Sevdail Zejnullahu (1968) është poet, tregimtar, kritik letrar, gazetar. Studioi Letërsi shqipe në Prishtinë në fund të viteve ’80 kur edhe botoi krijimet e tij të para poetike, analizat e tij letrare dhe shkrimet publicistike Në fillim të viteve ’90 emigroi në Suedi ku jeton dhe punon edhe sot. Ka botuar librin me poezi: Çelësin varur në qafë, librin me tregime: Pengu i dollisë, dhe romanin: Hiri i shtëpisë.
Sevdail Zejnullahu
METAPOETIKA E REALITETIT TË SHPËRBËRË
(Një vështrim mbi vëllimin poetik Po ti, kush je? të Gazmend Krasniqit)
Vëllimi Po ti, kush je? i Gazmend Krasniqit ndërton një univers poetik postmodern, ku historia, përvoja dhe identiteti përjetohen jo si narrativë e mëvetësishme, e qëndrueshme, por si një proces i ndërmjetësuar nga gjuha, imazhet dhe fragmentet diskursive. Poezitë sfidojnë rrëfimin linear, duke përdorur intertekstualitetin dhe metapoetikën për të ekspozuar mekanizmat e kuptimit dhe duke e shndërruar lexuesin në bashkëprodhues të realitetit të shpërbërë, të rizbuluar në çdo varg.
Historia si gjurmë dhe subjekti si tekst
Poezia Histori, që hap vëllimin Po ti, kush je?, ndërtohet mbi dy shtylla të pandashme si: kriza e idesë së historisë dhe shpërbërja e formës tradicionale të rrëfimit poetik. Historia nuk shfaqet si vijë kuptimore apo narrativë e trashëguar, por si hapësirë reflektuese ku kuptimi kthehet i deformuar. Ajo funksionon si një sipërfaqe thyerjeje – si ‘xham’ që nuk ruan të shkuarën, por e copëzon atë në silueta, tikë nervorë dhe gjeste të mbetura pezull. Në këtë proces, edhe vetë subjekti humb statusin e thelbit dhe shndërrohet në efekt pasqyrimi, një konstrukt ky që lind nga devijimi dhe jo nga vazhdimësia.
Kjo ide materializohet estetikisht përmes një gjuhe refleksive që shmang rrëfimin linear dhe i beson shenjës minimale peshën e kuptimit. Vargu nuk funksionon si thellim narrativ, por si sipërfaqe ku kuptimi rrëshqet, ndërsa imazhi mbetet gjurmë e paplotë. Historia, në këtë kuptim, nuk përfaqësohet, por simulohet si proces estetik, ku kuptimi nuk zbulohet sa prodhohet ‘përkohësisht’ në aktin e leximit.
Ideja se subjektet janë të ngatërruar me të tjerë në univers e zhvendos historinë në një defekt ontologjik: bota dhe subjekti nuk paraqiten më si entitete të qëndrueshme, por si efekte të një çrregullimi shenjash. Fati pushon së qeni rrëfim dhe shfaqet si gabim i sistemit kuptimor; realiteti nuk qëndron përtej gjuhës, por lind nga ‘destabilizimi’ i saj. Prandaj edhe sendet ‘nuk mund ta dinë’çfarë ka ndodhur – dija i përket diskursit, jo botës.
Historia ekziston vetëm si efekt i një gjuhe të mbingarkuar me zëra të mëparshëm, me citime të padukshme dhe intertekstualitet të heshtur; çdo varg bart një arkiv që nuk flet kurrë i vetëm. Akti i shkrimit – rri në cep, me zemër në dorë, dhe shkruan – shfaqet si metapozicion: poezia nuk e rrëfen përvojën, por ekspozon mekanizmat përmes të cilëve ajo ndërtohet dhe shpërbëhet në gjuhë.
