Ndërthurja e modernizmit dhe postmodernizmit

një lexim teorik

 

 

NJË SPROVË, e nxitur nga një bisedë me miken time, Albana Ndoja Deda, profesoreshën e lëndës së stilistikës në universitetin e Tiranës, për të tërhequr studentët, amatorët dhe dashamirësit e letërsisë në diskutimet e analizave dhe interpretimeve.

 

Leximi i parë

 

Heshtim kur gjërat e pasqyruara në xhamat

E kohës, ku kalojmë ditë rakitike, rreken t’na bindin

Se përputhen me veten e tyre të dikurshme

(Për shembull, silueta dhe tiku nervor).

Nuk mund ta dinë sendet e vogla në ndodhi diçka    

Netëve, kur flinim: nëse diku në një eksperiment

Na ngatërruan me të tjerë në univers. Ose:

Që është e njëjta, ngatërruan botën tonë.

As nuk mund ta ngushëllojnë veten me idenë

Se kjo e tanishmja është defekt teknik i universit.

Gjithçka që mund të bëjmë ne për to, është të sillemi

Sikur e gjitha kjo është vetëm një mësim arti:

Kur je afër, hidhesh i eksituar; kur je larg,

Rri në cep, me zemër në dorë, dhe shkruan,

Thua se di se çfarë po bën me fatin tënd,

Një bujar kurnac, në këtë botë

Ku pemët mund të përqeshin gravitetin,

Por nuk hyjnë dot në histori si ne.

 

Në poezinë “Histori”, realiteti paraqitet si i fragmentuar dhe i ndërmjetësuar, duke krijuar një përvojë poetike që rezonon me konceptin modernist të fragmentimit te T. S. Eliot. Ashtu si te Tokë e shkretë, ku historia dhe kultura shfaqen si fragmente të shkëputura nga një kuptim i unifikuar, edhe këtu historia humbet funksionin e saj si rrëfim totalizues. Ideja se universi mund të jetë një “eksperiment” ose “defekt teknik” e zhvendos historinë nga fati metafizik drejt rastësisë ironike. Kjo qasje përputhet me mendimin e Eliotit se moderniteti karakterizohet nga humbja e një rendi simbolik të përbashkët.

Megjithatë, ndryshe nga nostalgjia moderniste për rendin e humbur, kjo krizë trajtohet me ironi postmoderniste, duke e reduktuar historinë në një “mësim arti”, pra në një konstrukt estetik dhe jo në një të vërtetë ontologjike.

 

Leximi i dytë  

 

Ruli i verës kalonte anash, por na la pa frymë.

S’ka kohë – në Kështu Pra, i pari mendim

Pushton kokën: dalin heronjtë

Nga shkurrja e natës – për lavdinë e zotave

Të vdekur tregojnë frutat e para, mushtin

Ngjyrë ndryshku në kupën e qiellit,

Dhe ushtria e drurëve i çon fjalë qytetit:

“Erdha!”. S’ka kohë – kush pi nektarin e zotave,

Qoftë edhe i vdekur, mendon: është i vërtetë

Lumi i vjeshtës, që mëshon brigjeve;

Në pasqyrat e hijeve dhe yjeve; në fjalët

E imazheve të përkohshme si ishuj

Me tinguj e drita. Derisa të fryjë

Në botë një tjetër heshtje, ku ulet

Një njeri dhe pyet: nëse dimë çdo gjë,

Pse flasim ende? Sytë e tij – dy këlyshë:

Shpikin magjepsjen.

 

Poezia “Nëse dimë çdo gjë pse flasim ende” mund të lexohet drejtpërdrejt në dritën e tezës së Jean-François Lyotard për mosbesimin ndaj metanarrativave. Pyetja qendrore e poezisë nuk synon të gjejë një të vërtetë universale, por vë në pikëpyetje vetë nevojën e diskursit në një botë ku dija nuk prodhon më kuptim. Mitet klasike (zotat, heronjtë, nektari) nuk funksionojnë si struktura shpjeguese, por si shenja të zbrazura, duke dëshmuar rënien e narrativave të mëdha që dikur garantonin kuptimin. Në këtë kontekst, gjuha nuk është më mjet për të komunikuar të vërtetën, por hapësirë për krijimin e përvojës estetike.

