Esmeralda Krosi
Metafiksioni dhe sfida e lexuesit:
romani “Si shkruhet një roman dashurie” i Gazmend Krasniqit
Letërsia postmoderniste përbën një nga dukuritë më komplekse dhe njëherazi më sfiduese të zhvillimit të mendimit dhe krijimtarisë bashkëkohore. Ajo shënon një kthesë të rëndësishme në raport me traditën letrare, duke vënë në diskutim konceptet themelore mbi të cilat ishte ndërtuar romani realist: unitetin e subjektit, koherencën kohore, autoritetin e narratorit dhe besueshmërinë e rrëfimit. Në vend të tyre, postmodernizmi sjell fragmentaritetin, shumëzërësinë, ndërgjegjësimin e tekstit për vetveten dhe prirjen për ta kthyer procesin e të shkruarit në objekt të vetë veprës. Siç thekson edhe Linda Hutcheon, postmodernizmi karakterizohet njëkohësisht nga rikthimi te historia dhe nga hulumtimi vetërefleksiv i kufijve dhe mundësive të diskursit artistik. Kjo nënkupton se vëmendja zhvendoset nga rrëfimi si pasqyrim i botës drejt rrëfimit si ndërtim diskursiv i saj. “Në sipërfaqe, interesi kryesor i Postmodernizmit duket se është në procedurat e prodhimit dhe në parapritjet e veta, si dhe në raportin e vet parodizues me artin e së kaluarës.” (Hutcheon, Linda. “Politika e Postmodernizmit: Parodia dhe Historia”, 1986–1987)
Megjithatë, ndonëse prania e elementeve postmoderniste në letërsinë shqipe është gjithnjë e më e dukshme, trajtimi i tyre studimor mbetet ende i kufizuar. Ekziston një boshllëk i ndjeshëm në analizat e thelluara që shqyrtojnë funksionimin strukturor, estetik dhe diskursiv të këtyre teknikave brenda veprave të veçanta. Kjo mungesë vëmendjeje kritike përbën një nga sfidat kryesore të studimeve letrare bashkëkohore.
Në këtë kontekst teorik vendoset romani i Gazmend Krasniqit “Si shkruhet një roman dashurie”, një vepër që përfaqëson në mënyrë domethënëse frymën postmoderniste në prozën shqipe bashkëkohore. Siç është thekuar, libri është i strukturuar si një kolazh situatash, refleksionesh dhe idesh që lidhen rreth boshtit tematik të dashurisë dhe lumturisë, por që shtrihen edhe në dimensione të tjera ekzistenciale. I konceptuar si një diptik, romani eksploron paranojën, identitetin, izolimin dhe përvojat njerëzore në një realitet të fragmentuar, ku përjetimet themelore ndërthuren me ato të rastësishme. Ky sfond tematik gjen shprehje përmes një diskursi rrëfimtar me ton filozofik, i cili e denduron dhe e ndërlikon strukturën narrative, duke e lidhur atë ngushtë me dhimbjet dhe dilemat ekzistenciale të subjektit bashkëkohor.
Arti narrativ i Krasniqit mbështetet fuqishëm në metafiksion, në vetëdijen e tekstit për procesin e vet krijues dhe në ndërprerjen e vazhdueshme të iluzionit realist. Rrëfimi paraqitet i copëzuar, jashtë kronologjisë lineare, i ndërtuar si një rrjetë kujtese, ndjesish dhe refleksionesh që bashkëkrijojnë një univers të ri kuptimor. Heshtjet, boshllëqet dhe fragmentet e ndërprera bëhen pjesë funksionale e strukturës, duke kërkuar një lexim aktiv dhe interpretues. Në këtë mënyrë, lexuesi përfshihet në lojën tekstuale dhe bëhet bashkëpjesëmarrës në prodhimin e kuptimit.
Në një vepër arti çdo gjë është sistem (asgjë nuk është aksidentale, e rastësishme) dhe çdo gjë në një vepër arti është thyerje sistemi. Qëllimi i këtij shkrimi është të analizojë dhe të evidentojë tiparet kryesore të postmodernizmit në romanin “Si shkruhet një roman dashurie”, duke u përqendruar në metafiksionin, lojën me lexuesin, fragmentaritetin strukturor, vetëdijen narrative dhe ndërthurjen e realitetit me fiksionin. Objektivat e drejtpërdrejta lidhen me identifikimin e këtyre teknikave, interpretimin e funksionit të tyre estetik dhe vlerësimin e rolit që ato luajnë në ndërtimin e kuptimit letrar. Rëndësia e temës qëndron në kontributin që ajo jep për zgjerimin e studimeve mbi postmodernizmin shqiptar, për thellimin e njohjes së individualitetit krijues të Krasniqit dhe për vendosjen e kësaj vepre në një dialog më të gjerë teorik e kritik bashkëkohor.
