HISTORI APO FIKSION

(Kjo trajtesë ka objekt romane si “Si shkruhet një roman dashurie”)

 

Te tregimi Pier Menardi – autori i Don Kishotit, edhe pse në një tekst të pandryshuar, ka sisteme të ndryshme diskursi, që përcaktohen nga bota e lexuesit ose e epokës së tij. Të njëjtat fjalë, lexuesi i Servantesit dhe ai i Menardit, sipas Borges-it, i lexojnë ndryshe: Historia, mëmë e së vërtetës; ideja të lë pa mend. Menard-i, bashkëkohës i William James-it, nuk e përcakton historinë si një kërkim të realitetit, porse si një zanafillë e tij. E vërteta historike, për të, nuk është ajo që ka ndodhur; është ajo që gjykojmë se ka ndodhur (Borges, 2002: 23).

Pra, thotë edhe Gerarde Genette, autori i vërtetë i rrëfimit nuk është vetëm ai që rrëfen, por gjithashtu, dhe ndonjëherë më tepër, ai që e dëgjon (Genette, 2017: 307).

Si ta kuptojmë shprehjen: E vërteta historike nuk është ajo që ka ndodhur; është ajo që gjykojmë se ka ndodhur? Si shkruhet një roman dashurie synon të paraqesë një histori ku Shkrimtari-personazh “vjedh” nga Gazetari-personazh tregim-historinë, sepse e konsideron atë diskurs pronësi e përbashkët e kulturës dhe e shoqërisë. Kjo do të thotë se vetë rrëfimi i historisë, rregullimi konceptual përmes gjuhës, paraqitet me elemente të fiksionit. Të shkuarën mund ta paraqesim përmes teksteve të saj dhe këtu qëndron lidhja e saj me letërsinë. Kështu, fiksioni (nga latinishtja – fingo: formoj, modeloj), një term më i vjetër se romani[1], pret ndijimin dhe perceptimin e Lexuesit, të cilit Foucault-i i thotë se, të analizosh diskurset, do të thotë të mbulosh e të zbulosh kundërthëniet, të shpërfaqësh lojën e tyre; të tregosh

– si i shpreh ato diskursi

– si i ringjall

– si u jep pamje të përkohshme.

Apo:

– historia dhe letërsia nuk ekzistojnë nga vetvetja dhe për vetveten: ne i krijojmë ato si objekte të të kuptuarit tonë

– historia është e varur nga konvencione narrative, me qëllim që të shpërfaqë atë që ka ndodhur.

Metafiksioni historiografik, term që zë fill në punën me ndikim të teoricienes kanadeze Linda Hutcheon, i cili merret me natyrën e historiografisë (që është edhe rrëfimi dhe teorizimi i historisë), do të na thoshte se:

– narrativa të tilla paraqesin në plan të parë dhe zbulojnë procesin prej të cilit është ndërtuar historia, duke marrë parasysh veçanërisht këndvështrimin me të cilin po shkruhet ajo dhe çfarë paragjykimi apo anësie po fut;

– një histori e tillë trilluese mund të theksojë afinitetin e historisë me trillimin, me mënyrat e karakterizimit dhe thurjes, një angazhim ndaj simboleve të caktuara dhe gjesteve retorike. Në këtë mënyrë dekonstruktohet ligjërimi historik dhe rrjedhimisht mund të vihet në dyshim rrënjësisht natyra e “së vërtetës” në dokumentin historik.

Problematikë që ajo e ndan në këto elemente:

– të formës narrative

– të intertekstualitetit

– të strategjisë së paraqitjes

– të rolit të gjuhës

– të raportit ndërmjet fakteve historike dhe të ngjarjeve empirike dhe në përgjithësi pasojat epistomologjike dhe ontologjike që pati paraqitja e asaj që në letërsi dhe histori një kohë qe marrë si diçka e gatshme, vetvetiu e kuptueshme[2].

