Po ti, kush je: një poezi postmoderne

 

Erinda Shehu

 

Letërsia postmoderne përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme estetike dhe teorike të shekullit XX, duke sfiduar konceptet tradicionale të autorësisë, narracionit dhe realitetit letrar. Në kontekstin shqiptar, shfaqja e elementeve postmoderne lidhet ngushtë me ndryshimet shoqërore, politike dhe kulturore që pasuan rënien e regjimit komunist, duke krijuar një terren të ri për eksperimentim estetik dhe rishikim të formave letrare të mëparshme. Kjo periudhë shënon një zhvendosje nga narrativat e mëdha ideologjike drejt fragmentarizimit, ironisë, intertekstualitetit dhe lojës me identitetin.

Letërsia postmoderne shqipe karakterizohet nga prirja për të thyer kufijtë gjinorë, për të ndërthurur diskurse të ndryshme kulturore dhe për të vënë në dyshim raportin midis realitetit dhe trillimit. Në këtë kontekst, vepra “Po ti kush je?” e Gazmend Krasniqit përbën një shembull domethënës të ndjeshmërisë postmoderne në letërsinë shqipe bashkëkohore. Që në titull, teksti ngre një pyetje thelbësore mbi identitetin, duke e vendosur subjektin në një gjendje kërkimi, pasigurie dhe shpërbërjeje të vetvetes, tipare që përkojnë me krizën e subjektit në mendimin postmodern.

Kemi të bëjmë me një poezi jo lehtësisht të depërtueshme, me karakter thellësisht meditativ, me gjuhë të ngjeshur, simbolikë dhe dialog të vazhdueshëm me filozofinë, artin dhe vetë aktin e të shkruarit. Është vepër me “vetëdije postmoderne”, në të cilën erudicioni dhe ironia tekstuale shërbejnë për të ruajtur lidhjet intertekstuale me mitin dhe religjionin. Vetë qenia e pakohë, e lënë në pikëpyetje, përcjell realitetin e një bote të gënjeshtërt, në të cilën asgjë nuk është mitike dhe heroike; madje edhe vetë figura e poetit lihet në status të lirë, dyshues, të çuditshëm, të ndryshueshëm.

Një poezi që nuk lexohet lehtë[1]. Një poezi mendimtare e cilësuar si e tillë për shkak të gjuhës së ngjeshur me simbolikë dhe dialogun e vazhdueshëm me filozofinë, artin dhe vetë aktin e të shkruarit. Gjendja e zhgjëndrrës, realiteti i copëzuar, koha ciklike, personazhe pa bosht, të vendosur larg kuptimit që historia ndër shekuj ju ka dhënë, bëhen referencë e një bote alternative. Uni, personazhi, lexuesi është nga poezia në poezi në sprovë të vazhdueshme identitare sepse ky i fundit duhet formuar por mbetet i çuditshëm, i rremë, i paplotë.

Në qendër të këtij shkrimi janë tri elemente kryesore:

fragmentarizmi, në kuptimin që referon dy linjat kryesore që janë liria dhe identiteti;

ironia intertekstuale, që krijon konfuzionin kohë dhe hapësirë e nga tjetër shpërfytyrimin e personazheve;

portreti postmodern tërësor, në bazë të së cili vihet në funksion gjuha dhe mënyra e ndërtimit të vargut.

Për të dhënë një pasqyrë më të qartë rreth kësaj do të bëjmë analizën e tri poezive:

 

Kjo re si gishti që akuzon hapësirën, pak përpara

Qe reptil i zjarrtë që piu dy ylbere të pasdrekes.

Pra, edhe njëherë është fjala për shira: kryqëzuar

Kaq gjatë prej tyre, edhe në s’vjen kush, diku

Dihat diçka që duhet ta sodisësh, diçka ku digjet

Kuturu një dritë e butë, në formë e zemrës;

 

Si zarf që thotë se fëmija vrapon të zgjohet

Nga makthi i historisë e burri të kthehet tek ajo;

Se vera lojcake e mbajti diellin për vete, por qielli

Vjeshtor kërkoi në të njëjtën kureshtje nëse

Prej piklave të para shkëlqen prapë fytyra e Perëndisë;

 

Se ka ecur përmes materies së tyre, si trup që gjen

Rrugën për atje ku jeta do na kthehet, ku një njeri

I vetëm është i mjaftueshëm të shihet gabimi;

Se stuhia, që ka mision të fshijë gjithçka, mësohet

Me ne; se në botë heshtja dergjet e në prehrin e saj

Vdesin gërmadhat e ëndrrave dhe enigma,

Aromë dheu, mbin aty ku dikush ia shkrepte vajit.

Po ti, kush je?

