Gazmend Krasniqi
Një problem për objektin e historisë letrare është gjuha në të cilën shkruhet poezia, edhe pse krijuesi mund t’i përkasë kombësisë shqiptare. Meqë kjo përbërëse kryesore e veprës letrare, së bashku me derivatet, është një nga elementet themelore të identitetit të saj, në rastin tonë përjashtohen shqiptarët që kanë shkruar latinisht, apo në gjuhë të reja moderne. Pra, një vepër që nuk është shkruar në shqip, përjashtohet nga objekti i historisë së letërsisë shqipe.
Atëherë, meqë në dallimin midis gjuhës dhe autorësisë fiton e para, një problem tjetër për objektin e historisë letrare paraqesin përkthimet. Ndikimi i tyre në formimin artistik të krijuesve nuk është aspak më i vogël se ndikimi i veprave të autorëve vendas. Një poezi e përkthyer në shqip, sidomos kur ka ardhur me një organizim të theksuar gjuhësor, bën jetën e vet brenda kulturës kombëtare: e pasuron atë me mjete shprehëse e të efektshme.
Është e njohur se shumë letërsi kanë nisur me përkthime, dhe kjo e jona nuk bën përjashtim. Në ardhjet e para poetike shqipe kemi shumë përkthime – pjesët nga Kënga e Këngëve te Buzuku, vargjet nga Matrënga etj. Për të mos folur, në kohët e vona për përkthimet e Mjedës, Nolit, Poradecit e me radhë. Edhe në kulturat e mëdha thuhet shpesh se çdo valë e re poetike stimulohet nga përkthimet.[1]
Në raport me poezinë e kulturave dhe gjuhëve të mëdha, poezia shqipe është marrëse, sepse ajo nuk ka arritur t’i japë botës ndonjë emër të madh të poezisë, me gjithë vlerat e krijuara në qarkun e vet gjuhësor. Poezia shqipe, përveç kontaktit me artin oral, është zhvilluar nga kontaktet që ka pasur me poezinë e gjuhëve të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit. Që herët, nga poetët e teoricienët u pa e nevojshme që disiplinat retorike e stilistike të përpunuara në kulturat e mëdha të natyralizoheshin edhe në kulturën tonë letrare. Që në veprën e njohur Vargenimi n’gjuhë shqype (1906) Luigj Gurakuqi shkruan:
Deri n’këto kohët e mrame vjershat t’ona kan kjenë, po thue, vetëm popullore, por sot kan nisë m’u hollue e m’u bujarësie, kan nisë e me zhvillue sende m a’larta e t’pëlqyeshme, e me i diftue me ide ma t’gjalla e t’gjalla e t’pikësueme e n’nji gjuhë ma t’ambël, ma t’kandshme, ma t’qirueme. Për me ba qi vjersha shqipe t’përparojë për ditë e ma tepër e t’i përgjigjet, jo vetëm me mënime e me ide, por edhe me trajtë t’përjashtme, kërkimeve e nevojave t’mjeshtëris, u vuna e shkrova disa vremje e rregulla përmi masë e t’përmbledhun t’vargjeve, qi janë, si me thanë, vesha e stolija e vjershës, t’cilat po ia u ve sot përpara shkrimtarëve t’ynë.[2]
Këtë shqetësim, pra raportin e përvojave të huaja me poezinë shqipe, e ka edhe Hilë Mosi kur shkruan: Me qitë vjersha ashtu si i qet populli – e si mjerisht për disa vjet edhe un’ – nuk asht nji send i vshtirshëm e kët mundet me e ba secili njeri qi e ka prej natyrës çmimin për me vjershëtue: por, me u ba, qi ato me dalë edhe ma të bukura e të dejshme me u quejt vjersha, po qes ktu disa shënime të cilat shpresoj se shqyptarëve e sidomos vjershtarve të rij kan’ me u vjeft”.[3]
Vetëdija se këto përvoja duhet t’u nënshtrohen cilësive të gjuhës shqipe, del te Asdreni, kur shkruan: Dihet se sot poezia ka marrë tjetër udhë, se fatalisht nuk mundet me qëndrue në formë rigide të klasicizmit, i cili kishte për poezinë një kallëp, sot poezia mori një sulm dhe i këputi vargonjtë që e mbanin të shtrënguar në një formë por megjithëkëtë prapëseprapë rregulli i poetikës lypset mbajtur medoemos, simbas prosodies së çdo gjuhe, që t’i përshtatet sa më mirë edhe traditës së saj”.[4]
Për të diskutuar për mënyrën se si ushqehet një kulturë nga përkthimi, mund të na shërbejnë disa përcaktime të njohura të formave të përkthimit.[5]
- Përcaktim:
Përkthimi fonetik – përpiqet të rikrijojë tingujt e gjuhës së burimit në gjuhën që përkthehet. Në të njëjtën kohë, përkthyesi përpiqet të transferojë edhe kuptimin. Në përgjithësi, rezultati tingëllon jo optimal dhe nganjëherë mund të humbasë disa pjesë të kuptimit të origjinalit.
