SI SHKRUHET NJË ROMAN DASHURIE

(fragmente)

 

Dashuritë e mëdha janë si fantazmat: pak kush i ka parë, por shumë flasin për to…

PARANOJA DHE DASHURIA

 

Tani që mbërriti në dorën time CD-ja e dytë, për të qenë i ndershëm me vete e me të tjerët, u ula të dëshmoj gjithçka që ka lidhje me të parën, duke menduar se nesër mund të jetë vonë. Meqë po ikin nga kjo botë dëshmitarë kyç apo të rëndësishëm, si rasti i të njohurit Umberto Eco, për shembull, nuk më mbetet tjetër veçse të filloj menjëherë:

 

Zoti President i Republikës së Shqipërisë,

Zoti kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar,

Zoti President i Republikës Franceze,

Zoti President i Hungarisë,

Të gjithë ju, njerëz e vende, që, me dashje apo pa dashje, jeni të përfshirë në këtë ngjarje,

Ju bëj me dije se vdekja e shkrimtarit nuk pati jehonë mediatike. Në mbrëmje, kryeministri doli papritur në një media pranë qeverisë dhe foli dy orë me temën bosht: Krimi në vend është inekzistent. Nuk e kujtoj se çfarë tha, por e kujtoj se nuk e përmendi asnjëherë emrin Analtë, prandaj nuk ndihem i qetë deri sa ta hedh këtë emër para jush. Nuk e kam të vështirë ta besoj se për shumë lexues nuk thotë gjë. Kam kërkuar me ngulm, por nuk e kam gjetur në ndonjë enciklopedi. Nuk e kam gjetur as në harta turistike, edhe pse turizmi i saj i padeklaruar (kryesorja: Mbetet vend ideal për të bërë qitje me kundërajror) ndikon prej kohësh GDP-në e vendit.

(Jeta drejtohet nga vende e forca jashtë ekranit, do të thoshte shkrimtari)

Ai emër nuk përmendet as në reformat e ndarjeve territoriale, ku gjen emrin e çdo djerrine apo ligatine. Nuk përmendet në asnjë të quajtur hartë, fizike apo politike, etnografike apo të trashëgimisë kulturore në përgjithësi. Kështu që ky libër mund të korrigjojë një padrejtësi. Për të mos thënë, një gabim të trashë.

Kryeministrit i bënë atentat fiks 27 ditë më vonë. Histori apo roman? Po, mendjet e hapura nuk i ikin diskutimit. Derisa të shpallet se u gjet varianti i shkrimtarit, ky tekst do të mbetet në qarkullim. Nuk e di se çfarë thonë teoricienët, por për mua edhe ky është romani i tij, për sa kohë ai do të lexohet si i tillë. Sidoqoftë, le ta vendosë lexuesi: ai që beson në ditën ku do ta drejtojmë gishtin nga vrasësit e vërtetë, si dhe, siç kuptohet, zbatimin e drejtësisë.

Mos ta mendojë veten të pandëshkueshëm as kryeministri. Sidomos, ai. Nuk e di pse e shoh vazhdimisht të shtrirë në një pellg gjaku. Por nuk e di nëse është gjaku i tij apo i të tjerëve. Çfarëdo rruge që të marrë, nuk del më nga ky libër. Ai ec nëpër të, derisa të gjejë numrin e faqes që i përket, vetë rendin e fjalëve. Një kryeministër personazh? Nuk është keq për një libër të kohës sonë.

(Nuk mund t’i kapësh të gjitha fjalët, por ato që të arrijnë, të lënë shenja në lëkurë, të ndryshojnë mënyrën se si sheh botën, do të thoshte shkrimtari.)

 

*

Sigurisht, po shpejtoj t’i prezantoj personazhet që i kam takuar jashtë librit, përpara se të bëheshim miq apo antagonistë brenda tij: kështu është kur libri ndahet mes historisë dhe romanit. Po shpejtoj të kujtoj se në bisedën tonë të takimit të parë shkrimtari tha diçka që përmbledh esencën e historisë dhe të romanit:

