PERSONAZHI DHE INTERTEKSTUALITETI
(Kjo trajtesë ka objekt romane si “Një roman në dosjet e policisë”)
Personazhi i romanit postmodernist karakterizohet nga individualizmi postmodern[1]. Ky është ndryshe nga tipi, një personazh që në drejtimin realist përmblidhte në vetvete tiparet karakteristike të të gjithë atyre që pak a shumë i ngjajnë atij: një model i llojit të tyre[2]. Sidoqoftë, kjo prishje e tipizimit ka filluar herët, në modernizëm: atje heronjtë prisnin që të pranoheshin e vlerësoheshin si një i ngjashëm nga ata që e rrethojnë, por hapësirat midis qenieve janë të pafundme dhe, shpesh, mizore, si te heronjtë kafkianë. Kujtojmë se, përveçse për tipin, në realizëm flitej edhe për karakterin, një personazh që duhet të burojë nga pozicioni social ose mjedisi.
Megjithëse bazohet në një kontekst real, në rastin tonë, personazhi postmodernist ndjehet pjesë e realiteteve të largëta në kohë dhe në gjeografi. Kështu, me rënien e mburojës së karakterit, pra duke fituar një personazh pa status dhe mjedis të caktuar në roman
– lirohen fashëzat e intrigës,
– shtrëngesat formale të dialogut tradicional.
Meqë fundi i personazhit tradicional sjell vetvetiu fundin e fiksionit tradicional (subjektit klasik), teksti synon të bëhet një roman për romanin. Ose, shprehur ndryshe: Romani nuk është më shkrimi i një aventure, por aventura e një shkrimi. Siç thuhet edhe në roman: Shkrimtarët dhe artistët e ditëve të sotme nuk do të jenë më në gjendje të shpikin stile dhe botë të reja. Janë të mundshme vetëm një numër i kufizuar kombinimesh; më uniket janë menduar tashmë. Që do të thotë, teknika e shkrimit mund të bëhet e farefisshme me tipe të “ready-made”: objekte prej koleksionimesh të përditshme, skarcitete dhe hedhurina.
Nuk ka më një normë gjuhësore të përbashkët mes shkrimtarit dhe lexuesit, por një shumësi ligjërimesh, që vjen prej lojës me citimet, pa një dallim të qartë mes origjinalit dhe kopjes. Nuk ekziston më frika e ndikimit[3], por kënaqësia e ndikimit në parimin e brikolazhit dhe kolazhit: ku gjëra të pangjashme ngjiten për të krijuar një realitet të ri, i cili mund të përmbajë një koment për realitetin nga ka dalë, si edhe mund të jetë shumë gjëra të tjera.
Meqë kumtimet e një fakti përplasen me njëri-tjetrin pa ndonjë lidhje të dukshme, krijimet bëhen kryesisht një tekst, një univers që është sajuar prej citatesh të nxjerra nga shumëllojshmëria e ligjërimit. Ta quajmë pastiche, që rrjedh nga fjala italiane “pasticcio” – një pjatë makarona. Fjalë të tjera për të do të përfshinin turli apo mishmash.
Gjithçka që e vë tekstin e romanit në marrëdhënie me kategori të përgjithshme të gjuhës – tipa ligjërimi dhe mënyra shprehjeje – apo me tekste të tjera, duke siguruar kështu literaritetin, që bëhet objekt i poetikës së tij, është quajtur transtekstualitet. Gjyqi i poetit Brodski – si hipotekst – bëhet gjyqi i personazhit të romanit – si hipertekst. Ose, me anë të kolazhit të dikurshëm avangardist, ky transtekstualitet shfaq mosvazhdimësinë dhe heterogjenitetin postmodernist. Kemi një rrafshim, zhdukje të parimeve të dikurshme hierarkike të atyre teksteve. Pra, duke përdorur shumë stile, pastishi postmodernist ka një stil rrëfyes dhe estetik: teksti i fituar i është shmangur pasqyrimit realist.
