Industria kulturore dhe letërsia shqipe:
nga deformimi sistemik te standardizimi masiv
Në vazhdim të diskutimit të hapur me shënimet “Një diskutim për letërsinë e sotme” dhe “Kriza e sistemit letrar në letërsinë shqipe”
Letërsia dhe arti nuk janë thjesht argëtim; ato janë instrumente themelore të reflektimit estetik, kritik dhe të ndërtimit të identitetit kulturor. Kur një sistem letrar funksionon, ai mundëson dialog mes brezave, zhvillim të traditës dhe formim të kanoneve. Kur mungon, letërsia rrezikon të fragmentohet, të standardizohet dhe të humbasë funksionin kritik. Ky fenomen shihet qartë në historikun e letërsisë shqipe, ku ndërprerjet sistemike dhe ndryshimet politike kanë lënë pasoja të gjata.
Pas vitit 1946, periudha e diktaturës imponoi një sistem letrar artificial. Autorë themelorë të letërsisë moderne u përjashtuan, kritika u kthye në instrument ideologjik, ndërsa dialogu me traditën dhe literaturën evropiane u ndërpre. Kanonet u ndërtuan mbi besnikëri ideologjike dhe jo mbi vlera estetike, duke prodhuar uniformitet dhe shtrembërim të vlerave. Ky sistem, megjithëse funksional në dukje, krijoi një boshllëk kritik: brezat e ardhshëm u edukuan me një pamje të deformuar të letërsisë, ndërsa kritika e pavarur dhe hierarkitë e vlerave artistike u shkatërruan.
Pas rënies së regjimit pas viteve ’90, ky sistem artificial u rrëzua, por liria krijuese nuk solli automatikisht rindërtimin e një sistemi kritik dhe të qëndrueshëm. Botimet u prodhuan masivisht, shpesh pa standarde estetike të qarta, dhe u orientuan më shumë drejt publikut të gjerë dhe tregut, sesa drejt zhvillimit estetik ose reflektimit kritik. Publiku, i lirë për të zgjedhur, u bë kryesisht pasiv: konsumonte pa analizuar mesazhet e veprave ose strukturën e tyre. Kjo situatë është ilustrim praktik i teorisë së industrisë kulturore të Theodor Adornos dhe Max Horkheimer. Sipas Adornos, kultura masive standardizon shijet, kthen artin në mall dhe kufizon funksionin emancipues të tij. Në këtë kontekst, letërsia shqipe pas ’90-shit tregon të njëjtat tipare: përsëritje tematike, humbje origjinaliteti artistik, dialog i kufizuar me traditën dhe mungesë kritike.
Industria kulturore, sipas Adornos, e kthen artin në mall për konsum, dhe kjo u realizua në letërsinë shqipe të pastranzicionit. Publiku nuk sfidohet më, shijet standardizohen, ndërsa arti humbet aftësinë për të edukuar dhe për të ndërtuar një reflektim kritik mbi shoqërinë. Ky fenomen tregon pasojat e një sistemi të ndërprerë dhe të deformuar që nisi në vitin 1946: humbja e traditës, e kritikës profesionale dhe e hierarkive të vlerave krijoi hapësirën për standardizim dhe konsum masiv.
Krahasuar me periudhat më të hershme, kur edhe nën kufizime ekzistonin revista letrare, institucione dhe kritikë aktive, shkrimtarët e mëparshëm kishin vetëdije për ndërtimin e letërsisë shqipe kombëtare, duke dialoguar me traditën dhe literaturën evropiane. Madje edhe kur kanonet ishin të kufizuara, funksioni kritik dhe emancipues i artit ishte prezent, edhe pse siç mund të kuptohet, i pamjaftueshëm. Krahasimi tregon se talenti individual nuk mjafton: pa sistem, kritika të pavarur dhe kanon të qëndrueshëm, liria krijuese prodhon vetëm kultura standarde dhe publiku pasiv.
Në përfundim, lidhja midis ndërprerjes së sistemit letrar në periudhën e diktaturës dhe mbizotërimit të kulturës masive pas viteve ’90 është e qartë. Letërsia shqipe u kthye në mall për konsum, shijet u standardizuan dhe funksioni emancipues i saj u dobësua. Vetëm përmes rindërtimit të kritikës profesionale, dialogut të vazhdueshëm me traditën dhe vendosjes së një kanoni të qëndrueshëm, letërsia shqipe mund të kapërcejë fragmentarizimin dhe të rimarrë rolin e saj si hapësirë reflektimi, zhvillimi estetik dhe formimi i vetëdijes kritike të publikut.
Periudha e dytë përcakton romanin “Një roman në dosjet e policisë”.
Periudha e parë përcakton romanin (duke ardhur) “Belle epoque”.

Lini një koment