Lexuesi dhe letërsia

 

Gazmend Krasniqi

 

Ky shkrim përmbledh përgjigje për disa pyetje që më vijnë nga të katër anët e komunitetit letrar.

 

Pyetje: Letërsia juaj shpesh etiketohet si elitare. A ju shqetëson kjo?

Përgjigje: Mendoj se etiketa “elitare” përdoret për të shmangur një diskutim më serioz mbi tekstin. Nëse një tekst kërkon përqendrim dhe interpretim, kjo nuk do të thotë se është elitist; do të thotë vetëm se nuk është i ndërtuar për konsum të menjëhershëm. Letërsia e mirë gjithmonë ka kërkuar një lexues aktiv. Dhe lexuesi gjithmonë e ka mundësinë e rritjes. Kur mendojmë për letërsinë kombëtare, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, edhe pse, për shembull, kurrikulat shkollore përgatisin një tufë klishesh që e vulgarizojnë studimin letrar, si për ata që nuk do të merren më me letërsinë si lëndë shkollore, por vetëm me shijimin e leximit, si për ata që do të vazhdojnë studimet universitare në këtë fushë. Ndodh që edhe në tri vite Bachelor studenti të mos e ketë kuptuar kërkesën e vërtetë për studimin e letërsisë, kaq të forta janë ato klishe. Në shumë sisteme arsimore letërsia shpesh mësohet përmes formulash të tilla si: “autori pasqyron realitetin e kohës”, “personazhi përfaqëson shtresën shoqërore” apo “vepra ka mesazh moral”. Këto formula janë të dobishme për fillestarët, por nëse mbeten e vetmja mënyrë interpretimi, ato krijojnë një lexim mekanik të letërsisë.

Po flasim këtu vetëm për rolin e shkollës, e cila ngulit klishetë më të forta. Ilustrimet i kam dhënë në shënime të tjera, prandaj nuk po zgjatem. Një tekst nuk është elitist vetëm sepse kërkon interpretim. Çdo tekst ndërton lexuesin e vet. Ka tekste që kërkojnë një lexues të shpejtë dhe ka tekste që kërkojnë një lexues të durueshëm. Problemi lind kur kërkojmë që të gjitha tekstet të lexohen në të njëjtën mënyrë.

Romani, bie fjala, nuk ekziston për të konfirmuar atë që tashmë lexuesi e di. Ai ekziston për të zbuluar atë që nuk është menduar ende. Kur romani reduktohet në histori të thjeshta për konsum të shpejtë, ai humbet funksionin e tij si formë njohjeje.

 

Pyetje: A mendoni se teoria e letërsisë mund ta pengojë shkrimtarin?

Përgjigje: Mund ta pengojë vetëm nëse e trajton si rregull, jo si instrument reflektimi. Teoria nuk është manual shkrimi: është një mënyrë për të kuptuar se çfarë po bëjmë kur shkruajmë. Në këtë kuptim, ajo mund ta bëjë shkrimin më të vetëdijshëm. Kujtoj se, për transparencë, nuk jam personi që ka shkuar nga teoria e letërsisë te krijimi, por personi që ka shkuar nga krijuesi te teoria e letërsisë.

Problemi nuk është nëse shkrimtari njeh teorinë, por si e përdor atë. Kur teoria merret si manual rregullash, ajo mund të bëhet kufizuese. Kur merret si mjet reflektimi, ajo mund ta bëjë shkrimin më të vetëdijshëm dhe më kompleks.

Në kulturën shqiptare, dyshimi ndaj shkrimtarëve që merren edhe me teori vjen kryesisht nga trauma e teorisë ideologjike të realizmit socialist, ndarja artificiale mes krijuesit dhe studiuesit, si dhe zhvillimi relativisht i vonë i teorisë moderne të letërsisë te ne.

Megjithatë, në praktikën e letërsisë së madhe, krijimi dhe reflektimi teorik zakonisht kanë qenë dy forma të së njëjtës vetëdije estetike. Emra të mëdhenj të letërsisë botërore janë ngushëllues.

 

Pyetje: Në tekstet tuaja duket sikur mënyra e rrëfimit është më e rëndësishme se historia.

Përgjigje: Historia është vetëm një element i tekstit. Në shumë raste, ajo është elementi më i dukshëm, por jo domosdoshmërisht më interesanti. Më intereson më shumë se si ndërtohet rrëfimi, si manipulohet koha dhe si krijohet një perspektivë narrative. Siç e kam thënë edhe në shkrime të ndryshme, ku më shumë e ku më pak, romanet e mia janë ngritur mbi këtë premisë. Ka qenë një sfidë dhe, njëkohësisht, kënaqësi ky proces krijues, pikërisht ngaqë nuk ka qenë dominant në letërsinë shqipe.