Në poezinë Nëse dimë çdo gjë, pse flasim ende, kjo krizë zhvendoset nga historia drejt vetëdijes. Koha nuk paraqitet si rend kronologjik, por si gjendje ankthi: S’ka kohë -… i pari mendim pushton kokën. Mendimi nuk lind nga reflektimi i qetë sa nga një çarje e brendshme e subjektit, duke e shndërruar poezinë nga rrëfim në përvojë fenomenologjike. Edhe figuracioni mitik shfaqet i konsumuar: heronjtë janë mbetje, ndërsa përjetësia merr ngjyrën e ‘ndryshkut’,jo të shpëtimit. Për më shumë, realiteti nuk jepet drejtpërdrejt sa përmes pasqyrave të hijeve dhe yjeve, si seri imazhesh të përkohshme. Po ashtu, fjala nuk e përfaqëson botën; ajo e zëvendëson atë. Heshtja bëhet kusht i kuptimit, jo mungesë e tij, ndërsa pyetja që mbyll poezinë shndërrohet në akt filozofik: gjuha lind nga mungesa dhe nuk arrin kurrë përfundim. Edhe shikimi nuk zbulon të vërtetën, por e shpik atë – sytë… shpikin magjepsjen – duke e zhvendosur kuptimin nga teksti te akti i leximit.
Po kjo poetikë thellohet në poezitë Në një orë estetike, To the happy few, Tashti që barbarët nuk erdhën dhe Vargje të hedhura shpejt e shpejt, ku realiteti shfaqet si konstrukt gjuhësor dhe tekstual. Në Në një orë estetike, fati estetizohet dhe përvoja shndërrohet në figurë; zhdukja dhe mungesa bëhen parakusht i kuptimit. Në To the happy few, gjuha shfaqet si mekanizëm disiplinues, ndërsa referencat letrare funksionojnë si shenja qarkulluese që e zhveshin autoritetin nga origjina e tij. Tashti që barbarët nuk erdhën dekonstrukton narrativin e madh historik, duke e zëvendësuar epikën me fragmente të përditshmërisë, ku metafizika reduktohet në lojë shenjash. Në Vargje të hedhura shpejt e shpejt, tradita letrare mbetet jehonë tekstuale dhe heshtja ngrihet si kufi i fundit i kuptimit.
Në poezitë pasuese, kriza zhvendoset drejt subjektit, i cili nuk kërkon më një vend në histori, por një barazi me vetveten. Pamundësia e komunikimit, vonesa e kohës, paqëndrueshmëria e imazhit dhe improvizimi i kuptimit, shfaqen si gjendje ekzistenciale. Poezia mbi fjalët përmbyll ciklin me një vetëdije të kthjellët: gjuha është njëkohësisht strehë dhe plagë. Në një botë tërësisht të ndërmjetësuar, edhe pakënaqësia ka humbur pastërtinë e saj, ndërsa kuptimi mbetet gjithmonë në provë.
Poezia pas shtëpisë: gjuha, asgjëja dhe vetëdija e dështimit
Cikli i dytë i vëllimit Po ti, kush je? ndërton një univers poetik ku subjekti nuk përballet më drejtpërdrejt me historinë si narrativë kolektive, por me pasojat e saj të brendshme: shtëpinë, gjuhën, kujtesën, çastin dhe vetë poezinë si formë që dyshon në ekzistencën e vet.
Figura e shtëpisë, që shfaqet që në fillim si Shtëpi dadaiste, mëshumë se strehë intime bëhet hapësirë mendore e çrregulluar, ku sendet flasin, mobiliet ëndërrojnë dhe trashëgimia kulturore bëhet barrë. Divani që sheh në ëndërr një vullkan, Pinoku i habive, debati estetik dhe “thesi i Bukurisë” krijojnë një semiologji të brendshme ku shtëpia është metaforë e mendjes moderne: e mbushur me shenja, por e zbrazët si ide. Këtu nis kriza e kuptimit, e cila më pas shtrihet në gjithë ciklin. Asgjëja e çastit vetëm sa e thellon këtë krizë, duke e vendosur poezinë përballë përkohshmërisë dhe pendesës. Kujtesa personale, e ndërprerë nga harresa (kisha harruar që paskam thënë), rikthehet si akt nënshkrimi për plagën, jo si korrigjim. Dashuria, Zoti, poezia, shfaqen si “infeksione” që nuk shërohen, por me të cilat jetohet. Ritmi i përsëritjes krijon një muzikalitet të brendshëm rrëfimor, ku fjala pranon mëkatin e vet dhe mbijeton si dëshmi.
Në poezitë Matanë historisë dhe Si dikur, kujtesa shndërrohet në pengesë. Pasqyrat e kohës nuk ruajnë imazhe, por i shtrembërojnë; dritarja nuk mban më figurat e mitit, por vetëm pritjen e zhveshur nga heroizmi. Nostalgjia nuk është rikthim, por vetëdije se rikthimi është i pamundur. Përsëritja “si dikur” krijon një ritëm që ngjan me rrahjen e një zemre që kujton, por nuk beson më.
