burimi: http://eprints.unite.edu.mk/id/eprint/1885

 

(RI)LEXIMET LETRARE: RASTI MIGJENI

 

Gazmend KRASNIQI

 

 

  1. Hyrje

 

Në vitin 1948, në rolin e një zëdhënësi të rëndësishëm letrar të kohës, Dhimitër Shuteriqi shkruante: Nonjëherë, te Migjeni zëri i revoltës ngrihet me tone të tilla (Të birtë e shekullit të ri):

 

Na të birtë e shekullit të ri

që plakun e lamë në sheitnin e tij

e çuem grushtin për me luftue

ner lufta të reja

dhe me fitue…[1]

 

Po prej tij, vazhdonte ky interpretim: Eshtë punëtoria që u prin masave të të shtypurve, me sigurinë e plote te fitorja: “bir i shekullit të ri” do të thotë bir i kohëve tona, punëtor. Eshtë takimi i Migjenit me komunizmin[2].

Më tej, Shuteriqi shkruante: Me et të math për t’arthmen e lumtur qe e pret njerzimin, poeti shkruan (Kangët e pakëndueme):

 

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?

Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?

Jol jo! Se lirija filloj me lulzue

dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën[3]

 

Po prej tij, vazhdonte ky interpretim: Kjo “liri që filloi me lulzue” ç’munt të qe tjetër, për Migjenin, veçse socializmi triumfues? Ç’munt të qe tjetër ai “Diell alegorik” veç Bashkimit të math Sovietik?… Në këtë mënyrë, romantiku Migjen, romantik se shikon tej në t’ arthmen dhe ësht i sigurtě se kjo do të jetë një e arthme lirie, lumtërie, nuk mbetet në pozitat e një realisti kritik. Me artin e tij militant, revolucionar, ai këndonte për t’arthmen e vendit tonë, e arthme që do të sillnin shokët e tij komunistë, me besim te populli tyre dhe kurdoherë e frymëzuar nga «Dielli i math” i “Lirisë” së “shekullit të ri” nga Bashkimi i math Sovietik. Po Migjeni jetoi tepër pak dhe vdiq tamam ahere kur nuk duhej të vdiste, që me luftën e popullit të tij, t’arrinte gjer në realizmin socialist[4].

Shohim që këtë herë kritiku thotë se poezitë nuk janë edhe aq të errëta. Të errëta janë prozat – deri diku poetike[5]. Konkretisht, kemi këtë formulim nga ana e tij: Megjithatë, duhet vuem re ke poeti nji përpjekje progresive drejt të kthielltit. Besoj se vet natyra e brendisë së vjershës e ka shty të jetë sa ma i kuptueshëm. Po këtë gja më duhet të provojë edhe krahasimi i disa prozave – deri diku poetike – qi ka botuem (Bota e Re dhe Jeta e Kultura) e të vjershave: të parat janë aq të kthiellta sa janë të errta të dytat. Sidoqoftë poeti duhet të ket besuem se “nji frazë e kthiellët të kënaq si nji grue qi epet lehtë, në leximin e parë. Në të dytin asht boshe” [6].

Ky interpretim, nga roli që mori Shuteriqi për historiografinë letrare shqipe, si drejtues i botimeve për historinë e letërsisë shqipe (1959-1960, 1983) zuri vend për disa dekada, prej jehonës që u përcoll nga tekstet shkollore, ku lexuesi i gjerë apo i kualifikuar ka marrë orientimin për poetin dhe poezinë e tij. Kujtojmë se teksti Historia e letërsisë shqiptare (1983) shkruan: Kritika dhe historiografia jonë letrare, të mbështetura në metodologjinë dhe estetikën marksiste-leniniste, i kanë bërë veprës së Migjenit një vlerësim dialektik dhe i kanë dhënë poetit vendin që i takon në letërsinë shqiptare[7], por vetë trajtimi te zëri Arti i Migjenit, gjuha, ka nga këto shprehje kyçe: krahas paraqitjes së mjerimit të popullit, urrejtjes së grumbulluar te masat, protestës e revoltës së tyre, shkrimtari, në emër të forcave të reja shoqërore, bëri thirrje për përmbysjen e rendit të padrejtë politik, ekonomik e shoqëror[8].