Fundi i poezisë, ku subjekti “shpik magjepsjen”, mishëron pikërisht këtë zhvendosje postmoderniste: nga dija drejt përjetimit, nga shpjegimi drejt ndjesisë.

 

Leximi i tretë

 

Përjetësi, mos ik, nga kjo ditë

Që është për qejfin tim,

Ku herë e mbyt kënga e gjinkallës

Atë t’betonierës, herë e kundërta.

Ne i mbytëm të dyja,

Kur kënduam duke bërë petulla

Dhe në mënyrë epike

Shtuam edhe pak djathë,

Po s’është zhurma e grindjes së heronjve

Atje përjashta – një teneqe

Brohoret pikat e rralla të shiut.

Vetëm një milingonë apatike dëshmon

Që unë isha në këtë tavolinë.

 

Përjetësi, mos ik, nga kjo ditë,

Që është në masën time,

Në dritaren e tv-së: mikrobe, tërmete,

Aksidente dhe provokime bërthamore.

Në dritaren e dhomës: re dhe zogj.

Në dritaren e vetvetes një burrë

Mbyll llogarinë e lëngjeve të humbura

Dhe ngre rrugën nga vijnë ëndrrat

Ku befas takon taksambledhësin e vjetër

Shumë shkurt

Sa ta kujtojmë

Sërish

Vetëm një çast

Si rreh në gjoks zemra e vërtetë.

 

Poezia “Në mënyrën e G.K.” ofron një shembull të asaj që Roland Barthes e koncepton si vdekja e autorit. Duke e titulluar poezinë sipas mënyrës së vet, krijuesi e ndan autorin empirik nga zëri poetik dhe e shndërron stilin në objekt ironik reflektimi. Autori nuk është më burim autoritar kuptimi, por një figurë tekstuale ndër të tjera.

Ky vetë-referencialitet e relativizon idenë e origjinalitetit dhe e paraqet poezinë si lojë me format dhe pritshmëritë. Epikja zbret në përditshmëri, përjetësia matet “në masën time” dhe kuptimi përqendrohet në çastin intim. Kështu, kuptimi nuk prodhohet nga autoriteti i autorit, por nga ndërveprimi i lexuesit me tekstin, duke përmbushur parimin barthesian se teksti është një hapësirë shumëzërash.

 

Përmbledhje

 

Letërsia bashkëkohore shpesh artikulohet në tensionin mes trashëgimisë moderniste dhe skepticizmit postmodern ndaj kuptimit, historisë dhe autorësisë. Tri poezitë e para të vëllimit “Po ti, kush je” (“Histori”, “Nëse dimë çdo gjë pse flasim ende” dhe “Në mënyrën e G.K.”) përbëjnë një triptik poetik që mund të lexohet përmes koncepteve kyçe të modernizmit dhe postmodernizmit, siç janë kriza e kuptimit (T. S. Eliot), mosbesimi ndaj metanarrativave (Jean-François Lyotard) dhe relativizimi i autorësisë (Roland Barthes). Në këtë hapësirë teorike, kjo poezi shfaq vetëdije estetike, duke reflektuar jo vetëm mbi botën dhe gjuhën, por edhe mbi vetë aktin e shkrimit. Ankthi modernist i fragmentimit dhe kërkimit të kuptimit bashkëjeton me një qasje postmoderniste që çmitizon historinë, bën çështje gjuhën dhe e shndërron autorin në konstrukt tekstual, duke e zhvendosur poezinë nga kërkimi i së vërtetës drejt përjetimit estetik të përkohshëm. Historia çmitizohet, gjuha bëhet çështje dhe autorësia relativizohet, ndërsa poezia mbetet hapësirë e përkohshme ku kuptimi nuk zbulohet, por shpiket.

Në këtë mënyrë, poezia afirmon jo një të vërtetë universale, por një vetëdije estetike që pranon fragmentimin, përkohshmërinë dhe lojën si kushte themelore të krijimit bashkëkohor.

 

Lini një koment