Në Shqipëri ka shkrimtarë, por jo kulturë letrare

 

Gazmend Krasniqi

 

 

Ky shkrim përmbledh përgjigje për disa pyetje që më vijnë nga të katër anët e komunitetit letrar.

 

Pyetje: Në Shqipëri botohen çdo vit dhjetëra libra të rinj, organizohen panaire dhe aktivitete letrare, por lind pyetja: sa prej tyre diskutohen seriozisht dhe bëhen pjesë e një tradite letrare që ndërtohet në kohë?

 

Përgjigje: Numri i titujve është rritur vazhdimisht dhe kjo, në vetvete, është shenjë e një lirie krijuese. Por letërsia nuk është një statistikë botimesh. Letërsia është një sistem kulturor shumë më kompleks. Ajo kërkon një hapësirë ku tekstet të lexohen seriozisht, të analizohen, të kritikohen dhe të vendosen në një kontekst më të gjerë estetik dhe historik. Nëse kjo hapësirë mungon, atëherë kemi më shumë një qarkullim librash sesa një zhvillim të vërtetë të kulturës letrare. Një kulturë letrare matet nga intensiteti i debatit që krijon rreth tekstit, jo nga numri i librave që dalin në treg. Fatkeqësisht, ky debat mungon.

 

Pyetje: Ku qëndron problemi kryesor?

 

Përgjigje: Problemi është struktural. Letërsia nuk është vetëm një marrëdhënie mes autorit dhe tekstit. Ajo ekziston brenda një sistemi që përfshin botuesit, kritikën letrare, universitetet, revistat kulturore, mediat dhe institucionet publike. Në Shqipëri shumë nga këto hallka ose janë shumë të dobëta, ose funksionojnë në mënyrë sporadike. Për shembull, revistat kulturore janë të pakta dhe shpesh nuk kanë vazhdimësi. Kritika letrare është shumë e rrallë dhe shpesh e kufizuar në recensione të shkurtra promovuese. Pa një sistem të tillë ndërmjetësues, teksti letrar mbetet i izoluar. Ai botohet, qarkullon për pak kohë dhe pastaj zhduket pa lënë gjurmë në një debat më të gjerë kulturor. Nga viti 2003, albanologu Robert Elsie thoshte: Shikoni se si i keni rrugët, që të kuptoni se ku jeni me letërsinë. Shumëkush habitej me fjalët e tij, por ai e kishte fjalën pikërisht për këtë kaos menaxherial që ende është aktual.

 

Pyetje: Po thoni se botuesit nuk e kryejnë rolin e tyre?

 

Përgjigje: Problemi lind kur logjika e tregut bëhet kriteri i vetëm. Botuesit veprojnë brenda një tregu shumë të vogël dhe janë të detyruar të marrin vendime pragmatike për të mbijetuar ekonomikisht. Në kulturat me traditë të fortë letrare ekziston gjithmonë një ekuilibër mes librit që shitet dhe librit që ka rëndësi estetike ose kulturore, edhe nëse nuk është menjëherë i suksesshëm në treg. Nëse ky ekuilibër humbet, atëherë rrezikojmë të krijojmë një treg librash, por jo një kulturë letrare. Kam frikë se kjo po ndodh përditë dhe po i bën problematikat akute.

 

Pyetje: Po kritika letrare?

 

Përgjigje: Kritika është mungesa e madhe në sistemin tonë kulturor. Kur kritika mungon, kultura letrare bëhet më e varfër, sepse mungon dialogu që e mban gjallë atë. Por është sistemi që e ka nxjerrë atë jashtë loje. Nuk e ka ushqyer, përkundrazi e ka vrarë.

 

Pyetje: A kanë universitetet përgjegjësi në këtë situatë?

 

Përgjigje: Universitetet nuk i kemi në stadin ku prodhohet mendim kritik. As në stadin e prodhimit të rezistencës ndaj presionit mediatik. Bëni listën e shkrimtarëve që ftojnë në aktivitetet e tyre dhe nxirrni përfundimet.

 

Pyetje: Shpesh flitet për mungesën e lexuesit në Shqipëri. A është ky problemi kryesor?

 

Përgjigje: Lexuesi formohet nga një sistem i tërë institucionesh dhe praktikash kulturore. Shkolla, bibliotekat, media kulturore dhe debatet publike rreth librave kanë një rol shumë të madh në krijimin e një kulture leximi. Nëse këto mekanizma janë të dobët, atëherë edhe lexuesi mbetet i pakët. Në këtë kuptim, mungesa e lexuesit është më shumë një simptomë sesa shkaku i problemit. Lexuesi nuk është thjesht konsumator; siç shihet sot, ai është bashkëpunëtor i tekstit. Kur kultura nuk e formon lexuesin, edhe shkrimtari humbet partnerin e tij më të rëndësishëm. Rrjedhimisht, humbet letërsia. Kultura kombëtare.

