Noli dhe “Korbi”

 

Gazmend Krasniqi

 

 

Në hyrje të përkthimit që i bën poezisë “Skënderbeu” të Longfellow-t, vetë Noli thotë se kthimi i një vjershe nga një gjuhë në një tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundshme. Megjithatë, ai provon disa herë përpara kësaj të “pamundshmeje”, përveç të tjerash edhe me Korbin e E.A.Poe, me të cilin janë matur emra si Charles Baudelaire apo Fernando Pesoa. A është ky përkthim i Fan Nolit një fakt i poezisë origjinale, që bën jetën e vet në prodhimin letrar të shqipes, dhe jo i kopjimit të zbehtë të origjinalit? Trajtimi i albanologes ruse M.V. Domosileckaja (Peterburg) “Fan Noli si përkthyes i poezisë së E.A. Po-së”, na drejton në idenë se Noli është bazuar kryesisht në dy parime kryesore:

1) Përpikmërinë e përkthimit (në fushën e ritmit, të metrit, të sintaksës)

2) Drejtshmërinë e përkthimit (shfrytëzimi i kompensimit dhe i analogjive në të gjitha nivelet e gjuhës poetike)

A arrin Fan Noli të krijojë një përkthim ku paraqitet tërësia semantike e veprës, mishëruar në format e ngjashme dhe në stilin identik që mbi lexuesin shqiptar ushtrojnë një ndikim në mënyrë analoge (si tek lexuesit e origjinalit)?

  1. Sipas studiueses, vështirësitë e para të punës së Nolit lidhen me mundësitë gjuhësore të shqipes, “formës” së saj: gjatësia e një fjale në gjuhën angleze është 1.5 rrokje, kurse gjatësia e një fjale shqipe është 2 rrokje. Si rrjedhim, Noli ishte i detyruar të shkurtonte detaje të informacionit poetik, që do të thotë se për të krijuar imazhin përkues, ai merr elementin më të rëndësishëm.

Për të ilustruar argumentin, studiuesja rendit disa shembuj:

  1. a) Vargun “While I ponderd weak and weary” Noli e jep “Tek këndonja i zalisur”.
  2. b) Që të arrihet pa varfërimin e përmbajtjes, Noli në disa vende të tjera lë mënjanë hollësitë më pak të rëndësishme: “sculptured bust” e jep “statujë”, ndërsa “fantastik terror” e jep “tmerr”.
  3. c) Vargu “was blessed with seeing” është dhënë me “ka parë”.

ç) Noli bën edhe të kundërtën: e zgjeron epitetin. Për shembull, “in the bleak December” është dhënë “dimr’ i ftoht’ i ngrirë”.

  1. d) Jo rrallë, për të arritur informacionin poetik të përkthimit, brenda një strofe, Noli, duke shfrytëzuar metodën e shpërblimit, pa shkaktuar dëm te konteksti artistik, bën edhe shkurtim, edhe zgjerim. Te strofa 15 kemi: “Temper” – “shejtan i Ferrit të Zi” (zgjerim) dhe “tempest tossed” – “shtrëngata” (shkurtim).
  2. Sipas studiueses, veçoritë sintaksore të origjinalit dhe përkthimit paraqiten në këtë mënyrë:
  3. a) Përsëritja e elementeve të tekstit, që janë më shumë se një fjalë (Noli e ndjek shumë shpesh këtë formë), nuk mund të përputhet me kontekstin e origjinalit.

Për shembull (strofa 18): “And the lamp o’er him streaming throws his shadow on the flour:/ And my soul from out that shadow that lies floating on the flour…” jepet “Gjer tani ka parë shpendë mund mbi derë t’odës tij,/ Shpënd’ e shtazë’ mbi statujë mun mi derë t’odës tij…”

  1. b) Dyshimi që përforcon efektin monoton nuk përputhet me kontekstin e origjinalit.

Për shembull (strofa 1): “As of some one gently rapping – rapping at my chamber door” jepet “Edhe kurrë, kurrë më”

  1. a) Gradacioni përputhet sa i përket vendit dhe semantikës, por te Noli është më i shkurtër.

“What this grim, ungainly, ghastly, gaunt, an ominous bird of jore” te Noli jepet “Korb i vrenjtur, i vrerosur, arratisur zall më zall”

ç) Anominacioni dëshmon për mjeshtrinë e madhe të shqipëruesit.

Për shembull: “Doubting, dreaming dreams…” jepet “Ëndërra dyke shikuar që njeri s’ka ëndërruar”

  1. b) Paralelizmin sintaksor Noli e jep po aty ku e ka dhe autori.

Për shembull, “…and so gently you came rapping and so foundli you came rapping” jepet “…aq’e hollë ish trokitja, aq’e lehtë ish goditja”

  1. dh) Kapërcime ndodhin 5 nga 8 në origjinal. Bartje shtohen 2.

Studiuesja arrin në përfundimin se sintaksa është transmetuar në mënyrë adekuate nga përkthyesi, por më poshtë tërheq vëmendjen për transmetimin e strofës.

  1. Noli përpiqet t’i qëndrojë besnik “rimës bosht”, por rimat e brendshme i realizon të llojllojshme. Saktësia e rimave, për vetë futjen në këtë kohë të asonancës në shqip, shkon deri 31%, sepse rimon “nxirë-hi”, “thashë-jashtë”, “mvrenjtur-vjetër”. Përputhjet semantike rimore, për vetë vështirësinë e transmetimit nga gjuha në gjuhë, janë të rralla, sidoqoftë, ato që realizohen tregojnë për mjeshtërinë e përkthyesit: ai gjen këto çifte “derary-weary” / “bezdisur- zalisur” ose “napping-tapping-rapping” / “kapitur-trokitur-goditur”.

Studiuesja del në përfundimin se në përgjithësi struktura rrokjesore dhe theksore e vargjeve të origjinalit dhe të përkthimit përputhen.

  1. a) Nga dy prirjet e transmetimit të ritmit dhe të metrit në përkthim – rikrijimi i atyre të origjinalit dhe rrafshimi i tyre sipas traditave të letërsisë pritëse – Noli ndjek kryesisht të parën, sepse ajo nuk është e huaj në kontekstin e poezisë shqipe (pra vargu silabik me tendencat ritmike të ngjashme).
  2. b) Për t’u shënuar është edhe përpjekja e zhdëmtimit gjatë përdorimit të leksikut. Për shembull, “not the least obeisance made he” (solemniteti që e bën humorin plot grotesk) (stil neutral) bëhet “as u fal, as përshëndoshi”, duke shtuar edhe “as bën tjatër punë boshi”.

Ky përkthim, nga ana tjetër, është shumë i rëndësishëm për Nolin poet. Rrjedhimisht, edhe për poezinë shqipe në përgjithësi. Është e njohur se niveli i poezive origjinale te Noli rritet shumë pas përkthimit të “Korbit” të Poes (1919). Mjeshtëria e vargut dhe cilësi të tjera stilistike, që ai i përfton gjatë këtij përkthimi, do ta përcaktojnë krijimtarinë e tij origjinale në të ardhmen.

Duhet të marrim në konsideratë edhe kur ndodhi ky lloj përkthimi: pra kur një letërsi është e re apo në proces formimi, kur një letërsi është e dobët apo periferike dhe kur një letërsi po përballet me një krizë, dhe të dalim në mendimin se në ç’fazë ndodhej poezia shqipe në vitin 1909. Mendimi ynë është se letërsia shqipe po përballej me befasimet e modernitetit.

 

Lini një koment