Për EKSPRES, Kosovë
GAZMEND KRASNIQI
Libri i parë
Libri i parë ka qenë ai që më ka bërë përshtypje me figurat (ilustrimet) e tij, si “Tregime të moçme shqiptare”, histori apo rrëfenja për Skënderbeun – që ishin mënyra e vetme për të shpëtuar shkrimtarët shqiptarë dhe vetë lexuesit nga stisja e heroit të ditës – etj. Nuk e di se cili ka qenë i pari, ndoshta ngaqë u jam kthyer disa herë këtyre librave me figura. Për fat, në kohën e brezit tim nuk ishte e përhapur ende ajo që quhet “letërsia për fëmijë”, prandaj lexova gjithçka. Nga mosha 13 vjeçare mund të lexoja secilin prej klasikëve. E kam fjalën, nga pikëpamja e guximit. Lexova edhe romanin e Ernest Hemingway-t, “Lamtumirë armë”. Besoj se pjesët lirike të këtij libri – pjesa tjetër është mjaft reportazheske – më larguan dalëngadalë nga realizmi i shekullit XIX. Ato pjesë të pakta lirike, që i dija përmendësh në atë moshë, më shtynin të mendoja se çfarë mund t’i merrej realitetit nga shkrimtari.
Por në shkollën e mesme kam studiuar për pikturë dhe, në vazhdim – përveç rasteve të rralla – kam lexuar vetëm poezi. Edhe pse atëherë nuk i kisha përcaktuar si duhet konceptet, kjo më dukej si ikje nga Provinca në Qendër. Nuk kam dashur asnjëherë të çudis me ngjarjet, por me mënyrën se si e mendoj letërsinë në vetvete. Edhe te tregimi “Tregtar flamujsh” i Koliqit gjen shfaqjen e realizmit: gjuhë objektive, mimesis – ndryshe nga tregimi “Studenti në shtëpi” i Migjenit, që përmendet si shembull i realizmi (kritik), sepse këtu, si pasojë e ndikimeve ekspresioniste, ndërhyn zëri autorial – por te tregimet koliqjane gjen shfaqjet e modernizmit, sidomos me atë që quhet zhvendosja e realiteteve apo me vetë shfaqjen e fantastikes dhe ndonjë note të realizmit magjik. Natyrisht, Migjeni është shkrimtari që u përket leximeve të para, sidomos shkollore, ku na është “shitur” shumë keq. Sot e vlerësoj shumë rëndësinë e tij për letërsinë shqipe, por meqë na ishte hequr ajo që duhet, dhe na ishte lënë ajo që nuk duhej, shërimi vjen me vështirësi.
Libri që do të doje ta kishe shkruar
Librin “që mbahet nga forca e stilit”, siç do të thoshte Flaubert-i, shkrimtari i drobitur nga mundimet për ta ngritur lart stekën e realizmit. I kam rishkruar dhe vazhdoj t’i rishkruaj librat e mi, duke arritur bindjen se teksti para se gjithash është një konstruksion fjalësh, që vë në lojë pamundësitë tona gjuhësore. Prej më shumë se 20 vjetësh përpiqem të shkuar një roman për një poet. Meqë modeli është poeti Rreshpja, lexuesi pret ta kem në dorë. Kam botuar disa variante. Vazhdoj të kem në dorë variantin e ri. Nuk është një vendim, por një nevojë. Përvojën 150 vjeçare të botës letrare e kam prekur brenda një libri:
Duhej të jepej jeta e poetit, por ishte e pamundur të jepej ajo që njerëzit kishin menduar se qe e Vërteta. Realiteti i veprës përbëhej prej krijimeve të imagjinatës, ose qe në varësi të pikëshikimit relativ në kohë dhe në hapësirë. E vërteta qe e vështirë të realizohej nga gjuha dhe kështu vihej në dyshim elitizmi si element kryesor i modernizmit dhe kërkohet mbushja e hendekut mes kulturës së lartë dhe të ulët. Ka mbërritur postmodernizmi, që përqendrohet te individi. A ka individ “individ”. A ka individ “fletë te bardhë”, apo në të medoemos kanë shkruar të tjerët. Çfarë? Si?
Tekstet “Romani i Lumturisë” dhe “Romani i Dashurisë” janë në të njëjtat ujëra: reflektimi për (pa)mundësitë e romanit. Pra, romanin që do të desha të shkruaj ka nisur gati para 30 vjetësh dhe e kam në proces. Po gjeta kohë, do të hedh edhe ndonjë hap më tej.
