Ky shkrim i viteve ’60-të nga Susan Sontag, e quajtur një Oscar Wilde grua, është një gur themeli i estetikës postmoderniste dhe i teorive të reja për interpretimin e letërsisë dhe të artit. Rileximi i këtij shkrimi i shërben shpëlarjes së trurit nga inercia e dogmës së realizmit socialist.
g. k.
1
[…] Është fakt që i gjithë konceptimi dhe reflektimi perëndimor mbi artin është bazuar deri më sot në teorinë e shkruar të Mimesis. Kjo teori është ajo që e bën artin problematik dhe lind nevojën e mbrojtjes së tij. Kjo mbrojtje apo përpjekje për ta justifikuar artin ka çuar në krijimin e një mënyre të çuditshme të të vrojtuarit të artit, e cila, atë që kemi mësuar ta quajmë “formë”, e ndan radikalisht prej asaj, që kemi mësuar ta quajmë “përmbajtje” dhe që, përveç kësaj, përmbajtjes i atribon rëndësinë themelore, kurse formës një domethënie të dorës së dytë.
Gjithsesi edhe në kohët moderne, kur pjesa më e madhe e artistëve dhe e kritikëve kanë braktisur teorinë e imitimit duke mbrojtur një tjetër teori, e cila e konsideron artin si shprehje subjektive, thelbi i teorisë mimetike vazhdon të mbijetojë. Qoftë si imitim i realitetit, qoftë si shprehje e artistit: në art prioriteti i përmbajtjes vazhdon të ruhet akoma. Kjo përmbajtje mund të ketë pësuar ndryshime, mund të jetë më pak figurative, më pak realiste, por megjithatë vazhdon të ekzistojë ideja se vepra e artistit mund të identifikohet me përmbajtjen e saj. Ose siç shprehen rëndom disa: një vepër arti shpreh per definitionem diçka. (“Ajo që synon të thojë X është…”, “X nënkuptonte me këtë që…” e të tjera si këto)
2
Askush prej nesh nuk mund ta arrijë sërish atë stad të pafajësisë, në të cilin arti ende nuk e njihte domosdoshmërinë e vetëpërligjjes, në atë stad, kur askush nuk diskutonte domethënien e një vepre arti, sepse dihej (ose besohej se njihej) efekti i saj. Sa kohë që zotërojmë një ndërgjegje, është detyrë e jona ta mbrojmë artin. E vetmja mundësi që kemi është të reflektojmë për njërën apo tjetrën metodë të mbrojtjes. Po! Bile e kemi për detyrë të distancohemi nga çdo mjet mbrojtjeje apo përligjjeje të cunguar e të plogët për nevojat bashkëkohore dhe mënyrat aktuale të procedimit.
Aktualisht një gjë e tillë ndodh me konceptin e përmbajtjes. Pavarësisht se cila mund të ketë qenë domethënia e saj në të kaluarën, sot ajo paraqet një pengesë, një barrë, një mendjengushtësi subtile.
Megjithëse zhvillimi i sotëm i shumë gjinive të artit tregon se po hiqet dorë nga konceptimi i veprës së artit si diçka që konsiston kryesisht në përmbajtjen e saj, një konceptim i tillë vazhdon të mbisundojë akoma. Mendoj se kjo ka të bëjë me faktin se ai, si një mënyrë e caktuar e kundrimit të veprës së artit, ka ngulur rrënjë të thella tek ato njerëz që e marrin seriozisht artin. Theksimi i ekzagjeruar që i bëhet konceptit të përmbajtjes ka sjellë me vete nevojën e vazhdueshme e të pashtershme për të interpretuar. Nga ana tjetër, zakoni i të kundruarit të një vepre arti me qëllime interpretative, ngurtëson idenë se ekziston me të vërtetë përmbajtja e një vepre arti.
3
Natyrisht këtu nuk kam parasysh atë interpretim në kuptimin më të gjerë të fjalës, të cilin Nietzsche (me të drejtë) e përdor kur thotë që nuk ekzistojnë fakte, por vetëm interpretime. Me interpretim kuptoj një akt të ndërgjegjes, i cili qartëson një kod të caktuar, disa “rregulla” të caktuara të interpretimit.
I aplikuar në art, koncepti i interpretimit nënkupton zgjedhjen dhe veçimin e një sërë elementesh (X, Y, Z e kështu me radhë) nga tërësia e veprës. Akti i interpretimit është kryesisht një punë përkthimore. Interpreti thotë: “shikoni këtu! A nuk e shihni se X në fakt është ose do të thotë A?, që Z në të vërtetë është C”?