Diskutim:
Ky përkthim zgjon vëmendjen për probleme reale të krijimit të poezisë, duke i mëshuar idesë së rëndësisë së organizimit tingëllor në poezi, për të arritur vlera të qëndrueshme nga pikëpamja fonike. Një poezi të tillë e kanë krijuar me sukses Jul Variboba, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Ali Asllani, Noli, Poradeci etj. Krijimet e tyre e tejkalojnë ndikimin e pikëpamjes fonike nga folklori, duke na ngjallur diskutime për raportin me poezitë e lexuara apo përkthyera nga gjuhët që njihnin.
- Përcaktim:
Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm) – nuk ka aftësinë të transferojë kuptimin e origjinalit. Fraza dhe struktura e fjalisë priren të humbasin në gjuhën që përkthehet.
Diskutim:
Në këtë mënyrë përkthimi do ta pranonim vetëm ndonjë ndikim të cekët, për sa i përket njohjes së poezisë së një vendi tjetër, më tepër nga pikëpamja e përmbajtjes dhe tematikës. Prej kësaj forme përkthimi mund të mësojnë vetëm ata që mund të shikojnë përtej asaj që duket: poetët me njohje të thellë të retorikës e stilistikës së përgjithshme.
- Përcaktim:
Përkthimi metrik – i mëshon riprodhimit të metrit të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Ngaqë çdo gjuhë ka theksa dhe shqiptim të veçantë, kjo metodë do të rezultojë në një përkthim të përafërt në pikëpamje të kuptimit dhe strukturës.
Diskutim:
Do ta pranonim si një kontribut nga pikëpamja ushtrimore, e pasurimit ose e stabilizimit të formave të caktuara poetike. Sidomos kur kjo punë bie në dorë të mjeshtërve. Bien në sy shqipërimet e Fan Nolit, por edhe të të tjerëve – si Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci. Nga kjo formë përkthimi poezia shqipe ka konsoliduar larminë e madhe të vargjeve apo modeleve të pashlyeshme të tyre, si atë rubaian të Nolit,[6] njëmbëdhjetërrokëshin e zgjidhur të futur nga Xanoni dhe të kultivuar nga Thaçi e Fishta. Duhet të kujtojmë se ky lloj përkthimi kërkon shumë punë e talent. Për këtë natyrë pune me vargun, në një shkrim që i drejtohet shkrimtarëve të rinj, Lazër Shantoja citon fjalët e francezit Theophile Gautier se duhet ushtruar me pesëdhjetë mijë vargje përpara se të botohet një.[7] Rexhep Ismajli pranon për Nolin se: Përkthimet e tij më të mira në të vërtetë janë rikrijime, e pikërisht për këtë shkak edhe më të suksesshmet në kulturën tonë, por vazhdon se: Pohimi i Qosjes: “Të gjithë shkrimtarët që i ka përkthyer i janë përkulur vullnetit të tij të çelniktë dhe kanë folur shqip gati poashtu bukur, siç kanë folur edhe në gjuhët e tyre origjinale” ose pyetja e Shuteriqit: “Në cilën gjuhë Shekspiri foli më bukur, pas anglishtes”?, mund të jenë vetëm pasojë e entuziazmit, e pamaturisë dhe e mosnjohjes së çështjes, e kurrsesi jo e studimit të thelluar.[8]
Natyrisht, meriton të kujtojmë se çfarë mendonte vetë Noli për këtë punë. Ai i thotë një përkthyesi të ri: Merri me vete këto dy vargje dhe mendohu gjithë ditën, ngado që të vesh: në hotel, në tren, në dyshek, në rrugë, veç ki mendjen se mos të shtyp ndonjë automobil, se unë kam shpëtuar disa herë për qime.[9] Dhe shton se mësuesit e tij qenë artistët e mëdhenj që ka përkthyer. Këta artistë quheshin: Shakespeare, E.A.Poe, Omar Khajam etj. Përkthyer më thjesht, Noli thotë: duhet një punë e pafund.
