Sevdail ZEJNULLAHU
Poezia Histori hapet me një akt heshtjeje. Kjo “heshtje” nuk është thjesht pa-fjalë; është një refuzim, një shpërfillje e butë ndaj pasqyrimit – xhamave të kohës. Aty ku koha normalisht organizon identitetin, këtu ajo shfaqet si një sipërfaqe ku sendet përpiqen të bindin se janë ende ato që kanë qenë. Silueta dhe tiku nervor janë dy gjurmë të ndërgjegjes: njëra formale, tjetra e pavetëdijshme. Të dyja i përkasin njeriut, por këtu shfaqen si dëshmi të sendeve – gati të pavarura nga subjekti. Kjo lëvizje është shenja e parë e përmbysjes strukturore: poezia ia jep objektit fuqinë që zakonisht i përket subjektit
Vargu “Na ngatërruan me të tjerë në univers” e trajton identitetin si eksperiment dhe botën si laborator. Kjo nuk është metafizikë klasike, por një shenjë destruktive: poezia e mohon origjinën e qëndrueshme të vetes. E “vetja” këtu nuk është e garantuar. Bota është e prekshme nga gabimet; universi mund të ketë rrëshqitur, si në një montim të pakujdesshëm mekanik. Ideja është radikale: identiteti është rezultat i një gabimi teknik, jo i një esence. Kjo e çon poezinë drejt një tensioni mes sendit që nuk e di dhe njeriut që dyshon. Objekti është i pafuqishëm: “Nuk mund ta dinë… As nuk mund ta ngushëllojnë veten…” Njeriu, në anën tjetër, ka një fat të dyfishtë: e kupton gabimin, por nuk mund ta rregullojë. Pra subjekti është më i vetëdijshëm, por jo më i lirë. Kulmi i poezisë qëndron te strategjia e sjelljes ndaj botës: “Sikur e gjitha kjo është vetëm një mësim arti.” Kjo frazë është si çelësi që hap dyert e tekstit. Njeriu vepron sipas një estetike mbijetese: nga afër, trupi reagon me instinkt “hidheshi i eksituar”, nga larg, njeriu bëhet autor i fatit të vet “shkruan… thua se di”. Kjo lëvizje afrim–largim është arkitektura e brendshme e poezisë. Ajo i imiton teknikat e vizatimit: figura duket ndryshe kur i afrohemi, ndryshe kur largohemi. Njeriu është njëherësh modeli dhe vizatuesi. Por është edhe i gënjyer – sepse ai “thua se di”, pra inteligjenca është vetëm pozë, jo fuqi.
Finalja është goditja më e hollë: “Ku pemët mund të përqeshin gravitetin, Por nuk hyjnë dot në histori si ne.” Pema, një qenie e heshtur, e lidhur me tokën, mund të sfidojë ligjin fizik – gravitetin – në mënyrën si rritet, si sfidon poshtërsinë e peshës Njeriu, i dobët, i lëkundur, i humbur mes gabimeve të universit, ka privilegjin e vetëm të jetë pjesë e historisë – një privilegj që është më shumë mallkim se dhuratë. Sepse historia këtu nuk është kronikë, por peshë.

Lini një koment