Arshi Pipa ka një tezë që thotë se letërsia shqipe vuan nga cilësia, sepse shkrimtarët e saj nuk prodhojnë në moshën e pjekurisë. Ky nuk është rasti që merret me diskutimin e kësaj teze, por hedhjen dritë në krijimtarinë e një poeti që ka shkruar në moshën e pjekurisë.
Duhet pranuar se shkëputja e gjatë (rreth 1975 – 1990), për arsye politike, nga poezia dhe ngritja e saj e përnjëhershme në stad të lartë, flasin për një fenomen përtej shqiptares, për një njeri të vetëdijshëm për atë që mund të bënte. Në hyrje të viteve ’90-të, Rreshpja e shfrytëzon pjekurinë artistike si një Kavafis, Yeats apo Montale. Ndryshe nga ç’kishte qenë përgjithësisht moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. Në vitin 1992, thotë për një media të Kosovës (Zëri, Prishtinë 1992): …më shqetëson shumë përsosja e formës, fryma kombëtare dhe preciziteti… Përsosja e formës së poezisë më ka mbetur një ëndërr e parealizuar.
Por këto deklarata nuk mjaftuan për të tërhequr vëmendjen ndaj tij. Edhe pse plotësisht jashtë vëmendjes, i botoi poezitë e kësaj periudhe më 1994, te libri “Erdhi ora të vdes përsëri”. Shqetësimi që kishte për përsosmërinë, e bëri që të reflektonte dhe dy vjet më vonë të botonte vëllimin “Lirika të zgjedhura”. Te ky libër la jashtë rreth 15 poezi nga libri i mëparshëm dhe shtoi diçka më pak. As kthimi te poezia e hershme nuk e ndihmoi për të arritur numrin 100, që i pëlqente shumë. Sepse mori vetëm 6-7 poezi atje.
Me sa duket, i zhgënjyer nga mosvëmendja, nuk botoi më dhe nuk e organizoi më veprën e vet ashtu siç do të donte ai, me 100 lirika, për të cilën qe shprehur në një intervistë apo në biseda gojore. Vetëm një vit para vdekjes dalin librat “Vetmi” dhe “Në vetmi”, secili i konceptuar krejt ndryshe nga tjetri, që do të thotë se, para entuziazmit të adhuruesve ndaj veprës së tij poetike, dora e tij, prej të sëmuri, ndihej pak.
Nga ana tjetër, botuesit aktivizuan shumë poezi që i kishte lënë jashtë përzgjedhjeve të tij, të cilat u shtohen pak të rejave, duke e zgjeruar kështu prodhimin e tij poetik, që tashti shfaqet në libra pak më të trashë se më parë. Meqë ishte gjallë në këtë, mund t’i marrim si të aprovuar prej tij, gjë orientuese për botimet e reja. Përveç të tjerash, ata paraqesin interes për punën e tij me variantet. Sidomos, për këtë.
Megjithëse çdo gjë e kishte kundër ideve të tij, do të botonte herë pas here nga ato gjëra që do të shfaqeshin në librat e vitit 2014. Por edhe ndonjë gjë që nuk hyn atje. Në një intervistë (Drita, 18 qershor 2000), ndër të rrallat që duhet parë me kujdes, sepse te të tjerat vetëm argëtohej, përgjigjet që ka në dorë dy romane. Dhe shton: Kam edhe librin “100 lirika”. Apo: Kam vënë re se tani poezinë e shkruaj më me pasion se kur kam qenë 20 vjeç. Apo: Më pëlqen të vazhdoj rrugën e Poradecit (është më i larti).