Kujtojmë se nga ky përkthim dalin krijimet më jetëgjata, të cilat arrijnë të bëjnë pjesë në prodhimin letrar të shqipes.
- Përcaktim:
Përkthimi në prozë – gjithashtu ka disa dobësi. Dobësia më e theksuar është humbja e bukurisë së origjinalit.
Diskutim:
Paul Valery shprehet se sa më shumë është një krijim në përputhje me Poezinë, aq më pak mund të mendohet në prozë pa humbje. Të rimarrësh, të rishkruash në prozë një poemë, do të thotë fare thjesht të mos njohësh thelbin e një arti. Domosdoshmëria poetike është e pandarë nga forma e ndjeshme, ndërsa mendimet e shprehura a të sugjeruara nga një tekst poetik nuk janë aspak objekti unik e kryesor i diskursit – por i mjeteve që konkurrojnë përkrah tingujve, kadencave, numrit e zbukurimeve, për të mbështetur, për të arritur njëfarë tensioni apo galdimi, për të krijuar te ne një botë – ose një botë të ekzistencës – kryekreje harmonike.[10]
Përkthimet e bëra nga Faik Konica, sipas shkollës franceze, nuk kanë gjetur ndikim. Kjo mënyrë përkthimi, mbase, do të jetë një kërkesë e së ardhmes, kur të rrihen më në thellësi problemet e krijimit të poezisë, siç e tregon përvoja franceze, ose kur të gjykohen si të shterura ose të pamjaftueshme format e tjera të përkthimit.
Kjo mënyrë përkthimi tërheq vëmendjen për qëndrime të thella e serioze ndaj poezisë, por shpërbërja e strukturës ligjërimore mbetet problemi kyç.
Sidoqoftë, Vedat Kokona shprehet: A mund të ketë një përkthim adekuat nga një gjuhë tjetër? Anglezët dhe francezët, sidomos gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli, kanë hequr dorë nga përkthimi në vargje nga një gjuhë e huaj. Pas përpjekjeve që janë bërë në Francë për të përkthyer poetët e huaj në vargje të gjuhës amtare, kanë arritur në përfundimin se këto vepra të mëdha poetike duhen përkthyer në prozë poetike. Kështu Joseph Bédier përktheu në prozë “Këngën e Rolandit” (në vargje në frëngjishten e vjetër) dhe Victor Bérard “Odisenë” e Homerit. Të dyja përkthimet janë të mrekullueshme.[11]
- Përcaktim:
Përkthimi rimik – i mëshon përcjelljes së rimave të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Rezultati do të jetë përafërsia në dukje, por humbja në semantikë.
Diskutim:
Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, pasi shumë përkthime të derimësotme mund të kërkojnë variante të tjera përkthimi, duke treguar se një kohë ka një nivel dhe një pritje të caktuar për poezinë. Por në duart e mjeshtërve kjo mënyrë përkthimi mund të shënojë edhe suksese. Kur shkruan një recension për botimin e librit të Nolit Mall e brengë, Kuteli thotë: Për strofën:
Thuaj yjtë s’janë zjarr,
Thuja dielli u shua,
Thuaj jeta është varr,
Por mos thuaj që s’të dua.
