Romani i ri Belle Époque
Së shpejti në dorën e lexuesit
Kohët e fundit flitet shumë për ndërtimin e një sistemi vlerash nga i cili duhet të burojnë kriteret e vlerësimit të letërsisë. Por çfarë ndodh kur një sistem i tillë ndërtohet? Cilat janë marrëdhëniet mes atyre që e formësojnë atë dhe atyre që përjashtohen prej tij? Dhe deri ku shkon pushteti i këtij sistemi?
Këto pyetje përbëjnë boshtin e romanit Belle Époque. Narratori dhe njëkohësisht personazhi qendror është një letrar i ri, i kthyer nga studimet në Francë, i cili mban një qëndrim të prerë kritik ndaj letërsisë shqipe. Sipas tij, problemi nuk qëndron te mungesa e talentit, por te një industri kulturore e dobët, që nuk ka stimuluar krijimtarinë e mirëfilltë dhe nuk ka ofruar hapësira të lira shprehjeje brenda një sistemi të strukturuar dhe të drejtë.
I huaj brenda sistemit letrar shqiptar dhe i paaftë për të kuptuar mekanizmat që e mbajnë atë gjallë, narratori zgjedh largimin. Kjo arratisje shndërrohet në një ndjekje të pazakontë: gjurmët e një shkrimtari dhe kritiku të panjohur, të zhdukur nga jeta publike për arsye politike. Ndjekja e çon në një udhëtim befasues në kohë, në vitin 1946, në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, në zyrat ku hartoheshin tekstet e para shkollore të regjimit të ri.
Aty, ai përballet me një sistem arsimor dhe kulturor ende në ndërtim, ku ideologjia dhe politika ushtrojnë pushtet absolut mbi fjalën e shkruar. Përmes bashkëpunëtorëve të tij, narratori zbulon — me emra të përveçëm — shkrimtarë të shquar shqiptarë të përjashtuar nga literatura zyrtare, të burgosur apo të vrarë për arsye politike. Veprat e tyre janë keqinterpretuar, deformuar ose zhdukur për t’iu përshtatur nevojave të regjimit.
Romani zbulon se një sistem i tërë kulturor është ngritur mbi censurë, manipulim dhe frikë. Çdo tekst “zyrtar” fsheh një histori të shtrembëruar, ndërsa trashëgimia letrare shfaqet e përdhosur. Belle Époque aludon edhe për përvetësimin e veprave të atyre që u zhdukën pa gjyq e pa gjurmë, duke i përmendur ata me emra të vërtetë — si një akt kujtese dhe drejtësie simbolike.
Të paktën katër nga personazhet kryesore dalin me identitetin e tyre real: Qemal Draçini, Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi dhe Skënder Luarasi, të gjithë pjesë e zyrës ku përgatiteshin tekstet shkollore të kohës. Cili ishte fati tragjik i Qemal Draçinit? Çfarë ndodhi me Mitrush Kutelin?
Sa më shumë që ecën me leximin, lexuesi bëhet pjesë e pyetjes: Kush e vrau Qemal Draçinin dhe pse? Dhe çfarë u vra me të?
Përgjigjet vijnë në romanin Belle Époque, që së shpejti mbërrin në dorën e lexuesit.

Lini një koment