Me sa duket, flamuri i lasgushizmit e shpëtoi nga realiteti i ashpër letrar dhe social, edhe pse kuptohet se sa e rëndësishme ka qenë në rininë e tij ajo që ndodhte në Shqipërinë e kohës: me anën e realizmit socialist, poezia shqipe po njihte notat e ndikimeve futuriste dhe postfuturiste, sidomos nga ndikimi majakovskian, të futur nga poemat e Kadaresë, por edhe vetë përkthimet e poetit ruso – sovjetik. Meqë në mendimin zyrtar të viteve ’60-të, suksesi shihej te tematika, diçka që ilustrohet me emrat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit etj., poeti i ri bëhet pjesë e këtij modeli. Në përmbledhjen e parë (1968), këtë “haraç” do ta gjejmë te poezitë e poemat për partizanin, heronjtë e punës socialiste, aksionistët, lapidarët, ushtarët e revolucionit, ndërsa në përmbledhjen e dytë (1973) do ta gjejmë te poezitë e poemat për komisarin, hidrocentralet, 8 Nëntorin, 1 Majin etj. Ato poezi përfaqësojnë tematikën tipike të poezisë së kohës, por, gjithashtu, edhe formën shkrimore, në varësi të shkallës së talentit vetjak.
Megjithatë, edhe kjo periudhë e krijimtarisë, përshkohet nga kontradikta midis talentit të mirëfilltë poetik dhe sloganizmit të diktuar ideologjik, sepse kur shmangim shtresat soc-realiste të këtyre dy vëllimeve të para poetike, ndodhemi përpara zbulimit të Rreshpjes si poet që u qëndron kohëve. Në disa fragmente poemash e poezish, ku u ikën temave të imponuara, duke ndërtuar zërin unik, pamjet e thjeshta të sendeve ngrihen deri në simbole, prej nga bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera: një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku do të duhej të flisnim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik.
Por ia vlen, së pari, të kujtohet se, në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, ku flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjejmë edhe këto rreshta – “Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë/ Hëngri gjelbërimin e pyllit/ Dhe befas u bë dimër”. Poezia qe botuar në një revistë joletrare të kohës, të quajtur “Ylli”, por që nuk i kishte shpëtuar syrit të kritikës së politizuar të kohës.
Poezia në fjalë mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie, por, meqë poeti e përdor në botimet e mëvonshme, shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas rreth 17 vjetësh, tashmë në kohë lirie. Ajo na shërben për të parë se, paradoksalisht, këto dy periudha krijimtarie do të kenë si dallime, ashtu edhe të përbashkëta po aq të mëdha, se vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu nxjerrjes së zërit të mirëfilltë të poetit, krijimtarisë që ngjizet në bazë të ligjësive të brendshme, pa ndikim nga jashtë. Këto vargje, që përcaktojnë kuturisjen e ardhshme poetike, na ndihmojnë të kuptojmë se bërthama e tematikës dhe e teknikës së ardhme i ka rrënjët te periudha e parë, që u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga mosdashja e poezisë së vërtetë, duke na dhënë kështu disa ide të qarta për krijimin në liri dhe jo-liri.
Në këtë liri shohim se, ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo. Shohim se, për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet mbetet ligjërimi, ku, ashtu siç do të thoshte Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e poetit-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim që poetit i kushton jetën, fjala gjithnjë e më shumë vjen e vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë, duke na kujtuar vazhdimisht zbatimin e teorive letrare moderne, sepse një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkonte një lexues të ri.
DISA TIPARE TË POEZISË RRESHPJANE
Që në krye të herës së poezive të botuara në vitet ’90-të, jemi në shtratin e modernizmit. Poezia është ilustruese e idesë se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale, pasi, nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik rreshpjan: aty i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi, sepse fjala ndryshon shumë nga kuptimi që ka në një fjalor.
Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë – do të binim në “herezinë e perifrazës”, siç qe shprehur “Kritika e Re” amerikane. Do të kryenim shkatërrimin e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton vetë kjo poezi, sepse metoda që merret me interpretimin e ide – përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen. Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike që shkon deri në simulakër, ikje nga çdo mimesis aristotelian. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, kjo poezi zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme.
Kjo poezi mund të shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj, sepse përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie, siç qe shprehur dikur Viko. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta, ndërsa poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Faktorë të organizimit ritmik janë zgjedhja e fjalëve, rendi i veçantë i tyre, vargjet e mirëkontrolluara, prandaj hapi i parë i kuptimit të kësaj poezie është leximi i disahershëm i saj, për të kapur çdo fjalë e referencë, të kapet ngjyresa e zakonshme e fjalës dhe ngjyresa e veçantë në kontekstin e poezisë.