 

Pyetje: A është letërsia shqipe ende shumë e lidhur me realizmin?

Përgjigje: Në mendimin letrar shqiptar realizmi është një histori keqkuptimi. Kjo lidhet me historinë tonë kulturore. Për rrethana të njohura, e kemi humbur mundësinë që të jemi pjesë e këtij drejtimi letrar apo lëvizjeje kulturore. Kur hyn në lojë me vonesë, një drejtim letrar nuk mund të ketë zhvillim të pastër. Kur flitet për realizmin në Shqipëri, kihet parasysh parimi i mimesis – i pasqyrimit apo i imitimit – por jo drejtimi i vërtetë letrar i realizmit me poetikën e vet të posaçme. Këtë e kam trajtuar në punime të ndryshme për tregimet e Koliqit dhe të Migjenit.

Është pranuar se te realizmi socialist mund të flasim për romantizëm socialist. Lumi i vdekur, i Jakov Xoxes, vjen 100 vjet pas lulëzimit të këtij drejtimi letrar, duket një shembull atipik. Shkrimtari ka shfrytëzuar disa rrethana të caktuara, gjë që nuk ka mund ta bëjë me romanet e tjera të tij.

 

Pyetje: Pse eksperimentimi formal shpesh shihet me dyshim?

Përgjigje: Sepse kërkon një mënyrë tjetër leximi. Kur lexuesi është mësuar me një strukturë narrative lineare, çdo devijim nga ajo strukturë mund të duket i panevojshëm ose i ndërlikuar. Në fakt, është thjesht një mënyrë tjetër për të treguar. Ka rrjedhur shumë ujë që nga koha e realizmit, gjë që e ka pasuruar letërsinë me mjete të reja. Romanet më të rëndësishme të traditës moderne shpesh janë edhe reflektime mbi vetë letërsinë. Ato nuk tregojnë vetëm histori: ato pyesin edhe si ndërtohet një histori, kush e kontrollon tregimin dhe si e lexon lexuesi tekstin. Në këtë kuptim, teoria dhe krijimi shpesh bashkohen brenda vetë romanit dhe kështu pasurohet letërsia.

 

Pyetje: A është lexuesi shqiptar i gatshëm për këtë lloj letërsie?

Përgjigje: Lexuesit nuk janë një masë homogjene. Në çdo kulturë letrare ka lexues shumë kërkues dhe lexues që preferojnë forma më tradicionale të rrëfimit. Kjo është krejt normale. Problemi lind kur supozojmë paraprakisht se lexuesi nuk është i gatshëm për forma më të ndërlikuara narrative dhe, për këtë arsye, nuk i ofrojmë alternativa. Në të vërtetë, shpesh lexuesi është më kurioz sesa mendojmë. Ai fillon e tërhiqet nga sfidat. Një kulturë letrare bëhet më e pasur pikërisht kur bashkëjetojnë forma të ndryshme shkrimi: romani klasik, romani eksperimental apo proza eseistike. Roli i botuesve, kritikës dhe institucioneve kulturore është pikërisht të krijojnë hapësirë për këtë shumëllojshmëri.

Pyetja “A është lexuesi gati?” është një temë klasike e letërsisë moderne dhe postmoderne. Përgjigjja e shkrimtarëve europianë ka qenë jo të përshtaten me lexuesin, por të sfidojnë dhe edukojnë lexuesin. Kjo i afrohet shumë idesë së njohur: shpesh supozojmë se lexuesi nuk është i gatshëm, por në të vërtetë ai mund të mësohet dhe të rritet përmes tekstit.

 

Pyetje: Në epokën e rrjeteve sociale, a rrezikon letërsia e ndërlikuar të mbetet në periferi?

Përgjigje: Nuk është domosdoshmërisht një tragjedi që letërsia e ndërlikuar nuk bëhet “popullore” në epokën e rrjeteve sociale. Letërsia kurrë nuk ka qenë një art masiv në kuptimin e plotë të fjalës; ajo gjithmonë ka pasur një komunitet relativisht të vogël lexuesish shumë të përkushtuar. Ky komunitet është shpesh më i vlefshëm se shifrat e shitjeve: përmes lexuesve të përkushtuar, kritikës dhe diskutimeve serioze, vepra e ndërlikuar ruan jetën dhe ndikimin e vet kulturor. Rrjetet sociale mund të ndryshojnë mënyrën si njihet një tekst, por nuk mund ta zëvendësojnë thellësinë dhe vetëdijen që kërkon një lexues i angazhuar në të.

Nëse arrijmë të krijojmë lexues që dinë të pyesin për tekstin dhe jo vetëm ta konsumojnë atë, atëherë kemi bërë një hap të rëndësishëm. Lexuesi që pranon të rritet me tekstin është lexuesi që e mban gjallë letërsinë.

 

Lini një koment