Në këtë univers, gjuha fillon të dështojë. Në paskajore dhe Fjala e re për sot e shndërrojnë poezinë në reflektim mbi aktin e shkrimit. Metaforat lindin nga sendet e zakonshme (frigoriferi, birra, qelqi), ndërsa pyetjet e njëpasnjëshme krijojnë një ritëm hezitimi, ku fjala nuk mbyllet kurrë në formë përfundimtare. Poezia synon sinestezinë, ndaljen e kohës, por mbetet në paskajore, në pezullim. Fjala e re nuk është shpëtim, por shenjë mbijetese, si te: Isha këtu.
Murimi dhe Mësime joge e vendosin subjektin në raport me fajin, ritualin dhe kufirin. Murimi shfaqet si metaforë e njeriut që nuk është më themel, por pengesë, mur i rastit. Ndërsa përsëritjet mantrike nga Mësime joge krijojnë një ritëm ironik ku qetësimi shndërrohet në ankth dhe shtëpia shfaqet si vendi më i rrezikshëm, me ç’rast ritualet vetëm sa strukturojnë frikën.
Në çetën e poetëve dhe Poezia ka vdekur përbëjnë kulmin metapoetik të ciklit. Poezia vihet në gjyq si formë jetese dhe si sëmundje. Pyetja nëse është poezia apo dështimi ai që na paralizon shtrihet në një listë të gjatë veprimesh të pamundura, duke krijuar një ritëm të lodhur ekzistencial. Shpallja e vdekjes së poezisë është akt vetëdijeje: poezia vazhdon pikërisht sepse e di se ka dështuar.
Mbrëmjet e të dielave dhe Ikin avionët dhe zogjtë e përmbyllin ciklin me një ton melankolik dhe të qetë. Identiteti mbetet pyetje, jo përgjigje; koha zbrazet; udhëtimi fillon gjithmonë si i fundit. Ikja e avionëve dhe zogjve krijon një ritëm të butë lamtumire, ndërsa subjekti mbetet trup që ‘s’kërkon asgjë’, duke jetuar një të nesërme tashmë të përjetuar.
Poezia si shenjë përkohësie e pasigurie
Cikli i tretë i vëllimit Po ti, kush je? shënon një zhvendosje të dukshme nga poezia si gjest intuitiv drejt poezisë si vetëdije e artikuluar për kufijtë e saj, ku ligjërimi poetik ndërtohet mbi tensionin midis shenjës dhe heshtjes, midis jetës së përditshme dhe ngarkesës metafizike që ajo mban pa e ditur. Këtu poezia kthehet në një formë ankete ekzistenciale, estetike dhe etike njëkohësisht.
Që në poezinë Anketë, poezia shpallet si ‘vepër asgjëje’, si akt që lind ose nga mungesa e gjuhës, ose nga trauma pse ‘diçka ta ka prerë gjuhën’. Kjo është një pikënisje thellësisht semiologjike: fjala nuk është më bartëse e kuptimit të plotë sa shenjë e një plage, e një prerjeje, si shenja e shenjës, si dëshmi e pamjaftueshmërisë së vetvetes. Leximi ‘me sytë e të vdekurve’dhe ecja ‘përmes të vrarëve’ e zhvendos aktin poetik nga estetika e bukurisë në një etikë të dëshmisë, ku realja nuk është më ajo e sendeve, por ‘realja e fakteve’.
Në poezitë Një dorë dhe Këngë për një gjeth, subjekti poetik ndërton një autobiografi të fragmentuar, ku koha shfaqet si ritëm i rënies dhe i mbajtjes: një dorë që herë ta mban kokën nga qielli”e herë ta mban nga toka. Dora, si shenjë, është një semë e dyfishtë: mbështetje dhe fat, prehje dhe harresë. Muzikaliteti këtu nuk është ritëm i kujtesës që lëviz nga fëmijëria te pleqëria, nga muza si bankë fjalësh që i bëjnë gjithkujt te muza si bankë fjalësh të rralla. Poezia vetë bëhet proces plakjeje i gjuhës.
