Meqë romantizmi e përcaktoi veten si modernitet qysh se u rreshtua në kampin që donte të sfidonte tradicionalen (ishte një nga të parët që debatoi me traditën e madhe klasiciste, e cila kishte sunduar aq gjatë letërsinë dhe kulturën evropiane), le të përpiqemi të japim një tipologji që ndërton poetikën e tij si drejtim letrar që prin realizmin, modernizmin dhe postmodernizmin, të cilët do ta pasojnë kur t’u vijë koha, sigurisht duke pasur si model romantizmin në përgjithësi.

Analiza do të ngrihet mbi tekstet e De Radës, Naim Frashërit dhe Serembes, si romantikë tipikë, por edhe të të tjerëve që e nisin nga frymëzimet romantike, si Mjedja, Çajupi, Fishta, Zef Skiroi etj. Analiza synon paralelen me tekste të romantizmit evropian, perëndimor dhe lindor.

Vërejmë se qasja nuk është vetëm e brendshme, pasi një pjesë e pikave të skemës janë rrugë të jashtme të studimit të letërsisë (audienca, fokusi, sfondi). Çdo vepër e romantizmit shqiptar, më një mënyrë apo në një tjetër, e gjen veten brenda kësaj skeme.

 

Audienca

  • Njerëz që po mësojnë shkrim-këndimin, që thellojnë arsimimin dhe tregojnë interes në rritje për ngjarjet politike, me rëndësi kombëtare apo thellimin e individualitetit. Këtë e tregon pritja e veprave si Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut, Lahuta e Malcis, lirikave të Çajupit apo Ndre Mjedjes.

Fokusi

  • Romantiku është i pakënaqur me shoqërinë apo me stadin historik dhe ikën në kultura të tjera, në të kaluarën, në mite apo natyrë (Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut). Ose, në rastin kur nuk ikën, bëhet introspektiv, hulumtues i ndjenjave dhe emocioneve të veta (Serembe etj.).

Sfondi

  • Një aspekt natyre e paprekur nga qytetërimi, një aspekt historie apo miti, ku mbizotërojnë ende virtytet e larta njerëzore Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut, Lahuta e Malcis, lirikave të Çajupit apo Ndre Mjedjes. Ose, në rastin e mosikjes, një pamje e introspeksionit lirikat e Serembes etj.)

Temat

  • Hulumtimi i ndjenjave dhe emocioneve që mbështesin karakterin individualist.

o   Natyra, një burim bukurie, një medium përmes të cilit shfaqet fryma e universit, ndihmon që të shprehen ndjenjat. Roli më i rëndësishëm i saj është paraqitja e gjendjeve shpirtërore të autorit apo heroit lirik, sepse aftësia për të ndjerë i zbukuron njerëzit.

o   Evidentimi, përmes nostalgjinë, i vlerave të humbura

o   Refuzimi i sistemeve abolutiste dhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare

o   Përditshmëria dhe ekzotika, në një kombinim paradoksal

Vlerat

  • Romantikët sfidojnë vlerat sociale dhe morale të kohës së tyre.
  • Kremtojnë personalitetin heroik si në plan kombëtar, ashtu edhe ndaj vendeve të shtypura, veçanërisht në përkushtimin ndaj kauzave të lirisë dhe barazisë.

            Personazhet

  • Një nga arritjet artistike të romantizmit shihet zbulimi i vlerës dhe kompleksitetit të pashtershëm të personit njerëzor. Romantikët e perceptojnë njeriun në një kontradiktë tragjike – si kurora e krijimit dhe si një lodër në duart e forcave të panjohura për të; por nganjëherë pasioneve e tij.
  • Heroi romantik mbetet i vështirë për t’u përcaktuar, aq sa e vështirëson edhe përcaktimin e vetë këtij drejtimi letrar, sepse kemi:
  • kulti i individit dhe nënshtrimi social (përballë turmës)
  • fantazia (në paraqitjen e heronjve mitologjikë apo historikë) dhe realizmi (në gërmimet e brendshme të individualizmit romantik)
  • aktualja (individi me ndërgjegjen e traumatizuar) dhe arratisja në të kaluarën (glorifikimi i heronjve të së shkuarës, të një epoke me virtyte) entuziazmi titanik (te heronjtë mitologjikë apo historikë) dhe depresioni melankolik (i individëve romantikë)

Koha 

  • Po të shohim te lirika, si një shumë përjetimesh, ndjenjash e emocionesh, nuk mund të kërkojmë përdorimin e kohës. Te Milosao, që De Rada e quajti roman lirik, koha është plot kapërcime, sidomos përmes ëndrrash, dhe në këtë mënyrë bën thyerjen e tij nga mimesisi historik.

Narratori 

  • Imazhi i heroit është shpesh i pandashëm nga elementi lirik i “Unit” të autorit, duke rezultuar ose në një mendje me të, ose i huaj. Gjithsesi autori-narrator merr një pozicion aktiv në një vepër romantike; rrëfimi tenton të jetë subjektiv, i cili gjithashtu mund të manifestohet në nivelin kompozues – në përdorimin e teknikës “histori brenda një historie”. Shembullin më të qartë të kësaj e jep Milosao, ku historia vetjake zhvillohet brenda një historie më të madhe, siç është mbrojtja e atdheut nga pushtuesi.
  • Subjektiviteti, si një cilësi e përgjithshme e tregimit romantik, nuk nënkupton arbitraritetin e autorit dhe nuk heq “sistemin e koordinatave morale”.

Stili

  • Imagjinata qëndron mbi arsyen, pasi konsiderohet si aftësia që na lejon të interpretojmë simbolet që jep natyra.
  • Shija romantike pëlqen thjeshtësinë (relative) dhe natyralitetin; këto mendohej se rridhnin më qartë dhe me bollëk nga vërshimet “spontane” të njerëzve të paarsimuar (Te De Rada, Skiroi, Çajupi, Fishta) – ose nga përgjumjet meditative të poetëve (Serembe). Ideja ishte se të pakultivuarit ishin më “natyrorë” dhe “autentikë” sesa të arsimuarit, stili i të cilëve tani konsiderohej “artificial”, insinuatë për neoklasicizmin.
  • Poetët romantikë zgjedhin si subjekte poezi popullore, ndonjëherë në dialekt (De Rada, Skiroi, Çajupi, Fishta).

Lini një koment