Prej këtij interpretimi kemi trashëguar dy lloje lexuesish të krijimtarisë së Migjenit:

– lexuesi i parë që nuk pranon interpretim tjetër

– lexuesi i dytë që urren, nga mosnjohja, krijimtarinë e këtij poeti

Padyshim, kemi gabime në të dyja rastet, saqë ngrihet menjëherë pyetje: A mund të kthehet pafajësia e kritikës dhe e studimeve, sidomos në procesin e mësimdhënies, ku merret formimi për letërsinë?

Si mund të dekonstruktohet një qëndrim kritik që i ka kaluar koha?

Metodologjia e ndjekur për këtë qëllim do të bazohet në disa lexime të tjera të krijimtarisë së Migjenit. Këto lexime janë të lira nga ngarkesat politike dhe ideologjike, prandaj edhe më afër leximit letrar.

 

 

  1. (Ri)Lexime të Migjenit

 

Së pari, le t’i kërkojmë ndihmë vetë Dhimitër Shuteriqit.

Viti 1938 është viti i vdekjes së Migjenit. Sapo vajtohet humbja e tij, fillon përpjekja për receptimin e parë të veprës. Kështu, Dhimitër Shuteriqi shkruante: … poeti pjerr (anon) nga të errtit. Kjo ish e natyrëshme në nji përdorim aq të madh të figurës. Mbasandej nji simbolizëm ndjenje e jo metafore, si ke Migjeni, asht kurdoherë ma i errëti[9].

Nuk është vetëm përmbajtja, por edhe forma që bëhet problematike për receptimin e parë të krijimtarisë së Migjenit. Shuteriqi vazhdonte: Migjeni hoqi dorë kryekëput nga metrika e jonë klasike, tue mos e përdorun as rithmat e saja konvencionale, as rimat me vend të caktuem. Vargjet e tij të lirë shoqnohen shpesh nga asonanca e fort rrallë nga rima. Përbuzja e asonancës asht nji paragjykim i vjetër: asosanca merret si një element muzikor ma i dobët e ma i vorfën se rima. Po harrohet se ajo asht ma delikate në tingull, se nuk të vret as syun as veshin, nga që ma shpesh ma e larme se rima. Migjeni i dha me të drejtë vendin e nderit asaj në poezinë e vet[10].

Por të vazhdojmë me disa nga përfundimet e tij: Kështu Migjeni na del me nji art shumë interesant, shumë të begatshëm. Prandaj poeti zë një vend me randësi themelore në lindjen e zhvillimin e poezisë së re shqiptare. Të shprehunit t’onë poetik, Migjeni i ka sjellun disa mundësi të reja të cilat do t’ishin edhe ma të përsosura sikur ta kish lanë fati poetin të gëzonte jetën e vet e të mbaronte një vepër të fillueme me aq talent të madh… Veprën që na la duhet ta mbledhim me kujdes dhe respekt të madh e ta botojmë, sepse në të mund të gjejmë prijsin ma të vlefshëm të nji rryme poetike, qi nesër mund të zërë një vend të randësisë së parë në literaturën tonë…[11]

Pra, ajo që bie në sy së pari: poeti pjerrë nga të errtit. Do të thotë se receptimi i parë ka luhatje. Poezia e tij kërkon mundim që të interpretohet. Është lirikë nga ato që jemi mësuar t’i quajmë moderne. Tradita e interpretimit i pat thjeshtuar gjërat. Romantizmi qe lidhur me politikën, dhe interpretimet e thjeshtëzuara alegorike qenë të modës, sidomos për letërsinë Rilindjes. Shohim se këtë herë leximi shuteriqjan, edhe pse njihet si përfaqësues i kërkimit të sociales në letërsi, por i paprekur ende nga ndikimet e realizmit socialist, ka një perceptim që anon nga kërkimi i “horizontit të pritjes”.