Te Këngë për një gjeth, gjethi shndërrohet në një shenjë të ekzistencës së përkohshme dhe të përjashtimit: ai s’ka emër, ashtu si poetët që ‘i nxjerr dekreti i Platonit nga Republika’. Këtu ndërthuret intertekstualiteti filozofik me një ironi të butë politike e kulturore, ndërsa ritmi i vargut ndjek rënien e gjethit mbi xham – një rënie pa patos, ‘pa teprime’, që shenjon refuzimin e tragjizmit të rremë.
Poezitë programatike si Ars poetica, Creative Writing, Prapë Ars amatoria dhe Në mënyrën e sonetit shekspirian e vendosin këtë cikël në një dialog të hapur me traditën letrare europiane, si bashkëjetesë ritmesh: nga Ungaretti Perché bramo, Dio! te Eliot-i i April is the cruelest month, nga Horaci te Shekspiri. Këto referenca shërbejnë si prova se poezia e Krasniqit e kupton veten si pjesë të një simfonie të gjatë kulturore, ku fjala shqip futet pa komplekse dhe pa iluzione madhështie.
Në këtë cikël, ritmi shpesh ndërtohet mbi pyetje retorike dhe përsëritje A duhet thënë…, Po familja?! Atdheu?!, çka krijon një muzikalitet të brendshëm refleksiv, më afër mendimit sesa këngës tradicionale. Poezitë Lifestyle, SOS dhe Thirrje urbane shpalosin një poetikë urbane të pasigurisë, ku subjekti nuk gjen më qendër as në atdhe, as në familje, as në ideologji; shpëtimi vjen vetëm në aktin e përkohshëm të të folurit. Motivi i karantinës – te Kurë karantine, Në këtë anë karantine, Jeta që hapet falas – e zhvendos poezinë drejt një hapësire ku jeta dhe gjuha distancohen nga njëra-tjetra. Fjala mbahet ‘një metër larg’, por pikërisht kjo distancë e bën të mundur një formë të re sinqeriteti: poezia si regjistër i mbijetesës minimale, ku heshtja është ‘mësuesi i vetëm i gjallë’.
Në poezitë më intime, si Pa titull, Nën strehën e shtëpisë dhe Edeni ynë, shfaqet një metafizikë e përmbajtur, pa shpallje të mëdha hyjnore. Zoti këtu është figurë e mundshme, por jo e sigurt; më e zhurmshme se zëri i tij është heshtja njerëzore. Poezia bëhet akt kujdesi ndaj humnerës ‘mes jetës e fatit’, një përpjekje për të mos e mbuluar atë me retorikë.
Poezia si palimpsest mbijetese
Cikli i katërt i vëllimit shfaqet si hapësira më e gjerë meditative dhe strukturalisht më e ngarkuar e librit, ku poezia nuk është më vetëm reagim ndaj botës, por formë e të menduarit të saj në kohë, një lloj arkivi i gjallë ku shenja, kujtesa dhe harresa mbivendosen pa u shkrirë plotësisht. Që në poezinë hapëse Akon, subjekti poetik kthehet te zakoni i vjetër: të dashurit e gjërave siç janë. Ky kthim nuk është nostalgjik, por ontologjik – një përpjekje për ta pranuar botën si strukturë të fragmentuar, të sheshtë, paralel me tokën si të vdekurit. Gjërat e vogla (gazeta e ditës, pellgu i shiut, heshtja) marrin status shenje, jo sepse mbartin kuptim të madh, por sepse presin: presin heshtjen e duhur, presin një fytyrë të Zotit që flet rrallë dhe zbret nga shkallët e qiellit. Poezia këtu vendoset në kufirin midis të dëgjueshmes dhe të padëgjueshmes, aty ku kuptimi është gjithmonë në vonesë.
Në Në shtëpinë e vjetër, shtëpia nuk është më vend banimi, por hapësirë semiotike, ku pluhuri, fijet e merimangës dhe hijet funksionojnë si relikte të një gjuhe të hershme. Struktura përsëritëse derë – mur e shndërron poezinë në një ritëm mbylljeje dhe hapjeje të pamundur, duke e barazuar aktin poetik me një lëvizje ekzistenciale pa dalje. Ylli që nuk qe nostalgjia e diçkaje dhe gishtin që ndan vdekjen prej heshtjes e zhvendosin metaforën nga emocioni te ndarja konceptuale: vdekja nuk është fundi, por heshtja e gjuhës.
