Klea Çërri
Kujdes: Ky roman nuk është një udhëzues
Romani “Si shkruhet një roman dashurie?” ndërtohet mbi një përshkallëzim të vetëdijshëm të metafiksionit. Në fillim, përdoren forma të njohura të vetëreferencës, ku narratori komenton procesin e shkrimit, ndërpret rrëfimin dhe vë në dyshim kontrollin mbi personazhet. Këtu metafiksioni funksionon si vetëdije estetike, pra teksti e pranon se është i ndërtuar dhe e bën të dukshëm artificin e vet.
Por kjo është shtresa e parë e metafiksionit, sepse po të vazhdojmë më tej, ndërhyrjet në rrëfim fillojnë të minojnë vetë realitetin e historisë. Narratori paraqitet si program, ngjarjet si simulim dhe identiteti si konstrukt i një sistemi. Në këtë pikë, metafiksioni nuk është më vetëm koment mbi shkrimin, por kthehet në një krizë ontologjike, ku nuk vihet më në diskutim “si po tregohet” historia, por “çfarë është” ajo histori.
Një element i rëndësishëm në këtë vepër është përfshirja e lexuesit, kur teksti i drejtohet drejtpërdrejt atij dhe pozicioni i jashtëm i lexuesit lëkundet, pasi leximi paraqitet si pjesë e mekanizmit narrativ, jo si akt i pavarur. Kjo krijon një shumëfishim të niveleve metafiksionale, ku shohim; autor brenda tekstit, tekst që komenton veten dhe lexuesin të përfshirë në simulim. Kufijtë mes botëve nuk zhduken, por thjesht ata shtohen dhe pastaj përmbysen.
Drejt fundit kuptojmë se ky roman ndërton një strukturë të shtresëzuar ku çdo nivel realiteti mohon tjetrin si romani brenda romanit, programi që shkruan programin, funde që shpallen dhe përgënjeshtrohen. Krijohet një lloj labirinti ontologjik, ku identiteti, autori dhe e vërteta paraqiten si të përkohshme dhe të rishkruara vazhdimisht.
Në këtë mënyrë, metafiksioni në roman nuk shërben vetëm për të treguar se kemi të bëjmë me trillim. Ai përdoret si mekanizëm çmontimi: teksti ekziston duke e vënë vazhdimisht në dyshim ekzistencën e vet, duke e kthyer rrëfimin në proces të hapur, të pasigurt dhe të programueshëm.
Një vepër postmoderne, e shkruar mjeshtërisht prej Gazmend Krasniqit, i cili ka krijuar një ‘lojë’ letrare të fuqishme!

Lini një koment