Vazhdojmë me disa mendime që dalin nga leximi i Pashko Gjeçit.

Shqipnia pak kishte ndryshue. Njashtu si e gjetën të tjerët para tij, njashtu e gjet edhe Migjeni.

Si shpjegohet ndryshimi i papritun i tonit?

… unë besoj se në gjinin e shoqnisë sonë u shkaktue nji përçamje. Papritmas u ndërpre procesi historik e u zgjuan befas elementet e kaosit.

Megjithëse jo efektivisht, së paku shpirtnisht, u krye nji përmbysje vlerash morale.

Nga ky kuadër i coptuem jete doli Migjeni.

Poet me nji fantazi të çrregullueme, u zhyt në kët botë kaotike[12].

Çfarë do të thotë “fantazi të çrregullueme”? A ka lidhje me çrregullimin remboian të ndjesive, që mbetet një nga postulatet e poezisë moderniste? Cilido qoftë mendimi ynë, kritiku vazhdon idenë e tij, kur shkruan: Në pendën e tij bota heroike e Fishtës shndrrohet në nji botë të degjenerueme… Tringa (Lahuta e Malcisë) është shndërruar në malësoren që shet nderin, se nuk i shitet qymyri... Ideja e nderit shkakton nji nënqeshje cinike në buzët konvulsive të Migjenit dhe shënjtëria i zgjon nji ilaritet djallëzues. Mjafton me lexue vjershën aq të bukur, megjithse krejt imorale “Kanga skandaloze”[13]. Kritiku vazhdon: Migjeni asht i pari poet pesimist. Para tij dhe mbas tij kemi vetëm poetë melankolikë[14].

Me këto përcaktime, ai ka dhënë shumë:

– Pesimisti – modernist, i këndon (me përjashtim të këngëve që nuk përfshihen në vëllimin e vitit 1936), dhimbjes kolektive;

– Melankoliku – ka bazë romantizmi, e kaluara është ngushëlluese, Migjenin nuk e ngushëllon e kaluara.

Drejtimi i parë na shtyn ta kërkojmë Migjenin te modernistët. Por vazhdojmë më tej. Që herët, edhe Qemal Draçini pat thënë: (Migjeni) ka të simbolizmit paraqitjet e gjendjeve të brendshme shpirtnore me simbole të jashtme, pasqyrimin e shpirtit n’objekte të natyrës, ka vetë “vargun e lirë” e krijimin e asonancës, tonin fonologjik të vjershës – por mungon në përgjithësi muzikaliteti i përkryem i vargut, stolisja metaforike, paraqitja trashendentale e fytyrimit[15]. Por Draçini pohon edhe se te vargu i tij shpesh mbresët, ngashërimet, ndjesit, me një fjalë bota e brendshme shpirtnore shpërthen jashtë me ashpërsin e një shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike[16]. Apo idetë përmblidhen në një frazë si aforizma[17].

Në fakt, pas kësaj shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike, përgjithësisht në segmente të shkëputura të tekstit, kapeshin interpretimet themelore që i bëheshin leximit të Migjenit, duke u realizuar pikërisht ajo që i druhej ky poet: propagandimi para artit. Ilustrime të tilla mund të gjejmë disa – deri të më të pakapshmet apo banalet – por ky interpretim, sigurisht, binte ndesh me mendimet e shprehura nga autori për këtë problem, kur te letra që i dërgonte redaksisë së revistës “Bota e re”, i shkruante[18]: Mendoj se kryesorja në gjitha artet është artistikja[19]. Sepse, pyet ai: A thua poezia qytetare sociale nuk ka të drejtë në përkryerjen artistike; apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat[20]?

Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se, shumë shpesh, te Migjeni subjekti është më i fortë sesa forma, çka, për paradoks, në këto raste, e bën më fort “bashkëkohor” sesa “modern”, përmes një “egoje të vetëdijshme”[21].

– Migjeni është “bashkëkohor” (uni volterian – te Migjeni shfaqet si “ne”) që vepron te ngjarjet. Ajo që shkruan, është racionalizëm, politikë, sociologji e përgjithshme. Këtë na e tregojnë poezitë programatike, afishuese të ideve të caktuara (Parathanja e parathanieve, Birt e shekullit të ri etj.) Temat janë të reja, të forta, por rrinë mbi formën, mjetin, edhe pas përmbytjes me diksion (idiolekt) që nuk ishte parë më parë.

– Migjeni është “modern” (uni modern) që ndikohet nga ngjarjet (si Baudelaire e Rimbaud), e transformon botën, ndaj së cilës është i ekspozuar, përmes prirjes për të pranuar vuajtjen dhe plogështinë (Poezitë Rezignata, Rima e tretun, cikli Kangët e fundit etj). Ai është i vetëdijshëm për këtë.

Kujtojmë se Ernest Koliqi qe shprehur se pikërisht me këto do të mbetej në poezinë shqipe. Edhe pse ka vend për të diskutuar gjatë prej njohësve për raportin migjenian me poetët “e zhgënjyer” (razocarani) serbë, kur shkruan për të: I stolisi poezitë e veta me reminishenca që vijnë nga kjo rrymë. Veç të tjerash, poezia e tij tash asht shprehë me nji shqipe të pasigurtë e jo të njitrajtshme, qi nxjerr në pah mungesën intime të çdo zàmi idiomatik. Ai, i vlersuem nëpërmjet nji kriteri të pastër estetik, mundet me e ruejtë nji vend në letërsinë mikpritëse shqiptare[22], por jo aq falë poezisë së tij të vrudhshme me sfond social, sa falë do modulacioneve të thjeshta qi t’kujtojnë Corazzini-n…[23]

Është e qartë se krahasimi duhet bërë me vargje e ciklit “Këngët e fundit” të Migjenit, kur kemi rënien e gjendjes së tij morale prej sëmundjes. Koliqi kishte shqetësime konkrete të historiografisë shqipe, kur sillte në vëmendje se: Migjeni u imitue nga nji varg i dendun shkrimtarësh të rinj, por nuk arriti me krijue nji shkollë pikërisht sepse u shkëput nga tradita letrare vendase[24]. Ashtu si edhe Draçini, që mbron të njëjtën ide, kur shprehet: Me Migjenin çelet e mbyllet njiheri nji anë e veçantë e poezis së mendimit shqiptar[25].

Bashkëkohësi tjetër i tij, Arshi Pipa, është i mendimit se në një vend ku poezia shoqërore nuk është gjë e re, poeti i “Vargje të lira” nuk do të dallohej shumë prej grupit të shkrimtarëve të tjerë shoqërorë, por pajtohet me idenë se: Hymja e Migjenit në letërsin shqipe shënon nji datë. Kjo hymje asht e vrullshme dhe e then traditën[26]. Sipas tij, titulli “Vargjet e lira” lidhet më pak me metrikën, sesa me karakterin e protestës, megjithatë, atë çast historik të poezisë shqipe qe gjë e rrallë për një poet që të mos shfaqej me tetërrokëshin shqiptar. Vetëm meqë kjo do të jetë karakteristikë e shumë poetëve shqiptarë pas tij, sot e dallojmë me zor këtë cilësi migjeniane.

Në shumë prej poezive do të shihnim se vargjet që duken të lira, thjesht funksionojnë ndryshe. Mund t’i quajmë të çlira. Ndërsa te poezia e mëposhtme kemi varg 12 rrokësh. Migjeni i e shkruan zanoren -ë, por nuk e lexon[27].