Paranojak është personi i bindur se duan t’i bëjnë keq, prandaj e interpreton çdo ngjarje në mënyrë të shtrembëruar. (A nuk është ky një definicion klinik, që merr funksionin e një diagnoze narrative? Shën. i shkrimtarit) Si shkrimtar, mua më intereson situata ku je personazh romani, një aktant: jeton për sa kohë hyn në tekst dhe deri në çastin që del prej tij. Karakteristikat e tij janë siç po i shfaq ti tani: pozicion mbrojtës, armiqësor dhe agresiv, si dhe besim se ka gjithmonë të drejtë dhe paaftësi me pasë besim te të tjerët. Më intereson frika jote se është dikush që po ta modelon jetën me komplote të padukshme…

(Narratori e pranon mekanizmin e paranojës, por jo për ta kuruar, përkundrazi për ta zbërthyer si formë e rrëfimit, si lëndë letrare. Në këtë kuptim, ai është paranojaku i avancuar, që nuk e kundërshton çrregullimin, por e sublimon, edhe pse pavetëdijshëm, në formë arti. Shën. i shkrimtarit)

Besoj se, nga pikëpamja profesionale, mjeku do të përdorë një gjuhë që kërkon t’i zbusë plagët. Siç po ma shpjegon ti, letërsia ma hoqi këtë iluzion.

Na e kanë bërë keq dikur në shkollë.

Po më largon nga letërsia?

Po të largoj nga iluzioni i gabuar. Edhe pse mund t’i heq vetes nga dora një roman nga i cili mund të varet jeta ime si shkrimtar.

Fati yt është në dorën time? Ke të drejtë, na e kanë bërë keq dikur në shkollë.

Të siguroj: nuk do të dalësh me këtë ndjenjë triumfi nga mjeku.

Po më kujtohej ky dialog me shkrimtarin, kur mjeku po më thoshte, në mënyrën monotone të atij që i di gjërat përmendësh, si në histori, ashtu edhe në roman:

Nëse keni mendime të përsëritura, që duken se vijnë nga askund ose janë të vazhdueshme, ka të ngjarë të përjetoni një intuitë dhe jo paranojë. Për momentin, kushtojuni vëmendje zonave të gjoksit dhe stomakut.

(Ou, yll fare! Shën. i shkrimtarit)

Kur u zgjat e afroi nga vetja një bllok recetash, ia mbajta dorën.

Ilaçe?

Ilaçet moderne atipike antipsikotike për skizofreninë si risperidoni janë baza e trajtimit.

Meqë më kërkonte me sy një argument për ngurrimin tim, vazhdova pa u menduar gjatë:

Jo sot, doktor. Ditën e mirë!

(Ai i refuzon ilaçet jo nga krenaria, por sepse ato do ta shkatërronin ndjesinë e të vërtetës që ai përpiqet të mbajë gjallë? Shën. i shkrimtarit)

Kur preka dorezën e derës, nuk e ktheva më kokën pas, sikur kisha frikë se mos diçka do të më bënte të pendohesha. Në rrugë, ku po më rëndonte më shumë ana e historisë, u pendova për sjelljen time, që nuk zgjidhte gjë, por tashmë ishte vonë. Si do të thoshte shkrimtari: I desha veten edhe mjekun në roman, mirëpo nuk më vinin fjalët, kështu që përplasja këmbët hidhërueshëm nëpër asfaltin e fortë!

(Ai veprim i vogël – të mos kthyerit pas – a nuk qe një zgjedhje gjuhësore që tregonte gjithçka për paranojën: nëse kthehesh, zbulon; por nëse nuk kthehesh, mbrohesh nga e panjohura? Shën. i shkrimtarit)

 

*

(Një tekst i tillë nuk nis se ka diçka për të thënë, por se nuk di më çfarë të mos thuhet. Ndaj, fjalia e parë nuk është nisje, është rrëshqitje. Shën. i shkrimtarit)

Në bisedën tonë të dytë, mjeku shtyu pak regjistrin mbi tavolinë dhe u bë gati të më dëgjonte, por unë vetëm se zgjata dorëshkrimin që i kisha dhënë formë libri, mbi ballinën e të cilit mund të lexohej titulli Romani i Dashurisë.

Edhe është, edhe nuk është libri im, arrita të thosha, me një shprehje ngurrimi në fytyrë, sepse pas fjalëve të mia ai filloi ta humbte pamjen miqësore.

Nuk kam kohë për lexime… romanësh dashurie, tha me një nënqeshje të lehtë, por ironike. Arsye profesionale. Ja ku po më kujtohet tashti: një listë të tërë romanësh klasike i kam lexuar herët, nga mosha 12 vjeçare.