A mund të themi se e kemi kuptuar plotësisht se çfarë është Postmodernizmi? Apo ende mbetemi në fazën e supozimeve, ku interpretimet janë të shumta dhe asnjë nuk e zotëron të vërtetën në mënyrë absolute? Në këtë paqartësi, duket se secili ka nga një pjesë të arsyes: individi dhe institucionet, shoqëria, universalja dhe e veçanta, fragmenti dhe e tëra bashkëjetojnë në një mozaik kuptimesh. Te postmodernizmi “është aktiv një mutacion vendimtar historik, i cili përfshin artin dhe shkencën, kulturën e lartë dhe të ulët, parimet mashkullore dhe femërore, pjesën dhe tërësinë; diçka që përfshin Individin dhe Shumicën…” (Hassan, Ihab. “Toward a Concept of Postmodernism”, 1987)
Modernizmi mbështetej mbi idealizmin dhe një vizion utopik për jetën dhe shoqërinë, duke ushqyer besimin te progresi dhe te mundësia e përparimit të vazhdueshëm. Ai pranonte ekzistencën e disa parimeve ose të vërtetave universale, qofshin ato fetare apo shkencore, të cilat mund të shërbenin si bazë për të kuptuar dhe shpjeguar realitetin. Në këtë kuadër, artistët modernistë u përqendruan te eksperimentimi me formën, teknikën dhe procesin krijues, duke lënë në plan të dytë tematikën, me synimin për të gjetur mënyra të reja për të pasqyruar botën moderne. Në të kundërt, postmodernizmi lindi nga një qëndrim skeptik dhe nga dyshimi ndaj arsyes si burim i vetëm i së vërtetës. Ai vuri në pikëpyetje idenë e sigurisë dhe të vërtetave absolute, duke mohuar ekzistencën e një narrative universale që shpjegon gjithçka. Arti postmodern theksoi rëndësinë e përvojës individuale dhe të interpretimit subjektiv si më të prekshme sesa parimet abstrakte. Nëse modernizmi synonte qartësinë, rendin dhe thjeshtësinë, postmodernizmi pranoi kompleksitetin, shumëkuptimësinë dhe madje edhe kontradiktat si pjesë përbërëse të realitetit dhe të artit.
Postmodernizmi synon të zhbëjë kufijtë mes artit “të lartë” dhe atij “të ulët”, duke mos pranuar ndarje të ngurta mes zhanreve apo formave shprehëse. Ai e përqendron vëmendjen te imitimi, parodia dhe ironia, si dhe te lëvizja e vazhdueshme mes politizimit dhe apolitizimit të artit. Në qendër të estetikës postmoderniste qëndrojnë refleksiviteti, vetëdija mbi aktin krijues, fragmentariteti, ndërprerja, paqartësia dhe bashkekzistenca e planeve të ndryshme kohore e kuptimore. Një temë e shpeshtë mbetet figura e njeriut të “çnjerëzuar”, pra e subjektit të zhvendosur dhe të shpërbërë në realitetin bashkëkohor.
Në pamje të parë, Postmodernizmi duket se ecën në gjurmët e Modernizmit, duke ndjekur disa nga të njëjtat trajektore estetike, megjithatë dallimi i tij thelbësor qëndron në qasjen shpesh ironike, relativizuese apo kundërshtuese ndaj vetë atyre parimeve që Modernizmi i trajtonte si serioze dhe themelore, një kontradiktë që, megjithëse mund të duket paradoksale, është pjesë e vetë natyrës së tij.