Duhej kujtuar shqipërimi i gjith atij teksti i bërë në prozë, prej Konicës:
Ki dyshim se yjtë janë zjarr; ki dyshim se djelli tundet; ki dyshim se e vërteta është gënjeshtër; por kurrë mos ki dyshim se të dua.
Pa fjalë se ky i fundit është më i përpiktë se i pari, po Noli e fiton luftën me sulmin e ritmit e të rimës së vet.[12]
Si sukses shihet edhe përkthimi nolian i rubairave khajamiane. Arshi Pipa shprehet: “Rubaitë e Khajamit” kanë tashma nji vepër thuajse shqiptare nëpërmjet përkthimit magjistral të Nolit, kaq thellë kanë hy në popull, kaq bukur janë janë përshtatë me natyrën e gjuhës shqipe. “Rubaitë e Nolit” (me të drejtë mund t’i quajmë me kët emër) kan hy përgjithmonë në trupin e letërsis sonë.[13]
Një opinion tjetër për rastin e rubairave noliane thotë: Në rrugën e përkthimit të lirë, Noli udhëhiqej me sa duket nga parimi i njohur se është më mirë të kesh një zog të gjallë se një shqiponjë të ngordhur, pra, nuk ka çfarë vlen një përkthim besnik por pa shpirt e pa gjallëri poetike.[14]
Dihet se kur i lexoi albanologu Norbert Jokli rubairat noliane u shpreh se nuk dinte nëse këtyre përkthimeve ia kalonin ato të gjermanishtes e spanjishtes, që janë përkthime të dorës së parë. Nuk mund të ngremë hipoteza se sa do të qenë të famshme rubaitë e Khajamit nëse do të kishim të bënim me së pari jo me ato të Nolit, po me ato të Hafiz Ali Korçës, tashti që jemi mësuar me të kundërtën. Është e ditur se ky i fundit i përktheu rubaitë për të vënë në vend nderin e tyre të humbur nga përkthimi i Nolit, i cili nuk i kishte përkthyer nga origjinali dhe nuk u kishte ndenjur besnik koncepteve religjioze. Nga disa pikëpamje, përkthimin e rubaisë së mëposhtme, të zgjidhur me një 12-rrokësh me cezurë, mund ta quajmë të mirë:
Zere se e kreve jetën pas dëshirës, fundi çë?
Zere se i shkove në fundit së mirës, fundi çë?
Zere se e kape qindin si pas qejfit, fundi çë?
Dhe një qint të tjera ta zëmë pas hires, fundi çë?
Mirëpo 11-rrokëshi nolian, i pasuruar me disa përftesa stilistikore, shumë muzikale, na godet me një poetikë që duhet të përbëjë suksesin e këtyre përkthimeve.
Ja, sot gas paske dhe shëndet, pastaj?
Ja, mot të paçim si sivjet, pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qind vjet, pastaj?
Ja, për çudi dy qind si mbret, pastaj?
Kjo na çon në idenë se, nëse në anglisht këto rubai janë quajtur me emrin FitzOmar, në shqip do të kishim formën FanFitzKhajam.
- Përcaktim:
Përkthimi në varg të lirë – injoron rimën dhe metrin, por fizikisht fitohet një pamje e ndryshme nga origjinali, si dhe ruhet semantika.
Diskutim:
Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, të cilat, po të shikojmë me kujdes, mund t’i konstatojmë me lehtësi. Edhe në kulturat e mëdha, si për shembull në Italinë e Salvatore Quasimodo-s është folur për një të ashtuquajtur “poezi përkthimi”, sepse kjo lloj poezie më tepër të kujton përkthimin se sa parametrat e paravendosur të një poetike të njohur për një gjuhë të caktuar. Qysh me përkthimin e librit Fijet e barit të Walt Whitman-it letërsia shqipe është e përmbytur nga kjo “poezi përkthimi”, e cila pasuron me një botë idesh të reja, por shkakton dëme të mëdha nga pikëpamja e mishërimit formalo-strukturor të një poezie. Pasojat ndjehen edhe sot dhe, me sa duket, duhet kohë që të korrigjohen.