 

Thell(ë) n(ë) veten teme flejn(ë) kang(ë)t e pak(ë)ndueme

T(ë) cilat ende vuejtja as g(ë)zimi s’i nxori,

T(ë) cilat flejn(ë) e presin një dit(ë) ma t(ë) lumnueme

me shpërthye, m’u k(ë)ndue pa frig(ë) e pa zori.

 

Por a do t(ë) vij(ë) dita kang(ë)t me u zgjue?

Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?

Jo! jo! Se lirija filloj me lulzue

dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën

 

Si jo shqiptare, Pipa ia shikon edhe sensin e fortë të metaforës, duke i hapur kështu rrugë studimit të disa vlerave që solli poetika migjeniane.

Vlen të përmendim analizat që i janë bërë figurave gramatikore (inversionit dhe elipsës), figurave të diksionit (sinekdokës dhe krahasimit), apo figurave të tjera (thirrjes retorike dhe hiperbolës), aliteracionit dhe ritmeve origjinale. Vlen të përmendet pohimi se që me Migjenin në poezinë shqipe ka vend të qëndrueshëm vargëzimi i mbështetur në ritmin e të folurit emocional sipas stilit të gjuhës bisedore, me elemente të rrëfimit lirik dhe nëpërmjet pyetjeve ose dialogut, me shumë krahasime po ashtu të bisedës së gjallë, me përpjesëtimin më të madh të foljeve kundrejt epiteteve poetike etj.[28]; se në këtë mënyrë vargu: Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, do të shihet ashtu siç do të niste çdo bisedë, pra me tiparet e ligjërimit bisedor.

Studiuesit kanë vënë re se Migjeni arrin të krijojë ritme të ndryshme ndër poezi të ndryshme, madje edhe të ndryshojë ritmin brenda një poezie[29]. Migjeni është i pari në poezinë shqipe që përdori rimën apofonike (konsonancën) [30]: Është ndër të parët që përdori pauzën[31]. Ose e gjallëroi atë. Përsëritja është një element artistik i përdorur me shumë efekt[32]. E po ashtu, një mjet artistik i përdorur me mjeshtëri prej tij që, padyshim, dëshmon edhe shkollën e Mjedjes, është bartja[33].

Në rastin e Migjenit duhet kërkuar një keqkuptim në një përcaktim që i është vënë disa krijimeve të tij. Në fillesat e realizmit socialist, ku kërkohej prej tij vetëm ana sociale, atyre krijimeve u është vënë emri “skica”[34], duke hequr paralele me artin e pikturës dhe skulpturës. Pikërisht kjo paralele e nxjerr gabimin në pah: në ato arte skica shihet si një trajtë që shkrihet në një kompozim më të madh. Këto krijime të Migjenit nuk e kanë bërë kurrë këtë shërbim. Arshi Pipa i quajti ato krijime poema në prozë, duke na treguar interesimin migjenian ndaj formës. Të njëjtën qasje në emërtim kishte pasur edhe Dhimitër Shuteriqi në punimin e tij.

Pra, me këto rilexime, dalim në idenë se Migjeni, gati përdhunshëm, bazuar sidomos te poetikat e simbolizmit francez dhe ekspresionizmit gjerman, e çliron poezinë nga format tradicionale. Një ndjeshmëri e veçantë ndaj realitetit, kërkon poetikën e vet, me një model ambicioz në poezinë e re europiane. Migjeni shquhet për një sensibilitet muzikor të fjalës në një artikulim bisedor, duke futur në poezinë shqipe konsonancën, në emër të hapjes së formës.

Kalimi nga Poradeci te bota poetike e Migjenit do të na e qartësonte më shumë idenë se çfarë bëri ky i fundit. Vargjet e tij mund të lexohen edhe si shënime:

 

Jeta i kaloi si një gotë shampanjë.

 

Jetën e çoi nër shtretën mbi gji të grave,

Të cilat e deshtën fort e ma fort për pare

 

Kështu ndodh që të forcojmë një anë tjetër të shikimit të poetikës migjeniane, e cila tregon hapat e kësaj krijimtarie në tipologjinë e modernizmit, ku gjejmë vlerat reale të këtij poeti në letërsinë tonë të re:

– Vështirësitë shtrihen në ritmin dhe formën e komunikimit.