Yjet bёheshin trishtila nё dritare
Ngjyer me magjinё e pyjeve tё largёt
Pa emocione nuk mund të shkruaj. Poezinë e shkruaj në një gjendje të lartë emocionale, thotë në një intervistë të lartpërmendur. Meqë poezitë, kryesisht, lidhen me emocionin dhe jo me idetë, prandaj këto emocione përçohen përmes ngjyresave të fjalëve dhe asociacioneve midis tyre, duke formuar kështu botën poetike të tekstit. Meqë pjesa më e madhe e intensitetit emocional është krijuar nga tingujt dhe ritmet e kombinimit të fjalëve, kjo poezi duhet lexuar me zë. Ajo duhet lexuar me kujdes, por në mënyrë të natyrshme, duke shqiptuar çdo fjalë, duke ndaluar në çdo shenjë pikësimi dhe duke vëzhguar fundet e vargjeve me ndërprerjen e duhur. Disa vargje duhet të kenë ndalesa të theksuara, ndërsa disa të tjera duhet të hidhen menjëherë te vargu tjetër, pas një ndalese të lehtë, duke përjashtuar çdo ton monoton, artificial e mekanik, të cilët, shpesh, shihen si poetikë.
Kush flet në këtë poezi?
Thotë Eliot-i:
Zëri i parë është ai i poetit duke i folur vetes – ose askujt. Zëri i dytë është ai me të cilin poeti i drejtohet një auditori, të madh apo të vogël. Dallimi midis zërit të parë dhe të dytë ngre problemin e komunikimit poetik.
Në një vjershë që nuk është as didaktike as narrative, dhe jo e animuar nga ndonjë qellim vjetër shoqëror, poetit Rreshpja mund t’i interesojë vetëm të shprehurit e këtij impulsi të errët në vargje – duke përdorur të gjitha burimet e tij të fjalëve me historinë, kuptimet dhe muzikën e tyre. Ai s’di ç’duhet të thotë derisa të mos e ketë thënë, dhe duke u përpjekur ta thotë, atij s’i intereson ta bëjë që të kuptojnë ndonjë send të tjerët. Në këtë shkallë, atij s’i interesojnë fare njerëzit e tjerë: i intereson, t’i gjejë fjalët e duhura apo, sidoqoftë, fjalët më pak të gabuara. Atij s’i intereson se a do t’i dëgjojë ndonjë. herë ndokush tjetër, apo a do t’i kuptojë ndokush tjetër, nëse i dëgjon. Atë e shtyp një barrë të cilën duhet ta nxjerrë në dritë me qëllim që të lehtësohet.
Me fjalë të tjera, ai i hyn gjithë atij mundimi, jo me qëllim të komunikojë me ndokënd, por që të lehtësohet nga jorehatia akute dhe kur më në fund të rregullohen fjalët ashtu si duhet – apo ashtu siç e pranon ai rregullimin më të mirë që mund të gjejë – ai mund ta përjetojë një moment rraskapitjeje, qetësimi, shkarkimi dhe të një gjëje shumë të afërt me asgjësimin, që në vetvete është i papërshkrueshëm.
Rreshpja pothuajse gjithmonë flet me zërin e parë.
Ajo poezi ka një model të veçantë tingujsh, thyerjesh dhe rrjedhe ritmike, dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat dhe zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Që të shijohet, çdo lexim duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka pasur poeti në intensitetin e tyre të parë.
Më fort se edhe për Poradecin, Rreshpja shprehej për De Radën. Ndoshta kjo na shtyn të kërkojmë referenca.
De Rada shkruan:
Ljis jeta kish ndërruar,
Uj të ri ndë dejtit
Kaljthëruar te ditë e re:
Ose:
Friti er e maljevet
E rrëzoj hjën e ljisit:
Gjaku im te ljum i Vodhit.
Pra, hidhet një figurë, e cila pret zhvillimin e një tjetre: të afërt ose jo me të, përmes ikjes nga strofa klasike dhe e rimës fundore.