Çfarë rrethanash arritën ta zgjonin brenda nesh nevojën për këtë transformim të tekstit? Historia na jep material që mund të na ndihmojë për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Shembujt e parë të interpretimit i gjejmë në antikën klasike të vonë, në një kohë pra, kur forca tërheqëse dhe besueshmëria e mitit filloi të tronditej dhe të zbehej për shkak të vrojtimit “realist” të botës, të cilin e solli me vete iluminizmi natyralist shkencor. Duke shtruar çështjen – pikërisht atë çështje që vë në lëvizje ndërgjegjen pasmitike – e vërtetësisë së simboleve fetare, tekstet e lashtësisë nuk mund të lexoheshin më në formën e tyre origjinare. Në këtë kohë filloi interpretimi, i cili synonte të harmonizonte tekstet e vjetra me pretendimet “moderne”. Kështu stoikët, në përshtatje me konceptin e tyre të pastërtisë morale të zotave, alegorizuan tiparet e pakëndshme tokësore, që, tek eposi i Homerit, ato paraqiten si karakteristike për Zeusin dhe klanin e tij të shfrenuar. Stoikët pohonin se ajo ç`ka Homeri kishte dashur të paraqiste me tradhtinë bashkëshortore të Zeusit me Leton ishte unifikimi i pushtetit me mençurinë. Në të njëjtën mënyrë edhe Philo i Aleksandrisë i interpretonte historitë e vërteta të Biblës së hebrenjve si paradigma fetare. Historinë e largimit nga Egjipti, e endjes 40-vjeçare nëpër shkretëtirë dhe mbërritjen në tokën e lavdëruar Philo e interpreton si alegori të çlirimit, të vuajtjes dhe të shpëtimit të shpirtit të individit. Interpretimi bazohet kësisoj në diskrepancën midis domethënies së qartë të tekstit dhe pretendimeve të lexuesit (të mëvonshëm). Kemi situatën e mëposhtme: për një arsye çfarëdo një tekst është bërë i papapranueshëm; megjithatë nuk mund ta braktisim krejtësisht. Interpretimi është një taktikë radikale që synon të konservojë një tekst të vjetër, i cili konsiderohet ende aq i çmueshëm sa nuk mund të injorohet plotësisht dhe që, për këtë arsye, i jepet një lustër e re. Nëpërmjet interpretuesit teksti nuk shuhet dhe nuk shkruhet rishtazi, por vetëm transformohet. Natyrisht interpretuesi nuk mund ta pranojë haptazi një gjë të tillë. Ai pretendon vetëm ta ketë bërë më të kuptueshëm duke zbuluar kuptimin e tij të vërtetë. Pavarësisht deri në ç`pikë e ndryshon interpretuesi tekstin (një shembull i njohur janë interpretimet “fetare” të këngës me përmbajtje të padiskutueshme erotike të Salomonit nga rabinët dhe kristianët): ai duhet të deshifrojë një kuptim, që është i pranishëm në tekst.
Aktualisht interpretimi është bërë akoma më kompleks. Pasioni bashkëkohor për interpretimin shpesh nuk buron nga adhurimi që i bëhet tekstit të vështirë (pas të cilit mund të fshihej një element agresiv), por nga një agresion i hapur, nga një përbuzje krejtësisht açike ndaj shfaqjes së fenomenit. Interpretimi i stilit të vjetër ishte kokëfortë por e njihte respektin; mbi kuptimin e vërtetë ai krijonte një kuptim të ri. Interpretimi i stilit modern gërmon dhe gjatë këtij akti ai shkatërron. Ai gërmon pas fasadës së tekstit dhe nxjerr prej andej një nëntekst, të cilin e shpall si tekstin e vërtetë. Doktrinat moderne më të vlerësuara dhe më me influencë si ato të Marx-it dhe të Freud-it, përbëjnë në fund të fundit një sistem të rafinuar hermeneutik, një sistem teorish agresive dhe të pamëshirshme të interpretimit. Të gjitha fenomenet e perceptuara klasifikohen, siç shprehet Freud-i, si përmbajtje manifeste. Kjo përmbajtje manifeste duhet analizuar dhe të spostohet mënjanë, në mënyrë që të dalë në pah kuptimi i vërtetë – përmbajtja latente. Për Marx-in dhe Freud-in fenomenet shoqërore (revolucionet apo luftërat), fenomene të jetës së individit (simptoma neurotike apo një rrëshqitje e gojës) dhe tekstet (për shembull ëndrra apo vepra artistike) japin shkas për interpretim. Bile të gjitha këto fenomene fitojnë pikërisht në sajë të interpretimit kuptimin e tyre të vërtetë. Të kuptosh do të thotë të interpretosh. Të interpretosh do të thotë të riformulosh një fenomen, apo të gjesh një ekuivalent për një fenomen të caktuar.
Si i tillë interpretimi nuk është (siç besojnë shumica e interpretuesve) një vlerë absolute, një qëndrim shpirtëror jashtë çdo dimensioni kohor. Interpretimi duhet vlerësuar në kuadrin e një gjykimi historik të vetëdijes njerëzore. Në disa qarqe kulturore interpretimi është një akt çlirues. Në disa të tjera ai ka karakter reaksionar, trivial, mbytës dhe meskin.
4
Sot përjetojmë një kohë, në të cilën shumica e sipërmarrjeve interpretative janë reaksionare dhe asfiksuese. Ashtu siç ndotin ajrin e qyteteve gazrat e makinave dhe të industrisë së rëndë ashtu e helmojnë sot aftësinë tonë ndijimore rrymat e interpretëve të artit. Në një kulturë, dilemën e së cilës e përbën hipertrofia e intelektit në kurriz të energjisë dhe të talentit sensual, interpretimi është shndërruar në një hakmarrje të intelektit ndaj artit.
Bile më shumë se kaq: hakmarrje e intelektit ndaj botës. Të interpretosh do të thotë ta varfërosh dhe ta zbrazësh botën për të krijuar në vend të saj një botë të hijezuar “kuptimesh”. Thuhet: ta shndërrosh botën në këtë botë. (Në “këtë” botë! A thua se ekziston një botë tjetër!).
Bota, kjo e jona, është mjaft e varfër dhe e zbrazët edhe kështu siç është. Le të heqim dorë nga duplikatat e saj, derisa të arrijmë sërish të perceptojmë atë që kemi.
5
Shembuj modernë të interpretimit të lënë të kuptosh, se ai, pra interpretimi, bëhet me synimin filisterian për ta braktisur artin. Arti na paska aftësinë për të na nervozuar. Duke e reduktuar atë në përmbajtjen e tij dhe pastaj duke e interpretuar këtë të fundit, arrijmë ta zbusim veprën e artit. Kësisoj, interpretimi e bën artin të manipulueshëm, më komod. […]
Në shqip: Gilman Bakalli

Lini një koment