Aty brenda është numri im i telefonit, doktor, i thashë. Ju shoh dyshimtar, por unë e di se çfarë po them: është libër që vendos fatin e jetës sime dhe shërimin tim. Por tashmë që po bëheni edhe ju personazh, interesi juaj për të do të dyfishohet. Në roman mund të jeni një mjek vendimtar. Vetëm leximi do t’ju ndihmojë t’i shmangni pyetjet. Pres të më çoni fjalë kur ta lexoni. Ditën e mirë dhe mirë u takofshim!

Nuk tha gjë. Unë pata një siguri se e kisha impresionuar, megjithatë, ai se si e luajti kokën. Sikur nuk arrinte ta mendonte veten personazh kaq papritur, gjë që më kishte ndodhur edhe mua në fillim.

Jeni personazh i nderuar, i thashë. Lexuesit do të lënë kokën pas jush.

Më pa në sy.

Nëse është kështu, dakord. Po çfarë do të bëj unë aty?

Do të më shërosh mua.

Vetëm kaq? Epo mirë.

Mund të të pëlqejë ndonjë infermiere e bukur. Si Doktor Zhivagon.

(A nuk është ky shkëmbim ironik dhe i dhimbshëm njëkohësisht: dashuria nuk përjetohet më si përfshirje emocionale, por si klishe narrative, si model i gatshëm që mund të futet në histori.? Shën. i shkrimtarit)

Ou! Pse të mos pranoj?

Dialogu i fundit po zhvillohej në kokën time, sepse kisha dalë në rrugë dhe po endesha vetëm dhe po përpiqesha të zbusja plagët e mia. Ndoshta kjo donte të thoshte se mezi po e prisja një përgjigje pozitive nga mjeku.

Por ajo nuk erdhi dhe unë isha tepër krenar që t’i përulesha një gjëje që ndoshta kërkoja ta përfshija pa të drejtë në historinë time.

 

*

Çfarë kisha bërë që, i zhytur në një jetë fare të zakonshme, me një farë suksesi profesional si gazetar, të vuaja aq shumë? A mos duhej ta kërkoja të keqen te xhelozët? Apo kjo ishte pa peshë para një të vërtete para të cilës ndoshta (këtë disa nisën ta quajnë paranojë!?) duhet të dridhej bota? Nuk e di nëse qe reale apo në mendjen time, por ndjeja një sy që më ndiqte kudo. Edhe kur isha vetëm, edhe kur rruga ishte bosh, diçka më vështronte nga errësira, duke pritur momentin të më kapte.

Sigurisht, kur isha në gjendje të esëllt, mund ta kuptoja se burimi i frikës sime duhej kërkuar atje ku nisi historia e saj: A kishte mungesë incizimi në atë audio që më kishin kërkuar ta zbardhja, pasi pasonin gjithë ato retiçenca, apo ndoshta biseda me zë të ulët? A mund të flasësh me siguri për gjëra që nuk i sheh?

Ajo që mund të them unë, është se nuk jam njeriu që e quajti librin Romani i Dashurisë.  Unë jam ai që përgjigjet për historinë që përmbante audioja, e cila na çon në aeroportin londinez Heathrow – siç m’u tha – sepse janë takuar një djalë dhe një vajzë dhe ai ka disa gjëra për të thënë. Për romanin përgjigjet shkrimtari, i cili njëherë më pat thënë: Të gjithë i arratisemi realitetit të vërtetë. Asnjëri prej nesh nuk e mendon të kaluarën e vet edhe aq reale. Por fatin e vërtetë të këtij libri, prej të cilit prisja të mbusheshin burgje, unë e mendoja në dorën e lexuesit. Në dorën e atij që ka nisur të më lexojë.

Lexues, po të besoj jetën time në këto faqe! Apo do të më ngushëllosh diku në një cep rruge, që mund ta bëjmë bashkë duke folur shpengueshëm?

Pra, roman apo histori? Let’s go. Let’s go. Mandej, duket si një ritëm kënge. Dashuria është e bukur, përveçse kur është e tmerrshme (tha shkrimtari).

