në listë) dhe nuk ka organizuar drejtpërdrejt strukturën institucionale të fesë. Përhapja dhe formësimi i krishterimit, sipas tij, i detyrohet në masë të madhe shën Palit, i cili e shndërroi mesazhin në një doktrinë universale: e çoi përtej kontekstit hebraik dhe krijoi bazat teologjike të fesë së krishterë. Autori e vendos profetin e islamizmit, Muhametin, në vend të parë, sepse ishte njëkohësisht themelues fetar dhe udhëheqës politik: ndikimi i tij konsiderohet më i drejtpërdrejtë dhe i dokumentuar, ndërsa figurën e Isak Njutonit, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në kuptimin shkencor, në vendin e dytë. A nuk ju duket se mungon dikush, kur kemi parasysh se libri u shkrua nga një perëndimor?
E ndoqa me qetësi.
Po kjo është një metanarrativë klasike moderne, ia ktheva.
Nuk m’u përgjigjët.
Sot nuk mendojmë ashtu.
Po më shmangeni.
Autori sillet si një narrator që kontrollon kuptimin e historisë. Kjo nuk është thjesht analizë, por ndërhyrje në kanonin kulturor. Në një qasje postmoderniste nuk ka një listë të vërtetë. Ka vetëm lista konkurruese. Atë listë mund ta lexosh si një diskurs amerikan të viteve ’70, si një përpjekje për racionalizim të historisë apo kanon alternativ.
Flisja me ton të sigurt, sepse e njihja librin dhe dikur ndoshta kisha provuar po aq dilema sa edhe studenti.
*
Kur zihet ngushtë, studenti bëhej i dëgjueshëm, kështu që unë kërkova te vetja pak frymëzim, nga ai që mund t’ia zbuste pak kokëfortësinë, të cilën vazhdonte ta kishte edhe njëzet e katër orë më pas.
Në fillim, thashë, gjithçka ishte e rregullt. Lista qëndronte e palëvizshme, si një hartë e botës e vendosur mbi tryezë. Në krye, Muhameti, pastaj Isak Njutoni, më poshtë Jezu Krishti. Emrat nuk lëviznin. As koha nuk dukej se lëvizte. Dikush kishte vendosur që historia mund të rreshtohej. Dhe për një çast, të gjithë e besuan.
Pse të mos e besonin?
Sepse atëherë nuk qe krijuar një Top 100 postmodern.
Është krijuar?
Jezu Krishti mund të jetë i treti, por edhe i pari nga fundi apo nga fillimi. Ose mund të zhduket krejt. Nëse një figurë thotë: Ndikimi nuk matet, kjo shkatërron vetë kriterin e listës. Secila figurë shprehet kundër tjetrës, përpiqet ta ulë tjetrën në renditje dhe lista bëhet konflikt, jo klasifikim.
Po ja, lista qëndron e qetë për disa çaste, pastaj, pa u kuptuar pse, vendi i tretë zbrazet. Askush nuk e pa kush e hoqi emrin. Ishte këtu, thotë dikush. Ka qenë gjithmonë këtu, shton një zë tjetër, por nuk është e qartë kujt i përket. Nga fundi i listës, një emër zhvendoset lart. Nuk u ngjit, thjesht u gjend aty. Kjo nuk është e saktë, thotë dikush. Çfarë është e saktë? ia kthen një tjetër. Dikush zgjat dorën, sikur kërkon ta kthejë emrin në vend e parë. Për një çast, lista dridhet: disa emra afrohen, disa largohen, si të kishin frikë nga prekja e tij. Mos, thotë. Nëse e prek, nuk do të jetë më e njëjta. Nuk është as tani.
Po e bëjmë ne këtë? pyeti studenti.
E pashë për herë të parë drejt në sy dhe vazhdova:
Mu në këtë çast, një emër i ri u shfaq në mes: nuk ka qenë aty më parë. Nga fundi i listës, një tjetër zë ngrihet, më i ashpër: Ndikimi nuk është rend. Këtë herë është Fridrih Niçe. Ai nuk kërkon të ngjitet më lart, por të prishë shkallët. Kur Napoleon Bonaparti zbret nga vendi i katërt, nuk proteston: proteston lista, sepse ajo e di se pa të, ajo nuk ishte më histori, por rrëfim. Pastaj, Karl Marksi kërkon që lista të ndahet në klasa, ndërsa Adam Smithi kërkon që ajo të lihet e lirë dhe të vetërregullohet. Midis tyre, lista bëhet treg dhe luftë njëkohësisht.
Dukej qartë se studenti kishte dëshirë të vazhdoja, dhe më duhej ta zgjeroja edhe më argumentin:
Në një cep të listës, shfaqet pa paralajmërim një figurë që nuk ishte ftuar. Askush nuk e ka vendosur në listë. Por askush nuk mund ta heqë. A nuk kam ndikuar më shumë se shumë prej jush? thotë ai, duke parë drejt atyre që mbajnë emra historikë. Për herë të parë, lista nuk di si të përgjigjet. Sepse ai ishte Don Kishoti.
Dhe?