Për të parë se ku dallohen një botë moderniste nga një botë potmoderniste, i drejtohemi  njërit nga kritikët më të mirë të postmodernizmit, Brian McHail[3]:

– Nëse Dominantja moderniste, që ishte epistomologjike (teoria e njohjes), ngrinte pyetjet: Si mund ta interpretoj këtë botë ku bëj pjesë? Çfarë jam unë në të? Çfarë njihet? Kush e zotëron këtë njohje? Si njohim dhe cili është niveli i sigurisë? Si transmetohet njohja dhe cili është niveli i seriozitetit të sigurisë? Si mund të ndryshojë niveli i njohjes nga një njohës te tjetri? (Si element teknik dominant modernizmi kishte monologun e brendshëm.);

– Dominantja postmoderniste, që është ontologjike[4] (shkenca e qenies), ngre pyetjet: Çfarë është bota? Çfarë bëj në të? Çfarë lloj botësh gjenden, si ndërtohen dhe si ndryshojnë? Çfarë ndodh kur lloje të ndryshme botësh vendosen në konfrontim mes tyre? Cila është mënyra e ekzistencës së një teksti dhe cila është mënyra e ekzistencës së një bote që ndërtohet? Si është strukturuar një botë e projektuar? (Si element teknik dominant, proza postmoderne, me peshën e strukturave polifonike dhe konturimit në rrugë të ndryshme të dialogut, ka dimensionin ontologjik të konfrontimit midis diskurseve)[5].

Në këtë mënyrë, romanet postmoderniste na japin mundësinë për të ndërtuar tekstet ku shtrihen botët tona fiksionale, por nëse vetëfshirja moderniste (Flaubert-i tha se donte të ishte si Zoti në gjithësi) është një formë e vetëreklamës, për paradoks, kjo vetëreklamë është një formë e vetëfshirjes, ndërsa sa më shumë që fshihen, autorët postmodernistë aq më shumë e reklamojnë veten, pasi ata, gjithmonë sipas Brian McHail-it, e kanë kthyer autorin në sipërfaqe. Megjithëse të vetëdijshme se autori ka vdekur, tekstet postmoderniste duan të këmbëngulin për praninë e tij (megjithëse jo me shumë konsekuencë), si mjeti tjetër për të eksploruar dhe shfrytëzuar ontologjinë, duke funksionuar në dy nivele teorike të strukturës ontologjike:

– si makinë e faktit autobiografik brenda botës së projektuar

– si Bërës (orkestrues) i asaj bote, duke zënë dukshëm një nivel sipëror ontologjik mbi të.

Gjithsesi, përballë tekstit, autori postmodernist gjithnjë e më shumë del në periferi të gjërave: vetëm se përpiqet të shpjegojë pse e si ka shkruar dhe nuk duhen pritur interpretime prej tij. Ai nuk mund të thotë se si ta lexojnë, por mund të përmendë problemet që i ka shtruar vetes për të arritur një efekt artistik, si për shembull:

– Në vend të kontinuitetit modernist te tekstit letrar, paraqitet diskontinuiteti postmodernist, që dëshmohet nëpërmjet paragrafeve, shpesh të shkurtra dhe të palidhura, apo hapësirave të zbrazëta.

– Fundet moderniste karakterizohen me “fund të hapur”, fundet postmoderniste karakterizohen me më shumë mbyllje parodizuese, shumicën prej të cilave vetë lexuesi do ta interpretojë sipas dëshirës apo formimit të tij.

 

[1] Romani shfaqet në gjuhën popullore, të ndarë tashmë nga latinishtja si gjuhë e kulturës.

[2] Shih Hutcheon, Linda. Poetika e postmodernizmit. Om. Prishtinë 2013, fq. 11

[3] Mchail, Brian. Postmodernist fiction. Methuen, Inc. London 1987

[4] Ontologjia është parë si “përshkrimi teorik i një universi”. Shih edhe Calinescu, Matei. Pesë fytyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë 2012, fq. 323

[5] Brian McHail-i është i idesë se dy dominantet janë të rikthyeshme. Është e lehtë të tërhiqesh nga njëra te tjetra, ose të luhatesh midis tyre. Romanin Absalom, Absalom! të William Faulkner-it e sheh në pjesën më të madhe si modernist, por me elemente intriguese postmoderniste. (Shih edhe edhe Calinescu, Matei. Pesë fytyrat e moderni0tetit. Dituria. Tiranë 2012, fq. 324)

Lini një koment