(Nuk është as e shkuar, as e tashme, as e ardhme. Është ajo që mbetet kur i gjithë kalendari dhe orët zhduken: një hapësirë ku fjalët rrëshqasin pa rrjedhë, dhe prapë mendojnë se janë të rëndësishme. Nuk është kronologji, është ndjesi. Shën. i shkrimtarit)

 

*

Cilat qenë personazhet e audios, para se të hynin në roman? Edhe po ta kisha pasionin balzakian, nuk do t’i përshkruaja dot nga pamja. Madje, nuk e dija as se si ishte zëri i vajzës, sepse dëgjohej vetëm zëri i tij. Nuk e dija as se kur kishte filluar biseda e tyre, që ai po i thoshte:

Kujtimet janë si gënjeshtrat e bukura që ia tregojmë vetes për t’u mbrojtur. Ato përplasen, ndryshohen, rrëmbehen nga koha dhe nga heshtjet që i rrethojnë. Në këtë rrëfim, s’e di kush flet, unë apo vetë kujtimi që ka marrë jetë…  Po, ashtu është: ka njerëz që më thonë dështak. Po, mua… Mirëpo unë jam i durueshëm: shoh larg. Unë e hedh bombën në vendin dhe kohën e duhur.

Nuk e dija as nëse ajo fliste me mimikë, apo rilidhej ndonjë bisedë e kaluar, që ai i thoshte:

Keni shumë të drejtë që pyesni se ku po shkoj. Mësojeni: jam njeri me mision.

Dhe se, pas një pauze të shkurtër, që ndoshta kishte parë diçka, ai vazhdonte:

Data 13, ora 13:00, viti 2013… Nuk jeni kureshtare për këtë koincidencë?… Në këtë histori, edhe kujtesa, është personazh…

Data 13, ora 13:00, viti 2013…? Ndërkohë që vija kujtesën në provë, ai vazhdonte:

Erdha në Londër që të takoja hartuesit e Occult Encyclopedia: një ëndërr profetike më tha se nuk mund ta lija të humbiste historinë e një vendi që pasuron historinë e apokalipseve dhe shenjtërimeve, sepse megjithëse Analta (pjesë e Shkodrës mbi 2000-vjeçare) nuk ka harruar të shohë nga Roma e përjetshme dhe e pathyeshme (siç e tregon shprehja: Hë more, se nuk u shemb Roma!), nuk e ka gëzuar ndonjëherë vëmendjen e të pushtetshmëve. As kur analtasit nuk deshën t’ia dinin për fjalët e Jeronimit te manastiri në Betlehem: Tashmë, drita e lavdishme e botës është zbehur e ndotur!; apo për doktrinën agustiniane se qyteti i njerëzve, ka një qytet-amë (me të uriturit – të ngopur, me ata që qajnë – të ngushëlluar), të cilin mund ta fitojnë vetëm ata që u ngjajnë fëmijëve, që e pranojnë me çiltërsi dhe pa u menduar atë që u jepet – por i thirrën mendjes dhe kërkuan ta kishin një shenjt nga radhët e veta, si për të vënë më në fund drejtësinë në vend. Një e drejtë legjitime për të gjitha bashkësitë e njerëzve që vënë besimin e vet në provë.

(Rrëfimi është si një rrjetë që përpiqet të kapë diçka të paarritshme – kujtesën, ëndrrën, kohën. Ajo është e ndërprerë, e copëtuar, dhe e njëkohshme në disa nivele që nuk flasin mes tyre, por bashkë krijojnë një univers të ri. Shën. i shkrimtarit)

 

*

Çdo gjë më dukej kundër. Kur e pyeta shkrimtarin, nëse vërtet shihte këtu një situatë dashurie, më tha: Pse jo!? Kur i kërkova gjykim porositësit (porositëses), mora përgjigjen e thatë: Shkëlqyer!  Dhe, për hir të së vërtetës: Nuk mungon asgjë që ka rëndësi për ne.

Fjalët e tyre qenë etiketa e tekstit të mëposhtëm, që unë sapo e kisha zbardhur:

Nuk jam ende i sigurt nëse po flas për të kujtuar, apo për të mbrojtur veten nga ajo që kujtoj… Nuk jam prift… As nga ndjekësit e Jehovajt… Me historinë e Analtës shpresoja të gjeja tim atë, Milo Temesvarin, që pat studiuar te jezuitët e Shkodrës, por kur u largua nga vendi, e mbuloi misteri, saqë edhe unë jam rreshtuar shpesh me ata që nuk e pranonin se ka ekzistuar, edhe pse Umberto Eco, njohësi i tij më i mirë, thoshte që vendoste CIA se kur duhej të jepte shenja se qe i gjallë.

