LETËRSIA DHE PUSHTETI

 

Gazmend Krasniqi

 

Si çdo roman që synon letërsi serioze, Belle Epoque ka disa shtresa leximi. Disa prej tyre mund të jenë:

Një lexim i thjeshtë, si histori, si thriller;

Një lexim për fatin e personazheve;

Një lexim për fatin e letërsisë shqipe, që lidhet me një nga momentet më vendimtare të historisë së saj.

 

Letërsia dhe politika

Të shohim këtë të fundit: Si histori e një ndërhyrjeje të dhunshme mbi trupin e letërsisë shqipe, që ndodhi në vitin 1946.

Pyetja është e thjeshtë: si ndodhi qethja e letërsisë shqipe?

Nuk mjaftonte të thuhej se disa shkrimtarë nuk përputheshin me sistemin. Duhej krijuar një rend i ri letrar. Dikush duhej të mbetej, dikush duhej të largohej; dikush duhej të botohej, dikush të heshtte; dikush duhej të hynte në historinë e letërsisë dhe dikush tjetër të dilte prej saj.

Pas gjithë kësaj ishte një ideologji përjashtuese, e cila përdori shtetin për ta kthyer përjashtimin kulturor në një sistem. Shteti nuk kontrollonte vetëm atë që shkruhej, por ndërhynte edhe në atë që duhej të lexohej, të botohej, të mësohej dhe, në fund, të mbahej mend.

Kështu u krijua një letërsi e cunguar. Talenti, vlera apo orientimi perëndimor nuk ishin kriteret që përcaktonin përfshirjen në sistem.

Për të kuptuar Belle Époque, nuk mjafton të renditen emrat e shkrimtarëve të përjashtuar. Duhet parë mekanizmi: si u bë e mundur që një pjesë e letërsisë kombëtare të hiqej nga qarkullimi sikur të mos i përkiste më kulturës shqiptare?

Dhe prej këtu romani nuk pyet më vetëm se çfarë i ndodhi letërsisë. Pyet se çfarë i ndodh një kulture kur pushteti vendos se cilën pjesë të kujtesës së saj ka të drejtë të mbajë.

Pse është e rëndësishme ta bëjmë këtë pyetje? Çdo shtypje ka një rezistencë, të cilën pushteti mundohet ta fshijë. Me të gjitha mjetet.

Por kujtesa ka edhe kthina të padukshme. Dhe romani fillon të aktivizojë mjetet e veta, të cilat ndryshojnë nga vetë historia.

Këtu Belle Époque nis të bëhet më shumë se historia e një ndalimi. Bëhet historia e përplasjes midis asaj që një pushtet dëshiron të mbajë mend dhe asaj që një kulturë nuk arrin ta harrojë.

Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është më: kush u përjashtua?

Por: çfarë mbeti, pavarësisht përjashtimit?

Fiksioni dhe historia shkojnë dorë për dore. Në Belle Époque, historia nuk është vetëm sfond. Ajo hyn në roman, me emrat, zërat dhe konfliktet e saj. Shumë prej personazheve historike shfaqen me emër e mbiemër, ndërsa ngjarjet historike bëhen pjesë e vetë mekanizmit të fiksionit.

Sepse ajo që është fshirë nga historia nuk mund të rikthehet vetëm duke u përmendur. Duhet të hyjë përsëri në jetë.

Cilët janë emrat historikë?

Qemal Draçini. Mitrush Kuteli. Skënder Luarasi.

Ata nuk hyjnë në roman thjesht si emra të marrë nga historia, por si njerëz që kanë jetuar, kanë shkruar, kanë bërë zgjedhje dhe janë përplasur, në mënyra të ndryshme. Përmes tyre, historia merr zë dhe konflikti letrar merr trup.

Qemal Draçini është figura që e çon më larg këtë pyetje. Fati i tij nuk është vetëm një episod i historisë së letërsisë. Ai bëhet një nyjë ku takohen shkrimtari, kritiku, pushteti, heshtja dhe kujtesa. Pikërisht këtu romani mund të bëjë atë që historia, e shkruar vetëm me dokumente, nuk mund ta bëjë: të hyjë në hapësirën e mundshme të asaj që ka ndodhur dhe të pyesë se çfarë u zhduk bashkë me njeriun.

Kuteli sjell në këtë botë të romanit një përvojë tjetër të përplasjes me sistemin. Emri i tij nuk është dekor historik, por pjesë e mekanizmit përmes të cilit romani rindërton një kohë kur letërsia po ndahej në të lejuar dhe të palejuar, në të kujtueshme dhe të harrueshme.

Luarasi, nga ana tjetër, një intelektual me ndjeshmëri të veçantë ndaj historisë, edhe pas shumë vitesh, nuk e harron sjelljen e Dhimitër Shuteriqit, njeri i përshtatur me sistemin që po vinte. Pikërisht për këtë arsye, rasti konkret mbetet i ngarkuar me dyshime, sepse lidhet me fatin e këtyre personazheve dhe me konfliktet përmes të cilave romani rindërton mekanizmin e ri letrar. Ai dëshmon diçka që historia e ka bërë të padukshme, por romani e kthen në zemrën e vet.

