Artur Baku
Një lexim i “Si shkruhet një roman dashurie”
Leximi i këtij fundviti, romani i Gazmend Krasniqit, “Si shkruhet një roman dashurie.”
Nga mënyra e kompozimit mund ta quaj edhe një eksperiment narrativ. Romani nuk ka një fabul bosht. Lënda tekstuale ndërtohet në “xhepa kohe”, me rrëfime të fragmentuara që të japin idenë e penelatave, herë me tonalitete të lehta, gati transparente, dhe herë me tonalitete të forta, të cilat bashkë krijojnë një pikturë të madhe të perceptimit subjektiv të personazheve, narratorit dhe shkrimtarit. Theksoj shkrimtarin, pasi që në fillim krijohet një marrëdhënie e mjegullt mes personazheve, narratorit dhe shkrimtarit, që ngjan me pasazhe nga filmat e A. Tarkovsky-t. Mjegulla narrative mbulon personazhet aq sa, në momente të caktuara, zhduken për t’u shfaqur në kapituj pasardhës. Siç është dhe ky fragment në fq. 71: “Kur një figurë kthehet, nuk është gjithmonë se ka harruar diçka. Ndonjëherë kthehet sepse unë, shkrimtari, s’jam gati të ndahem prej saj. Këmbëngulja për ta sjellë sërish është forma ime e brishtësisë”.
Shkrimtari nuk është një Zot absolut; ai ndërvepron me narratorin dhe personazhet, herë duke i plotësuar, herë duke korrigjuar apo duke vënë në dyshim ato që narratori rrëfen. Duke vënë në dyshim dhe vetë tekstin si produkt i shkrimtarit… Calvino thotë se “Letërsia ekziston vetëm në marrëdhënien mes tekstit dhe lexuesit”. Kjo strukturë pasqyron perceptimin se personazhet nuk kanë karaktere shteruese; na shfaqen sa fantazmagorike, aq edhe reale. Ndërveprimi i tyre me narratorin dhe shkrimtarin krijon një trekëndësh hapësinor, brenda të cilit shpërfaqet kozmosi i këtij romani. Nga faqja në faqe, kjo figurë gjeometrike trekëndore narrator, personazh, shkrimtar, shpërbëhet, duke i përfshirë vetë narratorin dhe shkrimtarin si personazhe të romanit. Kësisoj, na krijohet një hapësirë e re narrative, në të cilën kufijtë trekëndorë marrin forma haluçinante, me elemente të realizmit magjik, duke na dhënë ndjesinë se i gjithë romani mbështillet nga një mjegull çmendurie, e cila ndryshon qartësinë e tekstit në varësi të fragmentit që rrëfehet.
Kjo qasje stilistike kërkon një lexim në gjendje “alerti”, të vëmendshëm në detaje për të ndërtuar mozaikun e tablosë kryesore. Në fund është vetë lexuesi që duhet të ndërtojë kuptimin nga fragmentet, të interpretojë boshllëqet dhe të perceptojë marrëdhënien midis narratorit, shkrimtarit dhe personazheve. Siç thotë diku Umberto Eco, “Historitë nuk janë thjesht për të treguar ngjarje; ato na ndihmojnë të kuptojmë botën dhe veten”.
Autori përdor edhe disa teknika narrative që nuk janë thelbësore, si elemente misteri, numerologji, mistikë, okultizëm, histori të verdha, etj., të cilat shkrihen natyrshëm në tekst dhe funksionojnë si “karrem” për të tërhequr lexuesin. Në fakt, karremi hidhet që në titull: romani quhet “Si shkruhet një roman dashurie”, duke krijuar pritshmëri sentimentale që pastaj sfidohen. Vetë romani nuk ka asgjë sentimentale rreth dashurisë. Ai propozon një lloj antidoti ndaj sentimentalizmit dhe patetizmit.
Toposi qendror është Analta, hapësira rreth së cilës orbitojnë jo vetëm personazhet dhe historitë e tyre, por edhe mikro – hapësirat e tjera jashtë saj. Analta funksionon si një botë narrative më vete, por edhe e ndërlidhur me botën jashtë saj. Në këtë kuptim, Analta ka një analogji hapësinore me Makondon e Gabriel García Márquez-it: një hapësirë imagjinare që nuk shërben vetëm si hapësirë gjeografike, por si lakmues për të rrëfyer dhe kuptuar realitetin. Ashtu si Makondo, edhe Analta mbart brenda saj kujtesën kolektive, mitin dhe përvojën subjektive…

Lini një koment