– Migjeni nuk bën kompromise të çfarëdo lloji qofshin me të bukurën.

– Vargu i tij është shpesh antipoetik, faktik, vizual, ndonjëherë edhe i rëndomtë me një prirje drejt ligjërimit të rrjedhës së prozës, por jo prozë. Forma është e drejtpërdrejtë, ajo nuk i bën lëshime “muzikës poetike”.

 

 

  1. Përfundime

 

Pranohet se vërtet Migjeni nuk tregoi ndonjë shkollë të caktuar poetike, por megjithatë futi i pari shumë veçori që e përcaktojnë edhe sot zhvillimin letrar. Vetëm një vështrim i vëmendshëm mund të përcaktojë se ato veçori janë kryesisht migjeniane, duke u përvetësuar e tretur me kohë në ligjërimin e poetëve të tjerë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm. Nëse në periudhën e realizmit socialist, apo edhe përtej saj, Migjeni ka ndikuar shumë me atë që Qemal Draçini ia shikon si vërejtje, pra me vargun që vuan nga “formyla logjike”, ky nuk është “faji” i tij, por i një situate letraro-sociale që kishte nevojë për të.

Çfarë do të na e bënte më të qëndrueshme figurën e Migjenit: një nga “thyerësit” dhe, rrjedhimisht, një nga pohuesit e mëdhenj të traditës poetike shqipe? Megjithëse duket si një nga autorët më të studiuar të letërsisë shqipe, që të dekonstruktohet me kërkesat e kohës, Migjeni kërkon lexime të reja, që do të na jepnin vlerën reale të kësaj krijimtarie në letërsinë shqipe.

 

 

Bibliografia

 

[1]. Calinescu, Matei. 2012. Pesë ftyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë

[2]. Draçini, Qemal. 1995. Era. Muzeu historik i Shkodrës. Shkodër

[3]. Gjeçi, Pashko. 1940. Kuadër letërsie shqiptare.XVI, “Aprile”, nr.1, Romë

[4]. Historia e letërsisë shqiptare.1983. Botim i Akademisë së Shkencave e RPSH,            Instituti Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë

[5]. Koliqi, Ernest. 1999. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë

[6]. Lloshi, Xhevat. 2005. Stilistika e gjuhës shqipe. Albass. Tiranë

[7]. Jorgaqi, Nasho. 2000. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Dituria. Tiranë

[8]. Pipa, Arshi. 2006. Për Migjenin. Princi, Tiranë

[9]. Poezi italiane e shek. XIX- XX. 2005. Plejad. Tiranë

[10]. Shuteriqi, Dhimitër S, 1948. Migjeni (1933-1948), Literatura jonë, tetor 1948, nr. 8, f. 3-13

[11]. Zheji, Gjergj. 1981. Vëzhgime metrike. Rilindja. Prishtinë

[1] Shuteriqi, Dhimitër S, “Migjeni (1933-1948)”, Literatura jonë, tetor 1948, nr. 8, fq. 7

[2] Po aty. Dhe interpretimi vazhdon: Punëtorinë që në Shqipëri ësht ahere e pakë, po që numëron njerës si furxhiu Vasil Shanto, kandidat i tě parit Komitet Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, që shum shpejt do të formohej, Migjeni e fton kështu në luftë (Zgjimi): O vullnete të ndrydhuna ndér grushta të çelikta të shekujve të kaluem!/ O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!/ Të cilët n’ udhë për në the qafje këtejpari i ranë/ dhe vatrat tona në mjerim i përlanë. (Po aty)

[3] Po aty, fq. 10

[4] Po aty

[5] Kritikut i njihet merita e përmendjes së këtij zhanri. Edhe pse thuhet: deri diku

[6] Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Dituria. Tiranë 2000, fq. 342

