Një roman në dosjet e policisë | roman nga Gazmend Krasniqi

Një roman në dosjet e policisë ngrihet mbi historinë e një shkrimtari që përpiqet të shkruajë librin për poetin enigmatik Marin Barini, figurë që mbart qartë hijen e poetëve të përndjekur shqiptarë si Frederik Rreshpja. Por shumë shpejt kuptohet se kërkimi për Barinin nuk është vetëm biografik: është kërkim për kuptimin e artit, për fatin e poetit në histori dhe për mënyrën si pushteti e lexon letërsinë.

Romani hapet me një skenë leksioni universitar, ku narratori flet për Homerin, Biblën, realizmin, modernizmin dhe postmodernizmin. Kjo nuk është thjesht teori, por çelësi i leximit të të gjithë romanit, i cili na paralajmëron se nuk do të kemi një rrëfim linear realist, por një tekst të fragmentuar, ku citatet, dokumentet, kujtimet, historitë kulturore dhe refleksionet ndërthuren si kolazh. Pikërisht aty lind edhe tensioni kryesor: si mund të shkruhet një roman sot, kur duket se gjithçka është shkruar më parë?

Marin Barini është qendra magnetike e romanit, megjithatë mbetet gjithnjë i pakapshëm. Ai është poet i burgosur, poet i heshtur, poet i thyer fizikisht, por njëkohësisht figurë pothuaj mitike. Sa më shumë kërkon ta përcaktojë narratori, aq më shumë ai rrëshqet nga duart. Në këtë aspekt, Barini është figurë e poetit absolut: ai ekziston më tepër si mungesë sesa si prani. Pikërisht kjo mungesë e bën të madh.

Në planin estetik, romani është i mbushur me pasazhe ku reflektimi kulturor bëhet poezi. Udhëtimi drejt Vjenës shndërrohet në një lëvizje përmes kujtesës europiane: nga Perandoria Osmane te Fernando Pessoa, nga Cavafy te Montaigne, nga mitologjia greke te historia shqiptare. Vjena nuk është vetëm qytet; është një arkiv kulturor ku narratori përpiqet të gjejë vendin e poetit shqiptar në historinë e madhe europiane.

Kulmi simbolik i romanit është episodi i muzeut dhe tentativa e Marin Barinit për të rrëmbyer nga muri pikturën e Johannes Vermeer-it. Nuk kemi të bëjmë me një akt realist, por me një shpërthim estetik. Poeti, që nuk mund të flasë më pas hemorragjisë cerebrale, tenton të marrë me vete një vepër arti, sikur kërkon të shpëtojë diçka nga zhdukja. Ose sikur kërkon të hyjë fizikisht brenda artit, aty ku fjala nuk e ndihmon më.

Në këtë mënyrë, romani bëhet edhe histori e dështimit të gjuhës. Personazhet flasin shumë për letërsinë, por vazhdimisht ndihen të pafuqishëm për të thënë thelbin. Prandaj teksti mbushet me citate, me histori të të tjerëve, me referenca kulturore: sikur kultura botërore përdoret për të mbuluar një plagë që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt.

Megjithatë, libri përshkohet nga një trishtim i thellë njerëzor. Pas gjithë erudicionit, ndodhet drama e poetit të pambrojtur, e artistit që nuk arrin të përshtatet me botën praktike, e njeriut që jeton më shumë në kujtesë dhe art sesa në realitet. Ai nuk është më një qenie e qëndrueshme, por një tekst i interpretuar nga të tjerët.

Lini një koment