(PO TI, KUSH JE) [2]

 

Poezia “Po ti, kush je” hapet me një imazh të fortë simbolik “re si gisht që akuzon hapësirën”. Fjalë për fjalë referimi është abstrakt, i pamundur, një sfond në të cilin imagjinarja dhe realja bëhen bashkë lehtësisht. “fëmija vrapon të zgjohet / Nga makthi i historisë e burri të kthehet tek ajo”. Këtu historia paraqitet si makth, si diçka që e ndjek njeriun dhe ndikon në identitetin e tij. Kalimi nga “fëmija” te “burri” tregon rritjen, por edhe humbjen e pafajësisë. Përmendja e qiellit, yjeve, dritës “në formë zemre” dhe “fytyrës së Perëndisë” e vendos njeriun përballë universit dhe misterit të ekzistencës. “ku një njeri i vetëm është i mjaftueshëm të shihet gabimi”. Njeriu është i vogël përballë botës, por njëkohësisht mban peshën e kuptimit dhe të gabimit. Heshtja, stuhia, ëndrrat që “vdesin” dhe “aromë dheu” krijojnë një ndjesi shuarjeje, kthimi në tokë, në fundësinë njerëzore. Poezia mbyllet me pyetjen: “Po ti, kush je?”, një pyetje që vë në qendër krizën e identitetit. Vetmia e njeriut të vogël përballë botës e shtyn më tej këtë hendek duke e kthyer në një udhëtim të pafund që në qendër ka gjetjen e vetes. Por gjithçka është e ngatërruar njësoj si misteri i vetë ekzistencës.

 

Dritarja jonë s’e mban më as pamjen

e Telemakut që shkoi të kërkojë aventura,

as pamjen e njëzet e dy dardhave

të atit tim, Laertit. Atje ka vend

vetëm për krahët e hapur të Penelopës:

edhe tashti që kalbet harku me famë

poshtë shtratit bashkëshortor, ata krahë

presin burrin e ëndrrave të saj.

Si do të jetë vallë? Ka kohë

që shtyj dot kanatin e rëndë të kujtesës.

(ODISEA, XXV) [3]

 

Që në vargun e parë, “Dritarja jonë s’e mban më as pamjen…”, vihet re këndvështrimi modern: bota e mitit nuk jetohet më drejtpërdrejt, por shihet nga larg, si një kujtim i zbehur. “Dritarja” simbolizon ndërgjegjen e sotme, e cila nuk është më pjesë e epikës, por vetëm vëzhguese e saj. Julia Kristeva thotë në qasjen e saj semiotike ndaj letërsisë dhe artit: Çdo tekst ndërtohet mbi tekste të tjera[4]. Te “Odisea, XXV” miti homerik nuk ritregohet, por rishkruhet dhe çmitizohet. Figura më e fuqishme është Penelopa. Ajo nuk shfaqet si simbol besnikërie epike, por si grua që pret, me “krahët e hapur”, në një pritje intime dhe të heshtur. Mungesa e Odiseut nuk paraqitet si lavdi, por si boshllëk emocional dhe fizik. Kjo e zhvendos theksin nga aventura te pasojat e saj njerëzore. Telemaku dhe Laerti paraqiten të çmitizuar. Telemaku përmendet thjesht si dikush që “shkoi të kërkojë aventura”, ndërsa Laerti lidhet me “njëzet e dy dardhat”, një imazh krejt tokësor dhe i mundshëm. Barthes flet për mënyrën si mitet zbërthehen dhe humbin statusin e tyre absolut[5]. Kështu Odisea në poezinë tonë nuk është as hero dhe as nuk përcaktohet nga udhëtimi heroik. Përkundrazi “kanati i rëndë i kujtesës” referon një mungesë, një humbje, pritje dhe një zbehje të mitit në bashkëkohësi. Miti ose e shkuara nuk është më burim madhështie, por një barrë që hapet me vështirësi. Koha nuk sjell më triumf dhe lavdi, por lodhje dhe mall.

 

Kur flasim ne familje për  mobiliet e vetra,

divani ku rrimë shikon në ëndërr një vullkan.

Baroku i pëlqen në zhgjëndërr: janë

në modë edhe e befta, e mprehta e drama.

Ngrihet e ikën Platoni nga Republika,

po mbetet Njëshi  që lexon, si gjithmonë: lind

secili me drurin e vet, Pinokun e habive,

që pret ta marrë  përdore Zana që lodhet

nga mobiliet e vjetra; apo me lexuesin

që mban sytë nga ne, por fjalët i ka me vete.

Mbetemi edhe ne që nisim debatin e vjetër

me njëri – tjetrin: Është mirë apo keq –

në kujtesën kozmike prapë s’e gjeti Idenë

që e nxjerr shtëpinë tonë dadaiste

nga ky thes Bukurie!

