Gazmend Krasniqi është fanatiku i modernes dhe i postmodernës si një e pandashme; krijuesi që jetën ‘e copëtuar’ dhe të fragmentuar në mini-rrëfejza e kthen në histori artistike.

Ky libër, i strukturuar si kolazh situatash e idesh që mëtojnë të lidhen rreth strumbullarit të temës së dashurisë e lumturisë, është zhvilluar si diptik dhe ka eksploruar tema të paranojës, identitetit, izolimit, dashurisë e lumturisë – duke prekur sa përvojat ‘fundamentale’ po aq dhe ato ‘të rastësishme’ njerëzore, në një botë të fragmentuar, copë-më copë e me zë të shterur. Këtij sfondi tematik i ka shkuar përshtati diskursi rrëfimtar me ton filozofik, i cili e ka dendësuar edhe më strukturën e ndërliqshme narrative të lidhur nyje në log të temave e dhimbjeve ekzistenciale. E tërë kjo romansiadë e tipit ‘omnibus postmodern’, gërmon e heton sa këtu sa aty, sa brenda jetës individuale po aq në skenën sociale, kuptimet jetësore të personazheve, duke i kthyer ato edhe në obsesione të perspektivës së kënduesit. Rrjedhimisht, kaosi i jetës personale të një ‘lexuesi’ provon të gjejë paralelen brenda jetës së një ‘personazhi’ dhe botës së tij përreth. Mbi këtë skenë ndodh edhe kërkimi i bukurisë së botës si identifikim me të bukurën që na shfaqet para sysh dhe përzihet me jetën tonë,

Si i tillë, ky libër afirmon artin e rezonancës së jetës si prekje e brishtësisë fragmentare me konsistencën e kërkesës artistike, si kërkim e përjetim i Analtës, këtu ‘poshtë’, atje ‘lart’, këndej e andej.

Kam kënaqësinë e veçantë që të propozoj për lexim këtë libër të Gazmend Krasniqit, autorit që në letërsinë shqipe po e arkivon dhe tëhollon artistikisht sensin letrar të postmodernës në një epokë kur po paguan haraç vetë statusi që fiksioni pati fituar në kohërat moderne dhe bukurletrës po i dridhet trualli nën këmbë.

Lini një koment