Poezia Ende gjallë shërben si një nyje qendrore e ciklit, ku subjekti shpall mbijetesën jo si fakt biologjik, por si vetëdije për mbingarkesën e kuptimeve.. Këtu semiologjia bëhet e dukshme: numrat, titujt, format, madje edhe numri i radhës i vjershës fitojnë status mrekullie. Poezia sugjeron se kuptimi nuk lind nga përmbajtja, por nga renditja e shenjave. Edhe harresa, e quajtur “kosë e pamëshirshme”, prodhon kuptim përmes zbrazjes.
Te Sonata e Hënës, muzikaliteti nuk është vetëm tematik, por strukturor. Vargu rrjedh si frazë muzikore pa qendër dhe pa kadencë përfundimtare, duke ndjekur logjikën e një sonate që nuk synon zgjidhje. Hëna, lutja, ankthi dhe fjala ndërthuren në një hapësirë ku poezia pranon se nuk zgjidh gjë, por megjithatë kërkon të këndohet. Kjo është etika estetike e këtij cikli: poezia nuk shpëton, por ruan temperaturën e shpirtit.
Te Mund të qe, Palimpsesti i poetit, poezia artikulohet si tekst mbi tekst, si shkrim i vazhdueshëm mbi hijen e vet. Struktura numerike dhe fragmentare nuk krijon copëzim, por një arkitekturë mendimi, ku poeti shfaqet si figurë pa qendër, pa shtëpi, pa përjetësi, por me një aftësi të vetme: t’i zë pritë ‘asgjësë supreme’. Referencat ndaj përjashtimit nga Republika, ndaj ready-made-it dhe artit, e vendosin poezinë në një dialog të hapur me traditën estetike, pa e përmendur atë si autoritet, por si terren konflikti.
Oda e vjeshtës dhe Synopsis e thellojnë dimensionin metafizik të ciklit, me figurën e heshtjes aktive, apo të një ontologjie të pasigurisë, ku trupi dhe mendimi mbulojnë njëri-tjetrin, dhe koha perceptohet si mënyrë mendimi. Këtu poezia fiton efekte të diskursit filozofik, sado që ruan ritmin e figurës dhe maskës: çdo fjalë është qoshe, çdo mendim maskë.
Në Vendi ngjitur, hapësira poetike është gjithmonë pranë, por e papërvetësueshme. Referencat kulturore dhe historike shfaqen si kujtesë e zhvendosur, si prova se identiteti poetik është gjithmonë diku tjetër. Poezia pranon dështimin si kusht të dashurisë për botën.
Kulmi i ciklit dhe i vëllimit vjen me poezinë Po ti, kush je? Poezia nuk synon ndërtimin e një portreti identitar, por e shndërron pyetjen në akt estetik. Që në vargun e parë, subjekti poetik flet nga një pozicion i pasigurt, nga një hapësirë e paqëndrueshme, ku shenjat ndërrojnë funksionin dhe realiteti rrëshqet drejt metaforës. Vargu thotë: Kjo re si gisht që akuzon hapësirën. Reja nuk është një gisht që nuk drejtohet ndaj një subjekti të caktuar, sa ndaj vetë hapësirës. Këtu fillon kriza e referencës: natyra nuk përfaqëson më qetësi, por një gjyq pa gjykatës. Transformimi i menjëhershëm i resë në reptil të zjarrtë që piu dy ylbere thellon këtë pasiguri semiologjike: shenja nuk ruan identitet të qëndrueshëm; ajo zhvendoset, digjet, konsumon simbole të tjera si: ylberin si shenjë shprese dhe pajtimi.
Shirat janë figura qendrore e poezisë. Ata nuk janë thjesht meteorologji, por kohë e kryqëzuar, përvojë e zgjatur e pritjes: edhe në s’vjen kush, diku / dihat diçka që duhet ta sodisësh,. Këtu soditja nuk është zgjedhje estetike, por detyrim ekzistencial. Edhe pa prani njerëzore, diçka “duhet” të shihet – një dritë e butë, “kuturu”, në formën e zemrës. Kjo dritë nuk është transcendencë e plotë, por shfaqje e brishtë e kuptimit, që digjet pa garanci se do të zgjasë.