Këtë e tregon vetë Gazmend Krasniqi në veprën “Si shkruhet një roman dashurie”. Dinamika e strukturave, e shoqëruar nga loja metagjuhësore, e zëvendëson marrëdhënien tradicionale të shkakut dhe pasojës me një rrjet forcash të ndërsjellta, një konstelacion ngjarjesh që refuzon shpjegimet e thjeshta dhe të lehta. Shkrimtari – personazh thotë: “Aty ku duket mjegull, unë kam dashur të lë dritë të shpërndarë. Kam shmangur sqarimin. Jo nga misteri. Por sepse misteri është vetëm metoda më e butë për të mbrojtur të vërtetën që s’mund të thuhet me fjalë të zakonshme. As me fjali të plota.” (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 27)
Teksti riorganizon diskurse të mëparshme brenda koordinatave të qarta hapësinore dhe kohore të një kulture të caktuar, duke e parë paqëndrueshmërinë dhe dykuptimësinë jo si mangësi, por si vlera themelore që strukturojnë dhe pasurojnë veprën. Ai krijon një hapësirë topologjike që nuk mund të kuptohet pa iu referuar fshehjeve, shtresimeve dhe kontekstualizimeve të kuptimit, të cilat përpiqen njëkohësisht të shenjojnë domethënien e veprës dhe ta kthejnë tablonë narrative në një hipertekst të pasur, ku çdo detaj ka peshën dhe funksionin e vet, dhe ku lexuesi është i ftuar të ndërtojë rrjedhën e kuptimeve bashkë me autorin. “E di që po dal nga rreshti, që po hap një derë që s’është shkruar në planin fillestar. Por s’ka plan fillestar. Ka vetëm rrugë që bëhen duke ecur dhe unë jam duke shkelur mbi to në të njëjtën kohë me ty. Nëse fjalia duket e dëpruar, lëre! Do t’i vijë radha të shpjegojë veten më vonë. Ose kurrë. Edhe kjo është zgjedhje. Shënim i shkrimtarit.” (f. 36)
Teknika më goditëse formalisht në veprën “Si shkruhet një roman dashurie” është krijimi i fundit të hapur dhe lënia e situatave të pafiksuara. “Për mua nuk paraqet problem. Unë jam shkrimtar i fundeve të hapura.” (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 78)
Teksti nuk mbaron për lexuesin; ai kërkon të zgjasë përvojën e tij në shpirtin e atij që lexon, duke krijuar një përpjekje të bashkërenditur midis autorit dhe lexuesit. Në këtë mënyrë, procesi krijues del jashtë kufijve të faqes së shtypur dhe bëhet një lëvizje e përbashkët, një dialog ku kuptimi nuk është i prerë dhe i fiksuar, por i gjallë dhe i lëvizshëm. Me fjalë të tjera, edhe pse vepra përmban një nëntekst filozofik të dukshëm dhe reflektues, ajo nuk imponon vetëm të kuptuarin racional; ajo ngjall ndjesi dhe perceptim. Nëse lexuesi nuk arrin ta kuptojë plotësisht, ai do ta ndiejë domethënien. Ky ekuilibër delikat midis të kuptuarit dhe të ndierit është vetë zemra e veprës, ajo që i jep asaj forcën, thellësinë dhe universin e saj.
Përmes këtij ndërveprimi, leximi bëhet një përvojë aktive dhe ekzistenciale, ku teksti nuk është thjesht një objekt, por një hapësirë që jeton dhe lëviz përmes perceptimit të atij që e përjeton. “Në momentin kur mendova se po përballesha me boshllëkun e të vërtetës, telefoni m’u drodh përsëri, sepse tashmë, që e kuptova agresivitetin e tij, vendosa ta mbaj pa zë. Eja, shkruhej aty, mëso diçka më shumë! E hapa mesazhin tjetër, ku shkruhej: Nuk je programi. Nuk je as lexuesi. Nuk je as autori. Je thjesht një pikë referimi në një univers ku askush nuk është i sigurt nëse ekziston.” (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 103)
Një postmodernist ecën pa rregulla për të shpikur rregulla, sepse kufijtë ndërmjet zhanreve letrare janë bërë fluidë. “Me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ, autorit postmodernist i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin”, thonë teoricienët e tij. Metafiksioni nuk e braktis realizmin dhe as nuk largohet nga bota reale në favor të imagjinatës së pastër. Ai vetëm rishikon konvencionet e realizmit, duke treguar se fiksioni letrar krijon botët e veta dhe i ndërton ato përmes mënyrës se si tregohen. Shkrimtari i metafiksionit është i vetëdijshëm se përpjekja për të paraqitur botën në tërësinë e saj është e pamundur; mund të tregohen vetëm diskurset që e përshkruajnë atë.
Në këtë kontekst, metafiksioni bëhet një trillim vetëreflektues, ku shkrimtari ndërvepron me veten dhe me tekstin, duke ushtruar vetëdije, vetëreflektim, njohuri mbi mënyrën e krijimit dhe një distancim ironik ndaj veprës dhe lexuesit. “Nuk isha më as gazetar, as shkrimtar, as program: isha një fantazmë në labirintin e pafund të metafiksionit”, thotë narratori-gazetar i romanit. (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 105) Ai nuk është thjesht një rrëfim, por një reflektim mbi natyrën e vetë tregimit dhe mbi mënyrën se si realiteti letrar ndërtohet dhe perceptohet. Flitet për romanin brenda romanit.
