Një tregim tipik postmodernist, që ndërtohet me parimin e zhbërjes: tregimi bëhet duke u zhbërë.

g.k.

 

Vdekja e Zotit i lë engjëjt në pozitë të vështirë. Befas kapen prej problemit themelor. Njeriu mund të përpiqet ta përfytyrojë këtë çast. Si duken në çastin që i pushton problemi, duke përmbytur ndërgjegjen engjëllore, duke i mbërthyer me darën e tmerrshme? Çështja është, “Çfarë janë engjëjt?”

Nga mosnjohja e problemit, të pamësuar me terrorin, të pavrarë nga vetmia, engjëjt (e marrim me mend) bien në dëshpërim.

Çështja se çfarë “janë” engjëjt ka histori të gjatë. Swedenborg-u, për shembull, bisedoi me shumë prej tyre dhe dëshmoi me forcë se ato e kishin rrëmbyer. Engjëjt janë si qeniet njerëzore, thotë ai. “Që engjëjt janë qenie, apo forma, njerëzore, e kam parë me mijëra herë”. Dhe më tej: “Nga përvoja ime, që tashti është shumëvjeçare, jam në gjendje të shpall se engjëjt janë plotësisht në formë njerëzore, me fytyrë, sy, veshë, trupa, krahë dhe këmbë…” Veçse njeriu nuk mund t’i shohë engjëjt me sytë e zakonshëm, por vetëm me ato të shpirtit. Swedenborg-u ka prapë për të thënë për to, e gjitha plot interes: asnjë engjëlli nuk i lejohet të qëndrojë prapa tjetrit, sepse kjo do të turbullonte shpërthimin e të mirës dhe të vërtetës së Zotit; engjëjt kanë Lindjen, ku Zoti duket si një diell, vetëm për sytë e tyre; engjëjt janë të veshur sipas inteligjencës. “Më inteligjentët kanë veshjen që shkëlqen si flakë, të tjerët kanë veshjen që vezullon si dritë; më pak inteligjentët kanë veshjen që ndriçon me të bardhë ose jo; apo dhe më pak inteligjentët kanë veshjen me ngjyra të ndryshme. Por engjëjt më të thellë nuk kanë veshje.”

E gjitha kjo (me sa duket) nuk mjafton.

Gustav Davidson, në Diksionerin e Engjëjve, ka sjellë shumë gjëra që dihen për to. Emrat e tyre janë: engjëlli Elubatel, engjëlli Friagne, engjëlli Gaap, engjëlli Hatiphas (gjeniu i veshjes së bukur), engjëlli Murmur (një engjëll i përmbysur), engjëlli Mqttro, engjëlli Or, engjëlli Rash, engjëlli Sandalfon (dy herë më i lartë se një udhëtim pesëqind vjeçar më këmbë), engjëlli Smat. Davidson dallon kategoritë: Engjëjt që Dridhen, të cilët qarkojnë fronin qiellor, Mjeshtrat e Ulëritjes dhe Zotërit e Britmës, puna e të cilëve lavdërohet; lajmëtarët, ndërmjetësit, vëzhguesit, këshilluesit. Diksioneri i Davidson-it është një libër shumë i madh; bibliografia e tij përmbledh më shumë se njëmbëdhjetë mijë artikuj. Ndërgjegja e mëparshme engjëllore u përshkrua mrekullisht nga Joseph Lyons (në një shkrim të titulluar Psikologjia e Engjëjve, botuar më 1957).

Secili engjëll, thotë Lions, gjen gjithçka që dihet, për veten dhe çdo engjëll tjetër. Asnjë engjëll nuk mund të ngrejë probleme, sepse problemet dalin prej situatës së njohjes dhe qenies së vetëdijshme për mosnjohjen. Një engjëll nuk mund të jetë kurioz; nuk ka asgjë që mund ta bëjë kurioz. Ai nuk duhet të habitet. Gjithë puna është të dihet se bota e njohjes së mundshme duhet të duket si një tërësi e rregullt e fakteve e cila i qëndron pas, plotësisht e ngulitur, e sigurt dhe e mbërthyer në fuqinë e tij.

As kjo, gjithashtu, nuk mjafton.

E çuditshmja e shkrimeve për engjëjt është se shumë shpesh nxirren si shkrime për njerëzit. Temat gjuajnë në të dyja anët. Kështu që përfundimisht gjithkush e kupton se Lions, për shembull, në të vërtetë nuk po shkruan për engjëjt, por për skizofrenët – evokon për njerëzit kur shkruan për engjëjt. Dhe kjo ngërthen të vërtetën e shumë shkrimeve si ky – një pikëpamje, ne mund ta mbajmë, që nuk humbi kur filluan të shqyrtojnë marrëdhëniet e tyre të reja në kozmos, pasi analogjistët (një engjëll është më shumë si zogu quetzal1, apo si njeri? Apo si muzikë?) ndihmonin për këtë.

Mund të mbajmë mendimin se disa përpjekje për vetëpërcaktimin bëhen prej vetë funksionit. Një engjëll është çfarë ai bën. Kështu që është e thjeshtë për të gjurmuar rolet e mundshëm (ju kujtoheni se ky është spekulim i pistë). Pas vajtimit të kaluar për qindra e qindra të asaj që engjëjt përdorin për kohë, një engjëll propozoi që vaji të jetë përjetësisht në funksion të engjëjve, siç ishte më parë adhurimi. Mënyra e vajtimit të jetë e heshtur, në kundërshtim me këngën e pandërprerë të Glorias, që ka qenë profesioni i tyre i mëparshëm. Veçse heshtja nuk është në natyrën e engjëjve.

Një kundërqëndrim thotë se engjëjt pohojnë kaosin. Ka pesë dëshmi për ekzistencën e kaosit, e para e të cilave është mungesa e Zotit. Edhe katër të tjerët sigurisht që mund të përcaktohen. Puna e përkufizimit dhe shpjegimit mund t’i pushtonte engjëjt përgjithmonë, nëse kjo bëhet mirë, siç i ka pushtuar teologët njerëz. Por engjëjt nuk janë dhe aq shumë të dhënë pas kaosit.

Më seriozi, sepse propozimi më radikal u mor në konsideratë prej engjëjve, është kundërshtimi – kur deshën të lëviznin nga qenia në mosqenie. Dinjiteti i madh, i shtuar te engjëjt që nga ky veprim, është ndjenja e qenies manifestim i krenarisë shpirtërore. Kundërshtimi u hodh poshtë.

Ka të tjera sugjerime, më të holla dhe më të ndërlikuara, kështu përherë e më pak ndonjë që të rrëmben plotësisht.

Pashë një engjëll të famshëm në tv; veshja e tij shkëlqente si dritë. Ai foli rreth gjendjes së tashme të engjëjve. Engjëjt, tha, në shumë mënyra janë si njerëzit. Problemi i adhurimit duket se është kryesori. Tha se dikur engjëjt janë përpjekur të adhurojnë njëri-tjetrin, siç bëjmë ne, por e gjetën përfundimisht si “jo të mjaftueshëm”. Ai tha se janë në kërkim të parimeve të reja.

përktheu: Gazmend Krasniqi

Lini një koment