Një nga tensionet më të forta ideore të poezisë është raporti me historinë: fëmija vrapon të zgjohet / nga makthi i historisë e burri të kthehet tek ajo. Historia shfaqet si makth kolektiv, që duhet ndërprerë përmes kthimit tek marrëdhënia njerëzore, tek figura femërore, tek intimiteti. Këtu poezia bën një lëvizje të dyfishtë: nga trauma kolektive drejt shpëtimit minimal individual. Nuk kërkohet heroizëm, por kthim.
Gjithnjë në këtë frymë, figura e Perëndisë në poezi rri përtej një autoriteti dogmatik, si mundësi shfaqjeje: nëse prej piklave të para shkëlqen prapë fytyra e Perëndisë. Po ashtu, hyjnorja nuk zbret si e vërtetë e dhënë, sa si reflektim i përkohshëm në shi. Në këtë mënyrë, poezia shmang çdo transcendencë të plotë dhe e vendos kuptimin në varësi të materies, piklave, trupit. Një nga vargjet më të fuqishme është: ku një njeri / i vetëm është i mjaftueshëm të shihet gabimi. Gabimi nuk është abstrakt apo metafizik, por etik, njerëzor. Mjafton një njeri që të zbulohet e meta e botës. Këtu poezia ndërton një ndjesi të përmbajtur humaniste, pa patos, ku përgjegjësia lind nga prania, jo nga sistemi.
Në fund, poezia përmbys idenë e shkatërrimit total: heshtja dergjet e në prehrin e saj / vdesin gërmadhat e ëndrrave dhe enigma, / Aromë dheu, mbin aty ku dikush ia shkrepte vajit. Heshtja nuk është boshësi, por hapësirë pjellore. Nga shkatërrimi mbin aromë dheu – shenjë e jetës së re, por jo triumfale. Është një mbijetesë e qetë, pa retorikë.
Vargu përmbyllës: Po ti, kush je? nuk i adresohet drejtpërdrejt një tjetri; ajo vjen si kthim i poezisë kah vetvetja e lexuesi. Pyetja nuk kërkon përgjigje, sepse vetë mungesa e saj është kuptimi. Poezia përfundon duke e lënë identitetin të hapur, të pambyllur, si shi që vazhdon të bjerë mbi shenjat e botës.
Tri spikama teorike
1. Nga ideja te gjuha dhe identiteti
Vëllimi Po ti, kush je? ndërtohet mbi një ide themelore që refuzon përfundimin: identiteti nuk paraqitet si thelb i qëndrueshëm, por si pyetje e hapur. Që në titull, poezia nuk kërkon të emërtojë subjektin, por ta vërë atë në gjendje hetimi të vazhdueshëm. Pyetja nuk funksionon si akt komunikimi i zakonshëm, por si strukturë formale që e mban tekstin në tension, duke e zhvendosur kuptimin nga përgjigjja te procesi i kërkimit.
Subjekti poetik nuk është instancë e sigurt që flet nga një qendër e qëndrueshme, por shfaqet si efekt i gjuhës. Identiteti ndërtohet dhe shpërbëhet brenda diskursit poetik, pa arritur kurrë një formë përmbyllëse. Kështu, ideja e vëllimit bëhet problematizuese: poezia ekziston si akt dyshimi ndaj vetvetes.
Në këtë vëllim, gjuha nuk funksionon si mjet transparent i përfaqësimit të realitetit. Ajo shfaqet si sistem shenjash i mbyllur në vetvete, ku kuptimi nuk është i dhënë, por prodhohet përmes marrëdhënieve të brendshme midis shenjave. Fjala nuk i referohet një bote të qëndrueshme jashtë tekstit, por krijon një realitet diskursiv që ekziston vetëm në nivel gjuhësor.
Kjo paqëndrueshmëri e shenjës e bën poezinë të shmangë deklaratën e drejtpërdrejtë. Çdo pohim shoqërohet nga dyshimi, çdo figurë nga mundësia e rrëzimit të saj. Kuptimi nuk fiksohet, por rrëshqet vazhdimisht, duke e kthyer leximin në akt interpretimi të hapur dhe të pafund. Edhe vetë natyra e identitetit lidhet me këto pozicione diskursive dhe në këtë linjë, ideja e identitetit bëhet e dekonstruktueshme sistematikisht. Pra, identiteti (‘uni’) nuk trajtohet si përvojë e brendshme autentike, por si pozicion i përkohshëm brenda gjuhës, shpesh i fragmentuar ose i zëvendësuar nga zëra, figura dhe referenca të tjera tekstuale.