Ndërsa Rreshpja shkruan:
Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër
Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:
Era, si ketër kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë.
Ose:
Rënë nga xhami i thyer i qiellit
Kristal i akullit yllëzon netëve
Dhe mbi pastelet e borës mardhet
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.
Çfarë del, duket si duket si katrenë klasike, po nuk është e tillë. Poeti i ka dhënë vetës liri të plotë në ngritjen e saj, një gjë që do ta çojë deri në perfeksion. As vargu, as strofa nuk ngrihen me mjetet e tradicionales, megjithatë nuk ndjejmë asnjë mungesë.
Duke përdorur gjuhën kritike të Kutelit, do të thoshim se poezia e Rreshpjes, plot me imazhe, është më tepër një poezi e syrit sesa e veshit, një premisë më tepër për të përforcuar idenë e raporteve të saj me folklorin shqiptar.
Nga ana tjetër, në dallim nga folklori, poezia e Rreshpjes dominohet nga metafora, e cila, siç thotë Pipa, kur flet për Migjenin, nuk është karakteristikë e poezisë shqipe, sepse në “poezinë shqipe zakonisht është shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella…”
Me ndikim nga baroku apo neobaroku, që i ka shkuar gjithmonë për krah poezisë apoloniane, por tashmë dionisjake, Rreshpja pëlqen metaforën paralogjike. Shikon tek ajo fuqinë e njeriut, duke na kujtuar fjalët e Ortega Y Gasset se ajo “afrohet me magjinë dhe, si instrument i krijimit, është harruar prej Zotit në brendësinë e krijesave të veta…”
Pas metaforave që përdor Rreshpja kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. Na vjen ndërmend koncepti bodlerian se e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.
Duke shkuar përtej poetëve barokë, ku bashkohen më anë të arsyes dy elemente të pavarura, shumë shpesh ai u heq pavarësinë edhe elementeve që bashkon, duke krijuar një element të tretë, diçka që është vetë simulakra bodrilariane. Me anë të një procesi të thjeshtë gjuhësor, metafora ngrihet në nivelin më të lartë të ndërlikueshmërisë poetike.
Po a mund ta dekodojmë?
Konotacioni i nënshtrohet domethënieve që janë thjesht një grup fjalësh. Mesazhi luan me faktet tingëllore. Aliteracioni bëhet muzikë. Asindeti rrit tensionin informativ, duke çuar në një sistem pritjesh kulturore. Niveli stilistik na afron një nivel të lartë informacioni. Fjalët e poezisë janë të jashtme për poezinë: ato mund të zinin vend pa të. Por poema ka cilësitë e brendshme të formës dhe të së bukurës, ritmet e saj, zgjedhjen e fjalëve etj…, të cilat i përkasin poemës dhe asgjëje tjetër jashtë saj.
Stephane Malarme kishte thënë se poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë. Ndjekësi i tij, Paul Valery, e kishte shtjelluar kështu: Gjuha poetike e rishqyrton realitetin e saj konkret dhe përthyhet (pasqyrohet) në të, gjë që mund të nxisë të tjera domethënie. Poeti nuk përkthen një ide në fjalë, por duke punuar me fjalët, duke i zgjedhur me kujdes e durim, duke vërejtur mundësitë e tyre për një vendosje të caktuar kontekstuale, zbulon një ndjenjë dhe një mendim, të panjohur e të padalluar më parë.
Nga shtysa kantiane e artit si lojë, krijimi ka zgjedhur teknikën që duhej ta udhëhiqte për te formësimi i vet. Për këtë arsye, kemi si detyrë të bëjmë të qarta lidhjet tekniko – formale që qëndrojnë në bazë të poezisë.
Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë moderne.
Pyetja se kush është Rreshpja do të bëhet shpesh, që do të thotë se ai do të lexohet dhe rilexohet me kujdes, për t’ia kërkuar vendin që i takon në dinamikën e prodhimit poetik të shqipes, të cilit mund t’i bëjë rivlerësime apo zhvendosje të forta, siç do të thoshte Eliot-i.

Lini një koment