[7] Historia e letërsisë shqiptare. Botim i Akademisë së Shkencave e RPSH, Instituti Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983, fq. 560

[8] Po aty. fq. 562

[9] Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Dituria, Tiranë 2000, fq. 342

[10] Po aty, fq. 340

[11] Po aty, fq. 342

[12] Gjeçi, Pashko. Kuadër letërsie shqiptare. XVI, “Aprile”, nr. 1, Romë 1940

[13] Po aty

[14] Po aty

[15] Draçini, Qemal. Era. Muzeu historik i Shkodrës. Shkodër 1995, fq. 141-142

[16] Po aty, fq. 142

[17] Po aty, fq. 145. (Një ilustrim i mendimit të Draçinit do të ishte ky:/ Na, të birt’ e shekullit të ri,/ me hovin tonë e të ndezun peshë,/ ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë/ dhe për fitore kem’ me ra fli.)

[18] Nëse bindemi për autenticitetin e saj

[19] Sipas Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Dituria. Tiranë 2000, fq. 351

[20] Po aty, fq. 352

[21] (Stephen Spender, Struggle of Mondern, (në Calinescu, Matei. Pesë ftyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë 2012, fq. 21).

[22] Koliqi nuk është i vetmi që diskuton për etninë e Migjenit. Është edhe Pipa. Por ky është diskutim tjetër.

[23] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë 1999, fq. 41 (Është fjala për këto vargje të poetit italian Corazzini, i cili së bashku me disa shokë të tij, ashtu si dhe Migjeni, qenë goditur nga sëmundja e pashërueshme e kohës – tuberkulozi: Oh, po unë jam, unë jam vërtet i sëmurë!/ E vdes pak nga pak, çdo ditë.Poezi italiane e shek. XIX- XX. Plejad. Tiranë 2005, fq. 209)

[24] Po aty, fq. 41

[25] Draçini, Qemal. Era. Muzeu historik i Shkodrës. Shkodër 1995, Po aty, fq. 142

[26] Pipa, Arshi. Për Migjenin. Princi, Tiranë 2006, fq. 49

[27] Shuteriqi, Dhimitër S, “Migjeni (1933-1948)”, Literatura jonë, tetor 1948, nr. 8, fq. 12

[28] Lloshi, Xhevat. Stilistika e gjuhës shqipe. Albass. Tiranë 2005, fq. 272

[29] Te “Baladë qytetse”, e përshkruan gruan: …një hije gruaje,/ një kens këso bote, një fantom uje… Por kur vjen puna për të folur për vallen e gruas së mjerë nëpër rrugët e qytetit, në mënyrë që sarkazma të dalë më e dukshme dhe therrëse, menjëherë e ndryshon ritmin, ndërton vargje me aliteracione, me rima të pasura etj…vallzonte valle në rrugë të madhe./ Dy hapa para, dy hapa prapa/ me këmbë të zbathun,/ me zemër të plasun… (Zheji, Gjergj. Vëzhgime metrike. Rilindja. Prishtinë 1981, fq. 192)

[30] Po aty, fq. 204… therin qiellin kryeqat dhe minaret e ngurta, profetent dhe shejtent në fushqeta të shumëngjyrta…

[31] Po aty, fq. 199

[32] Po aty, fq. 193. Na bëhet se nuk gabojmë, shkruan studiuesi Zheji, kur themi se zbulohet diçka e sensibilitetit muzikor të Migjenit dhe, në të njëjtën kohë, diçka që e lidh atë me vargëzimin dhe intrumentalizmin popullor… Për shembull: Kangë Perndimi, kangë njeri të dehun nga besimi në vete…/ Kangë e tij nji fe tjetër…

[33] Po aty. fq. 197. …me fytyrë të zbehtë dhe me syt/ të zez si jeta e saj..

[34] Përcaktim që shfaqet së pari  në botimin e vitit 1954, të përgatitur nga Gjovalin Luka.

 

Lini një koment