Autori si figurë ideore dhe shkrimtari si strukturë formale
Gazmend Krasniqi
Në studimin e letërsisë bëhet një dallim thelbësor midis autorit dhe shkrimtarit.
Autori, në kuptimin ideor, nuk është thjesht individi fizik që shkruan një tekst; ai është një ndërgjegje krijuese, bartës i një botëkuptimi, i një përvoje historike, i një sistemi vlerash dhe i një vizioni estetik. Ai përfaqëson shtresën filozofike dhe morale që qëndron pas veprës. Në këtë kuptim, edhe kur nuk flet hapur, ai është i pranishëm në tekst përmes mënyrës si i trajton personazhet apo ngjarjet. Pra, “autori ideor” është ndërgjegjja filozofike dhe morale që i jep kuptim veprës.
Lexuesi ta gjejë vetë se kush mund të përfshihet këtu nga ata që botojnë letërsi shqipe.
Në dallim nga ky dimension, shkrimtari shihet si strukturë formale, si ndërtues teknik i veprës. Këtu fokusi zhvendoset nga ajo që thuhet, tek mënyra se si thuhet. Shkrimtari është arkitekti i tekstit: ai organizon rrëfimin, zgjedh këndvështrimin narrativ, strukturon kohën dhe hapësirën, ndërton ritmin, përdor figuracionin dhe stilin. Një rrëfim mund të jetë linear apo jo-linear; mund të ndërtohet në vetën e parë apo të tretë; mund të mbështetet në një narrator të gjithdijshëm apo në një perspektivë të kufizuar. Të gjitha këto janë zgjedhje formale që i japin trup dhe jetë idesë. Në këtë kuptim, shkrimtari është mjeshtër i teknikës, ai që e shndërron mendimin në strukturë artistike.
Lexuesi ta gjejë vetë se kush përfshihet këtu nga ata që botojnë letërsi shqipe.
Kur autori zotëron një botëkuptim, një ide filozofike apo një qëndrim moral e politik, por nuk arrin t’i strukturojë ato artistikisht, vepra rrezikon të bëhet didaktike. Personazhet shndërrohen në zëdhënës idesh; rrëfimi bëhet i drejtpërdrejtë, pa nëntekst, pa tension estetik. Teksti mund të ketë vlerë si mendim, si reflektim apo si manifest, por jo domosdoshmërisht si letërsi. Në tekstet propagandistike mesazhi ideologjik dominon mbi formën artistike, duke e kthyer veprën në slogan dhe jo në art.
Kjo çështje është trajtuar edhe në teorinë moderne. Te koncepti i “vdekjes së autorit” i Roland Barthes, theksi vihet më shumë te teksti si strukturë sesa te qëllimi i autorit. Sipas kësaj perspektive, fuqia e një vepre matet nga mënyra si ajo funksionon si sistem shenjash, si organizëm gjuhësor që jeton më vete. Nëse autori nuk ka fuqi si shkrimtar, teksti nuk arrin të funksionojë në mënyrë autonome; ai mbetet i varur nga ideja, por nuk shndërrohet në përvojë estetike.
Në thelb, ideja është potencial, ndërsa forma është aktualizim. Pa ide, forma është zbrazëti estetike; pa formë, ideja mbetet koncept abstrakt. Letërsia lind pikërisht në pikëtakimin e tyre, kur mendimi mishërohet në strukturë artistike dhe bëhet përvojë njerëzore. Prandaj mund të thuhet me bindje: një ide e madhe pa formë është mendim; me formë bëhet letërsi. Shkrimtari i vërtetë nuk është vetëm ai që ka diçka për të thënë, por ai që di ta shndërrojë mendimin në art.

Lini një koment