Kështu ka ndodhur edhe me poezinë: numri i poezive që kam shkruar gjatë gjithë jetës, në vend që të rritet, ulet.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Nëse vjen një student dhe ditën e parë që ka shkelur në universitet të thotë se ka lexuar dy romane të nobelistit Kazuo Ishiguro, por nuk i kanë pëlqyer, çfarë do t’i thuash? Unë për vete i kam lënë mënjanë këta libra ngaqë nuk më plotësonin kërkesën për teknika më bashkëkohore, por pritshmëritë e studentit të ri janë krijuar prej leximeve të tjera. Po cilat janë ato?
Nuk e di nëse mund të shijohet letërsia siç duhet, pa lexuar më parë libra-çelës. Në këtë moment do të doja që shqiptarët të lexonin poezinë e Rreshpjes. Po ta shijonin, do t’i bënte t’u largoheshin gjërave pa vlerë që janë shkruar në këto dekada, por vazhdojnë të trumbetohen dhe të mbahen fiktivisht. Por më parë ai duhet të futet në shkolla, atje ku ndikimi është më i madh. Hë për hë, nuk ka gjasë. Në Prishtinë po, por në Tiranë jo. Në këto dy qendra kulturore lexohet ndryshe, megjithëse bëhet fjalë për të njëjtën letërsi: atë shqipe.
Duhet rritur leximi i tekstit dhe zvogëluar leximi i kontekstit që na largon nga letërsia dhe arti. Arti i Reshpjes është kondensuar rreth viteve 90-95, por liria e Camajt është shtrirë në disa dekada. Rreshpjen etern e kap edhe duke i lexuar vetëm dy-tri poezi, ndryshe nga Camaj që duhet ta lexosh të plotë, duke parë se si ka kaluar nga letërsia tradicionale në atë moderniste e më pas në atë postmoderniste.
Pra, “tjetri”, nëse mendon se meriton të quhet lexues i mirë – flas për lexues të mirë, që duan të perfeksionohen gjatë rritjes së tyre – do të doja të lexonte aq sa të vinte te çasti ku do ta shijonte prozën apo poezinë me teknika bashkëkohore. Për herë të parë në historinë tonë mund të jemi bashkëkohorë në lexime, sepse libri qarkullon më shpejt. Por funksionon keq mekanizmi i kritikës, ku futen çmimet e rëndomta e të pazareve, apo i shkollës, ku sundojnë klishetë e pazëvendësueshme. Shprehjen “Kur të kërkohen vlerat” nuk duket kund në horizont. Nga kjo pikëpamje, situata është… vendosjani emrin si të doni, por të shpresojmë se koha i shëron plagët. Me sa duket, kjo nuk hyn në çështjet me rëndësi as në Tiranë, as në Prishtinë. Ja, edhe pak, sa të zgjidhim të mëdhatë. Sigurisht, është edhe pyetja: A pret kultura?
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Edhe pse nuk isha ende i qartë për atë që quhej “kriza e romanit”, që qe në fakt kriza e romanit realist, më rezulton se rileximet e mia të këtij zhanri filluan nga modernizmi. Diçka nga Conrad-i, Hesse, Faulkner-i. Sidomos ky. Përzierjen e ëndrrës me realitetin e kishte Kafka, thelbi i modernizmit sipas Milan Kundera-s. Kalimi në sferat e fantastikes dhe realizmit magjik kanë gjetur përhapje prej tij. Këtë e kupton më mirë kur lexon Borges-in.
Shumë mjeshtër të njohur të dekadave të fundit e kanë pranuar se çfarë qe Borges-i për ta. Po e rreshtoj edhe veten, me modesti, nga fundi. Kritikët e kanë gjetur frymën e tij te tregimet e mia.
Mund të flitet për libra që ma kanë shënuar jetën, që u kthehem herë pas here. Çfarë po bën? Ku po shkon? Më ka interesuar gjatë mendimi estetik dhe i mishërimit në art. Dihet vlera e letrave të Flaubert-it apo e bisedave të Eckermann-it me Goethe-n. Petraq Kolevica është treguar i zgjuar dhe i ka bërë një shërbim të madh letërsisë shqipe kur ka mbledhur reflektimet e Lasgush Poradecit. Qëllon ta shfletoj ende atë libër plot me nënvizime të bëra gjatë leximeve të para.