Pra, çdo autoritet ka rënë. Me fraza, episode apo motive të marra prej shkrimesh të tjera, pak ose aspak të ndryshuara, me citimet e bëra me seriozitet dhe dashuri, synohet:
– të krijohet një formë me atmosferën e shkrimtarëve të shquar apo teksteve të shquara
– të shmanget intriga, për të prodhuar një efekt me më shumë kolorit
Fjalët janë përballë larmisë së gjallë të ligjërimit e dialogut njerëzor, të cilat e bëjnë një shprehje të rezonojë me gjërat e thëna e të shkruara më parë (ku përfshihen përgjigjet dhe kundërshtitë) dhe lejojnë që çdo fjalë të ketë kuptime të ndryshme në kontekste dhe situata të ndryshme, sepse ajo që ne e quajmë me emrin abstrakt “gjuhë”, në të vërtetë s’është tjetër veçse një variacion i niveleve të ndryshme të përdorimit:
– i përdorimit letrar
– i përdorimit të përditshëm
– i gjuhës së përdorur në profesione dhe shtresa sociale të ndryshme
– i gjuhës së përdorur në periudha të ndryshme historike.
Romani është ngritur mbi bindjen se postmodernizmi e merr nën mbrojtje intertekstualitetin për të thënë se, në një dialog rindërtues me të vjetrën dhe të shkuarën, ky fenomeni mundëson që letërsia të largohet prej formave tanimë të konsumuara dhe të sjellë forma të reja[4]:
– ku teksti është polivalent dhe vepra letrare krijohet si parodi përballë dhe kundrejt ndonjë modeli të ngulitur (mendimit romantik apo atij të realizmit socialist për poetin);
– ku tekstet e vjetra funksionojnë si tekste të reja, por në to hetohet zëri i veprave paraprake, sepse veprat postmoderniste janë vepra të koduara[5] dialogjike, ku vërehen gjurmë nga tekste të tjera ose kontekste[6].
Pas konceptit të “vdekjes së autorit”, apo “autorit-funksion”, që u bënë të njohura pas studimeve të R. Barthes dhe M. Foucault[7], parakuptohet se lexuesit krijojnë kuptimet e veta nga leximi. Ky intertekstualitet thërret për të vepra të një trashëgimie të përbashkët, që e bëjnë të vetëdijshëm për këtë përmasë dhe kujtesa e veçantë bashkohet me kujtesën e përbashkët si shfaqje e gjallërisë dhe e vazhdimësisë së një tradite. Ndërhyrja e citimeve, aluzioneve dhe referencave e çojnë në shtigje të reja, duke e thyer njësinë fillestare, për t’u bërë dominante heterogjenia – larmia e tipave të diskurseve. Huazimet e ligjshme apo të paligjshme duan të provokojnë: fakti që mund të thërrasim në lidhje me një vend a person një shumësi tekstesh, synon qenësinë e përhershme dhe gjallërinë e letërsisë.
Kjo metodë, apo formë e mishërimit të tekstit – shkrimi që sjell, në mënyrë të pandërgjegjshme apo jo, tekste apo burime tekstesh të tjera në tekstin e planit të parë – e quajtur sot intertekstualitet, apo hiper-tekstualitet, jep pranëvëniet, ndërfutjet dhe mbivendosjet, të cilat e krijojnë referimin me termat e dy akseve (sipas Julia Cristeva-s):
– Aksi horizontal lidh shkrimtarin me lexuesin e një teksti;
– Aksi vertikal lidh tekstin me tekstin.
Duke e parë si strukturë, njësimi i dy akseve nxjerr se çdo tekst dhe çdo lexim lejon futjen e një bote tjetër (e disa botëve të tjera), duke i dhënë hapësirës mundësi paradoksale, ku janë pranëvënë elementet më kontradiktore, për të dhënë efektin e parodisë – lojën me stile të njohura. Duke e parë si kohë, ai i jep mundësi që periudha të ndryshme të futen brenda njëra-tjetrës në të tashmen e thjeshtë. Një organizim i tillë u bën jehonë fjalëve: “…jetojmë në epokën e njëkohësisë, në epokën e mbivendosjes…” dhe leximi zbulon praninë e
– heterotopisë, koncept që e sheh hapësirën si thelbësisht heterogjene, ndërtuar nga mbivendosja apo pranëvendosja e hapësirave që u përkasin regjistrave të ndryshëm (shekulli VIII kinez bashkëjeton me shekullin XIX apo shekullin XX shqiptar);
– heterokronisë, koncept që përmban bashkekzistencën e disa regjimeve të kohës në një hapësirë të vetme (ndodh shkrirja e hapësirave evropiane me ato të Lindjes së Mesme apo të Largme[8].