Mandej, ndërhyn një dorë e padukshme: kthesa vendimtare fillon kur lexuesi nuk është më konsumues, por prodhues i rendit. Lista nuk është më e vërteta, por një version mes shumë versioneve të mundshme, sepse bëhen pozicione të përkohshme të varura nga leximi. Ai nuk shton ndonjë emër, por zhvendos një rend. Napoleon Bonaparti bie disa vende më poshtë, jo se humb ndikimin, por se dikush vendos të mos e besojë më. Nuk mbetet më asnjë rend i qëndrueshëm: vetëm emra që lëvizin, që grinden për kuptimin e tyre. Dhe mes tyre, një fjali që nuk i përket askujt: Historia nuk është ajo që ka ndodhur. Është ajo që pranon të renditet.
Po mendon një paralele me AI-romanin?
AI-romani nuk ka autor të qëndrueshëm, lexuesi bëhet personazh dhe tekstet reagojnë.
Po të dinte ta argumentonte, atë çast do të ma merrte shpirtin.
*
Kokëfortësia e tij ishte edhe njëzet e katër të tjera më pas, prandaj, pasi mora frymë thellë, vazhdova aty ku e kisha lënë një ditë më parë:
Lexuesi që nuk zbulon kuptimin, e prodhon atë: në rastin tonë, edhe rendin e historisë. Ndikimi nuk është më diçka që është, por diçka që ndodh gjatë leximit. Ai që reagon, nuk është në majë, por nga mesi. Kthehet nga lexuesi dhe i thotë: Ti nuk je më i pafajshëm. Lexuesi nuk e kupton menjëherë: mendon se po luajnë me të. Derisa dëgjohet një tjetër zë, më hijerëndë: Ti lexues mendon se po zgjedh, por zgjedhjet e tua janë të formuara. Lista ndalet për një çast. Jo nga frika, por nga reflektimi. Lexuesi tenton të zhvendosë një emër tjetër, por kësaj here, emri nuk lëviz. Derisa dëgjohet një zë tjetër: Çfarë kërkon prej nesh? Është hera e parë që një figurë nuk kërkon as të ngjitet, as të mbrohet. Ajo kërkon një përgjigje, por lexuesi nuk e ka një të tillë. Nga një cep i listës, dikush qesh. Ti mendon se ne jemi krijuar prej historisë, thotë ai. Por ndoshta historia është krijuar për të na mbajtur neve. Kjo fjali nuk e ndryshon rendin. Ajo ndryshon rregullat. Derisa lista fillon të bëjë rezistencë. Ti nuk na rendit më, thotë një zë që nuk identifikohet dot me një figurë të vetme. Tani ne dimë që edhe ti je pjesë e listës.
Çfarë thotë lexuesi?
Lexuesi ndjen për herë të parë një lëvizje të kundërt, jo si ai që ndryshon listën, por si ai që lista po e përfshin atë. Për herë të parë, nuk është më jashtë. Është futur në rend: pa e zgjedhur dhe pa mundur të dalë prej aty. Mendon: Ekziston vetëm teksti që prodhon vetveten. Dhe kështu, epilogu i historisë nuk është një fund.
A ekziston ai me të vërtetë? pyeti studenti, si për të më zënë në befasi.
AI-romani?
Po.
Ia ktheva:
Jemi në provë.
Siç e patë, unë mbajta shënime, por nuk mund të them se kuptova gjë.
Atëherë, duhet të prisni deri sa ta shkruaj romanin. Ose deri sa ta gjej AI-romanin.
Ta gjej?
Kam nevojë për dyshimet e tua.
Dhe nuk kam pak.
Kam nevojë për të gjitha.
Po ndihem më me peshë.
Gjithmonë ke qenë me peshë.
Por nuk ma ke thënë.
Disa gjëra janë për t’u kuptuar vetë.
E nxore lejen për të vazhduar.
Ha-ha. Nuk e di nëse gaboj, por më duhet të them se shikoj rritjen tënde.
Se mos i mohosh se çfarë ke thënë: janë të shkruara.
Bëre mirë që i shkrove. Kjo më bën më të qetë.
Nuk e di a është gjë e mirë apo e keqe, por po fillojmë të bëjmë paqe.
Gjë e mirë. Gjë e mirë.
Nganjëherë më duket se do ta shkruaj romanin para jush.
Ke shumë humor, sigurisht.
Ju teorizoni shumë. Pse kaq shumë? Tashmë duhej të na e jepnit romanin në dorë.
Këtu më mungojnë shpjegimet. Ndoshta, ndonjëherë tjetër.
Jam në pritje: sepse jam studenti juaj.
Kam frikë se më shumë kam nevojë unë për ty, sesa ti për mua. Ndoshta, unë vetëm po shtroj rrugën.
Nuk e di nga më erdhi ai moment sinqeriteti.
NJË HISTORI E TREGUAR NGA STUDENTI
Nuk po kuptoj asgjë, nga ajo që kërkojmë ne, i thashë mjekut. Janë ca biseda që i mendoja të mbyllura midis meje dhe pedagogut. A doni t’u hidhni një sy?
Po thua se është momenti për të hequr dorë?
Do të përpiqem të ta përmbledh historinë që kam lexuar, por jo kuptimin e AI-romanit. Ende nuk ka dalë.
Jo tani.
Po, më parë po vazhdoj leximin. Po përparoj sa të mundem.
Megjithatë, kërkoi t’ia përmblidhja vetëm me dy fjalë atë që kisha lexuar dhe unë ia përmblodha.
Bëj si të duash, tha.
Kjo më tingëlloi si: Vazhdo leximin.
Por nuk thashë gjë.

Lini një koment