Më interesojnë shkrimtarët që reflektojnë për punën e tyre dhe artin në përgjithësi. Për shembull, te Mario Vargas Llosa nuk kam shijuar letërsinë, por dijet që ka për procesin letrar dhe veprat e të tjerëve. Mund ta them këtë edhe për Orhan Pamuk-un.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
Çmimet që jepen në Tiranë dhe në Prishtinë të lënë një shije të tmerrshme, nëse i ndjek. Mendohet për gjithçka, përveçse për letërsinë. Shpesh, mjafton motivacioni që jep një juri, që të mos e lexosh një libër. Ai që quhet Çmimi Europian, në Shqipëri jepet nga librashitësit. Ose nga gazetarët pa kulturë të kulturës. Ose nga botues që letërsinë e masin me numra. Kjo ka vlerë, në shumë raste, edhe për çmimin Nobel. Por shija përpunohet. Nuk kemi nevojë të pimë një fuqi me verë, që ta marrim vesh se si është ajo.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
E kam përmendur edhe më përpara: “Alkimisti” i Paulo Coelho-s. Në disa shënime që lexova, m’u duk se po bëhej fjalë për librin që doja ta kërkoja. Rezultati: sapo e lexova, ia fala personit që qe më afër meje. Sigurisht, nuk kam lexuar më libër prej këtij shkrimtari. As kam dashur të dëgjoj më për të. Përvojë vetjake, sigurisht. Ka justifikime se disa shkrimtarë shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve, por unë nuk e gjej veten në to. Mandej, kur këta shkrimtarë pushtojnë letërsinë për fëmijë, mendoj se atje duhet të flitet për… krime ndaj njerëzimit. Lexuesi i tyre, përgjithësisht, nuk shkon më tej dhe si pasojë mund të flasim për qarkullim monetar, por jo për qarkullim vlerash.
Libri që ju ka befasuar
Librat risues. Efektin e tyre mund ta kapësh kur ke lexuar shumë dhe mund të krahasosh. Nëse kërkon të shijosh librat risues, nuk mund t’i shpëtosh këtij sistemi leximi. Nëse nuk ke kaluar nga realizmi (për shembull, Flaubert), nga modernizmi (Për shembull, Proust, Faulkner apo Woolf) nuk mund të zbulosh se cila është e reja sot në roman. E njëjta gjë edhe në poezi. I kërkoj vazhdimisht këta libra. Qëllon që i gjej. Nuk po i listoj, duke i menduar si përvoja vetjake. Nuk besoj se përvojat përsëriten. Edhe pse janë shkruar në kohën tonë, ata nuk më pengojnë të lexoj, bie fjala, Herodotin, ku gjendet bërthama e tregimit modern. Dua të them se libri befasues vjen nga një sistem leximi. Dikush mund të befasohet nga një libër që flet për vlerat e hudhrës, por kjo ndodh për arsye krejt vetjake, ndaj nuk e di nëse mund të rekomandohet si lexim befasues.
Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë
Poetja Emily Dickinson thotë se poezia e mirë është ajo që të bën ndjehesh sikur ta kanë prerë kokën. Për të kuptuat këtë, duhet të kthesh kokën në vend dhe të analizosh se si ka ndodhur kjo. Kështu që duhet të rilexosh. Kjo ka vlerë edhe për romanet. Këtu gjendet arsyeja që i rikthehesh një teksti disa herë.
Libri i fundit
Kam lexuar “Shtërgjet” e Olga Tokarczuk. “Fizika e trishtimit” e Georgi Gospodinov. Janë libra tipikë që tregojnë për prirjet e shkrimit në kohën tonë. I pëlqen apo nuk i pëlqen, këta janë Libra-çelës.
Lexuesi duhet ta dijë që, prej 100 vjetësh, heroi nuk është më hero. Intriga nuk është më intrigë. Siç do t’i thoshte një filozof, shkrimtari i postmodernës nuk udhëhiqet vetëm nga rregullat e vendosura, por i zbulon rregullat gjatë procesit të punës. Në këtë rast, nuk është shumë e lehtë të jesh lexues. Pra, lexuesi, ashtu si shkrimtari, përsoset gradualisht.
Burimi: https://www.gazetaexpress.com/erotimatologio-gazmend-krasniqi/

Lini një koment