Kur merr fuqi, lexuesi i nivelit të dytë (Eco) mund të kapë të fshehtën dialogjike. Kjo ironi ndërtekstuale duhet pranuar si provokim dhe ftesë për përfshirje, e cila pak nga pak mund ta shndërrojë edhe lexuesin naiv (të nivelit të parë), atë që kërkon të marrë vesh thjesht për fatin e personazheve, në një lexues që fillon të kapë aromën e teksteve të tjera paraprirëse dhe të ndjejë hipertekstin
– si një intertekstualitet ideal (Roland Barthes)
– një futnotë e “pamarkuar” (Michael Foucault)
– hiper-realitet (Gerard Genette)
– një realitet që duket më real se vetë realiteti (Jean Baudrillarde).
Raporti i hipertekstualitetit shfaqet kur teksti B (hipertekst) vendos çfarëdo lidhje ose mbështetet, në mënyra të ndryshme, në tekstin A (hipotekst)[9]. Ky është simulakrumi[10], shkatërrimi përfundimtar i kuptimit (Hutcheon, 2013: 319). Në këtë mënyrë, krejt pandërgjegjshëm, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet:
– historia bëhet fiksionale,
– fiksioni bëhet historia e vërtetë.
Në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit) një poet që rropatet për mbijetesë – lënda e planit të parë (histori apokrife, të cilat e shohin përmbajtjen e kujtimit historik duke e riinterpretuar dhe, përgjithësisht, duke e demistifikuar versionin e parë ortodoks) mëton të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues).
– Kur rrëfimi paraqet leximet e personazhit, saktëson psikologjinë, hijet, përndjekjet, dijet apo aftësitë kulturore.
– Kur rrëfimi paraqet vendet, tregon se identiteti kulturor i një vendi shfaqet më i rëndësishëm se pamja gjeografike.
– Kur rrëfimi paraqet kujtesën, tregon se shkrimi nënkupton një kujtesë tekstesh, kujtesë që dëshmon për vazhdimësinë e unit dhe rrjedhën e kohës.
Gjatë këtij procesi, me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ (gjithë ato prerje dhe fshirje), autorit postmodernist i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin[11]. Ky mjet, i përdorur herë pas here, atij i shërben për t’i thënë lexuesit: Je në një fiksion[12].
[1] Thuhet në roman: Bota është bërë shumë e vështirë për t’u kuptuar. Ajo mbisundohet nga harta të thjeshtuara nga politikanët dhe intelektualët, që do të mbërrijnë te njerëzit e thjeshtë, me qëllim që këta të përcaktojnë rolet e tyre… Rezultati përfundimtar është se çdo person arrin në një sistem vlerash të ndryshme, të papajtueshëm me të tjerët. Po ne njerëzit e kulturave postmoderne, ku koncepti i shoqërisë së organizuar fillon e zhduket, duhet të vendosim se çfarë është e vërtetë.
[2] Me një fjalë, piktori merr duart diku, këmbët, kraharorin apo shpatullat diku tjetër dhe krijon femrën e bukur, sepse nëse do të merrej një personazh që nuk ka shkuar te tipi, ky nuk do të ishte një krijim, thoshte Balzac-u. Në këtë pikë dihet se sa ka spekuluar realizmi socialist me heronjtë e vet pozitivë apo negativë.
[3] Bloom, Harold. The anxiety of influence. New York University Press, New Jork 1997
[4] Sipas M. Foucault, përmes sistemit të referencës, libri është thurje me libra të tjerë, në tekste të tjera, në fjali të tjera: ai është nyjë përbrenda rrjetit: materialin e marrë nga veprat paraprake, shkrimtari e aktualizon, e freskon, e risemantizon, e shpreh me zërin e vet.
[5] Ndër mjetet më të shpeshta poetike me anë të të cilave mund të arrihen kodime të tilla të shumëfishta janë aluzioni dhe komenti abuziv, citimi, referencat e shktrembëruara apo të shpikura ashtu për qejf, ripunimi, shndërrimi, anakronizmi i qëllimshëm, përzierja e dy a më shumë modave historike ose stilistike etj. Nëpër këto linja, estetika e postmodernizmit është përshkruar thelbësisht “cituese”, në dallim të hapur me pararojat “minimaliste”… të cilat, në rastin e arkitekturës, e kishin prishur referencën si të papastër. (Calinescu, Matei. Pesë fytyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë 2012, fq. 302)
[6] Është kthyer veta e tretë, që qe mënjanuar jo pak nga modernizmi. Rrëfimi mund të jetë herë-herë thjesht faktik, si regjistër, në shërbim të një intertekstualiteti të skajshëm.
