ÇMIMET E LETËRSISË: disa pyetje

 

Kur përdorim mekanizmin e çmimeve, çfarë po bëjmë për letërsinë? A mund ta bëjmë atë të rëndësishme? Domethënë: a është ajo sot e parëndësishme? Domethënë: a shfrytëzohet ajo sot vetëm nga persona të parëndësishëm për të, por të rëndësishëm për t’i bërë dëme?

A ndikojnë ato dëme në kultivimin e shijeve të njerëzve? Po në kurrikulat dhe në procesin mësimor? A janë të pavarura universitetet në idetë për autorët dhe veprat apo janë në varësi të këtij procesi sporadik jashtë tyre?

Pra, a është kjo një çështje kalimtare, që kënaq ca meskinitete dhe mediokritete apo është e rëndësisë kombëtare?

***

A arrihet ajo që duam duke hequr një drejtues institucioni, që ndoshta nuk duhet të ishte aty asnjëherë, por është vetëm nga kalbja e sistemit? A e dimë nëse do të jetë më i mirë ai që vëmë, për sa kohë që ky sistem vazhdon në të njëjtën gjendje?

***

A mund të mbajmë shpresë te ngritja e një jurie të mirë? A mund të ngrihet një juri e mirë nga një sistem i paorientuar apo i kalbur, apo gjithçka varet vetëm nga masa e zullumit që bën: pak më pak apo pak më shumë?

***

Ai ia bëjmë dot diagnozën sistemit dhe t’ia kërkojmë ilaçin?

A biem dakord që ai ka ardhur në rrënim, në pikiatë, që nga ‘90 dhe nuk mund ta marrë veten nëse nuk krijon pika reference për kritere vlerash?

A kishte sistem para vitit ’90? Nëse disa thonë se ai bazohej në disa emra të qëndrueshëm, përse nuk na shërben sot?

Përderisa ai sistem nuk na ndihmon, a do të thotë që ishte fake?

***

A filloi ngritja e atij sistemi në vitin 1945, kur u hoq më shumë se gjysma e shkrimtarëve shqiptarë (Konica, Fishta, Koliqi, Poradeci, Kuteli etj.) dhe pjesa që mbeti (Naimi, Migjeni etj.) u manipulua, duke u përdorur vetëm për nevoja propagandistike? A i mjaftuan regjimit vetëm 15 vjet për ta ngritur sistemin që deshi, kohë rekord, kur mendon se kemi 35 vjet sistem shumëpartiak dhe nuk e ngremë dot?

A erdhi koha që ai sistem u shkërmoq brenda një nate, me heqjen e digës politiko – ideologjike, dhe në saje të dinamikës së brendshme të sistemit letrar vepra e çdo shkrimtari të larguar padrejtësisht, apo të keqpërdorur, shkoi në vendin e vet, por i duhet të luftojë me korruptimin gjuhësor që lënë trashëgim shoqëritë totalitare?

Pse na duhet një apokalips që ta shohim atë korruptim dhe ta ndërtojmë sistemin e vlerave, meqë ai ka dhënë shenja se ekziston, sepse bota na jep shembuj?

***

Pse e ka lëshuar terrenin e vërteta? A na duhet letërsia ne si komb, apo është vetëm për të kënaqur orekset e amatorizmave dhe meskiniteteve?

Çfarë afrojmë tjetër në BE, përveç gjuhës së veçantë, që nuk është meritë e ndonjërit prej nesh?

Malin? Detin?

Nëse është kështu, a nuk do të jemi vetëm një çiflig sezonal?

A mund të ofrojmë kulturën tonë shpirtërore, meqë nuk matemi dot me atë materiale?

A ka përgjegjësi shteti?

***

P.s. Pse kur u tregova sarkastik në një status facebook-u, kisha 5000 shikime dhe shumë reagime, megjithëse nuk kam as 2000 “friends” që flasin shqip (edhe pse nuk e di nëse 95% i kam vërtet)? Tani që po bëj pyetje serioze, pres një numër të vogël shikimesh, por dhe më të vogël reagimesh: A ka kjo një përgjigje? A jetojmë në një shoqëri që ndërton apo ku sundon e papërgjegjshmja?

Kur do të mësojmë të bëjmë pyetje?

 

Lini një koment