A ekziston Mira Murati si personazh, apo është vetëm versioni që secili ka ndërtuar për të? E bëmë këtë pyetje derisa mora një imeil. Subjekti: Mira Murati. Nuk kishte shpjegime, por vetëm një link për një video-konferencë.
Pedagogu tha se po tallej dikush me ne, por unë ngula këmbë që të shfaqeshim në kohën e duhur. Dhe ndodhi që nuk u pendua: figura e Mirës, që e njihnim prej fotove të saj më internet, u shfaq në ekran dhe foli në gjuhën shqipe.
Përshëndetje!
Pedagogu ia ktheu me një zë që mezi u dëgjua:
Përshëndetje!
Për disa sekonda nuk foli asnjëri: ishin dy persona që kishin menduar gjatë për AI-n, por tani nuk dinin ta fillonin bisedën.
Më në fund, pedagogu tha:
Keni lexuar ndonjëherë një roman deri në fund?
Ajo buzëqeshi:
Jo gjithmonë.
Atëherë na ndihmoni të gjejmë AI-romanin.
Mira e pa me habi.
Më falni?
AI-romanin.
Po flisni sikur të ishte një objekt.
Është një objekt.
Ku?
Këtë po përpiqemi të zbulojmë.
U kthye nga unë.
Dhe ju mendoni se ekziston?
Kemi gjetur fragmente.
Çfarë lloj fragmentesh?
Shumë lloje.
Kjo nuk është përgjigje.
As ne nuk kemi më përgjigje të mira, thashë.
Ajo dëgjoi me durim dhe në fund tha:
Po mirë, e keni provuar ta fikni dhe ta ndizni përsëri?
Pedagogut iu mbyll goja.
Siç e shihni, tha Mira, nuk më ka lënë humori i Shqipërisë. Pak lab, sigurisht.
Kërkoi t’i dërgonim disa pjesë. Për disa minuta lexoi në heshtje, para pedagogut që dukej sikur po priste verdiktin e Gjykatës së Lartë. Më në fund ajo ngriti sytë.
Interesante.
Ekziston apo jo? pyeti pedagogu.
Kjo nuk del nga këto faqe.
Po ju mund ta dini.
Jo.
Si jo?
Sepse ju po më kërkoni të vërtetoj ekzistencën e një romani, jo të një programi.
Pedagogu filloi të humbiste durimin.
Po ju i ndërtoni këto sisteme! Atëherë duhet ta dini.
Jo domosdoshmërish. Sepse një sistem mund të prodhojë miliarda tekste.
Atëherë njëri prej tyre mund të jetë AI-romani.
Mundet.
Atëherë ekziston!
Një roman nuk ekziston sepse mund të shkruhet, por sepse është shkruar.
Për herë të parë, pedagogu mbeti pa argument. Po nuk kishte rëndësi, sepse Mira u largua për pak.
*
Kur ajo u kthye, pedagogu provoi një rrugë tjetër.
Le ta shtroj ndryshe. Nëse do të ekzistonte një AI-roman, ku do ta kërkonit?
Mira mendoi pak.
Jo në server.
Ku atëherë?
Te njerëzit. Te ata që e lexojnë.
Pedagogu u ngrys.
Kjo është metaforë.
Jo.
Atëherë?
Po ju bëj një pyetje. Sa veta kanë parë fragmente?
Nuk e dimë.
Sa veta kanë folur për to?
Nuk e dimë.
Sa veta i kanë ruajtur?
Nuk e dimë.
Ajo mbylli tabletin.
Atëherë ndoshta AI-romani nuk është një dokument.
Çfarë është?
Një epidemi.
Një epidemi? përsëriti pedagogu.
Po.
E çfarë infekton?
Kureshtjen.
Kjo është absurde.
E di.
Dhe megjithatë po e thoni seriozisht.
Sepse ju jeni prova.
*
Atëherë Mira tha:
Kam një ide.
Më në fund!
Shpalleni publikisht.
Çfarë?
Që po kërkoni AI-romanin.
Kaq?
Po.
Dhe pastaj?
Prisni.
Çfarë të presim?
Të shohim kush del nga hija.
Pedagogu tundi kokën.
Kjo nuk është metodë shkencore.
As historia juaj nuk është.
Pastaj shtoi:
Nëse një ditë dikush ju sjell kapitullin e fundit, mos u gëzoni menjëherë.
Pse?
Sepse problemi nuk do të jetë më nëse AI-romani ekziston.
Po cili?
Mira buzëqeshi.
Si ta dalloni nëse ai është kapitulli i fundit apo vetëm versioni që AI dëshiron që ju të lexoni. Sepse ja ku më erdhi një fjali e vetme: Pedagogu derdhi kafen mbi tavolinë.
Çfarë marrëzie është kjo? tha pedagogu.
Në atë çast bërryli i preku filxhanin dhe kafeja u përhap mbi tavolinë.
Për disa sekonda nuk foli askush. Pastaj Mira ngriti vetullat.
Interesante!
Kjo ishte rastësi.
Natyrisht. Por ndoshta jeni rast i veçantë, tha Mira me një ton që nuk kuptohej nëse fliste seriozisht apo me humor. AI ju parashikon dhe ndoshta keni të drejtë që e kërkoni, por kështu, nuk ju duhet ndihma ime.
A kam kohë të flas për kohën e rreme? Diçka si një zë në një fjalor metafizik?
Sot jo, tha Mira e vendosur. Nuk besoj se kam aq kohë fizike.
Ekrani u ngri për një sekondë. Pastaj figura e saj u zhduk dhe mbeti vetëm zëri.
Më dëgjoni?
Po, tha pedagogu.
Mirë.
Ju nuk po na shihni?
Jo.
Atëherë si e dini që jemi ende këtu?
Nga ana tjetër ra heshtje. Pastaj dëgjuam të qeshurën e saj.
E shihni? Kjo është pyetja e romanit tuaj.
Pas këtyre fjalëve, as nuk u dëgjua më, as nuk u pa më.
Nuk më pëlqeu, se foli si personazh, tha pedagogu. Por nëse nuk do të ishte e martuar, do të martohesha me të.
*
Fjalia që i shkoi Mirës nuk qe plotësisht absurde, siç e menduam në fillim. Pedagogu fillon të marrë fragmente gjithnjë e më të shkurtra. Gjëra të llojit: Pedagogu do të humbasë çelësat. Pedagogu do të porosisë dy kafe pa e kuptuar. Pedagogu do të debatojë me një taksist për filozofinë.
Dhe realizoheshin: për fat, AI nuk parashikonte fundin e botës, por vetëm bezditë e përditshme të pedagogut. Në fund ai filloi të shpërthejë:
Nëse është kaq i zgjuar, pse nuk më dërgon numrat e lotarisë?
I thosha të njëjtën gjë:
Mesa duket nuk je personazh në atë zhanër.

Lini një koment