“Pse nuk e kam shkruar unë romanin tim? Shkrimtarët që shkruanin romane më linin përshtypjen se ishin Zoti vetë, sikur ishin në gjendje ta përshkruanin atë histori si ta rrëfente vetë Zoti, si të kishte një interes të veçantë. Mendoja se rrëfenja ime nuk do të ishte e këndshme dhe harmonike, si historitë e trilluara, por absurde dhe pështjelluese si vetë jeta. Mandej, shpeshherë, kujtesa më ka bërë lojëra. Mbaj mend diçka nga koha kur desha të bëhesha misionar, por nuk më vjen e qartë se si ndodhi konkretisht. – Asnjë fjalë për romanin tonë? – Për atë po flas, tha me qetësi. Pa të, shënimet e mia nuk do ta kishin parë dritën e diellit.” (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 38). Metafiksioni është i vetëdijshëm për gjuhën, formën letrare dhe rrëfimin e historive, dhe veprat e metafiksionit drejtpërdrejt ose tërthorazi tërheqin vëmendjen për statusin e tyre si artefakte. (Waugh, Patricia. Metafiction – The Theory and Practice of Self-Conscious Fiction, 1984)
Në roman, elementet e realizmit magjik shfaqen si një përzierje e natyrshmërisë dhe fantazisë, ku kufijtë mes të vërtetës dhe imagjinatës bëhen të paqarta. Këto elemente nuk shërbejnë thjesht për të treguar një botë magjike, por për të sfiduar perceptimin e lexuesit mbi realitetin dhe për të treguar se çdo tregim është i ndërthurur me subjektivitetin dhe interpretimin. Realizmi magjik nuk paraqitet vetëm si një teknikë estetike, por edhe si një mënyrë për të vënë në dyshim realitetin dhe për të eksploruar marrëdhënien mes lexuesit, autorit dhe tekstit. Ai e bën botën letrare një hapësirë ku të vërtetat janë relative, ndërsa magjia dhe përvoja njerëzore ndërthuren në mënyrë të pandashme. “E humbi binjaku i qiellit: u dha rrugëve lakuriq. Veçse me këtë veprim fitoi një grua që linte kokën pas tij. Atë kohë, gruaja e kasapit, që tani flinte kohë e pa kohë, u zgjua e tmerruar nga gjumi i pasdites, sepse pa ëndërr sikur kishte zënë krimba nën sqetulla. Megjithëse nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që t’i dilnin flatra dragoi një plake si ajo, u nis drejt banjës, duke e ushqyer veten me ndonjë shpresë të vogël. Banja vetëm sa e ndihmoi ta zinte gjumi edhe një herë, derisa e zgjoi ëndrra tjetër, ku i thuhej se nuset nuk e donin njëra-tjetrën.” (Krasniqi, Gazmend. Si shkruhet një roman dashurie, f. 84)
Si përfundim, mund të themi se ky roman sfidon idenë e të vërtetës absolute dhe identitetin e prerë. Ai nuk pranon ndarje të ngurta mes artit të “lartë” dhe atij të “ulët”, mes zhanreve dhe formave shprehëse, dhe shpesh përdor ironinë, parodinë dhe refleksivitetin për të krijuar tekste që janë të vetëdijshme mbi aktin krijues dhe të hapura ndaj interpretimit të lexuesit.
Struktura e ngjarjes nuk ndjek më rrjedhën tradicionale të shkakut dhe pasojës. Ngjarjet ndërthuren në mënyrë të ndërsjellë dhe krijojnë një rrjet kuptimesh, ku fundet mbeten të hapura dhe situatat e pafiksuara. Kjo i jep lexuesit një rol aktiv në procesin e interpretimit, duke e bërë tekstin një hapësirë të gjallë ku kuptimi zhvillohet gjatë leximit.
Metafiksioni nuk e braktis realitetin, por e rishikon atë përmes mënyrës se si tregohen historitë. Shkrimtari i metafiksionit e di se nuk mund të paraqesë botën në tërësinë e saj; ai krijon një trillim vetëreflektues dhe ironik, ku lexuesi bëhet pjesë e procesit krijues dhe bashkautor i kuptimeve.
Elementet e realizmit magjik ndërthurin fantazinë dhe realitetin, duke sfiduar perceptimin e së vërtetës dhe duke treguar se çdo tregim është i ndikuar nga subjektiviteti dhe interpretimi. Në këtë mënyrë, romani i jep lexuesit mundësinë të përjetojë tekstin jo thjesht si një objekt, por si një hapësirë aktive dhe ekzistenciale, ku identiteti, kuptimi dhe realiteti letrar janë të lëvizshëm dhe bashkëpunues me perceptimin e atij që lexon.
Në përfundim, mund të themi se romani është një mënyrë për të reflektuar mbi realitetin, krijimin dhe marrëdhënien midis shkrimtarit, lexuesit dhe tekstit, duke shndërruar letërsinë në një hapësirë dinamike, ku kuptimi jeton dhe zhvillohet përmes ndërveprimit të vazhdueshëm.

Lini një koment