Për më tepër, subjekti nuk e zotëron gjuhën, por prodhohet prej saj, si efekt i lojës së shenjave. Poezia nuk kërkon të afirmojë një ‘unë’, por të tregojë se si ‘uni’ shpërbëhet dhe rindërtohet vazhdimisht nëpërmjet gjuhës.
2. Semiologjia e fragmentit dhe heshtja
Fragmentarizmi në Po ti, kush je? nuk është thjesht zgjedhje formale, por parim semiologjik. Fragmenti funksionon si shenjë e paplotë, që refuzon totalitetin dhe unitetin klasik të ligjërimit poetik. Poezia ndërtohet përmes copëzave kuptimore që nuk synojnë të bashkohen në një narrativë të vetme.
Kjo formë e thyer e ligjërimit pasqyron krizën e kuptimit dhe pamundësinë e një qendre semantike. Çdo fragment është një mundësi interpretimi, por edhe dëshmi e pamjaftueshmërisë së shenjës për të përfshirë përvojën në tërësinë e saj. Fragmenti bëhet kështu mënyra kryesore përmes së cilës poezia mendon vetveten, bëhet urë kalimi në ‘heshtje’. Rrjedhimisht, heshtja në Po ti, kush je? nuk mbetet boshllëk semantik, meqë ajo formësohet si kufi i gjuhës; qoftë nëpërmjet ndërprerjeve sintaksore, qoftë nëpërmjet pyetjeve të pambyllura dhe figurave të papërfunduara. Ajo shënon momentin kur gjuha dështon të përballojë peshën e përvojës.
Në këtë kuptim, mungesa bëhet shenjë. Ajo nuk mohon kuptimin, por e shtyn atë drejt një hapësire interpretimi, ku lexuesi detyrohet të ndërhyjë. Poezia nuk synon të mbushë boshllëqet, por t’i ruajë ato si hapësira të mendimit kritik.
3. Metapoetika dhe poezia si kërkim i përhershëm i kuptimit
Një nga shtresat më të rëndësishme të këtij vëllimi është metapoetika. Poezia reflekton vazhdimisht mbi aktin e shkrimit, duke e zhveshur gjuhën nga iluzioni i natyrshmërisë. Fjala nuk paraqitet si diçka e vetëkuptueshme, por si problem, si pengesë që duhet kaluar.
Kjo vetëdije metapoetike e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja te procesi: nga ajo që thuhet te mënyra se si mund të thuhet. Kështu, poezia nuk ofron një mesazh; ajo ekspozon kushtet e prodhimit të kuptimit, duke e bërë lexuesin pjesëmarrës aktiv në këtë proces.
Në përfundim, Po ti, kush je? ndërton një poetikë që nuk synon stabilitetin e kuptimit, por e mban atë në lëvizje të vazhdueshme. Ideja dhe semiologjia e këtij vëllimi bazohen në mosbesimin ndaj shenjës si garanci e së vërtetës dhe në vetëdijen se çdo kuptim është i përkohshëm.
Më shumë se sa një përgjigje përfundimtare, poezia ofron një hapësirë ku pyetja mbetet aktive. Pikërisht kjo hapje e vazhdueshme, ky refuzim i mbylljes semantike, përbën forcën estetike dhe kritike të vëllimit.
Përfundim
Po ti, kush je? i Gazmend Krasniqit është një vëllim që e koncepton poezinë si hapësirë reflektimi mbi krizën e kuptimit dhe të identitetit në botën bashkëkohore. E ndërtuar përmes cikleve që shmangin narrativën lineare, libri zhvendos vëmendjen nga historia drejt subjektit lirik, i cili përballet vazhdimisht me pamundësinë e një kuptimi të qëndrueshëm. Kuptimi, në këtë vëllim, nuk paraqitet si thelb, por si proces i ndërmjetësuar nga gjuha; poezia është metapoetike, e vetëdijshme për mekanizmat e saj shprehës. Forma fragmentare, toni i përmbajtur dhe imazhet e ngarkuara semiologjikisht e kthejnë tekstin në një fushë tensioni mes fjalës, heshtjes dhe përvojës.
Burimi: https://archive.org/details/jeta-e-re-2026-nr-1-sev/mode/1up

Lini një koment