[7] Te eseja “Vdekja e autorit” Barthes-i na kujton se tradita e ka parë autorin te personi njerëzor, duke e vënë atë në rolin më të rëndësishëm: personi i autorit ekzistonte në historitë e letërsisë, biografitë e shkrimtarëve, intervistat dhe revistat, kështu imazhi i letërsisë qe përqendruar më tepër te jeta vetjake e autorit, sesa te teksti apo vepra vetë. Barthes-i arrin në përfundimin se një autor nuk është asgjë më shumë sesa një fjali e shkruar: “shkruesi” modern lind në një kohë me tekstin. (Teori dhe kritikë moderne. Rozafa. Prishtinë 2008, fq. 171-180) Në punimin e Foucault-së, me titull: Çfarë është një autor? gjejmë pyetjen: What matter who is speaking? Kujt i intereson se kush flet? Foucault e shikon këtë fjali të marrë nga një tekst i Becket-it si shprehje e parimeve më kryesore të shkrimit bashkëkohor, apo si e quan ai ecriture. Duke analizuar këtë shprehje, Foucault-i arrin në përfundimin se: shkrimi nuk është makinë me të cilën autori shpreh emocionet apo idetë e veta, meqë shkrimi nuk kupton komunikimin nga autori te lexuesi; shkrimi, më tepër, është një qarkullim i vetë gjuhës, i pavëmendshëm ndaj ekzistencës individuale të autorit dhe lexuesit. (Teori dhe kritikë moderne. Rozafa. Prishtinë 2008, fq. 239-272)
[8] Siç shpjegon Michel Foucault-ja, është tipar thelbësor i epokës sonë të karakterizohet nga ndërveprimi dhe bashkekzistenca e njëkohshme e hapësirave dhe regjistrave kohorë të papërputhshëm me njëri-tjetrin.
[9] Transtekstualitet – Gjithçka e vë tekstin e romanit në marrëdhënie me kategori të përgjithshme të gjuhës – tipa ligjërimi dhe mënyra shprehjeje – apo me tekste të tjera, duke siguruar kështu literaritetin që bëhet objekt i poetikës së tij. Për shembull, gjyqi i poetit Brodski – si hipotekst – bëhet gjyqi i personazhit të romanit – si hipertekst. Ose, me anë të kolazhit të dikurshëm avangardist, ky transtekstualitet shfaq mosvazhdimësinë dhe heterogjenitetin postmodernist. Kemi një rrafshim, zhdukje të parimeve të dikurshme hierarkike të atyre teksteve. Pra, duke përdorur shumë stile, pastishi postmodernist ka një stil rrëfyes dhe estetik: teksti i fituar i është shmangur pasqyrimit realist.
[10] Simulakrumi – 4 fazat historike – Pasqyrimi i një realiteti bazë – maskon dhe shtrembëron një realitet bazë – shënon mungesën e një realiteti bazë – nuk mban marrëdhënie me asnjë realitet çfarëdo qoftë – është simulakrum i kulluar i vetes
[11] Para se të flitej për të si për një element të postmodernizmit, kjo qe parë si zmadhim me qëllim i rolit të autorit. Duke e parë këtë te Sterne-i, Gogoli, Zhide apo Theckerey. (Uellek, Rene; Uoren, Ostin. Teoria e letërsisë. Shtëpia botuese enciklopedike. Tiranë 1993. fq. 211-212)
[12] Arti nuk është e vërteta. Arti është i vërtetë. Përdorimi i mbiemrit do ta vinte dallimin në qendër të rëndesës: arti është në thelb i bukur dhe ka një cilësi, që është i vërtetë (domethënë nuk bie në kundërshtim me të vërtetën). Në veprën e tij “Ars Poetica” (poeti amerikan) MacLeish orvatet ta shprehë raportin e bukurisë letrare dhe rëndësisë filozofike me anë të formulës: poezia është “e barabartë me të vërtetën, por nuk përputhet me të”: poezia është po aq serioze dhe e rëndësishme sa dhe filozofia (shkenca, dija, feja), dhe ka ekuivalencën e së vërtetës, është e ngjashme me të vërtetën.

Lini një koment