Edhe nëna më fliste ashtu siç flasin njerëzit për takimet me alienët. Ai nuk ia kishte thënë kurrë emrin e vërtetë, por ajo iu bashkua menjëherë idesë sime se qe parë në Analtë, vendi ku nuk e dija se si kisha përfunduar një herë rastësisht (siç mendoja asokohe). Si te shumica e historive të botës (që nga Iliada), në këtë mes pat qenë një femër, për të cilën (në fakt) deri atë ditë nuk dija asgjë, edhe pse e kishim parë njëri-tjetrin nga larg, por pa ndonjë interes të veçantë: ajo më kërkoi ta shoqëroja për në fshat. Ngaqë Analta ngrihet rreth pesëqind metër mbi fushën ku kalonte rruga kombëtare – një ditë do ta gjejmë se kush e bëri këtë shmangie – e kujtoj se mund të kemi qenë më pak se në gjysmën e rrugës kur më tha me ton urdhërues që t’i rrija larg, ndërsa vetë u ul mbi një gur dhe i dha kokës prapa.

E mbaj mend, si ta kem para syve: hemorragjinë e hundëve e pati nga dielli i fortë, kurse vetëm njëqind metra më lart mjegulla u bë aq e dendur, sa nuk arrija të kuptoja pse ngulmonte për të vazhduar rrugën. Po aq mirë mbaj mend se rrugës takuam vetëm gra (ndoshta duhet thënë se dëgjuam vetëm zëra grash), dhe se kur pyeta pa të keq se ku qenë burrat, mora një përgjigje me ton kaq të prerë, sa nuk guxova të pyesja më, veçse përsëritja me mend fjalët që kishte renditur: Qysh se ia behu mjegulla në këto anë, filluam të vëmë rregull.

(A nuk është ky një përshkrim i mrekullueshëm në mënyrën se si mbështjell figurën e dashurisë me atmosferë rituale, disi post-apokaliptike, ku gratë janë të veçuara, mistike, të largëta? A nuk është mjegulla një metaforë e mungesës së qartësisë emocionale, e frikës nga femërorja, dhe më gjerë: nga çfarë nuk kontrollohet dot? A nuk është dashuria një vend ku logjika bie, ku kontrolli është i pamundur, prandaj për personazhin, ajo është më shumë një kërcënim ekzistencial sesa një ngushëllim? Shën. i shkrimtarit)

Për një njeri që e njihte historinë e atij vendi, fraza e mësipërme donte të thoshte: Qysh se ia behu mjegulla në këto anë, filluam të ndajmë burrat veç e gratë veç. Nuk qe kjo ndarja e parë, sepse gjithçka filloi nga gjëra më të thjeshta: së pari u ndanë dhitë nga delet, pulat nga gjelat, kuajt e bardhë nga kuajt e kuq, numrat tek nga numrat çift, zjarret e mëdha nga zjarret e vogla, fiqtë nga kumbullat, ftonjtë nga shegët e egra.

(A nuk është kjo sistematikë e ndarjes shprehje e dëshirës për rend absolut, për pastrim simbolik, për diferencim të çdo gjëje? Shën. i shkrimtarit)

Edhe pse nuk kishte asgjë të shkruar, dëshmitarët e paktë, me të drejtë, e lidhnin gjithçka me ditët kur aty, si në shumë qytetërime, u fol për Fundin e Botës. Siç aludojnë shumë filma të Hollyvood-it, kur i ke orët e numëruara, mund të bësh gjithçka. Por nuk duhet ta kërkojmë këtë ndikim në Analtë: atje nuk ka shkuar energjia elektrike as kur u tha se qe kryer elektrifikimi i plotë i vendit.

(Në çdo faqe ka boshllëqe të qëllimshme, vende ku heshtja duhet të marrë frymë, të shpërndajë aromën e fshehtësisë. Nuk është mungesë e guximit për të folur, por një guxim më i madh: për të mos mbushur çdo qoshe me zë. Ndaj, lexues, vëmë re atë që nuk është shkruar. Shën. i shkrimtarit)

 

Lini një koment