Kështu, personazhet historike nuk qëndrojnë jashtë fiksionit. Ata hyjnë në të dhe fillojnë të veprojnë brenda tij.

Historia nuk është më ajo që romani tregon. Është ajo që romani përpiqet ta rikthejë në jetë.

 

A është letërsia politikë

A është letërsia politikë? Për mënyrën se si u është servirur në mënyrë të vazhdueshme letërsia, shqiptarët kanë të drejtë ta bëjnë këtë pyetje. Letërsia dhe pushteti historikisht kanë pasur marrëdhënie ndërmjet tyre. Në bazën e saj, edhe letërsia e Rilindjes sonë ka qenë politike. Këtë e dëshmojnë krijimtaria e De Radës, e Naimit dhe, deri në njëfarë mënyre, edhe lirika e Serembes: «Se Arbëria matanë detit na kujton / se ne të huaj jemi te ky dhe».

Por duhet dalluar letërsia që merr përsipër një funksion politik e kombëtar nga letërsia që vihet nën shërbimin e një ideologjie dhe të një pushteti.

Mbretëria e Zogut, që u shua shpejt, megjithëse njohu zhvillim të madh letrar, nuk pati kohë për një përdorim të mirëfilltë të letërsisë nga pushteti. Ndonjë poezi, si ajo e Ali Asllanit për mbretin, nuk çon shumë peshë. Sigurisht, edhe ai regjim u hidhte nga një sy revistave që botoheshin. Edhe kjo, çështje pushteti: të mos cenohej froni, dhe jo të vihej në përdorim.

Asdreni kishte shkruar që më 1912: Fillimisht letërsia dhe politika shkojnë bashkë, pastaj ndahen veç e veç. E kishte fjalën për mënyrën se si ishte shkruar në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe për letërsinë e shënjuar për të mbetur si e tillë.

Në kohën e realizmit socialist u citua vetëm pjesa e parë. E dyta, jo. Sigurisht, duke manipuluar gjithçka.

 

Letërsia në demokraci

Po periudha pas vitit 1990, a u ndikua nga pushteti, tashmë demokratik, apo shumë partiak?

Pushteti i kësaj kohe, mjerisht, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, shpesh ka mbështetur atë pjesë të letërsisë që mund t’i sillte kapital politik, elektoral apo simbolik, pa e vendosur vlerën letrare në qendër të diskutimit. Kështu, në vend që të ndërtohej, sistemi letrar vetëm sa është rrënuar. Nuk ka asnjë instancë ku të mund të bisedohet seriozisht për letërsinë. Mekanizmat bëhen gjithnjë e më amatoreskë. Dhe të gjitha këto mbahen në këmbë me paratë e taksapaguesit shqiptar. Shteti ka hequr dorë nga detyra e rregullatorit. Ose mban atë që nuk i prish punë.

Në tridhjetë e gjashtë vjet, nuk është konsoliduar një figurë letrare që të ketë marrë në sistemin kulturor shqiptar peshën që patën Lasgushi, Koliqi, Kuteli apo Migjeni.

Gjithnjë e më shumë rrënohen kriteret e vlerësimit. Kultura shqiptare përjeton një krizë të thellë, në çdo ind të saj, pa dritë në fund të tunelit. Ajo që rëndom shitet për letërsi, nuk plotëson as kushtet elementare.

 

Letërsia në totalitarizëm

Mund të mendohet se në kohën e sistemit komunist pati një hierarki më të qëndrueshme. Në raport krahasimi, kjo është e vërtetë. Por si ndodhi kjo, meqë sistemit komunist iu deshën rreth pesëmbëdhjetë vjet për të hedhur bazat e kësaj hierarkie? Pse e pati aq të lehtë?

Për ta kuptuar këtë, duhet të kthehemi edhe njëherë në vitin 1946.

Siç dihet, në këtë vit, letërsisë shqipe iu hoq një pjesë shumë e rëndësishme e saj: krijimtaria e Fishtës, Koliqit, Konicës. U mënjanua krijimtaria e Lasgushit dhe Kutelit, ndërsa krijimtaria e disa shkrimtarëve që mbetën si emra u shtrembërua ideologjikisht. Sidomos, kjo duhet kërkuar te mënyra se si u lexua dhe u paraqit krijimtaria e Migjenit.

Ndërkohë, u vendos kontroll i plotë mbi botimet, të cilat u varfëruan ndjeshëm ose u mbushën me letërsi sovjetike tërësisht të indoktrinuar. (Nga fundi i viteve ’50 u botuan Whitmani dhe, në një masë të kufizuar, Neruda.)

Vite më vonë, letërsia e krijuar në Kosovë apo te arbëreshët, u përdor si shtojcë, por jo si pjesë e sistemit. Nuk po flasim për diasporën.

Duhet theksuar se ajo hierarki, apo ai sistem, nuk u krijuan me kritere letrare, prandaj vitet ’90, vitet e hapjes dhe të lirisë, qenë një çorientim i plotë, i cili u shfrytëzua nga matrapazët e letërsisë, që me kalimin  e kohës zhbinë çdo kriter vlerësimi.

Kjo është një arsye e fortë që të kthejmë kokën prapa dhe të shikojmë se çfarë ka ndodhur në vitin e largët 1946, siç është qëllimi i këtij romani.

Lini një koment