 

Pyetje: A mendoni se shkrimtarët shqiptarë janë shumë të izoluar nga letërsia europiane?

 

Përgjigje: Nëse i besojmë mekanizmit të çmimeve dhe promovimeve, fatkeqësisht, po. Shteti komunist e pat zgjidhur problemin e shkrimtarëve të vet, në mënyrën e vet, për 15 vjet, ndërsa atij postkomunist nuk i kanë mjaftuar as 35 vjet. Kjo tregon se sot kemi të bëjmë me një çështje më të ndërlikuar. Por jo të pamenaxhueshme. Sistemi ka prekur fundin, por kjo nuk do të thotë se në kaq vite nuk është prodhuar Letërsi, por kanë qenë probleme menaxhimi. Ka munguar vizioni që kap thelbin: atë që prodhon letërsi të vërtetë. Për ilustrim, po të shikojmë me kujdes, do të shohim se kemi vetëm një krijuese që i ka matur realisht forcat me zhvillimet ndërkombëtare të poezisë. Është fjala për poeten Luljeta Lleshanaku. Dhe kjo se kemi pasur fat që në atë kohë në Tiranë jetoi e punoi një kritik i aftë e me vizion: por ai vinte nga Kosova (Ramadan Musliu). Kujtojmë se kur nga Pen Klubi ndërkombëtar me qendër në Londër u pyet për poetin Frederik Rreshpja, nga rrethe letrare me pushtet, sa me xhelozi, sa me pa aftësi, u përcoll një përgjigje denigruese. Mund të gjinden edhe ilustrime të tjera për të kuptuar që nuk dihet se kur do të dalim nga një batak i tillë.

 

Pyetje: Po institucionet kulturore publike?

 

Përgjigje: Ato funksionojnë si organizatore aktivitetesh dhe jo si institucione që ndërtojnë politika kulturore afatgjata. Aktivitetet duhen, por kultura nuk ndërtohet me evente. Ajo ndërtohet me strategji afatgjata: mbështetje për përkthimet, financim për revistat kulturore, programe serioze për bibliotekat dhe për studimet letrare. Pa këto mekanizma, aktivitetet mbeten vetëm momente të përkohshme që nuk krijojnë një ndikim të qëndrueshëm. Pa sisteme të forta, letërsia rrezikon të bëhet thjesht dekor në hapësirën publike, jo një instrument i ndryshimit dhe reflektimit. Ne kemi një ministri kulture që e shkarkon drejtuesin e Qendrës së Librit prej katër muajsh, por harron që e ka shkarkuar. Kjo tregon se nuk e ka këtë anë të kulturës në agjendë. Kjo nuk tregon vetëm se është e paaftë të menaxhojë, por edhe se është në shkelje të ligjit dhe duhet të japë llogari para tij.

 

Pyetje: Në këtë situatë, çfarë mund të bëjë një shkrimtar?

 

Përgjigje: Në fund të fundit, shkrimtari ka një përgjegjësi shumë të thjeshtë dhe shumë të vështirë njëkohësisht: të shkruajë sa më mirë që të mundet dhe të mbrojë integritetin e tekstit të tij. Sistemi kulturor mund të jetë i dobët, por kjo nuk duhet të bëhet justifikim për kompromis estetik. Në histori kemi shumë shembuj të letërsive që kanë lindur në kushte shumë më të vështira, por që kanë arritur të krijojnë vepra të rëndësishme. Në fund, teksti është gjithmonë ajo që mbetet.

 

Pyetje: A jeni optimist për të ardhmen e letërsisë shqipe?

 

Përgjigje: Letërsia gjithmonë gjen mënyra për të mbijetuar. Ajo është një nga format më elastike të kulturës. Pyetja e vërtetë është nëse ne duam një kulturë letrare të gjallë apo vetëm një qarkullim librash. Nëse arrijmë të ndërtojmë një hapësirë ku librat lexohen seriozisht, ku kritikohen dhe ku bëhen pjesë e një debati të vazhdueshëm kulturor, atëherë potenciali i letërsisë shqiptare është shumë i madh. Por kjo kërkon një përpjekje kolektive, jo vetëm individuale. Në fund, teksti është mburoja jonë më e fortë kundër harresës kulturore. Ai nuk shitet, nuk blihet, por mbetet si provë se kultura nuk vdes kur ka vullnet të debatohet dhe të kuptohet.

 

Lini një koment