Teksti ndërthur tri shtresa themelore: historiografinë humaniste, metafiksionin dhe horrorin e kujtesës. Këto tri plane krijojnë një tregim ku historia, teksti dhe realiteti i personazheve bashkohen, duke e kthyer librin në një qenie autonome që duhet të veprjë mbi lexuesin.
Motivi kryesor i tregimit është kujtesa, jo si arkiv pasiv, por si entitet aktiv që hyn në njerëz, konsumon ata që e mbajnë, kërkon të vazhdojë të shkruhet dhe nuk lejon harresën Simboli i yllit me tetë cepa dhe syri i brendshëm përfaqëson Kujtesën e Pambyllur, një qenie apo ritual që aktivizohet sa herë dikush lexon ose zbulon një libër të ndaluar. Shprehje si: “Të gjithë ata që lexojnë, bëhen pjesë e rrëfimit. Dhe rrëfimi nuk i lëshon kurrë.” e shndërrojnë aktin e leximit në një rit të rrezikshëm. Kujtesa nuk është më një “shërbim” i njeriut – është e kundërta: njeriu shërben si enë e kujtesës.
Teksti nis me referenca reale: Barleti, botimet latine, jezuite e françeskanë, Formulës së Pagëzimit të Pal Engjëllit, si dhe një letër që i drejtohet Barletit për të shkruar librin. Kjo krijon idenë se jemi në terrenin e dokumentarit historik. Por gradualisht, letra kalon nga përmbajtja faktike te udhëzimet ezoterike. “Ars memoriae”, numri latin III:XV:IX dhe simboli i Kujtesës së Pambyllur e zhvendos tregimin në një dimension okult. Kjo lëvizje është e qëllimshme: luhet me kufirin midis historiografisë humaniste (që vetë Barleti e praktikon) dhe idesë se historia e shkruar është magji, thirrje e të vdekurve, kryqëzim mes kohëve.
Tregimi fut një trope tipike të horrorit bibliotekar/ arkival: një letër e humbur që s’duhej gjetur, një udhëzim për ta djegur, një simbol okult në fund, zhdukja e personit që e lexon, teksti që ndryshon pas leximit dhe shkrimi që shfaqet vetëm nga një kënd drite. Objekti nuk është thjesht një dokument: është një portë.
Termi klasik “Ars memoriae”, që i referohet teknikave të memorizimit të oratorëve romakë, këtu merr katër kuptime të përmbysura: fjala e parë e librit, një motor narrativ, një mallkim dhe një metaforë për vetë letërsinë.
Rrethimi i Shkodrës (historik) përzihet me rrethimin psikik të personazheve, rrethimin nga kujtesa, rrethimin e bibliotekës, rrethimin e narratorit dhe rrethimin e lexuesit. Fjala e fundit: “Ky nuk është fundi. Ky është rrethimi i ri.” e shndërron gjithë tregimin në një cikël të pafund të ripërsëritjes. Vepra nuk rrëfen më vetëm rrethimin e 1479-s, ajo krijon një rrethim të përhershëm të lexuesit nga vetë akti i leximit.
Në fund, thuhet: “E vërteta është se unë nuk jam bërë i gjallë. Më tmerron ideja se më quajnë narrator i pabesueshëm.” Ky është kulmimi i metafiksionit: narratori e kupton se është produkt i rrëfimit, jo autor i tij. Ai ekziston vetëm brenda rrethimit të kujtesës. Dhe ndërsa pretendon të japë shpjegime për kodet, ai tradhton shtytjen që po e gërryen: është bërë pjesë e veprës, pra i pabesueshëm.

Lini një koment