- Përcaktim:
Interpretimi – përbëhet prej dy llojesh: varianti dhe imitimi. Në gjuhën që përkthehet, varianti i një poezie do të jetë semantikisht i njëjtë me atë të origjinalit, por do të ndryshojë në dukje. Në gjuhën që përkthehet, imitimi i një poezie do të jetë një poezi ndryshe, ndërsa titulli, tema dhe pika e nisjes do të jenë të njëjta me ato të origjinalit.
Diskutim:
Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, arsyeja e të cilave është humbja e strukturës ligjërimore të origjinalit, gjë që mbetet për t’u theksuar. Njëkohësisht, ky lloj përkthimi e pasuron prodhimin letrar marrës me struktura të reja në raport me prodhimin letrar dhënës. Kur poeti amerikan Robert Lowell i quan përkthimet e veta “imitime”, gjë që e vë që në titull të librit, do që të tregojë raportin e veçantë me origjinalet.
Si përfundime:
Se cila nga këto marrëdhënie tekstore, të cilat bashkëjetojnë mes tyre, është e duhura, e domosdoshmja, më ndikuesja për letrat shqipe, do ta tregojë koha, përderisa ajo i pranon të gjitha, por ne mund të dallojmë edhe hierarkinë e tyre nëse përcaktojmë qasjen. Për ta mbyllur një diskutim si ky, do të kërkojmë ndihmë nga Ndre Mjedja, i cili u prononcua për përkthimin që Koliqi u bëri poetëve të mëdhenj të Italisë. Është fjala për pyetjen: cili përkthim është më i miri? Përballja me të mëdhenjtë, sipas tij, është si t’i ndihmosh dritës së diellit me një qiri, megjithatë shprehet: Nji përkthim fjalë për fjalë kishte m’u dukë përkthimi ma besnik, por ku asht fryma qi neper ato fjalë ka qitë poeti hartues? Ku janë nyjet e lëvizjet neper të cillat dan të gjallëtit e nji trupi e hijeshija e ti? Pa rrahë nji teje ndiesitë e përkthyesit me ato t’auktorit nuk mundet me dalë nji përkthim si kush.[15] Mjedja e shoqëron këtë deklarim me historinë e përkthyesit italian të Iliadës, Vincezo Monti, i cili e bëri punën pa gramatikë greqishteje, pra nuk e njihte gjuhën, por ky poet i madh lexoi përkthimet në gjuhë të tjera, studioi interpretimet e vërejtjet e gramatikanëve dhe arriti t’i kalonte përkthyesit e tjerë. Konceptin e Mjedës për përkthimin mund ta kuptojmë më mirë po të kemi parasysh përkthimin e poezisë së Goethe-s, Mbreti i Tules. Krahasimi i këtij përkthimi me disa të tjerë që i janë bërë kësaj poezie në gjuhën shqipe flet për vlera të padiskutueshme dhe hap diskutime serioze për për përkthimin dhe poezinë në përgjithësi.
Edhe sipas poetit amerikan Kenneth Rexroth, autor i punimit Poeti si përkthyes (1959), cilësi themelore e një përkthyesi të përsosur nuk është aftësia për të përshtatur fjalët e gjuhës së vet me ato të origjinalit, por bashkëndjeshmëria: identifikimi i “unit” të vet me personalitetin e krijuesit të përkthyer, mbartja e shprehjes së tij në shprehjen e vet.[16] Rexroth, por edhe Milosh, që e citon atë, përmendin emrat e disa poetëve që njihnin pak ose aspak gjuhën e origjinalit, megjithatë sollën përkthime shumë të suksesshme në gjuhën e vet. Emrat e tyre janë Pound, Hart Crane, disa nga më të shquarit e poezisë amerikane të shekullit XX. Pound, siç dihet, bëri disa përshtatje të paharrueshme nga poezia klasike kineze, pa e njohur gjuhën origjinale, megjithatë kjo nuk i pengon botuesit që t’ia rreshtojnë në korpusin e krijimtarisë origjinale. Antologjia 300 poezi nga epoka e Tang-ut. Përkthime të reja, vepër e dyzet shkencëtarëve e profesorëve quhet e pa arritur pikërisht ngaqë ata nuk janë poetë.[17]
Në një ndarje më të thjeshtuar, do të kishim përcaktimin se çdo përkthyes duhet ta ndjenjë veten në marrëdhënie me dy skaje.