(SHTËPIA DADAISTE) [6]

 

Titulli “Shtëpia dadaiste” e vendos menjëherë poezinë në një hapësirë anti-tradicionale, të frymëzuar nga Dadaizmi: rrymë ekstreme artistike që kundërshton çdo mendim logjik dhe angazhohet për paraqitje spontane dhe të pakontrolluar të ndjenjave dhe vrojtimeve, për asosacione pa marrë parasysh kuptimin e fjalëve. Ndodh një çmontim i gjuhës dhe i konventave poetike, një përpjekje për të rivendosur gjuhën në formën e saj më të pastër dhe të pafajshme. Kjo qendërzon përjetimin, ëndrrën dhe ndërdijen. “Shtëpia” nuk është thjesht vend fizik, por hapësirë mendore, kulturore dhe ekzistenciale, ku bashkëjetojnë objekte, ide, figura filozofike dhe zëra të ndryshëm. Në këtë poezi poeti shfaq tiparet e tij dalluese:

  • Intertekstualitet i fortë: Platoni, Republika, Njëshi, Pinoku, Zana – figura filozofike, letrare dhe mitike që përplasen pa hierarki.
  • Abstraksion dhe konkretësi të përziera: mobiliet e vjetra, divani, shtëpia – përballë “kujtesës kozmike”, “Idesë”, “Bukurisë”.
  • Ironi e butë intelektuale: poezia nuk predikon, por vë në lojë mendimin serioz, filozofinë klasike dhe debatet e pafundme njerëzore.

Krasniqi nuk kërkon qartësi klasike; ai provokon mendimin, e lë lexuesin në një gjendje reflektimi aktiv. Mobiliet e vjetra janë një metaforë e traditës, zakoneve dhe ideve të trashëguara. Ato: “lodhin Zanën”, mbeten të palëvizshme, shikojnë “vullkanin” në ëndërr. Kjo sugjeron një tension mes së vjetrës dhe shpërthimit të së resë, mes sigurisë së shtëpisë dhe kaosit krijues. Në thelb, poezia flet për: krizën e kuptimit, pamundësinë për të gjetur një Ide absolute, jetesën brenda një bote të copëzuar, ku bukuria është “në thes”, por e paarritshme. “Shtëpia dadaiste” është metaforë e njeriut modern, i rrethuar nga mendime, kujtime, libra, objekte dhe pyetje pa përgjigje.

Poezinë e Gazmend Krasniqit nuk do të ngurrojmë ta cilësojmë ndër më të vyerat në pakicën e poezive postmoderne shqipe. Cilësuar si një udhëtim nëpër shtigjet e pasigurta të identitetit njerëzor poezia është e pasur me thesaret e fjalëve dhe kombinimet e tyre artistike. Mjeshtëria teknike e vargut bën që materiali i përpunuar e më pas i përcjellë nga autori të jetë tregues se autori e njeh poezinë dhe letërsinë deri në detajin më të imët. Rileximi i poezisë kërkon një lexues të sprovuar edhe pse si poezi mendimi, kuptimësia e saj mbetet relative. Çdo fjalë, shenjë, imazh është mirëmenduar dhe rrit kënaqësinë e receptuesve të saj. Subjekti lirik i poezive është njeriu i zakonshëm dhe vetë e zakonshmja. Ky shkrim shërben si pikënisje për një kërkim më të gjerë që përshkon gjithë vëllimin “Po ti kush je?”, ku identiteti mbetet i hapur, i lëvizshëm dhe vazhdimisht në proces rishqyrtimi.

 

BIBLIOGRAFI

 

Barthes, R. (1972). Mythologies (A. Lavers, Trans.). Hill and Wang. (Vepra origjinale botuar më 1957)

Derrida, J. (1976). Of grammatology. Johns Hopkins University Press.

Featherstone, M. (2011). Postmodernizm ve tüketim kültürü (M. Küçük, Trans.). Ayrıntı Yayınları.

Hamiti, S. (2009). Letërsia moderne shqipe. Prishtinë.

Harvey, D. (2012). Postmodernliğin durumu (S. Savran, Trans.). Metis Yayınları. (Vepra origjinale botuar më 1989)

Krasniqi, G. (2024). Biografia e poetit Gazmend Krasniqi. Marrë nga https://gazmendkrasniqi.com

Krasniqi, G. (2024). Po ti kush je? Botimet Princ.

Kristeva, J. (1980). Desire in language: A semiotic approach to literature and art (T. Gora, A. Jardine, & L. S. Roudiez, Trans.). Columbia University Press.

Qosja, R. (2004). Historia e letërsisë shqipe. Prishtinë.

[1] Krasniqi, G. (2021). Biografia e poetit Gazmend Krasniqi. gazmendkrasniqi.com. https://gazmendkrasniqi.com

[2] Krasniqi, G. (2024). Po ti kush je?. Botimet Princ. (f.119).

[3] Krasniqi, G. (2024). Po ti kush je?. Botimet Princ. (f.52).

[4] Kristeva, J. (1980). Desire in language: A semiotic approach to literature and art (T. Gora, A. Jardine, & L. S. Roudiez, Perkthyer.). Columbia University Press.

[5] Barthes, R. (1972). Mythologies (A. Lavers, Trans.). Hill and Wang. (Origjinali perkthyer ne 1957)

[6] Krasniqi, G. (2024). Po ti kush je?. Botimet Princ. (f.49).

Lini një koment