- Skaji i parë është përkthimi i përputhur, që respekton sa të jetë e mundur më shumë karakterin e huaj të tekstit burimor, punë që mund të vejë deri në transkriptimin e pastër dhe të thjeshtë të origjinalit;
- Skaji i dytë është përkthimi dinamik që synon ta përfshijë sa më shumë tekstin e përkthyer brenda traditës së sistemit të pritjes.[18]
Në grupin e parë do të fusnim këto lloje përkthimesh:
Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm);
Përkthimi në prozë;
Përkthimi në varg të lirë;
Interpretimi.
Në grupin e dytë do të fusnim këto lloje përkthimesh:
Përkthimi fonetik;
Përkthimi metrik;
Përkthimi rimik.
Grupi i dytë i përkthimeve është ai që, përmes dinamikës gjuhësore e teknike, synon të bëjë jetën e vet në prodhimin letrar të shqipes.
Këtu përsërisim atë që kemi thënë në krye:
Pra, në formimin artistik të krijuesve ndikimi i përkthimeve nuk është aspak më i vogël se ndikimi i veprave të autorëve vendas. Gjithashtu, nga ana tjetër, në këtë mënyrë, pra me anë të përkthimeve, ndodh edhe procesi i ndërtekstorësisë së krijimeve poetike të një gjuhe me sistemin universal të poezisë.
[1] Pound, etj. Si të lexohet (ese angloamerikane), Art Club, Ulqin 1996, fq. 37
[2] Gruda, L(ekë). Vargënimi n’gjuhë shqype, Napoli 1906, fq. 15
[3] Mosi, Hilë. Zani i atdheut. Sh, B. Baim Frashëri, Tiranë 1960, fq. 288
[4] Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Naim Frashëri. Tiranë 1979, fq. 218
[5] Sipas studiuesit Andre Lafevere, në përkthimin që i është bërë në anglisht poezive të Katulit, renditen këto lloje përkthimesh.
[6] Aleksandër Xhuvani shkruan: Rubairat e Omar Khajamit janë, mbas mendjes sime, vepra më e bukur dhe ma e vlefshme e tij (Nolit), një gur i paçmueshëm i letërsisë sonë (Antologji e mendimit estetik shqiptar, fq. 193)
[7] Shantoja, Lazër. Vepra. Botime françeskane, Shkodër, 2005, fq. 426
[8] Ismajli, Rexhep. Shenjë e ide. Rilindja. Prishtinë 1974, fq. 140
[9] Kristo, Alqi. Disa ditë me Nolin. Gaz. “Drita”, 15 mars 1966
[10] Valery Paul. Varreza detare. Afërdita. Tiranë 1999, fq. 48
[11] Kokona, Vedat. Mbi përkthimin, me përkthyesin. Botimet Kokona. Tiranë 2003, fq. 15
[12] Kuteli. Shënime letrare. GrandPrind. Tiranë 2007, fq. 464
[13] Pipa, Arshi. Kritika, esse 1940-1944. Princi, Tiranë 2006, fq. 33
[14] Cituar sipas A. Karjagdiu. Jeta e Re. Prishtinë 1975, nr. 3
[15] Rev. Leka. Viti IV, shtator 1923, nr. 9, fq. 286
[16] Cit. sipas Milosh, Czeslaw. Mbi udhëtimet në kohë. Parnasus. Tiranë (pa datë). fq. 130
[17] Po aty. fq. 131
[18] Chevrel, Yves. Letërsia e krahasuar. Albin. Tiranë 2002, fq. 26

Lini një Përgjigje te Këngë dashurie e A. Prufrock | T. S. Eliot – Gazmend Krasniqi – Krijime letrare dhe mendime për letërsinë Anuloje përgjigjen